E merkure, 30.04.2025, 05:35 PM (GMT+1)

Mendime

Reagimi i Republikanit Sabri Godo ndaj skandalit te ushtrise greke...

E enjte, 01.04.2010, 08:24 PM


Republikani Sabri Godo kritikon qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj skandalit të ushtrisë greke


Kryetari i Asamblesë Kombëtare, të Partisë Republikane Sabri Godo ka kritikuar ashpër thirrjet antishqiptare nga ushtarët grekë. Sipas tij, ekziston diçka e keqe që duhet ndaluar dhe ndëshkuar dhe se nuk duhet të ishte pezulluar vetëm oficeri, por e gjithë ushtria, sepse edhe ushtarët janë të përgjegjshëm për atë që thonë. Nëpërmjet një interviste televizive,

ai theksoi se qeveria jonë duhet të kishte vepruar më me energji. “Ministri i Jashtëm duhet të thërriste ambasadorin grek, por ata u treguan më të gatshëm. Ishte ambasadori grek, ai që i dërgoi letër Metës. Ky mosveprimi ynë që herën e parë i dha shkas kësaj të dytës, nëse ulim qafën siç kemi bërë gjithnjë do të kemi ndonjë shfaqje të tretë po aq skandaloze dhe të dëmtojë marrëdhëniet tona”, sqaroi Godo. Duke u ndaluar tek situata aktuale në sheshin “Skënderbej”, Godo theksoi se Tirana ka të drejtën e vet të administrimit dhe se në këtë situatë, duhet bashkëpunimi i pushtetit lokal me qendror. Përsa i përket rikthimit të protestave nga opozita, Sabri Godo nënvizoi se në përgjithësi socialistët duhet të mbledhin mendjen, le ta thonë njëherë e mirë do të jenë ose jo në parlament. “Duket sikur duan të tërheqin vëmendjen me lojërat që bëjnë, janë më tepër punë kalamajsh, kjo nuk shkon në forcimin e opozitës që i duhet këtij vendi, shkon në dëm të dy gjërave kryesore, zhvillimit ekonomik dhe në marrëdhëniet me Evropën”, u shpreh Godo. 

- Si i konsideroi thirrjet antishqiptare të trupave ushtarakë grekë?


E kam quajtur thirrje kanibaliste. Është me të vërtetë e habitshme. Pse përsëritet tashmë? Sepse kur u vërtetua kjo herën e parë nuk u morën masa, u morën heshtje. Duhej që në atë kohë, qeveria shqiptare të kishte bërë protestë të ashpër dhe ndofta do t’u ishte prerë hovi të tjerëve, nuk do të kishim këtë përsëritje brutale që patëm këtë herë. Ekziston diçka e keqe që duhet ndaluar dhe ndëshkuar.

- Mund të jetë një rast sporadik?


Them se normalisht duhet të ishte nxjerrë ky repart nga parada, të ishin çuar në kazermë, të ishte çarmatosur dhe të vihej në procedim penal. Ai është akt antikushtetues, tani del zv/ministri i Mbrojtjes dhe thotë se është pezulluar oficeri. Çdo të thotë pezullim? Mbase e çojnë në një tjetër repart. Atje, duhet të ndëshkohen të gjithë ata, që thirrën. Edhe ushtarët janë të përgjegjshëm për atë që bëjnë, kjo nuk mund të merret si tekë e një oficeri. Nëse kjo nuk goditet rëndë, nuk ka garanci se nuk do të ketë përsëritje të tilla në të ardhmen, kjo është një gjë e keqe për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, dy ushtritë që kanë marrëveshje këto shkelen me këmbë. Kemi të bëjmë me një repart komplet që parakalon pa turp dhe thërret për gjëra të përbindshme.

- Kjo ushtri ka qenë në Sarandë, në muajin shtator?

Nuk duhen lidhur gjërat. Ndodhemi përpara këtij fakti, presim të dimë se çdo të bëhet më tej. Kishte reagim pozitiv nga qeveria greke, por kjo nuk mjafton kurrsesi.

- Çfarë është kjo urrejtje kundrejt shqiptarëve?


Kam qenë shumë herë në Greqi jam nga Delvina dhe ne kemi qenë në marrëdhënie vëllazërore, populli grek nuk ka urrejtje ndaj shqiptarëve, janë disa qarqe të ekstremit të djathtë që e kanë ushqyer tradicionalisht këtë frymë. Ka forca politike dhe rryma që e ushqejnë këtë tendencë, të Greqisë që kërkon hapësira duke përfshirë Stambollin. Njerëz jashtë kohës dhe jashtë vendit mund të gjesh dhe gjetiu nuk është habi e madhe. Puna është se ç’qëndrim mbajnë ndaj tyre, autoritetet politike dhe shoqëria në tërësi, i kanë izoluar. Ndërsa këta, bëhen prezentë herë pas herë dhe në mënyrë skandaloze.

- Qeveritë pa dashje e kanë ushqyer këtë gjë duke mos reaguar siç duhet?


Ka disa gjëra që të bëjnë përshtypje. Për këtë rast folën gjithë masmediat shqiptare me përjashtim të ZP dhe RD, që nuk e zunë në gojë dhe nuk dëgjova asnjë eksponent politik me përjashtim të Metës. Asnjë eksponent i këtyre partive nuk tha asnjë fjalë për të. A thua sikur këta nuk marrin frymë dot pa lejen e Athinës?! Nuk jam për atë që të djegim flamurin grek, për t’iu përgjigjur këtyre njerëzve të dalin me këtë gjuhë, duhet të mbajmë gjakftohtësinë . Qeveria jonë duhet të kishte vepruar më me energji. Ministri i Jashtëm duhet të thërriste ambasadorin grek, por ata u treguan më të gatshëm. Ishte ambasadori grek, ai që i dërgoi letër Metës. Ky mosveprimi ynë që herën e parë i dha shkas kësaj të dytës, nëse ulim qafën siç kemi bërë gjithnjë do të kemi ndonjë shfaqje të tretë po aq skandaloze dhe të dëmtojë marrëdhëniet tona.

- Është kaluar në parlament marrëveshje për varrezat greke, Shqipëria pranon të bëjë regjistrimin e popullsisë, bën kufijtë detarë përse gjithë kjo tolerancë? Ç’po presim ne nga Greqia?


Po t’i mbledhësh të gjitha duket se ne kemi politikë nënshkrimi ndaj Athinës. Ata që e bëjnë justifikohen me emigracionin tonë të madh, ose duke u mbështetur tek ideja që Greqia duhet të japë votën për marrëdhëniet tona me Evropën. Greqia nuk mund të dalë nga kuadri i gjërave, dhe për konfliktet të adaptojë një vend që është anëtar i komunitetit evropian prej kohësh. Ne trembemi nga hijet që nuk ekzistojnë. Këta emigrantë janë një nevojë e dyanshme, ata paguhen shumë më pak se grekët. Shqiptarët po ndërtojnë Greqinë, po zhvillojnë bujqësinë greke. Kjo është një fazë që unë pres të kalojë, mbase do të zgjatet disi në vite, por do të vijë dita që ne të jemi të barabartë me grekët. Varrezat e të tjerat, hyjmë tek thënia e vjetër ku ka rënë ushtari grek është tokë greke. Kjo politikë ndikon për të mbuluar me varreza një pjesë të madhe të jugut të Shqipërisë. Ne nuk duhet të lejojmë këtë dhe shumë gjëra. Pse Athina u shpejtua të përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare për regjistrimin e popullsisë shqiptare? Kundërpërshëndetë n dhe marrëveshjen detare me Greqinë, me gëzim si një fitore e tyre si një lajm i madh.

- Bakojanis u shpreh se morëm më shumë nga Shqipëria?


Qeveritarët tanë të mendojnë me të vërtetë, janë gjëra që kanë të bëjnë me tërësinë tokësore të republikës, detyrimin kushtetues për t’i qëndruar këtyre gjërave. Edhe rrezikohet tërësia tokësore e Shqipërisë nëse ne ecim përpara me veprime të tilla. Jam i pakënaqur me një politikë të tillë. E kemi fqinjë në një pjesë të madhe të kufirit në tokë dhe në det, kur nuk është mirë fqinji nuk mund të ndjehesh mirë as në shtëpinë tënde, këto marrëdhënie nuk ndërtohen duke u nisur nga parimi se ata kërkojnë një gjë dhe gjithnjë kërkojnë më tepër vetëm e vetëm se kështu i çojnë përpara marrëdhëniet. Duhet të heqim dorë nga gjuha superlative kur bëjmë një konkluzion. Ne duhet të arrijmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë, ata kërkojnë të marrin diçka në avantazhin tyre, nuk kanë thënë asgjë se çdo të bëhet me çamët e shpërngulur nga Greqia dhe me pronat e tyre, për masakrën me çamët. Nuk kanë thënë se çdo të bëhet me shkollat e emigrantëve tanë atje, nuk kanë thënë asgjë se çdo të bëhet me arvanitasit që ata të kenë disa të drejta etniko-kulturore.

- Këtu duhet të flasë qeveria shqiptare?


E kanë gjetur të udhës të heshtin, të bëjnë sikur problemet nuk ekzistojnë. Një deputet evropian më ka thënë se në Bruksel nuk ka asnjë kartë të shkruar për çështjen çame. Kanë qenë të huajt që e kanë ngritur këtë çështje me përjashtim të politikanëve shqiptarë. 

- Politika shqiptare duhet të reagonte për incidentin në Greqi, duket se kemi hyrë në atë që të urtët e konsiderojnë udhë pa krye?


Le të merremi me grindje dhe t’i lëmë pa bërë të gjitha, të krijojmë vakume në politikën e jashtme dhe të lëmë pa zgjidhur problemet e mëdha. Kjo është absurde, them se brezat e ardhshëm kur të na gjykojnë do të habiten me ne, si është e mundur të kenë qenë kaq pa mend? Ka disa gjëra që tregohen sheshit se kështu nuk ecet. Konflikti i politikës shtrihet dhe në pushtetin lokal, dëgjohen shpesh se këtu u bllokua këshilli, nuk u mblodh KRRT e rrethit do të thotë se pengohet zhvillimi i jetës, kjo është serioze, janë punë që lënë një vragë të rëndë. Nuk e lënë vendin të marrë frymë. 

- Sheshi “Skënderbej”? 


Puna e sheshit “Skënderbej”? Pse Rama vendosi të nisë ndërtimet në momentin kur Berisha tha të asfaltohet ai shesh. Ka ardhur puna që unë përpiqem të gjejë rrugë anësore të mos kalojë në atë shesh, për të huajt do të kalojnë detyrimisht nga ky shesh nuk mund të lihet se është vërtetë diçka skandaloze. Në vitin 2000 është marrë një vendim qeverie, ministri i Kulturës ka qenë Rama që e shpallë sheshin me gjithë ndërtesat, bulevardin e madh përfshi dhe Nënë Terezën si monument kombëtar, është një objekt që i takon shtetit në tërësi. Tirana ka të drejtën e vet të administrimit. Duhet bashkëpunimi i pushtetit lokal me qendror, tani të paktën kështu thotë Olldashi që Rama nuk e ka çuar këtë projekt në KKRRT, atëherë qeveria ka të drejtë të thotë ndalë që duhet të japë dhe unë miratimin tim që nuk është vetëm një punë e bashkisë së Tiranës. Do të lëmë nam. Do të bëhet njësoj siç u bë me Zogun e Zi. Lajmërohen disa mitingje që nuk më duken të gëzueshme, e shpalli më përpara PS tha se do të bëjë një miting të madh, doli PD dhe tha që të nesërmen do të bëjë një miting që nuk është parë kurrë. Nëse PS do të bëjë mitingje në gjithë Shqipërinë dhe do të bëjë një miting të madh që të çudisë botën, doemos ajo pala tjetër nuk do rri duarkryq.

 

Çfarë po bëjnë në një farë mënyrë?


Po hyjmë në një garë për të mbajtur popullin të englediset, sepse ka njerëz që nuk kanë me se të marrin bukën, ka njerëz të papunë, nuk mund të thuash se kjo administratë është vënë në shërbim të vendit, parlamenti nuk bënë ligjet e duhura, nuk kemi gjykatë administrative dhe shumë njerëz nuk ia kanë dëgjuar emrin. Nëse më kap polici, të mos vete të ankohem tek shefi i policit, i cili do të më thotë të njëjtën gjë, po të ketë një gjykatë civile ku të padisë policin. Duhet që politika të përpiqet të dalë nga kjo gjendje. Më vjen më tepër keq dhe është më shqetësuese si problem është fakti që kjo politikë po bëhet e pandjeshme dhe nga thirrjet e Evropës, se po dëmtoni imazhin tuaj. Duhet të dalin në shesh dhe disa njerëz të tjerë që nuk janë të impenjur në politikë, të thonë mendimin e tyre si shoqëri civile. Kemi hyrë në një lloj tuneli pa krye dhe këtu shqiptarët nuk duan të hyjnë, ata e kanë provuar çdo të thotë anarki politik edhe destabilitet i vendit. Me mitingje politike do të shkojmë në Evropë? Protesta bëjnë sindikatat asnjë parti nuk bënë bojkot parlamentar, nuk më duket një gjendje e kënaqshme. 

- Nëse pak javë më parë shpresohej në zgjidhjen e krizës për shkak të ardhjes së Fule, dhe ishte pritshmëria pozitive për të zgjidhur këtë krizë, kur është marrë vendim për marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, është kjo faza më e keqe e kësaj krize?


Kjo është një lojë naive që po të mos sillte dëme serioze mund të bënte për të qeshur. Nuk kuptohet se çdo të bëjnë. Gjëra të tilla nuk më duket se mund të kenë precedentë në historinë e parlamenteve të botës, me këtë parlament mund të hyjmë në librin Gines, e shkakton PS. Loja me ngritjen e komisionit hetimor ishte e papranueshme. Në përgjithësi socialistët duhet të mbledhin mendjen, le ta thonë njëherë e mirë do të jenë ose jo në parlament. Duket sikur duan të tërheqin vëmendjen me lojërat që bëjnë, janë më tepër punë kalamajsh, kjo nuk shkon në forcimin e opozitës që i duhet këtij vendi, shkon në dëm të dy gjërave kryesore, zhvillimit ekonomik dhe në marrëdhëniet me Evropën. 

- Ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë kërkesën e tyre? 


Nuk kemi ç’kërkojmë më tepër nga Evropa, na kanë dal nga borxhi mëse tri herë. Mund të shtyjmë afatin e vizave por do të pengojnë procesin e integrimit. Ata që bëjnë akte kundër këtyre gjërave i kundërvihen vullnetit të qytetarëve.

- Si do të reagojnë, duke bojkotuar politikën?


Jam në politikë, por do përshëndesja një lloj bojkotimi të politikës nga qytetarët. Njerëzit do e tregojnë vullnetin e tyre. Opinioni publik vjen gjithnjë duke u bërë më i mençur dhe ka nxjerrë mësime nga ajo që ka ndodhur.

 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx