E merkure, 30.04.2025, 05:15 PM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Anamorava - Veriu i dytë i Kosovës u bë me krah

E hene, 05.04.2010, 05:38 PM


Anamorava - Veriu i dytë i Kosovës u bë me krah

 

(Lutfi Haziri rishpërblehet për përkushtimin dhe mundin e madh gjatë përgatitjes dhe hartimit të dokumentit, Planit të Atisarit, i cili ricopëtoi për të satën herë tokën shqiptare, Kosovën e mbetur nga kafshimet shekullore).

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Procesi dhe plani për ricopëtimin e Kosovës nuk ishte punë e lehtë. Nuk ishte e lehtë veç hedhja e idesë për "decentralizim" (copëtim) në "tregun" shqiptar. Ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës, midis shqiptarëve që përbëjnë mbi 90 % të popullsisë dhe pakicës serbe që përbën rreth 5% të popullsisë, e kishin të vështirë dhe gati nuk e besonin se mund të kalonte një Plan i tillë, në thelb shovinist. Me këtë Plan Serbia bëhej ortake në tokën e Kosovës dhe në të gjitha çështjet që lidhen me të. Komunat dhe rajonet serbe që do të krijoheshin do të kishin lidhje speciale me Serbinë!! Ose, thënë më saktë, Serbia do të ishte e pranishme në tokën e Kosovës nëpërmjet komunave serbe, kishave ortodokëse dhe zonave të mbrojtura!! Ajo do të "kontrollonte" mbi 30 % të territorit të Kosovës!!

Të rrallë ishin shqiptarët që mund ta miratonin dhe pranonin realizimin e kësaj ideje dhe të këtyre planeve me formë dhe me përmbajtje kundërshqiptare, kundërnjerëzore, kundërhistorike dhe kundërqytetëruese. Madje, qarqet që kishin marrë këtë nismë nuk besonin se mund të gjenin të tillë shqiptarë në Kosovë. Kjo ishte edhe arsyeja pse kjo ide dhe ky Projekt mori gati një dekatë deri sa u "realizua". U dasht të shpenzoheshin miliona për të bërë fushatë, të mbështjellur me ambalazhin e "decentralizimit", që t’i mbushej mendja "miletit".

Fillimisht bajrakun e mori, më i merituari dhe më i besuari, Lutfi Haziri. Nga dorë e tij bajraku kaloi në shumë duar, në "Grupin negociator", dhe kështu u formua GRUSHTI që goditi rëndë homogjenitetin kombëtar, kulturor, tokësor dhe historik të krahinës shqiptare, Kosovës. Për përkushtimin dhe dëgjueshmërinë e tyre, anëtarët e këtij "Grupi" nuk mbetën pa gjë! Kush më shumë e kush më pak, secili sipas meritave të tij, u shpërblyen me poste dhe forma të tjera të shpërblimeve! Vetëm Kosova dhe populli i saj pati dhe do të ketë pasoja tragjike nga thika e pamëshirshme e këtij "Grupi" dhe e Atisarit! Në fakt plani ishte propozuar nga Serbia, por ajo nuk e pranoi deri më sot këtë Plan, sepse po kërkon të sigurohet dhe garantohet se ky Plan famëkeq edhe do të zbatohet. Thika e këtij plani çau dhe përlau më së rëndi qytetin e Mitrovicës me Veri dhe Anamoravën. Vetëm në këtë rajon (Anamoravë) u krijuan katër komuna serbe, të cilat përbëjnë një rajon më vete përgjatë kufirit shtetëror me Serbinë. Vetë kufiri shtetëror ndodhet mespërmes tokës shqiptare. Me këto komuna serbe ose me këtë rajon (rripë) tentohet të bëhet edhe ndarja përfundimtare e kësaj hapësire unike shqiptare, këndej dhe andej kufirit!

Për bërjen dhe pranimin e këtij plani ose projekti antishqiptar Lutfi Haziri ishte bërë Ministër i pushtetit vendor. Që mos t’i biem në qafë Lutës, unë nuk them se ky mund ta pengonte hartimin dhe miratimin e këtij plani. Atë mund ta pengonte "elita" politike dhe institucionale (Grupi negociator). Por, unë e them me bindje të plotë, se Lutfi Haziri dhe cilido shqiptar tjetër nuk do të duhej kurrë ta pranonte dhe miratonte një gjë të tillë. Ai, meqë vinte nga Anamorava, mund të thoshte: "Unë jam kundër krijimit të katër komunave serbe, të një rajoni serb në Anamoravë". As një fuqi tokësore dhe as hyjnore nuk ia ka dhënë dhe nuk mund t’ia jepte të drejtën Lutfi Hazirit dhe askujt tjetër të miratonte dhe pranonte një copëtim të këtillë të hapsirës shqiptare ashtu siç nuk ka fuqi që mund ta detyronte të pranonte një copëtim të këtillë të Anamoravës.

Për zbatimin e këtij plani në Anamoravë Ministër i pushtetit vendor u bë Sadri Ferati, që vinte nga qyteti i ndarë, Mitrovica, dhe nga Veriu i pushtuar dhe i kontrolluar nga Serbia!! Ky njeri, me zemër "luani", në vend se të përpiqej dhe të këmbëngulte për "çlirimin" e Veriut nga Serbia dhe për ribashkimin e qytetit mori përsipër krijimin e komunave dhe rajonit serb në Anamoravë! Me përkushtimin dhe punën e tij të palodhshme, me mbështetjen e fuqishme që pati nga UNMIK-EULEX-i dhe nga strukturat aktive serbe në Anamoravë, Sadri Ferati ia doli t’i bindte edhe kryetarët e komunave ekzistuese të Anamoravës (shqiptarë!), që t’i pranojnë dhe përkrahin komunat e reja-rajonin serb!! Për t’u siguruar mirë dhe për ta legalizuar këtë njohje, mbështetje dhe miratim, Sadri Ferati, i përkrahur nga qarqet që nuk i zë gjumi për të "mirën" e Kosovës, i ftoi kryetarët e komunave të vjetra dhe i "detyroi" ta nënshkruanin marrëveshjen me të cilën ata garantojnë se i njohin këto komuna serbe dhe se do t’i përkrahin me "kaqikun" e tyre!! Këta kryetarë nuk kishin marrë parasysh as vendimet (ende në fuqi) e kuvendeve komunale, as vendimet, qëndrimet dhe deklaratat e partive të tyre (degëve) dhe as peticionet e qytetarëve kundër krijimit të këtyre komunave dhe të këtij rajoni serb në Anamoravë!!

Qeveria e kënaqur me këtë të arritur, që në fillim dukej e pamundur, e tejkënaqur që më në fund u krijua Veriu i dytë në Kosovë, rishpërbleu Lutfi Hazirin me postin e Ministrit! Në vend se të shkarkohej Sadri Ferati, u shkarkua Zenun Pajaziti, që vinte nga një familje që vetëvetiu (natyrshëm) është pengesë për rajonin e ri serb në Anamoravë. Pengon në rivendosjen marrëdhënieve të ngrohta dhe vëllazërore me ata që vranë, dogjën, masakruan dhe shkatërruan këtë tokë e këtë popull gjatë shekujve, me ata që edhe në fund të shek. XX bënë gjenocid dhe holokaust në tokat e pushtuara të Shqipërisë. Pra, krijimi i Veriut të dytë kërkonte edhe njeriun adekuat. Nga Veriu i Kosovës vinte Sadri Ferati, më i merituari për zbatimin e Planit të Atisarit (Grupit negociator) për krijimin e rajonit serb në Anamoravë. Mirëpo, mungonte njeriu i "fuqishëm" për Veriun e dytë-Anamoravën. Kush mund të ishte ky, pos Lutfi Haziri? Mbetet që këtë "fakt", siç kanë nisur ta quajnë, ta njoh dhe pranojë edhe populli "injorant", që nuk po bindet se ky copëtim, kjo ndarje e Kosovës dhe kjo ortakëri me Serbinë është për të mirën e këtij vendi dhe këtij populli. Shumëkush po shpreson se këta të gjithëpushtetshmit, që nuk pyesin për vullnetin e popullit, do t’ia gjejnë ilaqin edhe kësaj pune…

                                                           



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx