E merkure, 30.04.2025, 05:09 PM (GMT+1)

Mendime

Xhevat Bislimi: Soji i Surrojve

E merkure, 07.04.2010, 09:06 PM


Soji i Surrojve

 

“Idiotësia” antishtetërore dhe antikombëtare e gazetës “Koha Ditore”

 

Nga Xhevat Bislimi

 

Në mbarë botën e civilizuar dhe demokratike ligjet bëhen, u shërbejnë dhe zbatohen për interesa publike dhe shtetërore të vendit. Shumë normale. Vetëm në Kosovë ligjet bëhen, u shërbejnë, interpretohen dhe zbatohen sipas “qejfit” dhe interesave të politikave të misioneve të huaja “legale” e jolegale! Vetëm në Kosovë ligjet bëhen dhe zbatohen për interesa të të huajve! Vetëm në Kosovë gjykatësi mund të jetë dhe është në anën e krimit të organizuar, uzurpatorëve, etj. dhe nuk e kap ligji, është mbi ligjin!! Vetëm në Kosovë ligjin e interpretojnë dhe e “zbatojnë” (kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me misionet e huaja dhe për to!), ata që i interpretonin dhe i zbatonin ligjet e Jugosllavisë Vetëqeverisëse Socialiste kundër interesave të popullit të tyre! Vetëm në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, gjykatës, prokurorë dhe avoketër vazhdojnë të jenë ata që kanë shqiptuar mijëra vite dënime me burg për popullin e tyre në emër të komiteteve të Lidhjes komuniste, në emër të Partisë! Këta gjykatës, prokurorë e avoketër edhe atëherë binin vendime politike e partiake në kundërshtim edhe me ligjet e kohës!

 

Pjesë e atyre politikave dhe e atyre që i duartrokitnin këto politika e dënime “në emër të partisë” kanë qenë edhe drejtuesit e “Kohës Ditore”, të cilët edhe sot janë shumë të interesuar dhe po i japin mbështetje të fuqishme politikave dhe projekteve që kërkojnë ta vënë gjykatësin, prokurorin dhe avokatin e djeshëm mbi ligjin! Të qenit e EULEX-it mbi ligjin është “legalizuar” edhe me planin e Atisarit (Kushtetutën e Kosovës), njësoj si UNMIK-u dje dhe sot!! Por të qenit e gjykatësit, prokurorit dhe avokatit “vendës” mbi ligjin deri më sot nuk është “legalizuar” me ndonjë dokument politik a juridik!

 

   “Koha Ditore” vazhdon të derdhë lotë krokodili për “aktvendimet” e këtyre gjykatave dhe të këtij EULEX-UNMIK-u, që nuk po zbatohen në Viti! Për të nuk ka rëndësi nëse ato “aktvendime” janë të kundërligjshme, nëse janë kundër Shkollës shqipe, nëse janë kundër qytearëve dhe Komunës! Për te nuk ka rëndësi pse gjykata nuk ka të drejtë ligjore t’i jep në shfrytëzim objektet dhe pronat e Komunës. Për gazetën “Koha Ditore” nuk ka rëndësi pse sipas ligjit në fuqi vetëm Komuna mund t’i jep objektet e saj në shfrytëzim! Për këtë gazetë gjykatësit e saj të “nderuar”, të shpirtit dhe të zemrës (të të njëjtës ideologji), bashkëpunëtorët e djeshëm të Serbisë, janë mbi ligjin!!

 

Sot, në “rubrikën” e saj, “minusi i javës”, “Koha Ditore”, kishte marrë shembull Komunën e Vitisë, e cila sipas kësaj gazete me rrënjë moniste dhe filojugoallave, qenka “mbi ligjin”! Madje, kjo gazetë skajshmërisht e njëanshme nuk ndalet me kaq. Ajo tërheq paralele midis Veriut (komunave serbe) dhe Vitisë, duke lënë të kuptohet se Vitia është baraz me ato komuna që qeverisen me ligjet e Serbisë!! Jazëk dhe haram buka e kësaj toke! Një krahasim të këtillë nuk mund ta bënte gazetë tjetër, që të paktën shkruhet në gjuhën shqipe. Por, me sa duket nuk po mjaftoka vetëm të shkruarit në gjuhën tonë të bukur. Mendësia filojugosllave dhe komuniste e moniste i ka rrënjët e thella te “padroni” dhe “vija” e kësaj gazete.

 

 Komuna e Vitisë, si qeverisje, nuk ka asgjë të përbashkët me komunat veriore. Baza e saj ligjore dhe legaliteti i saj në asnjë pikë nuk mund të krahasohen me komunat veriore serbe, që janë themeluar, organet e tyre janë zgjedhur, dhe qeverisen me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe ligjeve që burojnë prej saj. Por, pajtohem plotësisht se projekti i EULEX-UNMIK-ut për Vitin dhe Anamoravën është i njëjtë me atë për Veriun! Dikujt mund t’i duket e pabesueshme, por të gjitha faktet dhe angazhimet e këtyre misioneve flasin në favor të kësaj teze. Prej pesë plus një komune serbe, të parapara me planin e Atisarit, katër prej tyre janë paraparë të bëhen në Anamoravë!! Që do të thotë se finalja e këtij Plani është krijimi i një Veriu të dytë në Kosovë! Që do të thotë: Jo “decentralizimi” i Kosovës, por federalizimi ose kantonizimi i saj! Jo “integrimi” i Veriut, por krijimi i një Veriu të dytë në Anamoravë! Këtë do të duhej ta problematizonte “Koha Ditore” dhe çdo medium që përdor gjuhën shqipe për të folur ose për të shkruar...                                                                                                                               Prandaj, këmbëngulet që Vitia, Gjilani dhe Dardana t’i nënshtrohen “ligjit”! Kjo është arsyeja pse EULEX-UNMIK-u nuk merret me luftimin e krimit të organizuar, me uzurpatorët dhe trafikantët e pronës në Viti e në Anamoravë, por tërthorazi, nëpërmjet gjykatave dhe gjykatësve të korruptuar dhe me origjinë made in “Jugosllavia”, kërkon ta fuqizojë krimin e organizuar dhe t’i dobësoj organet e zjedhura në mënyrë demokratike dhe legjitime, herë duke u ofruar karrotën, herë duke i shantazhuar dhe kërcënuar organet e këtyre komunave! Madje, ka pasur dhe ka përpjekje dhe iniciativa që t’i zhvesh fare nga pushteti për t’i fuqizuar komunat e “reja” serbe dhe të lidhura me Serbinë!

 

Pronari i gazetës “Koha Ditore” dhe soji i tij i kanë respektuar, bile edhe i kanë “sponzoruar” dhe ndihmuar për t’u zbatuar edhe ligjet Jugoserbe në hapësirën e pushtuar shqiptare nga Jugosllavia. Ne, që të jemi të ndershëm me lexuesin dhe popullin tonë, edhe atëherë kemi qenë “mbi ligjin” dhe të “pa ligjshëm”. Edhe sot, jemi kundër atyre që kërkojnë t’i rikthejnë të drejtat dhe “ligjet” e Serbisë nëpërmjet këtyre gjykatëse dhe gjykatave që e shohin veten mbi ligjin dhe mbi interesat e Shkollës shqipe, të Komunës dhe të vendit. Legjislativi, ekzekutivi dhe Gjyqësori (po të ishte gjyqësor) janë hallka të të njëjtit sistem dhe në të gjitha shtetet normale themelohen dhe bashkëpunojnë ngushtë për mbrojtjen e rendit ekonomik, shoqëror e juridik, për mbrojtjen e demokracisë nga rreziqet që i kanosen nga krimi i organizuar, nga terrorizmi, nga dhuna sociale dhe nga faktorë e aktorë të tjerë edhe të jashtëm që mund ta kërcënojnë rendin demokratik dhe shtetin. Vetëm te ne, jo pa qëllim, soji i surrojve, të sponzorizuar nga ata që nuk ia duan të mirën këtij vendi, përpiqen dhe “investojnë” shumë për krijimin e mendimit (opinionit) se gjyqësori është mbi sistemin, mbi vendin, mbi qytetarin dhe mbi institucionet ose pushtetet tjera të shtetit!! Sipas tyre ata mund t’i përgjigjen dhe t’i japin llogari vetëm politikave të misioneve dhe “misionarëve” të ardhur nga qielli, si dikur mbretër, sulltanë, carë e perandorë që konsideroheshin edhe “de jure” si përfaqësues të Zotit në tokë!! Prandaj, do të dëshiroja, me qëllimin më të mirë, që debati për këto probleme të jetë i vazhdueshëm, i hapur, i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës nga specialistë të lëmive të ndryshme. Në këtë debat, gjithmonë në interes të fuqizimit të mëtejmë të vendit dhe popullit tonë, do të duhej të përfshiheshin pa hezitim dhe të ndihmonin edhe mediat e shkruara dhe ato elektronike. Për të ndodhur kjo, dhe jam i bindur se herët a vonë do të ndodhë, Kosovës i është dashur Ligji mbi pastërtinë e figurës. Ndryshe, me sojin e surrojve, që nuk kanë marrë asnjë PLUS për vendin e tyre, Kosova do ta ketë shumë më vështirë...

 



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx