Mendime
Blerim Kastrati: Edhe një biznes i ri politiko-mediatik i Bardhyl Sejdiut, djalit të Presidentit të Kosovës
E hene, 12.04.2010, 08:45 PM
Fillon publikimin edhe një gazetë e përditshme në Kosovë, “Prishtina Post”
Edhe një biznes i ri politiko-mediatik i Bardhyl Sejdiut, djalit të Presidentit të Kosovës
Nga Blerim Kastrati, politikolog/ Prishtinë
Edhe një medium i shtohet Kosovës. Kjo është gazeta “Prishtina Post” me seli në lagjen Lakërishte në Prishtinë. E cila është e regjistruar si produkt i kompanisë “Media Press” dhe e cila drejtohet nga kolegu i Bardhyl Sejdiut (djali i Presidentit Sejdiu) z.Mentor Tahiri – drejtor, dhe Faton Avdullahu - kryeredaktor.
Drejtori “Prishtina Post”, Mentor Tahiri aktualisht punon në PTK në Prishtinë, aty ku është i angazhuar dhe Bardhyl Sejdiu. Dhe kolegjialiteti i tyre nënkupton “dorën e fshehur” të Bardhyl Sejdiut. Shkathtësitë e tij për shkrime gazetareske Mentor Tahiri i ka dëshmuar në një shkrim të publikuar në “Monografinë e Forumit të Rinisë së LDK-së” publikuar kohë më parë.
Ndërsa miku (shoku) i Mentor Tahirit është kryeredaktori Faton Avdullahu. I cili ka një stazh me disa shkrime të publikuara në faqet opinioneve në një ose dy gazeta të Kosovës. Dhe i cili asnjëherë nuk ka qenë i punësuar brenda ndonjë redaksie, por një kohë kishte qëndruar në Angli.
Tashmë gazeta në fjalë e ka krijuar uebsajdin në internet www.prishtinapost.info. Dhe aty është afishuar adresa e redaksisë: Bil Clinton p.n/ Prishtinë 10000.
Pritet që kjo gazetë të luaj rolin e parapolitikës, duke e mbështetur kryekëput presidentit e Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiun, i cili së shpejti pritet të përballet me një stuhi brenda partisë LDK, si pasojë e disfatës që pësoi në zgjedhjet e fundit komunale.
Njashtu gazeta do përpiqet të krijoj opinion për rrjedhat aktuale brenda LDK-së, ose brenda LDK-së të vë në shënjestër kundërshtarët e Presidentit Fatmir Sejdiu, për t’i eliminuar ata politikisht. Për Bardhyl Sejdiun kjo mbase do të jetë edhe një biznes i ri politiko-mediatik. Një fakt i tillë pritet të konfirmohet ditëve në vijim.
Aktualisht gjithnjë e më shumë LDK po zhytet në një luftë për ekzistencë. Dhe së shpejti pritet të shpërthej pezmi i degëve dhe nëndegëve i akumuluar nga disfata e zgjedhjeve komunale, ku “Projekti Sejdiu për LDK-në” nuk shënoi sukses në shumicën e komunave. Dhe përveç Melihate Termkollit askush nga kryesia e LDK-së nuk ofroi dorëheqje morale. Kjo nuk po ndodh as nëpër degët e partisë. Në anëtarësinë e LDK-së është mbushur kupa e frustrimit me “reformatimin” e qeverisë Thaçi, nga ku eksponentja e LDK-së Nekibe Kelmendi, Alush Gashi, Valton Beqiri u shkarkuan dhe u zëvendësuan nga Haki Demolli, Bujar Bukoshi, Lutfi Haziri. Frustrimi erdhi sidomos me emërimin e Lutfi Hazirit në postin e ministrit të kulturës, i cili gjatë tërë fushatës zgjedhore trumbetonte fjalët kundër qeverisë Thaçi. Së fundi ai u kritikua nga Fatmir Rexhepi – ish kandidat i LDK-së për Gjilanin, i cili shigjetoi akuza në drejtim të Hazirit duke i thënë se e ka shitur fitoren e LDK-së në Gjilan vetëm për të qenë ministër i qeverisë Thaçi.
Sidoqoftë, pritet që gazeta “Prishtina Post” e drejtuar nga Mentor Tahiri, një koleg ky i Bardhyl Sejdiut, të përpiqet të përfitoj nga reklamat dhe publikimet e tenderëve tëtucioneve në gazetë, mbase duke shfrytëzuar edhe emrin e Presidentit Dr. Fatmir Sejdiu. Dhe në këtë mënyrë të siguroj ekzistencën e gazetës për disa muaj, derisa të kalojë vala e nxehtë e cila pritet ta kaploj LDK-në.