E shtune, 27.04.2024, 01:29 PM (GMT+1)

Mendime

Lawrence Marzouk, Petrit Çollaku: Miqtë e ministrit të Kosovës përfitojnë nga “miniera” e rrugëve

E merkure, 14.04.2010, 09:01 PM


Miqtë e ministrit të Kosovës përfitojnë nga “miniera” e rrugëve

 

Nga Lawrence Marzouk dhe Petrit Çollaku

 

Një numër kontratash fitimprurëse ndërtimore duket të kenë rënë në duart e miqve dhe të afërmve të Fatmir Limajt – dhe në duart e kompanive, përvoja e të cilave në këtë fushë duket të jetë e kufizuar. Kompanitë e afërta me Ministrin e Transportit, Fatmir Limajn, janë ndër ato kompani që kanë pasur përfitime të mëdha nga programi i stërmadh i ndërtimit të rrugëve përgjatë dy viteve të fundit.

 

Një hulumtim i Prishtina Insight-BIRN zbulon se disa firma të cilave u janë dhënë kontrata multimilionëshe, kanë përvoja të pakta në fushën përkatëse.

 

Prishtina Insight po ashtu, vërteton se tenderët dymilionë euroshe të dhëna një miku të Limajt, duhet të ishin diskualifikuar, për shkak se firmat kanë dështuar së siguruari dokumentacionin e nevojshëm.

 

Kjo gazetë e ka shikuar secilin tender për ndërtimin e rrugëve të dhënë nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit duke filluar prej vitit 2007. Duke i shfrytëzuar këto informacione, nga regjistri zyrtar i bizneseve i Kosovës, kemi përpiluar një listë me emrat e firmave që i kanë fituar 50 kontratat më fitimprurëse, vlerën e tenderëve, pronarët e firmave fituese, datat e krijimit të kompanive dhe kapacitetin e forcës punuese të tyre.

 

Zyrtari i Ministrisë së Transportit, Endrit Shala e mohon listën duke e cilësuar atë si punë të një “agjencie spiunazhi” dhe e quan publikimin e saj si pjesë e një kampanje për diskreditimin e Limajt.

 

Zyrtari i njëjtë ka thënë se ka dëshmi të lëvizjeve të gazetarëve të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, personat me të cilët këta gazetarë janë takuar dhe dokumentet që ata kanë siguruar. Në të pyetur për sqarimin e deklaratës së tij, ai refuzon të elaborojë më shumë.

 

Ministria e Transportit ka rënë dakord t’ia hapë dosjet e veta mbi tenderët Prishtina Insight-it, edhe pse më vonë refuzon që gazeta në fjalë t’i shikojë ofertat e dorëzuara nga kompanitë.

 

Kërkuam një intervistë me ministrin Limaj, por ai refuzoi një gjë të tillë. Në vend të kësaj, Endrit Shala, shefi i kabinetit të ministrisë dhe krahu i djathtë i Limajt, thotë se ministri fare nuk ka gisht në tenderët që u janë dhënë miqve të tij. Ai shton se, duke marrë parasysh hapësirën e vogël të Kosovës, nuk është çudi që “njerëzit të njihen në mes vete”.

 

“Procesi tenderues i Ministrisë së Transportit është shumë transparent. Ne i respektojmë të gjitha rregullat dhe procedurat e rregulloreve të prokurimit të Kosovës”, thotë Shala.

 

Limaj, ish-pjesëtar i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, është gjykuar por edhe liruar nga të gjitha akuzat në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavi (TNKY) në vitin 2005. Njëri nga politikanët më të popullarizuar të Partisë qeverisëse Demokratike të Kosovës, PDK, është shoqëruar shpesh me akuza të padëshmuara të korrupsionit.

 

Hetimi ynë vërteton që ministria e Limajt ia akordon dy kontrata të mëdha një miku të vet të afërt, Habib Morinës, ndërkohë që ia jep kontratën e dytë për nga madhësia deri më sot të një projekti mbi ndërtimin e rrugëve, në vlerë prej 11 milion eurove, një miku tjetër, kushëririt të tij, kolonel Haxhi Shalës.

 

Morina ka thënë për Prishtina Insight se marrëdhënia e tij me Limaj nuk ka luajtur kurrfarë roli gjatë procesit të tenderimit, ndërsa kol. Shala ka thënë që nuk është më pjesë e kompanisë Delia Group- fitueses së kontratës.

 

Kosova ka shpenzuar rreth 170 milionë euro në projekte të ndërtimit të rrugëve përgjatë dy viteve të fundit. Ministria e Transportit ka absorbuar një pjesë në rritje të buxhetit, kryesisht si rezultat i rritjes së projekteve për ndërtim të rrugëve.

 

Në vitin 2008, buxheti i Limaj ishte 139 milionë euro, më shumë se 10% e buxhetit total të Kosovës prej rreth 1.3 miliardë euro. Në vitin 2009, u rrit në 160 milionë. Shifra e vitit 2010 është pak më modeste me 124 milionë euro, megjithatë Ministria e Transportit vazhdon ta marrë pjesën më të madhe të buxhetit krahasuar me cilëndo ministri tjetër.

 

Limaj e morri përsipër ministrinë në fjalë menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të vitit 2007 dhe menjëherë filloi të merret me lidhjen e fshatrave me rrugë të reja të asfaltuara dhe me rindërtimin e arterieve të trafikut rrugor të Kosovës.

 

Ai u ka thënë kompanive ndërtimore të rrugëve se do të duhen të punojnë 24 orë pandërprerë dhe se do të ketë punë të mjaftueshme për të gjithë. Sipas ministrisë, diku 1,000 km rrugë janë shtruar në vitin 2008 dhe 2009 në kuadër të 200 projekteve.

 

Mirëpo, hulumtimet tona tregojnë se më shumë se 1/3 e tenderëve u janë lëshuar firmave të regjistruara pasi Limaj ka ardhur në pozitë.

 

Përkundër gjendjes së dobët të rrugëve aktualisht, dinamizmi dhe qasja “pa hajgare” e ministrit janë mirëpritur. Një OJQ kundër korrupsionit, Çohu, në korrik të vitit 2008, bën të ditur se ai “kishte bërë përpjekje të mëdha për ndërtimin e rrugëve të reja”.

 

Mirëpo, ankesat janë paraqitur kur është fjala për cilësinë e rrugëve të reja, për të cilat kritikët sugjerojnë se kanë nevojë për riparime të vazhdueshme. Një ankesë e ndarë, por që ndërlidhet me këtë çështje thotë se tenderët janë ndarë në mënyrë korruptive dhe shpesh firmave të pakualifikuara.

 

 

Miqtë dhe të afërmit:

 

Shumica e tenderëve për ndërtimin e rrugëve janë lëshuar nga Ministria e Transportit, edhe pse komunat, gjithashtu mund të autorizojnë punë të tilla. Tenderët janë ndarë në bazë të çmimit më të ulët ose sipas një sistemi të vlerësimit të gjithmbarshëm ekonomik, duke përfshirë kritere si cilësia teknike e propozimit tenderues. Ky vlerësim kryhet nga një bord prokurimi në kuadër të autoritetit ndarës.

 

Kontrata e dytë për nga madhësia e lëshuar deri më sot nga ministria, në vlerë prej 11 milionë eurosh, i është dhënë në korrik të vitit 2009 një firme nga Shqipëria, Delia Group. Kjo ka pasur të bëjë me ndërtimin e segmentit 5 kilometërsh të rrugës kryesore që lidh aeroportin me qytetin perëndimor të Pejës.

 

Firma është regjistruar në Kosovë, në janar të vitit 2009, me pronarin kompanisë nga Shqipëria, Viktor Delia dhe një njeri tjetër, Haxhi Shala, nga Prishtina, të cekur si “persona të autorizuar” për të operuar në emër të kompanisë në Kosovë.

 

Limaj dhe Haxhi Shala kanë lidhje të afërta mes vete. Sipas të dhënave të TNKY-s, ata janë kushërinj, kanë ndjekur shkollën bashkë dhe kanë jetuar së bashku  në vitet e 90-ta në Zvicër pasi e kanë lëshuar Kosovën. Janë kthyer në Kosovë, përsëri bashkë, për të luftuar në radhët e UÇK-së. Shala, kolonel në Forcat e Sigurisë të Kosovës, ushtria e aspiruar e Kosovës, ndjek rregullisht ngjarjet komemorative me Limajn.

 

Kur Prishtina Insight ka kontaktuar me z. Shala, ai thotë se nuk ka punuar për Delia Group, duke sugjeruar që cekja e emrit të tij “ishte një gabim”. Ai na propozoi të kontaktojmë me pronarët, për të cilët ai kishte dijeni se ishin “vëllezërit Delia”.

 

Disa minuta me vonë, një anëtar i stafit të Delia Group na telefonon për të konfirmuar që Shala kishte punuar për firmën, por nuk ishte më me ta, për shkak të “ndryshimeve në strukturën e stafit”. Na sugjeroi të flasim me pronarin, Viktor Delia, i cili nuk na i ktheu telefonatat.

 

Këshilltari i ministrit, Endrit Shala, shpjegoi se Haxhi Shala ndoshta ka pasur të bëjë me firmën për shkak se koloneli “ka jetuar” në adresën e Delia Group.

 

Mirëpo, kur Prishtina Insight ia tregoi këshilltarit kopjen e një dokumenti të kompanisë nga regjistri i bizneseve, ku Haxhi Shala ceket si njëri nga “personat e autorizuar” të firmës, ai nuk dha ndonjë sqarim tjetër.

 

Tenderët kanë qenë të hapur për të gjithë ofertuesit dhe janë ndarë në bazë të ofertës “ekonomikisht më të favorshme”, që do të thotë se bordi i prokurimit, para se të vendosë për fituesin, është dashur t’i bëjë vlerësimet në bazë të kritereve të ndryshme, duke përfshirë çmimin, cilësinë dhe aspektet tjera.

 

Bordi kishte thënë që oferta 11.8 milionëshe e Delia Group kishte qenë më e mira, edhe pse një firmë tjetër kishte aplikuar me një ofertë më të ulët prej 11.5 milionë eurove.

 

Gjatë kohës së kufizuar të rezervuar për Prishtina Insight për shikimin e raportit të evaluimit të ofertave, procesi duket të ketë shkuar si duhet.

 

Prishtina Insight, po ashtu, kupton që një mik tjetër i ministrit, Habib Morina, gjithashtu, nga Malisheva, ka fituar dy tenderë të mëdhenj rrugorë, në vlerë prej 5.8 milionë respektivisht 4.5 milionë euro. Informatat janë marrë nga dokumentet e ndarjes së tenderëve dhe nga shënimet e kompanisë në regjistrin e bizneseve të Kosovës.

 

Firma e Morinës, Patroni, e njohur më mirë si pronarët e një zinxhiri të pompave të benzinës, fitoi kontratën prej 4.5 milion eurove për ndërtimin e rrugës Arllat-Xërxë, në rajonin e Malishevës, në shtator të vitit 2008 si pjesë e një konzorciumi.

 

Një auditim i raporteve financiare të ministrisë nga Auditori i Përgjithshëm për atë vit, zbuloi që një tjetër ofertues kishte ofruar kryerjen e punës së njëjtë për një shumë më të vogël të hollash. Ministria thotë që konzorciumi i Morinës kishte shënuar maksimumin e pikëve “në kuadër të kritereve teknike”.

 

Sido që të jetë, auditorët theksuan se nuk kishin vërejtur “ndonjë përparësi të madhe” në aspektet teknike ndërmjet ofertës së Morinës dhe ofertës rivale më të lirë. Ministria nuk iu është përgjigjur kërkesave për sqarime.

 

Po ashtu, auditimi zbuloi që një kompani tjetër në konzorciumin Patroni, Jehona, nuk kishte përmbushur udhëzimet për aplikim për shkak se nuk e kishte dorëzuar raportin e auditimit për vitin 2007. Si rezultat i kësaj, i tërë konzorciumi ka qenë dashur të diskualifikohet nga tenderi.

 

Ndërkohë, AHN Group i Morinës, fiton një tender të madh për rrugët në korrik të vitit 2009, në vlerë prej 5.8 milionë eurove, për ndërtimin e një pjese të rrugës për në Mitrovicë, si pjesë e një konzorciumi me Timi Krsko, firmë kjo nga Sllovenia, pronarët e së cilës, gjithashtu, vijnë nga Malisheva. Përsëri, Morina e fitoi tenderin edhe pse oferta e tij nuk ishte më e ulëta për nga çmimi.

 

Kjo është teknikisht e pranueshme, ashtu siç theksojnë rregullat e tenderimit se do të përzgjidhet kompania “ekonomikisht më e favorshme” – e jo domosdoshmërisht kompania e cila paraqet ofertën me çmimin më të ulët.

 

Prapëseprapë, sipas vlerësimit të ofertave nga ana e bordit të prokurimit, të cilin e ka parë Prishtina Insight, AHN Group dhe Timi Krsko kanë dështuar në sigurimin e dokumenteve kyçe, përfshirë kopjet e kontratave që e vërtetojnë sasinë e punës të cilën firmat e tyre e kanë kryer përgjatë tre viteve të fundit dhe detajet e stafit të tyre teknik. Dështimi në dorëzimin e dokumenteve të tilla, zakonisht shpie në diskualifikimin e ofertave.

 

Morina mohon që suksesi i tij në fitimin e kontratave ka të bëjë me miqësinë ndërmjet tij dhe ministrit. “Jam mik i ngushtë i ministrit Limaj, por kjo nuk do të thotë që kompania ime ka ndonjë përparësi kur janë në pyetje tenderët,” thotë ai për Prishtina Insight.

 

Morina vazhdon tutje duke thënë se kishte rrënuar dy pompa të veta të benzinës, në Vragoli dhe Komoran, në vlerë prej rreth 200,000 eurosh, me urdhër nga ministria, për shkak se ndërtohej një rrugë mbi ato hapësira. “Do të duhej të kërkoja shumë nga ministri për këtë”, bën shaka ai.

 

 

Papërvoja nuk është problem:

 

Prishtina Insight po ashtu zbulon se kompanitë që kanë pak përvojë, staf të mangët dhe të cilat duket të jenë regjistruar vetëm pasi janë fituar kontratat, kanë fituar tenderë madhorë.

 

Një prej tyre është firma me bazë në Prishtinë-Projekti Damastion, i cili sipas regjistrave zyrtare të bizneseve të Kosovës, është themeluar në nëntor të vitit 2008 me vetëm dy anëtarë stafi.

 

Damastion lidhë kontratën e parë të saj në vlerë prej 3 milionë eurosh me Ministrinë e Transportit në tetor të vitit 2008, sipas arkivit të agjencisë së prokurimit, madje para se firma të ketë qenë regjistruar.

 

Në fillim, Damastion bashkëpunoi me dy kompani tjera për ta përgatitur tenderin e tyre të parë. Në dhjetor të vitit 2009, me forca vetanake, e fituan projektin 4.6 milionësh për ndërtimin e një rruge në rajonin e Podujevës në veriperëndim të Kosovës.

 

Kur Prishtina Insight arriti të kontaktojë me pronarin e Damastion, Visar Tahirin, ky i fundit tha se regjistrat zyrtare janë të pasakta, meqë kompania është krijuar në vitin 2004. Ai tha se data e regjistrimit është ndryshuar në nëntor 2008, kur kompania e ka modifikuar të dhënat e saj në regjistrin e bizneseve.

 

Regjistri i bizneseve i Kosovës nuk arrin të përgjigjet në pyetjen specifike nëse ata kishin bërë gabim në datën e regjistrimit, mirëpo shefi ekzekutiv, Mehdi Pllashniku, i thotë Prishtina Insight-it se, në përgjithësi, nuk do ta ndryshonin “datën e konstituimit” të një firme, po që se kompania më vonë bën ndryshime në regjistrin zyrtar.

 

Tahiri, pranon që firma kishte pasur vetëm dy anëtarë stafi kur është regjistruar, por thotë se ishte zgjeruar që atëherë në 15. Veç kësaj, ai thotë se kompania e tij, ka qenë më profesionale sesa shumë firma të vjetra profesionale dhe se ka qenë në përputhshmëri me të gjitha kushtet për një tender. Kjo, ndonjëherë, ka nënkuptuar që Projekti Damastion është dashur të dorëzojë 6,000 faqe dokumentacion për ta fituar një tender.

 

Endrit Shala thotë që kompanitë është dashur t’i përmbushin kushtet e caktuara për fitimin e tenderëve, siç është pjesëmarrja në projektet e mëparshme të ndërtimit të rrugëve deri në një masë të caktuar dhe posedimi i stafit me përvojë. Ai thotë se një prej problemeve ishte që në Kosovë kishte pak firma që kishin përvojë të madhe në këtë fushë. “Shumica e tyre nuk kanë bërë ndërtime në Kosovë përgjatë 20 viteve të fundit,” thotë ai. Ai, po ashtu, thotë se për shkak të numrit të vogël dhe mungesës së përvojës nga ana e firmave, shumica e tenderëve për rrugë u janë ndarë konzorciumeve.

 

Pronari i njërës prej firmave më të suksesshme dhe më të mëdha të ndërtimit të rrugëve, i cili ka kërkuar që mos t’i përmendet emri, nga frika e “hakmarrjes” nga ministria, thotë se shfrytëzimi i tenderëve nga firmat e papërvojë, të gatshme për të dhënë ryshfete, kanë çuar në rënien e cilësisë.

 

“Ne nuk mund të fitojmë tenderë, sepse nuk i japim para qeverisë”, pohon biznesmeni. “Ata vijnë tek unë dhe më kërkojnë para, por nëse do ta bëja këtë, atëherë çmimi i punës do të ishte më i lartë,” shpjegon ai. 

 

“Kompanitë tjera e bëjnë një gjë të tillë (japin ryshfete v.j.) pastaj mungojnë disa centimetra të zhavorrit dhe asfaltit, e që është arsyeja pse cilësia e asfaltit të tyre është e dobët”.

 

Ky njeri thotë se është tërhequr nga puna që zhvillohej ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, mu për shkak të cilësisë së dobët të zhavorrit të përdorur atje. Ai thotë, se cilësia ishte aq e keqe, saqë makinat e tij për shtruarjen e asfaltit filluan të fundoseshin në rrugën e shtruar.

 

Janë shpenzuar rreth 7 milionë euro në këtë segment të rrugës, ndërmjet Prishtinës dhe Lipjanit, që është njëra prej rrugëve të pakta me dy kalime në Kosovë. Pjesë të kësaj rruge tashmë janë të plasaritura dhe me gropa.

 

Megjithëkëtë, Endrit Shala vazhdon të pohojë se rruga është shtruar sipas standardeve më të larta. Ai thotë se ekspertët e ministrisë kanë këshilluar që të shtyhet shtruarja e shtresës së tretë të asfaltit deri në vitin e ardhshëm për shkak të motit të ligë.

Cilësia po aq e rëndësishme sa edhe sasia:

 

Myzejene Selmani, kryetare e komisionit të Kosovës për ekonomi, tregti, industri, elektricitet, transport dhe telekomunikim dhe zëvendëskryetare e partisë opozitare, Aleanca e Re e Kosovës, thotë se korrupsioni në tenderët e rrugëve është shqetësim i madh.

 

“Duke pasur parasysh se Ministria e Transportit ka një buxhet i cili është tre herë më i madh sesa i cilësdo ministri tjetër dhe e cila e ka shpenzuar tërë buxhetin e saj në infrastrukturën rrugore, është turp të kihet një cilësi aq e dobët e rrugëve në Kosovë,” pohon ajo.

 

“E ngas makinën time mbi këto rrugë, dhe në to ka shumë gropa,” shton ajo. “Qeveria inauguron dhe prenë shumë shirita të kuq, por e tërë është sa për marketing. Tenderët nuk ndahen si duhet, duke e ndjekur ligjin … Kompanitë që i fitojnë tenderët nuk janë të kualifikuara.”

 

Selmani pohon se gjashtë muaj pasi shumë rrugë të reja të kenë përfunduar, Ministrisë i i janë dashur të njëjtat shuma të parave, përsëri dhe përsëri, për riparime. “Kompanitë që merren me ndërtimin e rrugëve, nuk kanë fare ide si duhet të ndërtohet një rrugë, ato kanë vetëm lidhje me Ministrinë e Transportit,” pohon ajo. Ajo, po ashtu, thekson cilësinë e dobët të rrugës Prishtinë-Shkup.

 

Një zhvillim tjetër që ka nxitur shqetësime në dy vitet e fundit është ardhja e firmave nga Shqipëria në tregun e rrugë-ndërtimit në Kosovë. Firmat lokale për ndërtimin e rrugëve ankohen se firmat nga Shqipëria bëjnë manipulime në proceset e tenderimit.

 

Menaxheri i një kompanie të madhe të ndërtimit të rrugëve përmendi më herët se kompanitë nga Shqipëria fitojnë tenderët në Kosovë “sepse manipulimi (i tenderëve v.j.) mund të bëhet shumë lehtë” … në anën tjetër, kompanitë nga Kosova nuk mund të punojnë në Shqipëri – kam qenë atje si një nën-kontraktues, por e lëshova Shqipërinë për shkak të kërcënimeve të marra”.

 

Endrit Shala pranon se ekziston nevoja për përmirësimin e cilësisë së rrugëve të reja, por se ministria ka bërë hapa të mëdhenj drejt përmirësimit të monitorimit të ndërtimit të rrugëve. “Ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar, mirëpo cilësia e rrugëve është shumë më e mirë tani sesa që ka qenë përgjatë viteve 2007-2008,” thotë ai. Ai shton se, qeveria i ka rikthyer inspektimet qeveritare të rrugëve dhe ka angazhuar 20-30 ekspertë për të punuar në këtë çështje.

 

Në vitin 2008, një kompani spanjolle e fiton punën për verifikimin e cilësisë së rrugëve dhe të materialeve të përdorura, kështu që, shprehet Shala, të gjitha rrugët tani janë duke kaluar nëpër teste laboratorike.

 

Ai thotë se ministria, po ashtu, ka futur në kontrata obligimin e riparimit për periudhën dy vjeçare pas përfundimit të rrugëve nga ana e kompanisë ndërtimore dhe për t’u siguruar që një gjë e tillë është duke ndodhur, ministria ndalë 10% të vlerës së kontratës derisa të përfundojë periudha e garancionit.

 

Safet Gërxhaliu, zëvendëskryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se secili prej nesh dëshironim rrugë më të mira dhe investime në infrastrukturën kryesore, siç është autostrada e planifikuar Merdare-Vermicë që shpie për në kufirin me Shqipërinë, e që një gjë e tillë do ta shndërronte Kosovën në një shtet transit për mallrat ndërkombëtare.

 

Mirëpo, sasia nuk e zëvendëson cilësinë. “Nuk mjafton vetëm të investohet, duhet të kemi cilësi të mirë, e cilësia nuk është e mirë”, shprehet ai. “Nëse pas një viti duhet t’i kthehemi të njëjtës rrugë, atëherë jemi duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës.”

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Maks Velo tregon gëzimin e të burgosurve, historianët e huaj analizojnë ndarjen e vështirë të Shqipërisë nga diktatura Gani Qarri: Luftëtari i Vërtet, mbetet gjithmonë luftëtar Kalosh Çeliku: Gomari e ka mendjen te kashta dhe samari… Hysen Ibrahimi: Pas një dekade, Rifat Jashari e Fadil Geci u përqafuan nip e dajë Ramiz Dërmaku: Puna e pavarur e nxënësve është një emperativ për arritjen e suksesit Bardhyl Mahmuti: Apel për Amnisti të Përgjithshme! Fatmir Sulejmani: E vërteta e spekulimeve kundër kompanisë ECOLOG Refik Hasani: z.Tadiq zhgënjeu shqiptarët e Medvegjës Blerim Rrecaj: “Studim, kritikë, veprim” dhe “Java e bibliotekës në Kosovë” me financim Çlirim Daçi & Arbëresha Rozi: “Zullum-kracia” Maqedone Dritan Ylli: Kuti-opozita Blerim Kastrati: Edhe një biznes i ri politiko-mediatik i Bardhyl Sejdiut, djalit të Presidentit të Kosovës Adnan Abrashi: Heqi dorë nga profesioni dhe titulli im Akademik - Jurist i diplomuar!? Bardhyl Mahmuti: Guximi qytetar dhe liria politike! Neki Lulaj: Qytetarët e mbarë Kosovës dhe diaspora shqiptare janë kundër ndryshimit të logos së Prizrenit Bekim Rexhepi: Plaka e lyeme Flet, Lavdie Cani, gruaja e ish nënoficerit të vrarë në depon e armëve në vitin 1997 Nexhmedin Spahiu: Plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohet me koncepte të Stalinit për kombin Vera Dushi: Kosova Lindore ende në tmerrin e terrorizmit shtetëror serb Fadil Sulejmani: UT-ja po pëson të njëjtin fat si dhe UÇK-ja

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora