E shtune, 27.04.2024, 12:38 PM (GMT+1)

Mendime

Maks Velo tregon gëzimin e të burgosurve, historianët e huaj analizojnë ndarjen e vështirë të Shqipërisë nga diktatura

E merkure, 14.04.2010, 08:07 PM


Dje u mbushen 25 vjet nga dita, kur ndërroi jetë diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha. Pse Shqipërisë i ka munguar lëvizja disidente dhe përse e ende nuk është reflektuar intelektualisht e shkuara?

 

Në jetën e intelektualit shqiptar Maks Velo, që asokohe vuante internimin, vdekja e Enver Hoxhës ka shënuar fillimin e lirisë, jo vetëm për atë si individ. "Ndodheshim tek ushtarët jashtë zonës së rrethuar të kampit, sepse ishte shkëputur një shkëmb nga mali dhe u kishte rënë ushtarëve në krevate. Ishin ushtarët, që na ruanin. Aty pashë se ata ishin ndoshta më keq se ne të burgosur. Nga drejtoria e minierës në mal vinte muzikë funebër dhe ne e dinim se kjo do të thoshte vdekje e një udhëheqësi. U mrekullova e sikur e gjeta se ishte vdekja e tij. Atje në kamp shokët e prisnin me vite të tëra, krijonin imazhe, ishte një sëmundje e tërë, që qarkullonte tek të burgosurit, puna e vdekjes së tij",- thotë Maks Velo.

Ndërkohë anembanë Shqipërisë qytetarët zhvillonin homazhe dhe vajtonin diktatorin e vdekur. Nëse lotët e vajit për diktatorin kanë qenë të vërteta, ose jo, këtë mund ta vlerësojë kushdo për veten e tij. Fakt është që shqiptarët me hir, ose me pahir i qëndruan besnik për mbi katër dekada me radhë sistemit. Shqipëria është thuajse i vetmi vend i ish-bllokut lindor, ku ka munguar lëvizja e mirëfilltë disidente.

Maks Velo: "Nuk kishte mundësi të bënim disidencë sepse ishte një vend i vogël, ishte një vend i kontrolluar në çdo minutë, në çdo sekondë kudo që shkoje, çfarëdo që thoshe, të regjistrohej."

Vdekja e diktatorit, pikërisht në momentin, kur kishte nisur edhe Perestrojka ishte një ngjarje, që ngjalli shpresat për ndryshime, edhe pse të heshtura në Shqipëri. Megjithatë kthesa ndodhi vetëm pesë vjet më vonë.

Një diktaturë e thjeshton jetën, e standardizon atë, pasi mungojnë alternativat, që individi të shpaloset i lirë, thotë publicisti dhe analisti Shi Ming, gazetar në DW. Ai madje kujton, se asokohe kinezët krahas citateve të Maos ishin të detyruar të mësonin përmendësh edhe citatet e Enver Hoxhës. Shi Ming: "Ideologjia e fut në shabllon jetën e komplikuar dhe e kthen atë në një model të stërthjeshtësuar. Një gjë e tillë nga disa njerëz mund të shihet edhe si lehtësim, sepse dikush tjetër mendon në vend të tyre.": Që të zbardhësh të shkuarën duhet të kesh dëshirë për ta bërë këtë. Ne fshihemi, nuk jemi njerëz të vërtetë, çdo gjë që e bëjmë e fshehim. Ne nuk jemi të qartë, se kemi bërë poshtërsi dhe prandaj nuk duam ta shohim, ta njohim dhe ta korigjojmë atë që kemi bërë. Zbardhja është e vonuar, sepse asnjëri nuk do që ta zbardhë",- thotë Maks Velo. Shqipëria ka mbetur kështu i vetmi nga ish-vendet e bllokut komunist, me përjashtim të Bjellorusisë, që nuk janë çliruar nga ky ngërç.

Sipas, Oliver Schmitt, historian në Institutin për Historinë e Evropës Lindore në Vjenë, shkaku i mosreflektimit është vazhdimësia e fortë e kuadrit, e elitës shumë të vogël, e cila ka në pjesën e saj më të madhe lidhje familjare me elitën e vjetër komuniste. Numri i intelektualëve, që e trajtojnë çështjen në mënyrë kritike, është shumë i vogël dhe ato kanë vështirësi, se vazhdojnë të luftohen shumë.

Schmitt: "Tragjikja në Shqipëri është sigurisht që si shkenca, ashtu edhe shumë elementë qendrorë të identitetit kombëtar u konceptuan dhe u përhapën në komunizëm. Për këtë arsye ato janë në këtë moment pa alternativë, ndaj edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë efekt i njëjti nacionalizëm vetizolues".

Sipas historianit Schmitt, gjatë komunizmit në Shqipëri zuri vend botëkuptimi egocentrike e perceptimit për vendin dhe kulturën e tij. Nga ana tjetër vlen të theksohet, që Shqipëria përpara periudhës së komunizmit ka qenë e hapur dhe ka pasur shkëmbime ndërkulturore me botën e jashtme. "Trashëgimia e dimensioneve të mëdha hapësinore dhe e relacioneve kulturore ndërkombëtare, që u zhduk me ardhjen e komunizmit, së paku nga ana ideore intelektuale nuk është kthyer as sot e kësaj dite".

 

_______

 

GJIROKASTËR - Komunistët gjirokastritë kërkojnë rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në vendin ku ka qenë dikur, në kodrën "Fantazia". Kërkesa së bashku me apelet e ripërsëritura për kthimin e muzeut etnografik, i vendosur në shtëpinë e lindjes së Hoxhës në muze të luftës nacionalclirimtare i është drejtuar zyrtarisht nga Partia Komuniste Bashkisë së Gjirokastres.

Paraditen e sotme, në 25- vjetorin e vdekjes së Hoxhës, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Komuniste janë mbledhur në vendin e zakonshëm, përpara shtëpisë dhe kanë folur jo vetëm për figurën e ish- udhëheqësit, por edhe për tema të prekshme, si kriza ekonomike, apo incidenti më I fundit me ushtarët grekë, duke akuzuar për gjithcka jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën, që sipas komunistëve nuk është duke luajtur rolin e saj.

Vazhdimisht kërkesat e komunistëve për çështje të ndryshme kanë qenë të shumta gjatë viteve të fundit, por asnjëra prej tyre nuk është marrë parasysh.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora