E merkure, 01.05.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Sami Islami: Gëzimi i fëmijëve apo fëmijët e gëzuar?

E hene, 18.01.2010, 06:56 PM


GËZIMI I FËMIJËVE APO FËMIJËT E GËZUAR?

Nga Sami ISLAMI

Dihet se gjuha është një organizëm i gjallë. Duke qenë në kontakt me gjuhët e tjera ajo, në njëfarë mënyre “komunikon” duke marrë, por  edhe duke i dhënë fjalë njëra-tjetrës. Edhe shqipja i është ekspozuar këtyre marrëdhënieve. Por kur të kihet parasysh se sa fjalë të huaja kanë hyrë në gjuhën shqipe, sidomos  gjatë këtyre viteve të fundit dhe sa po vazhdojnë të hyjnë pa asnjë kriter, mund të themi se  gjendja është shumë shqetësuese, madje do të thoshim alarmante! 

Po kësaj radhe nuk do të ndalemi t’i shqyrtojmë këto ndikime të huaja në leksik (fjalor). Kësaj radhe do të ndalemi tek një kategori fjalësh apo konstruktesh të tjera,  të cilat, sigurisht  e iritojnë secilin që ka ndërgjegje gjuhësore të formuar. Në anën tjetër,   këto konstrukte  duke u përdorur shpesh  lehtë mund të futen thellë në gjuhë, sa një ditë këto mund të na duken si diçka krejt “normale”, edhe pse në fakt nuk duhet të zënë vend, me këtë trajtë e kuptim në gjuhën leterare. 
Para disa  kohësh u organizua  një festival i këngës për fëmijë  në television, i cili  mbante titullin   “Fëmijët e gëzuar”. Dua të mendoj pozitivisht se organizuesit e festivalit  e kanë pasur me  qëllim të mirë që mesazhi i këtij organizimi t’u dedikohet të gjithë fëmijëve pa dallim. Por me “fëmijët e gëzuar” a thua vallë u përfshinë të gjithë fëmijët? Në shikim të parë  duket se s’ka asnjë dallim këtu, por po të shikohet më thellë del se këto dy sintagma dallojnë rrënjësisht njëra nga tjetra. Sepse nëse themi “fëmijët e gëzuar” automatikisht ne, me vetëdije apo pa të, i kemi ndarë fëmijët,  disa “të gëzuar”, e disa, “të pa gëzuar”. Le ta formulojmë ndryshe këtë sintagmë! Le të themi  “gëzimi i  fëmijëve”. Konstrukti i dytë, s’do mend se është ai i cili do të duhej të përdorej, sepse ky nuk i ndan fëmijët në “të gëzuar” dhe në “të hidhëruar”! Unë  pajtohem se në botë ka fëmijë edhe të gëzuar  e edhe jo të gëzuar, por ama këto konstrukte përdoren për rrethana  dhe kontekste të tjera, por kurrsesi në kontekste të tilla, siç ishte festivali, i cili parimisht iu  dedikua , kujtoj,  të gjithë fëmijëve pa dallim.

Mungesa e një gjuhëtari ose  profesionisti gjuhësor,  i cili do të ishte kompetent t’i kontrollonte tekstet e gazetarëve, para se emisionet, lajmet etj. të transmetoheshin në publik, bën që të dalin, poashtu, edhe  gabime të tjera kuptimore (semantike), që ta vrasin veshin. Shpesh më ka rënë të dëgjoj në media fjalën “dëshmor” dhe “martir”. Në mediat tona këto dy fjalë përdoren shpesh si fjalë me kuptime të ndryshme, por në fakt këto dy fjalë e kanë të njejtin kuptim, pra janë sinonime. Sikur që janë sinonime fjalët “vajzë” dhe “gocë”,  “djalë” dhe “çun” etj.  Mjaft dendur mund të dëgjohen konstrukte si: “U bënë homazhe dëshmorëve dhe martirëve të kombit” Ose “ Në luftën e… ranë kaq  dëshmorë e  kaq martirë”.!? Ne mund të themi “U bënë homazhe dëshmorëve ose martirëve të kombit”, ose “Në luftën e…ranë kaq dëshmorë ose martirë”, por jo si në shembujt e mësipërm.  Prandaj duhet pasur kujdes që kur shkruajmë ose kur flasim ta përdorim, si  njerën , poashtu edhe tjetrën, por me kuptim të njejtë e jo të ndryshëm ( në lidhje me këtë shih:.  “Fjalor i shqipes së sotme” , Tiranë , 2002, f. 235).

Fjala “viktimë-a”, që ka prejardhje latine dhe që përdoret në shumë gjuhë indoevropiane, përdoret  edhe në gjuhën shqipe. Po çuditërisht nuk është  në asnjë  fjalor të gjuhës shqipe(!). Nejse. Nuk do të merrem këtu me këtë problem, se po të hyjmë në këtë fushë do të na merr një kohë të gjatë për ta shqyrtuar. Por,  ajo për çfarë do të flas këtu është se shpesh kjo fjalë po del (në të shkruar dhe në të folur) gabim. Cili është kuptimi i kësaj fjale? Kuptimi është ky: “Lëndimi ose vrasja e një njeriu apo shtaze si rezultat i krimit”. Pra  viktimë, quhet personi i pafuqishëm përballë një force, një dhune  dhe si rezultat kjo (viktima) pëson dëm, plagoset ose zhduket fare nga dhuna. 
Në gjuhën e shtypit dhe të mediave të tjera shpesh  mund të hasen konstrukte si “U vranë ose u masakruan shumë viktima të pafajshme”(!).  Së pari, duhet të kihet parasysh se vetë fjala “viktimë” e ka në vete edhe pjesën tjetër “e pafajshme”. Se nuk ka viktimë “të fajshme”!?  Kjo është njësoj sikur të themi  “akull i ngrirë” ose  “borë e ftohtë! A ka akull të shkrirë dhe borë të ngrohtë?!

Një problem më vete paraqet edhe përdorimi gabim i fjalëve “mund” apo “mposht”, të cilat po përdoren edhe në kuptimin “fitoj”(lojën) ose  “ngadhnjej” etj. Edhe pse këto dy fjalë mund të merren si sinonime, prapëseprapë, këto nuk janë të tilla, ose më mirë të themi,  nuk bën të trajtohen të tilla. Për shembull fjala (folja) “mund”mund të përdoret  në kuptimin “ngadhnjej”, “fitoj’, “mposht”. Pra  ka përdorim më të gjerë. Ajo mund të përdoret edhe kur është fjala për sport , pra lojë, por edhe kur është fjala për  luftë kundër armikut, kundër sëmundjes, kundër së keqes, kundër frikës  e kështu me radhë. (Shih: Fjalori shqipes së sotme, f.815). Ndërkaq fjala (folja) “mposht”, përdoret për të “mundur” armikun, sëmundjen, të keqen, frikën etj., por  nuk duhet të  përdoret  kur është fjala për sport , pra për lojë (Po aty f. 811). Këtu është edhe ndryshimi. 
Etika sportive nuk e duron të shprehemi me , p.sh. “Prishtina e mposhti “Dritën”. Sepse kjo është lojë, është sport. Asnjëri ekip nuk është i rrezikuar për vdekje nga njëri –tjetri. Kurse, kur është fjala e ballafaqimit me armikun, me sëmundjen  etj. situata është ndryshe. Armikun duhet të përpiqesh që ta „mposhtësh“, ta “hedhësh për tokë”, ta “vrasësh”, se nëse nuk e bën ti atëherë armiku do të mposht ty. Kur jemi tek sporti, pra, pse të mos e përdorim një term më njerëzor, më sportiv,  si  “Prishtina e mundi “Dritën”, ose “Prishtina ngadhnjeu kundër “Dritës”, ose  “Prishtina” fitoi ndaj  “Dritës” etj. Jemi të medimit që përdorimi i termit “mposht” i tejkalon raportet sportive, pra të lojes. E sporti, siç dihet,  është aktivitet human, pra njerëzor,  e jo armiqësor. 

Disa reklama televizive, janë aq banale sa çuditem se si nuk i shohin ata njerëz që punojnë aty! A kanë në këto redaksi njerëz që,  së paku,  e kanë të kryer shkollën e mesme? Se nuk ka nevojë fare të jesh apo jo gjuhëtar për t’i vërejtur dhe për t’i evituar këto fjali absurde. Në një program  televiziv që reklamohej qumështi „vita“, p.sh. më ka rënë të dëgjoj edhe fjali si këto: „Për ata që duan të rriten“!? Pra,  bleni qumështin „vita“ në qoftë se doni te rriteni!?„Për ata që duan të rriten të shëndoshë“!?, Ose tek  emisioni „Kënaqësia e gatimit“  mund ta dëgjosh edhe këtë reklamë: „Për ata që duan ushqim të shëndoshë“!? Ose edhe një tjetër: „Komjet  Shala ju ndihmon në testet teorike dhe praktike edhe në rastet më të vështira“!? Sipas kësaj del se  „Komjet Shalla“, le që ju  ndihmon në raste të lehta, por edhe në rastet më të vështira! Domethënë  kjo autoshkollë i bën krejt punët vetë për ju ( i kryen edhe punët  e lehta edhe punët e vështira)! Pra ju vetëm paguani të hollat dhe patentën e keni në xhep! Po a kanë mend ata që i përgatisin këto reklama? A janë duke e kuptuar se çfarë janë duke thënë?  A thua a janë këta zotërinj shqiparë apo të huaj, që  rastësisht kanë hyrë në television dhe nuk e kuptojnë mirë shqipen!? Po kush (cili fëmijë)nuk dëshiron të rritet?! Kush nuk do  të rritet i shëndoshë?! Dhe në fund a ka ndonjë njeri që nuk do ushqim të shëndoshë, po ushqim jo të shëndoshë?


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora