Kulturë
Nexhat Rexha: Qëndrueshmëria poetike në kontekstin kohor
E hene, 18.01.2010, 04:21 PM

QËNDRUESHMËRIA POETIKE NË KONTEKSTIN KOHOR
(Marius Chelaru: Baladë përditshmërie, Editura Fundatiei Culturale
Poezia, Jash, 2009, fq.90)
Nga Nexhat Rexha
Vëllimi poetik i autorit Marius Chelaru Baladë
përditshmërie, është rezultat i unifikuar i përkthyesit të shquar të
letrave shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, Baki Ymeri, i cili ka dhënë
rezultate të rëndësishme në afirmimin e këtyre dy kulturave me lidhje të gjatë
historike në fushën e kulturës sonë. Vlerat poetike shtegtojnë dhe
bashkëjetojnë me lexuesin pa marrë parasysh përkatësinë gjuhësore. Në këtë
vëllim vlerash poetike, Marius
Chelaru komunikon me përditshmërinë, ngase mjetet shprehëse që ai i vë në
funksion të aktualitetit, din t’i stolisë me figura të zgjedhura estetike, të
cilat marrin kuptimin artistik dhe në vete ruajnë qartësi komunikimi. Gjykimet,
shpalosin e pasqyrojnë
imazhe të avansimit konkret, ato në thellësinë e tyre ruajnë thjeshtësinë e
avansimit të formës dhe
idesë, të cilat shpalosin intimitetin progresiv drejt hapërimit të
vetëdijësimit të përgjithshëm. Marius Chelaru, vrojtimet e përditshmërisë i ka
vënë në funksion të dhënies së idesë përmes mekanizmave universale të
përhershmërisë, sepse absurditeti nëpër
kohë i vë në dilemë shumë visare që kanë krijuar jeta e njeriu nëpër faza të
ndryshme të zhvillimit shoqëror.
Topografia e saktësuar për të zgjedhur
të mundshmen, respektivisht realen, është një hallkë në vete, e cila
depërton drejt synimeve për të arrirë në shkrirjen e asaj që ndikon në ecjen e
përditshmërisë. Ai mëton të krijojë rrjedha më të favorshme, më dinamike në
pamjen e kësaj balade të përditshmërisë, sepse e tërë kjo vjen si rezultat i njohjeve te gjera që
posedon autori. Ky synim i brendshëm i
autorit arsyeton tensionin e këtij nënqielli
dhe shtegton gjithnjë zhvillimin e ngjarjeve në një observim të zëshëm. Në
poezinë e këtij vëllimi autori bashkudhëton me fillimet e kësaj bote, për të
shprehur klithmën dhe lutjen për të mirën e njerëzimit. Mirëpo, nëpër
disa vargje me elemente
mitike ai strehon shumë dilema të jetës, të cilat duhet të tejkalohen, sepse
urrejtja dhe vuajtja kërkojnë shërim. Autori duke dhënë për shqyrtim këto skena
sikur tejkalon mizoritë e kësaj bote dhe kërkon të bukurën, kur dihet se ajo
ekziston, kjo pra është kërkesë për të arritur të mundshmen, e që bota
njerëzore e ka gjithnjë afër tij.
Autori nëpër vargje ka shkrirë tiparet e
jetës nëpër të cilat ka kaluar njeriu i këtij nënqielli, duke dhënë portretin
identifikues të njeriut, i cili në fund të jetës mbetet vetëm si hije e kësaj
bote. Tek e fundit, është diçka që njeriu në frymëmarrjen e këtij fundi i sheh
hiqet e botës, por në asnjë rast nuk heq dorë
nga ëndërrat e bukura që ka ruajtur dhe ruan në kujtesën e tij. Në pamjen e
kësaj bote sa komplekse, sa iluzore, po aq edhe dinake, autori nuk heq dorë nga
pikëpamjet e veta, ngase
ajo vlen të jetohet dhe poeti beson
në pavdekshmëri dhe këtë e ilustron në disa vargje, dhe këtë tejkalim të momenteve, ditëve
dhe pjesëve të rënda të jetës së njeriut,
e aktualizon me ndjenjën se jeta latohet
nga dora e mjeshtrit, prandaj këtyre ecjeve autori i jep kuptim e domethënie të
rëndësishme pozitive.
Që në ciklin e parë deri te ai fundit,
shtrohen shumë çështje të hapura, të cilat në hapësirën gjeografike kanë
shtrirje shumë dimensionale, sepse përmbajtja e vargjeve dhe lidhja e tyre
semantike rrezaton bukur brendësinë e kësaj bote komplekse. Protagonistët e
këtyre vargjeve në vete ruajnë karakterin etik me të bëmat e tyre, e në disa
raste autori ka shkrirë portretin e tyre,si pamje, si njerëz të rëndësishëm, që
me veprimet apo veprat e tyre kanë pushtuar botën dhe kështu karakteri i tyre
ka ndikuar në rrjedhat e përgjithshme të njerëzimit. Këto personazhe të
zgjedhura nuk janë imagjinatë, por janë realitet, që kanë ushqyer botën e
civilizuar në të gjitha kontinentet e saj, duke u bërë një farë mënyre banorë e
anëtarë të çdo lokaliteti apo shtëpie, të cilët janë marrë nga religjioni apo
shkenca, si: Krishti, Adami, Eva apo Homeri; Shekspiri, Volteri, Khajami etj.
Kohët flasin me ngjarjet, ndërsa
autoritetet kompozojnë meloditë me kohët dhe njerëzit, e ata shfaqin
koreografinë e tyre para të tjerëve. Autori është në kërkim të asaj që duhej të ishte e
pranishme, për të cilën flitet, shkruhet, këndohet, por për poetin Marius
Chelaru, ajo mungon, mungon, sepse bota gënjen. Për këtë arsye vargjet e
poezisë rrugulla sipas të
cilave mund të harrosh, kanë
në vete shtrirje të kohëve dhe kjo shtrirje e kohëve është në kërkim të
harresës. Autori, përndryshe i njohur si një dashamir i madh i kulturës
shqiptare, ka shkrirë për bukuri atë që duhet të vijë përmes vargjeve ngrej gotën dhe verën/ si një qarje
fëmije/pihet si një ndëshkim/shikoj çastin e këtij që më ka suspenduar/se si në
portën e vetme drejt iluzionit/të cilin të gjithë orvaten ta pagëzojnë
liri/...të cilën e kam harruar (fq.
28).
Nga poezia Baladë Përditshmërie është nxjerrë edhe titulli i librit,
versioni i parë i të cilit botohet në gjuhën shqipe në Moldovë. Tërësia e
kompozicionit të vargjeve ngërthen në vete një program të rëndësishëm. Ai
shfaqet në hapësirën qiellore, sikur shikohet nga afërsia, e që gjithçka që
shfaqet në relievin tokësor duket. Autori nëpër vargjet e kësaj poezie
antologjike ka arritur të nxjerrë një fuqi
artistike dhe fjalës t`i japë funksion depërtues në të gjitha pikëpamjet e saj.
Ai është dëgjues, shikues dhe më shumë se të tjerët, ai është përjetues intim i
ndjenjave të thella njerëzore dhe përmes këtyre spektakleve që është duke
prodhuar makineria e një
shtrese njerëzish me
imagjinatën e tyre, që pastaj shfaqjet e tyre duken nëpër ekranet e TV.
Kështusoj ai saktëson rolin e diplomacisë botërore përmes vargjeve: me çantë diplomati plot
kamxhikë arushash dhe lëvore vjeshte/ mbi dëborën në skaj bulon një lule/
jolule me sy të artë/pëshpëritje pranvere të degdisura nga koha (fq. 41).
Marius Chelaru saktëson për hijeshi
lëvizjet e përgjithshme botërore, sepse teknologjia informative ka pushtuar
botën, përmes televizorit. Të gjitha anët pozitive dhe negative shfaqen, e shpresa shtegton në
të gjitha skajet e botës, por autori përmes fjalës së zgjedhur shumë shlirshëm
ka vënë në funksion mesazhin për njeriun, sikur ai përjeton se koha prej 24
orëve ndahet në dritë dhe terr, pastaj ai të lë vetë për të zgjedhur, sikur
thotë, e ti njeri i
fisnikëruar zgjedh për shtegtim cilën të duash, jeto me dashuri ose bashkëjeto
me urrejtjen. Megjithatë, autori din të hapë rrugën për shpresë, për
dashuri dhe për jetë më të mirë.
Vepra Baladë Përditshmërie është komponim i variacioneve me
shtrirje të gjerë nëpër kohë e periudha nga më të ndryshmet. Të gjitha këto
ngjarje kanë rrjedhë si proces evolues në memorien e njerëzimit, kudo që ai ka
jetuar e hapëruar me zhvillimin kulturor, ekonomik e me të gjitha inovacionet e kohëve të këtij
shekulli të fundit. Autori në vargjet e kësaj vepre ka ngjeshur bukur aspektin
e formësimit të tërësishëm estetik, duke reflektuar koncepte të qarta të
poezisë bashkëkohore, me qëndrim e pasion të qartë dhe individualitet origjinal krijues. Poezia e moldovarit
Marius Chelaru Baladë
Përditshmërie, pasqyron ambientin
korrekt, gjithnjë duke e lënë anash apokalipsin, sepse ai dëshiron që ëndrra të
mos këputet, dialogimi i vargjeve identifikon konceptin e tërësishëm, sepse ai
pretendon dhe ia arrin qëllimit,
jo vetëm të transformojë mesazhin, por edhe ta bartë atë në ligjërimin artistik, edhe si
ligjërim stilistik e figurativ.
Konsiderojmë se autori ka rrumbullakuar kuptimin esencial të revoltës, dashurisë drejt një tonaliteti të vetëdijesimit të mundshëm përmes unitetit të tërësishëm në koordinimin tematik si dhe në kontrastet e zhurmëshme, për një avancim të mirëfilltë metaforik dhe me shenja e formulime imagjinatave, duke i dhënë temave kolorit e hapësirë gjithherë dinamike në kontekstin kohor. Natyrisht, konkretizimi i katër cikleve: asnjëherë i Zgjedhuri, e imtë”, pendesa, dashuri dhe kujtime, arsyeton parashtrimin e poezive për të saktësuar qëndrueshmërinë artistike me kreativitet të dëshmimit për të ruajtur identitetin në perspektivë me gjerësi të përhapjes dhe ruajtjes së vlerave universale në art.