E merkure, 01.05.2024, 02:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Fshehtësitë simbolike në poezinë e Lida Lazajt

E hene, 18.01.2010, 03:49 PM


FSHEHT?SIT? SIMBOLIKE N? POEZIN? E LIDA LAZAJT                        

{“Gishti i dheut të dhembshur” Egnatia ,Globus R, 2008, Tiranë}

Nga Remzi Salihu

1. Lida Lazaj në analet e krijimtarisë saj shkruan lirikën  refleksive të ngjeshur mirë nëpër cikle dhe, të koordinuar mirë bashkë me një zinxhir të gjatë asociacionesh e shtegtimesh të veta e  të përvojës jetësore nëpër kohë. Ato janë vargje të hapura e të mbyllura, por që në esencë nxisin, ftojnë lexuesin të hyj brenda rreshtave e të përpushin fshehtësive të gjuhës simbolike e metaforike. Kjo grishje mund të bëhet në mënyrë spontane nga kërshëria e çdo lexuesi që ka sens për t’i dalluar veçantitë artistike e letrare të kësaj poete. Lirikat bartin në vete peshën e lartë poetike e tematike. Këtu fjala nxitë fjalën dhe kuptimin e kthen në veprim efektiv të gjallë të shprehjes lirike të sprovuar nëpër kohore. Nga vargjet e Lazajt dallojmë dhe dëgjojmë një zë poetik që tanimë, dal nga dalë,  merr formën e vet të këngëtimit, e që në esencë shëmbëllen ngrohtë lirizmit dhe grishjes në skenën poetike bashkë me ashpërsinë, butësinë, lëndimin, lotin dhe mallin e saj, kundrejt vetes dhe të tjerëve.

Titulli i vëllimit poetik „Gishti i dheut të dhembshur” na jep të kuptojmë shumësi mendimesh, temash e motivesh të dala nga përjetimet dhe frymëzimet e ndryshme të autores nëpër etapa të shumta kohore.  Që të kapim drejtë ndjenjën reflektuese, se çka na sjell ky univers i përgjithësuar poetik, i cili në vete ngërthen shumë vërtetësi ngjarjesh të fiksuara nga kujtesa  përvojave të poetes, duhet gjurmuar me kujdes në fshehtësitë e figurshme të poezive mjaft të larmishme. Natyrisht se kjo vjen nëpër vargje e bazhdizuar, me gjuhën dhe shprehjen e rrallë, të ngjeshur, të përpunuar, e të përputhur me ritmin kohës. Reflekset e saja në këtë vëllim poetik kalojnë me maturi të rrjedhshme mbi bagazhin e përjetimeve të rënda të individit në një vend e rreth të caktuar. Detajet melankolike vijnë në skenë me emocione, si mprehtësi e detyrueshme e kohës, si shkak provokativ, që shpon me majat e saja, duke evokuar në rreth, kështu, diçka të ndodhur, të ikur nga e kaluara,  me guxim dhe shpresë për të kërkuar të ardhmen. Nëpër rrugën e saj të gjatë të konvencionit artistik të arratisur në distancë të kohës dhe jetës. „Gishti i dheut të dhembshur’’ është padyshim një mall magjik e magnetik i fiksuar me ndjenjë asociative dhe e përcaktuar me impresiono në vete, në gishtin tregues të nostalgjisë kundrejt vendit që dhemb nga prekja. Me një virtuozitet kohorë, e truporë, që të mallëngjen, edhe pse gishti është i vogël për të kapur një hapësirë të largët, të prekur të ndonjë sendi, trupi, apo vendi, prekjen e ka të madhe, të ndjeshme, kur përmbushet me ndjenjë dhe mall afrie e dashurie. Gjithsesi, se brenda asaj prekje mund të nxitet, magnetizohet, motivohet një puhizë njomë ndjenje shpirti që të kall,  e që pastaj kujtesa gjithnjë të arratiset në nostalgji me kalimin e kohës. Ky refleks që jep në mënyrë rutinore sprovën e dashurisë  për jetën dhe vendin, e shtyn diçka e brendshme, e cila lidh individin me ndjenjën dhe dashurinë e çdo qenie njerëzore.

Kozmosi në këtë përmbledhje poetike përfshihet e ndërtohet me fjalë të zgjedhura, si tërësi e madhe jashtë tokësore, por që ngjesh në vete gjithësinë dhe, në këtë tërësi të madhe, individi i gjallë apo i vdekur, brenda asaj shumësie të pa pushtuar është një pluhur kozmik, që bart në vete, gjithnjë, epitafin e gravuar me datë të pacaktuar. Kur vatra errësohet nga humbësit dhe kthetrat e krimit të katandisur, koloriti i këndshëm trazohet nga gjendja  e shëmtuar të ambientit dhe rrethit. Gjithsesi, se kjo situatë e vrazhdë e kohës e kalit individin për ta gjetur shtegun dhe adresën e vet të sfidave, nga trupi i brejtur i situatave të shëmtuara të jetës, nga djajtë dhe terri i ftohtë i mbërthyer me gjithfarë trokesh e shëmtish të kohës, andaj për largimin e këtij kataklizmi rrëqethës, vendit i duhet një“ promothe“ i vendosur dhe sakrifikues për veprime me flakën e ndezur të lirisë në shpirtë  për gjeturinë e lumturisë jetësore të përgjithshme nëpër atdhe.

 

2. Sharmi i dritës dhe antidritës

 

Veprimet ekzistencialiste e futin njeriun, individuan në iluzione të shumta për mbijetesën e tij, si qenie e vetme përballë pasqyrës dhe realitetit të kohës, kërkon  me reflektimin e saj, veprim, qo do të përballet me kërkesat e ndjenjës së brishtë vetjake, e cila në të shumtën e rasteve kjo pasqyrë e realitetit të vrazhdë thyhet nga zhgënjimi dhe dyshimi i pakuptimtë jetësorë. Ndryshe nga ky veprim i hamendjes hamletiane, ngrohtësia e shpirtit përmbushet vetëm atëherë kur pamja e jashtme, lëkura e ngrirë nga prekjet e ftohta nëpër errësirë, ngrohet, plotësohet, nga drita e muzgut të afruar. Atëherë, kur del drita e diellit, del edhe optimizmi i brendshëm, reflektues i njeriut. Ditët me dritë dhe antidritë në kujtesën e poetes vijnë të radhitura si rrudha ngjarjesh të pa harruara e që në vete pleksin ndjeshmëri të rrallë të jetës. Ajo është herë e zymtë e herë shndritshme si rruazat shumëngjyrëshe të radhitura në qafë të kohës, apo si sprovat e damkosura të një individi, ose fuqie që të përcjell si smerald ndriçues nëpër korridoret e jetës. Të gjitha stinët e së kaluarës në shpirtin poetik të poetes shëmbëllejnë, si imazhe me vise të gërryera nga koha. Gjatë jetës njeriu vihet përherë në sprovë jetësore. Ai zbret në shtegun e gjatë provokues të moralit. Madje përballet edhe me ç’moralizim, ngase jeta është një provokim eksperimental i përhershëm, që ndërton kodin e veprimit moral, apo amoral dhe, me këtë bindje poetja në poezinë „ Mëkatarë“, vepron në skenën letrare me një pyetje retorike „Jam unë i varur i pari“ dhe ky lum mëkatar që derdhet në atmosferën kuptimore, vjen si rrjedhojë e lotit universal i njeriut që e tërhiqet zvarrë në sakrificë për të vërtetën në jetë.

Poetja perceptimin e jetës e sheh përmes sharmit të dritës dhe antidritës, errësirës, apo midis të bukurës dhe shëmtuarës, jetës apo vdekjes. Ajo kërkon të „nesërmen“, ngase të sotmen e vrazhdë e ka të “përjetuar mirë”  bashkë edhe me rrethin e saj. Autorja kërkon të panjohurën, ndryshim kohe, madje të notojë në enigmën e pazbuluar e të pa përjetuar, të nesërmen që vjen, qoftë ajo të jetë edhe e vrazhdë. Kërkesa e guximit për ndryshim bëhet sovrane atëherë kur përjetohet e veprohet nga bindja individuale sa për t’u larguar sa do pak nga ato anomali të së djeshmes së hidhur.

Paralelizmat e përdorura me kujdes, për ta ngritur apo ulur kuptimin refleksiv e radhit poeten në mesazhin didaktik, me dhënie e marrje, me humbje e fitime, shtjellojnë efekt moralizues të veçantë. Në çdo çast, jeta, sjell ndryshime, të bën mbret apo mister, ose siç thotë vet poetja të bën ngandonjëherë edhe „m“. Por dy  gjëra sublime që hetohen në këtë vëllim poetik, e që përcjellin njeriun gjatë jetës, janë dashuria dhe urrejtja. Këto veti janë aq të vjetra, të lashta, aq sa edhe vet njeriu. Këto dy antonime si dy antiteza janë përcjellë gjithnjë gjatë shekujve. Për poeten vetëm fjala „Të dua „ ka mbetur si e veçantë dhe ka rëndësi si tetuazh që ngulitet thellë dhe përjetësisht e pandryshuar në vargje. Në kujtesën e saj kjo shprehje, ka shërbyer për eliminimin dyshimit nëpër të gjitha kohët. Prandaj këtë fjalë e rruan si thesar të çmuar në thellësinë e shpirtit, e cila në vete kundërmon bindje sfiduese të përhershme me dashuri dhe afri të ndërsjellë. Poetja nuk i do fjalët që sjellin ftohtësi, acar, breshër, akull, por në verandën e prehjes poetike i veçon ato fjalë të ëmbla, të ngrohta, që vijnë papritmas si idili me aromë pranvere nëpër çaste të caktuara, me të cilën edhe toka mbetet gjallë dhe bëhet humus frymëzues.

.

3. Ndjenja universale e këngëtimit

 

Cikli poetik ”Pjalm shpirti”, është prurje e ngjeshur intime dhe figurë e goditur për të treguar situatë të ngrohtë e të ftohtë të ndjenjës poetike. Mpirja e gjakut, gjymtyrët e ngrira, japin imazhin e vetmisë. Shkretëtira e thellë e vetmisë shëmbëllen hapësirën e ngrirë të shtanguar të jetës, e cila  në të kundërtën kërkon gjallërinë, afrinë e ngrohtë të vatrës së shpirtit, për të nxehur hapësirën ku gjendet i vetmuar individi. Frigiditeti kohor mbërthen në vete siluetën e trupit të pa diktuar në hapësirë, të vetmuar, pa gjymtyrët e varura si stalagmite në shpellën e ndjenjës së madhe të përjetimit. Kundërthëniet jetësore sjellin ethe, fërkime, vrazhdësi, midis kuptimit dhe pa kuptimësisë. Në ujërat e turbullta të bisedave njerëzore ku nuk ngjishet logjika e pajtimit dhe dashurisë, ka vetëm’’ kuakje’’ që nuk japin shtegdalje kuptimi, shprese, e cila madje nga veprimi saj negativ, përfundon në një formë dhunshme instinktesh e veprimesh të shëmtuara që ka njeriu kur futet turbullt në moçalet e molepsura të pa kuptimësisë dhe mosbesimit. Kështu njeriu me sjellje jo të mira njerëzore, amorale, merr formën veprimit të instinktit të kafshës. Dy tërësitë kuptimore janë dy antiteza që shfaqen me disponimin e vrazhdët të individit në rrethin e caktuar të ambientit ku jeton.

        “Kur lahemi në ujëra të molepsura

          kuakje bretkosash më ngjiten në lëkurë

          me sytë e çngjyrosur

          të gjithë i shoh me katër këmbë

          dhe veten majmun me bisht.” ....

Në tërësinë e dytë të vargjeve të strofës ndryshon disponimi figurativ. Aty ndihet edhe zëri i zogjve. Disponimi kthehet në dëshirë jetese. Lulëzim. Aty ambienti bëhet më tërheqës. I bukur. Hapësira parfumohet me fjalë të këndshme, të ngrohta, të cilat sjellin bukurinë e mrekullueshme që mahnit vetëm shijen e veçantë të poetes.

          “ Kur flasim gjuhën e zogjve

           nën qerpikë pishash valëzojnë dy liqenj

           në pentagrame degësh të lulëzuara këndojnë yjet

           në krahë fluturash të parfumuara fluturoj “

 

 Malli për të afërtit mbetet prehje e përhershme i poetes dhe me vendosmëri ndërton imazhin e  kthimit të saj në fëmijëri. Kjo gjendje sikur e dërgon poeten në idilin familjar të përmbushur me nostalgji e me gjelbërim jete të fëmijërisë dhe të ngrohtësisë së dikurshme të rrethit, e cila ngrohtësi tanimë e nxitur nga malli, me kalimin e kohës, nga perspektiva e jetës, bëhet një bagazh i rëndë, mallëngjyes dhe i dhembshur për kohën e ikur, e cila kohë në kujtesë ka mbetur vetëm si blerim i rrallë frymëzimi. Andaj është diçka e rastit kur njeriu lind si qenie e gjallë dhe kjo rastësi plotësohet me bekimin e perëndisë për t’u plotësuar me “sythe” motivesh të frymëzuara nga vet jeta e njeriut nëpër rrugëtimin nëpër të cilën kalon e vepron. Pos gjelbërimit dhe sythave të çelura nëpër lëndinat e mallit të së kaluarës, gjurmët e shtegtimit imagjinativ i shqetëson edhe “Ishulli i vetmuar” i ëndrrës që ka  humbur bukurinë e dikurshme nga pranimi e njerëzve nëpër “hijet e misterta”, që nuk kanë kuptim suksesi nga prekjet e duarve të vrazhdët e të pamëshirshme të faktorit kohë. Poetja nuk do që të hakmerret si hyjnesha e hakmarrjes”Erini” e kohës, që shëmton bukurinë e ishullit të dikurshëm, ku ajo dikur përkundej me ëndje nga kaltërsia e valëve të mrekullueshme. Tristiku i poezisë “ Dita e tokës” alias ,Dheut, dikur ishte shëmbëlltyrë e frytshme nga dora e njeriut që “ pambarimisht “e punonte dhe, ai, humus i punuar shëmbëllente me flori në duart e babait, kurse, tanimë, me kalimin e kohës gjithçka ndryshoi dhe toka braktisej me të madhe nga njerëzit. ka mbet e shkretuar nga pakujdesia e sëpatës së mprehtë të kohës, e cila si virus i tmerrshëm, shkatërrues, mori me vete gjithçka dhe prej asaj bukurie të rrallë, që për babin, çdo pëllëmbë toke ishte e vlefshme e shenjtë, e artë, kurse tanimë mbeti e plogësht, e këputur, prerë, pa krahët e babait të zellshëm.

Tërësia ciklike “ Pjallme shpirti “, madje, përfshin në strukturën e vet kuptimore, ndjenjën dhe mallëngjimin për diçka të ikur, diçka që ka lënë fotografi dhe imazhe që nuk shlyhet, që nuk harrohen e kurohet lehtë gjatë tërë jetës. Poetja nga distanca e kohës dhe përvojës vjen si me zanatin shprehur të Borhersit, për gjërat e përjetuara nga vet jeta, që ia ka diktuar dhe imponuar vrazhdësia dhe verdhësia e jetës, e cila ndjek njeriun deri sa të bëhet hi.

Njëra prej poezive mjaft interesante të këtij cikli, e që del nga thellësia e ndjenjës dhe mendimit të kapur mirë, me temë universale për dashurinë ndaj individit, ndaj të adhuruarit, i cili nëpër vargje nuk identifikohet, nuk duket krejtësisht. Por ky motiv kap përmasa më të mëdha kuptimi se sa një ndjenjë e thjeshtë dedikuar rastësisht për dikë të adhuruar. Sepse këtu identifikimi nuk përkufizohet. Këto vargje, madje, mund t’i adresohen gjithkujt. Këtu poetja vë në sfond të kuptimit të zanatit të saj, një dashuri të imagjinuar, por që duket në brendi se i dedikohet secilit që e lexon atë. I dashuri i saj duket si oqean i papushtueshëm, që kërkon not të gjatë veprimi përmbi dallgë dashurie të pa ngopur për ta shuar etjen e saj, që vë shtresë të pafund të adhurimit, si dhe tretjen e ajrit nëpër rërën e ngrohtë, duke kërkuar ndezjen e ndjenjës së zhuritur deri në thellësi të shpirtit, e cila nga ekstaza e kënaqësisë trupore do ta shpie de në përlotje të thellë nga malli e afshi i thellë. Ja si shprehet poetja në poezinë: ‘’Pjalm maji’’:

       

         Edhe pse tretesh brenda meje

        Si ajër i pjalmuar maji

        Deri në flokë, deri në ind

        Jam e uritur për ty

        Je oqean që dot s’të pi

       Je kaltërsi që fundin s’ta gjej

       Jam rërë e nxehtë për pikën e shiut

       Që era e sjell nga larg.

      Jam krijesa më e uritur e kësaj bote

      Me pangopshmërinë për Ty

      Gjer në përlotje.

 

 

 

Pra, dashuria e sajë shndërrohet në smerald loti nga pangopshmëria e  uritur deri në ind dhe nga kthjelltësia e ndjenjës me përmasat e kuptimit tretur në vete, për diçka të madhe, për dashurinë e zhuritur e të pafund.

 

4. Metamorfoza e ndjenjës së vetmisë

 

 

Në poezinë  e Lida Lazajt përfshihet edhe absurditeti i individit përballë shoqërisë. Ajo shfaqet si kërkesë një metamorfozë ndjenje, për të kërkuar pavdekësinë, apo përjetësinë e jetës. Sepse dy kundërthëniet e ekzistencës së njeriut janë të lidhura ngushtë, me jetën dhe vdekjen. Këto janë procese mbi natyrore jashtë dëshirës së njeriut në kozmosin tonë të ndërtuar nga fauna dhe floura. Nata dhe dita veprojnë si busulle ndryshimesh të kohës dhe hapësirës, në të cilën vorbull vepron njeriu i gjallë, sepse dhëmbëve të acartë të kohës, bashkë me jetën dhe vdekjen nëpër brinjët e atdheut, që vijnë papandehur nëpër nëpër etapa të caktuara, nuk mund t’i shpëtoj askush, as edhe molla e bukur e ruajtur thellë në sirtarin e kujtesës, e cila me kalimin e kohës në brendinë e saj përdridhet, ndryshohet, pos tjerash, edhe nga një krimb brejtës i dyshimit, që ia gërryen bukurinë e jashtme nga brenda.

Që nga epi i parë i Gilgameshit e deri më sot në kujtesën e njeriut fluturojnë mendime për pavdekësinë, por kjo pamundësi e përjetësisë ka mbetur e fiksuar në çdo dëshirë të njerëzimit. Njeriu në vete përmbledh hapësirë të pafund dëshire për të qenë i përjetshëm, por të gjitha këto kanë edhe mure kufizimesh e iluzionesh jete e vdekjesh. Ndjenja  e lirisë nëpër këto gardhe të ndaluara jetësore ngushtojnë komunikimin midis njerëzve, ashtu edhe fëmijët kufizohen nga ato ndalesa pa dëshirën e tyre, që i bëjnë të rriturit, vëllai me vëllanë. Por, ata  fëmijë, këto kufizime, nuk i pranojnë në vete, ngase në shpirtin e tyre të çiltër nuk strehojnë shere ndarjesh për hapësira e kufij jetësorë. Andaj pas këtyre kufizimeve të vrazhdët vijnë edhe mallkimet e fëmijëve, si viktima të kohës dhe njerëzve të papërgjegjshëm. Ngritjet dhe zbritjet në fronin e mbretërive sunduese, nga njerëzit, ironizohen nga autorja, ngase ajo luginë karieriste e oreksit të pa shuar  për fron, nuk sjell kurrgjë përparimtare, por vetëm luks e kënaqësi të përkohshme, momentale, nëpër sallonet e lukseve individuale të plastifikuara me kiç, sipas formës dhe shijes personale, e cila me kalimin e kohës pëson ndryshime dhe humbje.

Vrapi i njerëzve që shtiren dhe vardisen pas formës sjell gëzimin momental, kurse ata të thjeshtët, të maturit, ‘’djersëlartët shtrëngojnë rripin’’ tej mase për bukën e përditshme, që u mungon dhe u vjen me vështirësi në tryezën e përditshmërisë. Por edhe si të tillë të varfur, ruajnë vlerën njerëzore në shoqëri.

Në poezinë e Lida Lazajt  e keqja dhe e mira vijnë e bashkëveprojnë si dy kundërthënie, madje e përndjekin njëra tjetrën, si hije të pashkëputshme për të ndërtuar piramidën e kuptimore të vargjeve poetike. Ato shfaqen si krizantemë e ngjeshur e shprehjes në  një filozofemë të formulimit e bindjes së botëkuptimit, përballë shoqërisë që ekziston. Kur individi ndeshet me këto dy kundërthënie, e mira dhe e keqja, armatos veten për beteja më të mëdha, në luftën për ekzistencë. Jeta përfshinë në sprovat e veta edhe tradhti me kuaj trojesh. Me Kabela e Habela. Kalimtarët e rastit nuk i vërejnë këto veprime që ua sjell koha dhe shoqëria. Madje as legjendat e ngritura në kujtesë të poetes bashkë me lotët e motrës të derdhura mbi plagët e Gjergjit të pamundur, që tenton ta shpor dhunën e jetës së vrazhdë që i katandiset mu në rrethin ku jeton, me plotë fjalë mund të themi se nuk mungojnë në këto vargje. Poetja kthehet me performancat e saja, në këngët legjendare, ku luftohet padrejtësia, e keqa me të mirën. Më vonë për t’u kurorëzuar si legjendë e simbol mbrojtës në kujtesën e njerëzimit, si diçka humane, legjendare. Duhet të kaloj një kohë të gjatë, që bindja të peshohet mirë në njërën anë, si të bërave e të pabërave në anën tjetër. Demagogjitë e individëve, që paraqiten në jetë si ‘’pëllumba të bardhë’’, nga  poetja ironizohen dhe thumbohen, ngase, brenda asaj forme të bardhë fshihen pabesitë e zeza të njeriut, sunduesit, pushtetarit.

Metamorfoza e ndryshimeve të ndjenjës për ndodhitë e vjetra, të reja, të qiellit pa ngjyrë dhe fytyrës së mbërthyer nga hidhërimi, e largojnë poeten nga çasti i vetmisë. Tërë kjo atmosferë shpirtërore shndërrohet në ‘’dhimbje’’, e cila dhimbje ka lindur nga çastet e muzgut gri të jetës. Për individin ikja nga kjo botë është e rastit, por për poeten është diçka e tmerrshme, që len gjurmë të përhershme, andaj në thellësinë e ndjenjës, gjithnjë, shpërthejnë lot pikëllimi, për diçka të humbur, të ikur, që nuk kthen më. Sipas saj jeta është një lojë fati që shtrydh, rrudh, apo lumturon  qenien e gjallë, madje njeriun e tret, e bën si limo, qoftë për të mirë, e qoftë për fatkeqësi. Fatalitetin e individit në kohë dhe hapësirë e sheh si rastësi që vepron pa vetëdijen e njeriut. Poetja flet për një kohë dhe hapësirë të zymtë, plot varfëri, që tërë ambientin e ka shndërruar në verdhësi të’’veremosur’’ nga etja e uria skamjes, si në kohën e Migjenit, ku lypsarët mbajnë ison e refrenit ditorë të varfërisë së skajshme. Dashuria e tyre është shtanguar në muret e mbyllura të ndjenjës. Në ankand publik, për njerëzit s’ka kurrgjë stimuluese, pos varfërisë që shëmbëllen e defilon e zymtë nëpër ’’ cepet ‘’ e vrazhdët të  shtëpisë, atdheut. Madje as tingmujt e sharkisë të Bacës Lekë, që dikur këndonte me ëndje për trimëritë e ’’ luleve të gjakut‘’,janë skaduar, tretur dhe shterur nga skamja. Nga kjo atmosferë e zymtë, vargjet e poetes na shëtisin gjurmëve të dhimbjes, si nëpër idilin e fshatit, ashtu edhe nëpër kalldrëmet urbane të qytetit, që sjellin plogështinë dhe vetminë e kohës, plot zhurmë, me bare nate, pupe, bingo, kafene e seks klube, të cilat sjellin një imazh, një jetë e veprim të ri të njeriut dhe shoqërinë e kanë kthyer në tjetër pamje, me standarde të tjera jetësore. Është një kohë që ndryshon të djeshmen e bukur, e cila në imagjinatë e poetes ka mbetur e fiksuar si natyrë e bukur, ’’ natyrë e gjelbër ‘’. Makinat zhurma tymi, llomi i kafesë nëpër borë janë imazhe që shqetësojnë gjeneratën e saj si dhe “ gjyshmirin “ i cili përballet me këto risi e standarde, që për shijen e tij janë të vrazhdët e të pakapshme dhe ia përmbytin rregullin e dikurshëm jetësor të tij. Kostantini i cili zbret nga piedestali i natyrës dhe lëndinës së bukur në “ abetaren e bronzt” që sjell koha e stërnipave.

 

5.Prania e grushtit migjenjan në brendi të tekstit

 

Si duket grushti i poetit migjenjan  në vargjet e poetes Lida Lazajt përsëritet dhe është i pamundur në forcën e veprimit edhe në këtë kohë, që ajo dorë të bëhet e shkathtë si grusht i fortë, që t’i bie kësaj bote e çasti të shëmtuar me grusht, t’i bjer atij “ malit që  z’bëzan “. Por dora e hapur, e vogël e fatit, prej të cilës poetja kërkon shtegun e rrugëdaljes, ndryshimin e jetës është e pa mundur në këtë moment vëzhgimi e përjetimi, prandaj lëndimi i saj kthehet në zhgënjim, pikëllim, në vijat e çara të shputës së fatit të burgosur, në dëshirën e pamundësisë, e cila qeli thellë defilonë në ndjenjën e stisur si “parcela e cilësisë së lartë”. Në strofën tjetër të poezisë   Ah, dorë’’, fragmenton kuptimin e pamundësisë, poetja strehohet në vargje, duke kërkuar zgjidhjen e zhgënjimit në vijat e thella të dorës që ia ka diktuar fati. Vetëflijimi nis veprimin e ndjenjës, duke shpuar thellë shputën e dorës së vet, nga pamundësia dhe zhgënjimi për të ndryshuar diçka nga jeta, nga fati. Kërkon nga gjaku i derdhur nën lëkurë zjarr që ndizet si flakë dhe guxim rinor për t’i ndryshuar gjërat për rreth, por vetëm klithja e dhimbjes është dëshmitare e duarve dhe bëhet refren, që s’kanë fuqi, përballë së keqes, së shëmtuarës, makabres e cila duket, në flakadan i “Promoteut “ të kalbur në gjumin e rebelimit të strukur në palcën e frikës dhe zhgënjimit, e cila “ zhvirgjëron “ edhe krenarinë në botën e ndryshuar “mbrapsht”, me ambalazh kulturor të gjithfarë llojesh, që sollën vitet e tranzicionit vitet e fundit në atdheun e saj të vogël, që në hartën e botës, mbulohet vetëm me një gisht të vogël.

Ky ndryshim politik e ekonomik pos të mirave solli edhe vrazhdësitë e saja të tregut të lirë, nëpër vitrinat e shitoreve defilojnë gjithfarë përzierjesh mallrash të zbehta, që sjellin verdhësi dite, nga standardi i devalvuar e i përzier me djersën e lakuriqësisë devalvuar e të veshur me gjithfarë produkcionesh nga tregjet e lira të importuara nga bota. Të futura nga gjithkah, pa një standard e kriter të kontrolluar nga vlerat e sistemit shoqërorë. Ky treg i lirë dhe zbehtë që duket nëpër vitrinat e anashkaluar të krenarisë njerëzore, e cila është e cullakuar nga jo vlera deri në skajshmëri. Krenaria e ka humbur fisnikërinë, të cilën gjë duheshe ta kishte çdo individ në vete, si kriter dhe vetëdije të lartë të ndryshimeve kohore. Kulmi i së keqes në poezinë e Lida Lazajt, shpërthen si gangrenë e shëmtuar e shekujve që kanë faje për atdheun e saj të ngushtuar, e që në vete kanë trashëguar dhunën e mirësinë. Këto antonime kanë jetuar në qenien njerëzore si dy mundësi të kundërta në një trup, që ka bërthamën e vet  trashëguar të kundërthënieve, që nga lindja e njeriut. Kaini dhe Abeli janë dy antipod të jetës që kur shfaqen për herë të parë në tokë, e që kanë gjetur vend në poezinë e Lazajt. Por nga këndi i vështrimit të poetes sikur kainët dominojnë sot midis qiellit e tokës të ngjeshur si demone në trup të njeriut. Sepse pafytyrësia shpik maska monstrumesh, për mbijetesë. Ata i kthejnë veprimet e tyre sipas klimës dhe drejtimit të erës së veprimit të interesit kohorë.

Poetja me kujdes përdor paralelizmin në poezinë e saj, të cilën në të shumtën e rasteve e kthen edhe në antitezë kundërthënëse. Sipas saj bota veprimit është e madhe dhe e vogël dhe në të mbështjellët si proces nata dhe dita, bardhësia dhe zia, madje thellësia dhe cektësia, por edhe individi, si subjekt që vepron në kozmosin që na rrethon si në “hark i shkrehur”.

Sakrifica e individit përballë rrethanave, rrufeve gurëve, thjerrave  që na ndjekin e shpojnë, si atakë të papritura në jetë është stoike. Por në “ kohën e mbërthyer” nga muret e heshtjes së poetes rruhen si amanete të paharruara kujtimet dhe thesaret e fëmijërisë së ikur. Gëzimi dhe lumturia kanë mbetur të strukturuara dhe të ngrira në kujtesë, si relikte të çmuara, si këpucë të vogla të fëmijërisë.

Imazhi i së kaluarës ka mbetur i skalitur në trupin dhe mendjen e njeriut si diçka që nuk harrohet. Si duket kjo ndjenjë përshkon edhe vargjet e poezisë Lazajt dhe ajo shpalohet, si mish, si muskuj, si gjak, si eshtra, si nervat, në tërësinë e poezisë.

Cikli i fundit i vëllimit poetik “Gishti i dheut dhembshur ” inkarnohet  si argjend hëne në vargjet e Lida Lazajt. Vargjet e këtij cikli të fundit  vijnë si kurorëzim i porosisë së fillimit të ndjenjës dhe maturisë simbolike, që portretizon individi me qëndresën e formatuar nga ndjenja dhe kujtimi në rrugën e heshtur, por të vrullshme nga thellësia e shpirtit. Edhe pse shumë poezi kanë lindur nga shëtitjet tematike e motivuese, Lida Lazaj nuk sjell thjesht impresione turistike. Vargjet e saj janë fotografi mendimesh ndërmjet hijes dhe kujtesës, që mundësojnë kapje dhe tërheqje të shpejtë të lexuesit. Me gjuhën e saj ironike të përmbledhur në kujtesë të fiksuar, së bashku me fotografitë e së kaluarës, si diçka që shpërthen, shqyhet, ose sa për një çast kur fjala bëhet e dukshme e hapur për të gjithë, sjell frymë lirike në lëndinën e poezisë Kështu ato në vete transmetojnë ndodhi dhe ngjarje të përjetuara. Për të kuptuar mirë vargjet e Lazajt na mundëson edhe nxit forma e vet shprehjes së saj. Thjeshtësi kuptimi në vargjet e saj nuk ka, çdo gjë ka dy kuptimësi, dritë dhe errësirë, drejtim dhe kundër drejtim. Pothuaj se Lida i shndërron fjalët në simbole, figura e metafora, bile është e shtrënguar, e përmbytur me vargun e kursyer të Haikut. Herë pas here fjalët janë të vrullshme, por të ngjeshura mirë me kuptim në vete. Mjerisht gjetja e disa fjalëve të disa poezive të Lazajt nuk janë edhe aq optimiste si rëndom, por ajo  mbetet besnike në zhargonin dhe patosin e evokimit të jetës, fëmijërisë, familjes, rrethit, të cilat në të vërtetë për nga kuptimi me vete bartin fuqi fërkimi poetik univerzal, që prodhojnë efekte të shumta. Më e mirë është atëherë kur vargjet e saj shëmbëllejnë fshehtësi në ndërtimin e mendimit. Andaj mbyllja dhe enigma e saj simbolike na fut në shpellën e kërkimit për t’i zbuluar fshehtësitë e kuptimit të poezisë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora