E marte, 06.05.2025, 01:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Balada e flakës shqiptare

E premte, 15.01.2010, 10:04 PM


BALADA E FLAKËS SHQIPTARE

Emigrantëve shqiptarë 
kudo që jetojnë dhe punojnë


DY PORTAT E JETËS

Pasaportë.
Portë.
Dy fjalë që rimojnë.
Dy rima të puthura.
Në xhepin tonë
Dy pasaporta të strukura.
Dy dyer që na presin e përcjellin.
Dy porta që na ndjellin.
Njëra,
M 'e kuqja në botë.
Tjetra,
Blu si qielli vetë.
E para,
Lëndina e Lotëve.
Tjetra,
Ëndrra e jetës.

Kjo qenka bota!
Ëndrra dhe lotë.
Hyjmë e dalim në dy porta
Që të rrojmë.

LUFTË DHE PAQE

Lufta,
E vjetër sa bota.
Paqja,
Foshnjë e brishtë.
Sa bën të bëjë hopa!
Ngjizja e saj prishet.

Unë nuk jam në luftë,
Ushtar në Irak apo Afganistan.
Jam emigrant i urtë
Këtu ku dimri gjashtë muaj mban.
Jam ngrohtë.
Nuk ngrij.
Veç shpirti më ka ftohtë
Dhe psenë unë e di.

Jam në luftë,
Jo në paqe.
Askujt nuk i bëj lutje,
Nuk kam nevojë për pakte.

Luftën dhe paqen time
E nënshkruan vetëm zemra,
E buta si drithërima,
Si shqetësimi e rrepta.

Paqe,
Me mallin e trishtë.
Luftë,
Me ëndrrën e brishtë.
Lufta,
E vjetër sa njerëzimi.
Paqja,
E brishtë si emigrimi.

Zemër,
Ma ço prej folezës sate
Pëllumbin e bardhë të paqes!

NËNA

Mora n' ëndërr thirrje për në gjyq.
Një me aeroplan.Tjetra e thjeshtë.
Nuk është një thirrje, janë dy,
Dy toga të zeza hijerreptë.

Solonin e thirra avokat
Nga koha e parë e lashtësisë.
Mbromë! Jam me fat edhe pa fat,
Jam me shtetësinë e dyfishtë.

Buzëqeshi Soloni nën buzë
Dhe bëri dy togat që të heshtin.
Ajdeni t' jua ndaj unë përgjysmë,
Njëra gjysmën.Tjetra poshtë mezit.

U hodh toga erdhur që nga larg,
Gjysm' e zezë,gjysma ngjyrë gjaku:
Le ta mbajë tjetra, e pastë hak,
Nënës jepini të tijin vargun.

GJUHA IME

Anteu kishte tokën djep.
Herkuli në djep mbyti gjarpërin.
Vdekja mund të vijë nga s' e pret,
Mohimi i djepit është vetëvrasje.

Unë s' jam Ante edhe Herkul.
Kam mbi kokë vdekjen kukuvajkë.
Era e mërgimit po m' i shkul
Shpërgenjtë pakëz e nga pakëz.

Kur koka më ra mua përdhe,
Botën që më priti përshëndeta,
S' njhja nën' e babë ende mbi dhe'
Shqip jetës i klitha,tungjatjeta!

Veç gjuha që gjakun merr nga zemra,
Qumështin nga gjir' i mëmëdheut,
Në ëndrra na flet edhe në zhgjëndrra
Sekretn' e Herkulit dhe Anteut.

Mërgimi ma tha këtë sekret,
Ma mësoi ai sekretn' e lashtë.
Vdekja mund të vijë nga s' e pret,
Vdekj' e gjuhës është vetëvrasje.

BALADA E FLAKËS SHQIPTARE

Me flokët e dëborës që qëmton,
Nga qielli kanadez ngjyrë argjendi,
Mbi shtizë të flamurit u ul shpendi,
Simboli yn' i lashtë dykrenor.

Acari flokëbardhë magjistar,
Që rrotull gur' e drurë i ngurosi,
Folenë ngjyrë gjaku shqiptar
Në erë dykrenares ia shpalosi.

Shqiponja hapi krahët dhe u ul
Mes flakës që në shekuj vetëtitet.
Në qiellin ngjyrargjentë një flamur
I ri, në shtizë valëvitet.

Një dorë e stërnipit t' atij Plaku,
Që herë të parë botës ia shfaqi,
Një dorë e përmalluar emigranti
Në qiellin e mërgimit e përflaku.

Toronto,28 Nëntor 2008-Dhjetor 2009

VANGJUSH ZIKO


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx