E marte, 06.05.2025, 02:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi- Basha: “Ali Hadri-Jeta dhe vepra”

E enjte, 14.01.2010, 10:32 PM


“Ali Hadri-Jeta dhe vepra”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
Sabile_basha@hotmail.com

 Në  edicionin e botimeve të Institutit të Historisë-Prishtinë, gjatë këtij viti doli nga shtypi libri “Ali Hadri-Jeta dhe vepra”. Botimi i këtij libri mund të quhet  një eveniment i rëndësishëm shkencorë, për faktin se i kushtohet   Akademikut, profesorit, dhe njeriut , i cili tërë  jetën  dha një kontribut të pa mohueshëm si në aspektin atdhetar ashtu edhe në fushën e arsimit e të shkencës. 
Botimi i kësaj vepre është një nismë e mirë e Institutit të Historisë, ku edhe një herë po dëshmohet se ky Institut me punën dhe përkushtimin e tij po mundohet që të japë një kontribut modest për ndriçimin e figurës dhe veprës së Akademik Ali Hadrit. Këtë e dëshmoi edhe më 3  mars të vitit 2008, me rastin e 80 vjetorit të  lindjes  së tij, ku në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Departamentin e Historisë së  Fakultetit Filozofikë të UP-së, organizoi Simpoziumin Shkencor “Jeta dhe vepra e Akademik Ali Hadrit”, materialet e të cilit simpozium të plotësuara e të pasuruara me aparaturë shkencore, ashtu siç i do natyra e një punimi shkencor po botohen në këtë libër.
Libri “Ali Hadri-Jeta dhe vepra”, është  i shtruar në 262 faqe, dhe i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë  përmban materialet e Akademisë përkujtimore e cila u organizua nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës Prof. dr. Fatmir Sejdiut,  të mbajtur me 3 dhjetor 2007, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së Akademik Ali Hadrit, përmban fjalët përshëndetëse të Prof. dr. Fatmir Sejdiut –Presidentit të Republikës s ë Kosovës; Prof. dr. Jusuf Bajraktarit-Drejtorit të Institutit të Historisë; Lumi Hadrit dhe Arbër Hadrit- vajzës përkatësisht djalit të Ali Hadrit. Në pjesën e dytë e cila përmban materialet e Simpoziumit Shkencor, janë përfshi 3 fjalë përshëndetëse, 19 punime shkencore, një bibliografi e punimeve të Ali Hadrit, si dhe fjala e mbylljes.
Pjesës së dytë, e cila përbën objektin e  këtij punimi i paraprinë fjala e hapjes e mbajtur nga Akademik Rexhep Ismaili, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe fjalët përshendetëse të Prof. dr. Agim Hysenit, zëvendës ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Prof. dr. Marengelen Verli, Drejtor i Institutit të Historisë –Tiranë. Pastaj vijnë punimet e 19 studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët në shkrimet e tyre   trajtojnë në mënyrë të gjithanshme  aspekte të ndryshme që lidhen me veprimtarinë patriotike e shkencore të Akademik Ali  Hadrit.
 Ali Hadri në gjithë veprimtarinë e tij u angazhua në luftën për mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të shqiptarëve të Kosovës dhe të  kombit shqiptar në tërësi. Ky vlerësim figurës së Ali Hadrit ju bë në punimin e  Prof.dr.Akademik Kristaq Priftit, kushtuar polemikës që Ali Hadri zhvilloi në vitet e 80-ta me redaksinë e Enciklopedisë së Jugosllavisë.  
Krahas mbrojtjes së vërtetës shkencore, Ali Hadri nuk qëndroi duarkryq as përballë ngjarjeve  që po zhvilloheshin në Kosovë në  kohën kur ai jetoi e veproi. Për shkak të ideve përparimtare që kishte , pushteti i atëhershëm jo vetëm që e kishte  vënë nën shënjestër, por edhe e akuzonte për shumë ngjarje që në atë kohë po zhvilloheshin në Kosovë. Kështu menjëherë pas demonstratave të vitit 1981,  Ali Hadri do të jetë  ndër të parët që u ndesh me pasojat e  diferencimit ideopolitik, duke u përjashtuar  nga LKJ, largimi nga Universiteti, redaksitë e revistave dhe të botimeve, komisionet e ndryshme, ndalimi i botimit të punimeve dhe veprave, nxjerrja nga përdorimi i teksteve të tij shkollore të historisë, moslejimi i pjesëmarrjes në tubimet shkencore. Të gjitha këto me mjaft përkushtim trajtohen në punimin: “Ali Hadri përballë diferencimit ideopolitik të Intelektualëve shqiptarë”, të studiuesit  Prof. dr. Zekeria Cana.
Akademik Ali Hadri edhe pse fushë të ngushtë të studimit nuk e kishte historinë e antikes dhe atë mesjetare, megjithatë  shkrimet e ti kushtuar problemeve të rëndësishme që i karakterizojnë  periudhat në fjalë me plot  të drejt mund të konsiderohen si punime unikate  për historinë dhe historianët.
Nga lëmi i historisë së antikës,  studiuesja Prof. dr. Edi Shukriu në punimin “Kontributi i akademik Ali Hadrit në trajtimin e historisë antike”, krahas shkrimeve të shumta nga kjo lëmi, veçon sidomos rolin që ai luajti në përfshirjen e lëndës së arkeologjisë në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës.
Kur jemi te kontribut i Prof. Ali Hadrit për historinë e antikës, padyshim se një rëndësi të jashtëzakonshme kanë edhe shkrimet e tij kushtuar ilirëve. Për rolin e tij në këtë  aspekt, Mr. Arben Arifi në punimin: ” Shkrimet e Ali Hadrit për Ilirët”, vë në dukje se shkrimet për ilirët, për autorët kosovarë ishin shumë të rralla ose nuk ekzistonin fare. Kështu  prof. Ali Hadri është njeri ndër të  parët qe hedh dritë dhe nis një punë shumë të madhe duke përcjell vazhdimësinë e pandërprerë nga ilirët deri te shqiptarët.
Krijimtarinë shkencore të Ali Hadri e pasurojnë dhe e begatojnë edhe shkrimet nga periudha mesjetare shqiptare, e në veçanti periudha e lavdishme e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Krahas shkrimeve, për ndriçimin e figurës së Skënderbeut, ai u dallua edhe në organizimin e Konferencave Shkencore, siç është rasti me Konferencës Shkencore të mbajtur në Prishtinë me 9 - 12 maj 1968,  kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Nga periudha në fjalë studiuesi Ali Hadri ka lënë një bagazh të pasur të punimeve të cilat janë të botuara si në tekstet shkollore ashtu edhe në revista të ndryshme shkencore. Ky segment mjaft i rëndësishëm i krijimtarisë së  Ali Hadrit trajtohet në punimin e Mr. Bedri Muhadrit: “Vështrim mbi studimin e Ali Hadrit për Epokën e Skënderbeut”.
Në opusin shkencor të profesor Ali Hadrit, dallohet sidomos  kontributi i tij për periudhën në mes të dy luftërave botërore në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Studiuesja Prof. dr. Emine Arifi- Bakalli, në punimin: “Kontributi i profesor Ali Hadrit për periudhën ndërmjet dy Luftërave Botërore”, duke elaboruar për këtë problem vjen në përfundim dhe është e mendimit se profesor Ali Hadri, me punimet shkencore që kanë të bëjnë me periudhën në fjalë, hapi shtigje dhe trasoi rrugë për studime të reja, dhe se  këto studime janë dëshmi se prof. Ali Hadri, që në fillimet e punës hulumtuese-shkencore ka pasur “vetëdijen e duhur shkencore për kuptimin e historisë”.
Ali Hadri,  jo vetëm që i vuri themele të forta historiografisë sonë që po lindte e sidomos historisë së Luftës së Dytë Botërore në përgjithësi por i vuri themele të forta edhe historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kritikës historiografike në veçanti. Kështu është vlerësuar kontributi i Ali Hadrit në punimin e Prof. dr. Fehmi Rexhepit: “Lufta e Dytë Botërore në opusin e Ali Hadrit”.
Në zhvillimin  e shkencës së historisë, Ali Hadri  krahas veprave  dhe shkrimeve të shumta , ndihmesë të madhe në këtë aspekt dha edhe me punën e tij si kryeredaktor dhe redaktor në revistat shkencore. Për një kohë relativisht të gjatë ai ishte kryeredaktor i tri revistave shkencore:“Përparimi”(1957),“Gjurmime Albanologjike”(1962) dhe “Kosova(1972), që filluan të botoheshin në Kosovë që nga vitet e 50 të shekullit të kaluar. Roli i Ali Hadrit në këto revista vihet në pah në punimin e studiueseve Prof. dr. Drita Gunga & Prof. dr. Sulltane Ukaj.
Në kontributin shumë dimensional të Akademik Ali Hadrit, një vend meritor zënë  edhe polemikat e tij rreth themelimit  të PKSH-së dhe rreth përhapjes së islamit më Maqedoni. Shkrimet e kësaj natyre patën një jehon të madhe, e veçanërisht në këtë aspekt spikat  polemika e zhvilluar në vitet 70’ me S. V. Tempon për çështjen e themelimit të PKSH-së e cila jehoi jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë por edhe në Jugosllavi e më gjerë. Kjo  polemik u trajtua me një kujdes e përkushtim në punimin e  studiuesi nga Tirana Prof. dr. Xhelal Gjeçovi.
 Në mesin e viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Akademik Ali Hadri me guximin prej një intelektuali të mirëfilltë, zhvilloi edhe një polemik me Njazi Limanovin rreth përhapjes se islamit në Maqedoni, duke  hedhur poshtë tezat e pa qëndrueshme të tij. Në polemikën e tij ai vuri në spikamë  pesë prej tezave të cilat ishin antishkencore dhe që e njollosnin në masë të madhe popullin shqiptar. Kjo çështje është objekt studimi në punimin e Mr. Qemajl Morinës: “Polemika e Akademik Ali Hadrit me Njazi  Limanovin rreth përhapjes së Islamit në Maqedoni”.
Me punën dhe përkushtimin e tij ndaj shkencës Ali Hadri,  la gjurmë të pashlyeshme  edhe në  fushën e arsimit duke kontribuar fillimisht si mësues pastaj si profesor  në shkollën Normale, dhe më vonë Ligjërues në Universitetin e Prishtinës. 
Nga kjo fushë e veprimtarisë së tij më rëndësi është  edhe roli që ai luajti në hartimin e teksteve dhe planprogrameve mësimore  për shkollat fillore dhe të mesme.
Kontributi i Ali Hadrit në këtë aspekt pasqyrohet në punimin e Mr. Frashër Demaj:” Kontributi i profesor Ali Hadrit në fushën e  arsimit”. Ali Hadri u shqua edhe për  politikën e tij në fushën e  arsimit e të shkencës. Punim  i Prof. dr. Fazli Sylës:”Kontributi i Ali Hadrit në politikën arsimore e shkencore të Kosovës”, ndriçon këtë segment mjaft të rëndësishëm të veprimtarisë së Ali Hadrit.
Në fushën e arsimit Ali Hadri, u angazhua edhe në   aftësimin dhe ngritjen e kuadrove  të ri shkencor. Nga punim i Prof. dr. Isa Bicaj, kushtuar rolit të Ali Hadrit në këtë aspekt, në periudhën që ai e udhëhoqi  katedrën e historisë  magjistruan  64 dhe doktoruan 11 kandidatë.
 Pavarësisht pengesave që bëri pushteti i  atëhershëm e sidomos pas vitit 1981, ai nuk preferoi që të rrinte duarkryq, veprimtaria shkencore e publicistike e  Ali Hadrit është prezentë edhe pas këtij viti.  Për trashëgimin publicistike të  Ali Hadrit pas vitit 1981, të dhëna me interes na ofron punimi i Prof. dr.Ymer Jakës.
Në veprimtarin e Akademik Ali Hadri, vend me rëndësi zëne edhe përpjekjet e tij për emancipimin dhe përparimin e femrës shqiptare. Pikërisht për ndihmë e jashtëzakonshëm që prof. Ali Hadri ka dhënë për emancipimin dhe përparimin e femrës shqiptare, Prof.dr. Fatmira Musaj në punimin e saj: “Probleme të gruas në veprat e prof. Ali Hadrit”, shprehet se duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës Akademik Ali Hadrit për këtë ndihmë, dhe në këtë eveniment përkujtimor, përulemi me respekt e nderim para figurës dhe veprës së tij. 
Veprimtaria e Ali Hadrit, ne fakt  ka qen e madhe dhe gjithnjë e fokusuar në çështjeve të rëndësishme, duke e bërë atë të dallohet jo vetëm si shkencëtar po edhe si atdhetar i devotshëm. Veprimtaria e tij atdhetare doli në pah edhe gjatë viteve të 80-ta të shekullit të kaluar kur profesor Hadri u vu në mbrojtje të simboleve kombëtare. Ky segment  i rëndësishëm i veprimtarisë së tij atdhetare gjeti një trajtim gjithëpërfshirës në punimin e Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha. 
Në librin “Ali Hadri-Jeta dhe vepra”, vend meritor  sa ju përket  studimeve  dhe publikimeve të  akademik Ali Hadrit, zë edhe kontributi i tij në ndriçimin e  reformës agrare dhe kolonizimit të Kosovës, procese këto që janë pasqyruar në studimin e Mr. Mehmet Gjoshaj.
Në veprimtarin e tij krijuese,  Ali Hadri kujdes të veçantë i kushtoi edhe   përzgjedhjes dhe mënyrës së trajtimit të çështjeve historike. Të cilit problem vëmendje e veçantë i kushtohet në punimin e Prof. dr. Izber Hotit. 
Me kontributin e tij shumë dimensional në fushën e shkencës, Ali Hadri  ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme edhe në fushën  e religjionit. Kjo ndihmesë e Ali Hadrit në këtë fushë u trajtua në punimin e Prof.dr. Haki Kasumit:” Ndihmesa e Ali Hadrit në trajtimin e fesë”.
Kontributin madhor të Akademik Ali Hadrit në fushën e shkencës më se miri e dëshmon bibliografia e botimeve të tij, e përgatitur nga Munish Hyseni. Edhe pse nuk është e plot, kjo bibliografi përmban 11 monografi, 14 tekste shkollore, 292 artikuj, fejtone dhe studime në gazeta dhe revista.
Pas  bibliografisë vjen fjala e mbylljes e mbajtur në simpozium nga drejtori i Institute të Historisë, i cili pasi bënë një rikapitulim të punimeve të simpoziumit shkencor, konkludon  “Siç u pa sot, në këtë Simpozium Shkencor, Jeta dhe vepra e Akademik Ali Hadrit është frymëzuese dhe e pranueshme edhe sot për të gjitha brezat që mësuan veprimtarinë shkencore”.
Libri është i pasuruar edhe me fotografi të  Akademik Ali Hadrit, në periudha të ndryshme kohore të jetës duke filluar nga mosha e rinisë e deri të vizita e delegacionit të Institutit të Historisë te varri i tij me rastin e 20 vjetorit të vdekjes. 
Duke iu referuar materialeve të lartpërmendura, shihet qartë se  edhe pse kanë kaluar  vetëm 20 vjet, nga vdekja e profesorit,  puna dhe vizioni i  tij, do te jetë gjithmonë aktuale ne jetën intelektuale e atdhetare të shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por mendojmë edhe më gjerë.


(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx