E marte, 06.05.2025, 03:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me poetin Ekrem Ajruli

E merkure, 13.01.2010, 10:57 PM


Intervistë Ekrem Ajrulit - Poet 

Intervistoi: Arsim Halili

Një letërnjoftim të shkurtër kush është Ekrem Ajruli

Rastësisht, u linda (pa dëshirën time) në një fshat të Fushës së Pollogut, Sëllarcë e Epërme-Tetovë, më 1 shkurt 1957 (uh sa ftohtë), ndërsa fajtorët që më sollën në këtë botë, vijnë nga fshati Rakovec- Malësia e Sharrit, ku e kam farefisin e gjerë. Pra, jam dy herë katundarë. 
Belbëzimet letrare i kam filluar që në bankat shkollore (këtë e them ngase shumica e krijuesve deklarohen kështu), ndoshta edhe më herët por nuk mbaj mend. Shkollimin e mesme kam kryer në Tetovë, ndërsa atë të lartin (Shkencat politike në Kumanovë) nuk e kam.
Siç e shihni jam poet pa diplomë.

Duket se poezinë e keni në shpirt, mund të na thoni pse ndodh kjo?

 (Jo e kam nga halli apo zori).Të gjitha gjinitë letrare i dua, por poezia është ajo që më tërheq më tepër. Shpeshherë më ndodh, për të përshkruar një dukuri nga jeta e përditshme sociale apo politike, e nisi në reshta në fund përfundoj në vargje. Kam të shkruara disa tregime të shkurtra, të botuara dhe të pabotuara nëpër revista, të cilat do të përmblidhen në një libër në të ardhmen.
Mirëpo, shumë shumë më lehtë e gjej veten në vargje, kështu që shumë pak endem nëpër gjinitë e tjera letrare. Pse ndodh kjo nuk e di, andaj nuk do të jap ndonjë definicion ngase shumë pak e njoh teorinë e letërsisë, këtë më mirë mund ta thonë teoricienët. Unë di vetëm që më vjen shumë më lehtë, atë që vlon brenda meje ta shpreh më qartë dhe më me kripë në vargje. Sa ia arrijë kësaj nuk e di, këtë më mirë e vlerësojnë lexuesit. Por, mendoj se poezia është elitare, andaj duhet rrahur mirë mendimin, para se të hidhet në letër një varg.

Sa është e organizuar plejada e krijuesve shqiptar ne Tetovë, me që vini nga ai vend?

Ka me dhjetëra, por nuk janë të organizuar, ngase secili ka botën e vet, apo tekat e veta. Bota e krijuesve ngjan me universin, ka shumë yje, disa duken më pak disa më shumë, por secili ka drejtimin dhe dritën e vet. Paramendoni të jenë të gjithë bashkë; si do të dukej qielli. 
Poeti është vullkan, po të kishte me dhjetëra vullkane në një hapësirë sa Tetova ç’do të ndodhte. Me një fjalë, krijuesit sidomos poetët nuk janë parti politike, po të tuboheshin në një organizatë nuk do t’ishin poet apo krijues.

Punonin në një kompani edhe atë në sektorin e botimeve, na thoni sa jeni i kënaqur si botues dhe si krijues me botimet e reja?

U bë gati gjysmë dekade që punoj në kompaninë “Arbëria Design”-Tetovë, e cila në gjirin e saj përfshin një sërë veprimtarish që kanë të bëjnë me shkencën dhe kulturën, kështu që, nëpër repartet e saj kalojnë libra dhe tekste të ndryshme, duke u nisur nga ata artistik, shkencorë etj. Është kompani e cila ka hedhur shtat, brenda 15 viteve dhe çdo ditë rritet me hapa të sigurt. 
Kënaqësia nuk ka kufi, çdo ditë botohen libra të rinj nga autorë tanimë të njohur, por edhe nga të rinj. Do të them se letërsia shqiptare është një kështjellë që ka nis të ndërtohet shumë herët-me shekuj para nesh dhe tani çdo libër i ri që vjen është një gur që vihet në këtë kështjellë, të gjithë gurët nuk kanë formën, madhësinë cilësinë e njëjtë, por mbi të gjitha plotësojnë një vrimë në murin e kësaj kështjelle, të cilit i japin sado pak pamje të bukur. Mendoj unë.

Tetova ka një traditë të kulturës letrare dhe artistike në përgjithësi, sa jeni ju i kyçur në këto rrjedha?

Të krijosh traditë të kulturës letrare, në një shtet i cili për një pjesë të popullsisë është nënë e për pjesën tjetër njerkë, shtet që tenton të transformohet nga e kaluara, por ka ngel në trans dhe kurrë nuk do të formohet është shumë rëndë. 
Të gjitha institucionet e shtetit janë të korruptuara nga lart poshtë pa dallim përkatësie kombëtare, andaj i duhet një dezinfektim i mirëfilltë. Ajo që na dhemb më tepër është se, përfaqësuesit tanë të ndarë në taborre janë argatë, grinden mes veti, ngase nuk kanë forcë t’i zgjidhin problemet atje për ku janë zgjedhur. Tanimë nuk kemi politikan por lypsarë, dhe lypësit i jepet lëmoshë.
Sot, jemi në periudhën e Rilindjes Kombëtare, është e njëjta rrugë vetëm kahja ndryshon: Dikur rilindësit shkrinin pasuri për të bërë Shqipëri, ndërsa sot, shkrijnë Shqipëri për të bërë pasuri.
Tetova, eh Tetova dikur vatër e kulturës dhe atdhetarisë, sot kontejner llumi dhe handraku. E vetmja shtatore që flet shqip në këtë qytet është shtatorja e Naim Frashërit e ngritur me njëmijë mundime nga bordi dhe drejtori i FNDP-së poeti Shaip Emurllahu.
I vetmi aktivitet që na bën të ndihemi shqiptarë dhe na e rrit autoritetin në botë është Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, që mbahet çdo vit në muajin tetor, me një ndihmë simbolike nga shteti dhe falë donatorëve dashamirë të fjalës së bukur. Manifestim që këtë vit mbahet për të trembëdhjetën herë me radhë, ku marrin pjesë poetë nga e mbarë bota, por përsëri me një arkë të varfër.
E gjithë kjo vjen, ngase nuk është nën tutelën e asnjë subjekti politik.

Mendoni se përcillet mesazhi i juaj poetik në shoqëri shqiptare?

 (Po të mendoja ndryshe ndoshta nuk do të shkruaja). Ky vit ka qenë i mbarë, më duket se nëpërmjet faqes “Zemrashqiptare.net” dhe Festivalit Ballkanik të Poezisë që mbahet në Lushnjë, arrita ta thyej lëvozhgën time, andaj u jam mirënjohës dhe i falënderoj për hapësirën që më dhanë.

Përveç poezisë z Ekrem, trajtoni edhe ndonjë zhanër tjetër?

Varësisht nga inspirimi, mundohem të shkruaj ndonjë prozë të shkurtër për dukuritë negative të rrethit ku jetoj, por kryesisht të natyrës së satirës.

Mendimi i juaj nga këndi i krijuesit, sa i kushtohet hapësirë librit për t’u lexuar?

Mendoj se lexuesi është si fëmija. Pranon ushqimet dhe lodrat që i pëlqejnë atij, andaj varet shumë se çdo t’i ofrojmë.

Çfarë risish mund të presim nga ju në fushën e letrave?

Jam kah përmbyllja e përmbledhjes së katër poetike “N’të 50-ta gjallëvdekur” dhe një përmbledhje tregimesh.

Porosia e juaj për lexuesit e revistës “Perspektiva”.

 Fat, cilësi dhe jetë të gjatë. Për t’i arritur këto revista “Perspektiva”, ka nevojë për përkrahjen e lexuesve nga mbarë hapësira shqiptare, veçanërisht nga rrethi ku ajo hedh shtat.


(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx