Kulturë
Kastriot Frashëri: Replikë mbi ribotimin shqip “Ismail Qemal Vlora- Kujtimet”
E hene, 11.01.2010, 10:56 PM
Replikë
Përkthimi i parë në gjuhën shqipe i “Ismail Qemal Vlora- Kujtimet” është kryer nga Reshat Agaj në vitin 1968 në Toronto, Kanada!
Nga Kastriot FRASHËRI*
Është vendi dhe koha për të falenderuar publikisht zotin Dalip Greca, autor i shkrimit me titull: “Përkthimi i parë i kujtimeve të Ismail Qemalit është kryer nga Reshat Agaj-Ju tregoj vlonjatin që solli i pari në gjuhën shqipe “Kujtimet” e Plakut të Vlorës, i cili me të drejtë reagon ndaj fabrikimeve të shtypit shqiptar, kur këto ditë Shtëpia Botuese “Toena” në Tiranë ka hedhur në qarkullim librin “Kujtimet” e Ismail Qemal Vlora të autorëve Story dhe William Morton Fullerton, të përkthyera prej origjinalit nga Abdurrahim Myftiu. Shpesh herë jemi mësuar të lexojmë apo dëgjojmë nga një pjesë e medias lloj-lloj zbulimesh në faqet apo ekranet e tyre. Çudira këto nga njerës jo profesionistë deri dhe sharlatanë, të cilët nuk ngurojnë të sheshin talentin a “shpikjet” e tyre, madje duke i vetëquajtur “Botohet për herë të parë”. Edhe në këtë rast kjo media, i mëshoi shumë faktit se ishte hera e parë që këto kujtime vinin në shqip nga origjinali. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kujtimet e Ismail Qemalit për herë të parë janë botuar në gjuhën shqipe në Kanada nga Shtëpia Botuese “Harmony Printing Limited”, Toronto, në vitin 1968. Përkthyes i këtij libri ishte Reshat Agaj nga Vlora. Unë nuk dëshiroj të zgjatem në hollësira të tjera, pasi ato i ka parshtruar shumë saktë për lexuesin e interesuar zoti Greca, por duke shfrytëzuar rastin nuk mund të mos reagoj ndaj këtij fenomeni të çuditshëm dhe periodik që ndodh në mediat tona.
T’u bësh jehonë ngjarrjeve jo reale, të mbështetësh apo sponsorizosh klane, individë apo interesa të caktuara politike, si dhe të shtrembërosh fakte apo ngjarrje historike që kanë ndodhur jo më shumë se 3-4 dekada më parë është, jo vetëm e papranueshme, por edhe e dënueshme. Gjej rastin të shpreh edhe një herë habinë time se si nuk reagojnë institucionet kompetente të shtetit shqiptar ndaj këtyre fenomeneve të përsëritura në median e Tiranës. Vetë autori këtyre rradhëve (Ndjesë për mungesën e modestisë) ka reaguar disa herë në shtyp mbi këtë problem, i cili po i shkakton një dëm të madh historiografisë shqiptare. Jemi në kohën kur çdo qelizë e jetës dhe shoqërisë shqiptare, pa përjashtuar as disiplinën e historisë është pushtuar nga një armatë e madhe grafomanësh dhe pseudostudiuesish. Ky fenomen sigurisht që reflektohet edhe në media, ku sundon me bollëk klientelizmi dhe diletantizmi i redaktorëve/gazetarëve përgjegjës të saj.
Por le të kthehemi edhe një herë te ky libër objekt debati, të cilin kam fatin ta kem në dorë prej disa vitesh, të cilin ma ka dhuruar gjatë një vizite pune në kryeqytetin kanadez Ottava, zoti Nysret Bejkosalaj, shqiptari -vlonjat që financoi komplet botimin e tij në Kanada. Një takim që për mua do të mbetet i paharuar, jo vetëm se takova një njeri me shpirt të madh, i cili ndër të tjera më befasoi, edhe duke më rrëfyer jo vetëm disa nga ngjarrjet dhe kujtimet e tija të shumta me personalitetet shqiptarë bashkëkohës në ekzil, por edhe të zhvillimeve të botës shqiptare përtej kufijve të mbyllur të Shqipërisë nga diktatura. Gjykoj se është në interes të lexuesit, tani pas këtyre debateve të “Meritës”, të njohë të vërtetën e botimit të këtyre kujtimeve dhe unë e ndjej si detyrim moral, ti ekspozoj publikut atë të vërtetë që më rrëfeu me modestinë e tij, njeriu i mirë e bujar, zoti Bejkosalaj, kur e takova në Ottawa. Ashtu siç thotë edhe në parathënien e këtij libri vetë përkthyesi Reshad Agaj, që libri pa dritën e botimit falë zemërgjerësisë së Z. Nysret Bejkosalaj, vlonjatit të djegur për Vlorën, dhe me mbështetjen modeste prej 332 USD të disa shqiptarëve të tjerë, të cilët i ka rradhitur më së miri z. Dalip Greca, autori i reagimit të shkrimit të mësipërm. Nderimi në ketë rast u takon atyre që hodhën në kohën e duhur këtë hap madhor për t’u sjellë shqiptarëve në kohë të egra dhe të rrethuar nga klonet, gjithçka nga historia dhe kujtimet e Atit të Kombit të tyre, finalizuesit të independencës së Shqipërisë, dhe jo atyre që spekullojnë për interesa dhe përfitime pa fund personale. Përfitoj nga rasti për t’u tërhequr vëmëndjen autoriteteve te shtetit, se duhet të formalizojnë menjëherë një akt mirënjohjeje e të falenderojnë zotin Nysret Bejkosalaj, jo vetëm për këtë akt të shquar ndaj memories së kombit dhe në shërbim të trashëgimisë kombëtare, por edhe si personi që pothuajse një jetë të tërë është identifikuar si “ambasadori” shqiptar në Kanada, duke qenë një urë lidhëse dhe komunikimi midis dy komuniteteve tona, ku të qenit larg dhe përvëlimi nga malli për vatanin dhe të afërmit ndihej, jo vetëm për shkak të largësisë, por edhe për shkak të telave me gjemba që ofronte ish-regjimi komunist i Tiranës.
*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare