E diele, 28.04.2024, 07:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Miserere

E diele, 10.01.2010, 10:27 PM


Suzana Kuqi

Miserere

“Miserere mei Deus

socundum magnam misericordiam tuam”

Shihja duart e tij se si preknin ikonën, dritëhija në pasqyrën e syve i bënte të dukeshin gati gati misteriozë...

“Kisha qëndruar vite më parë përpara atij kuadri, pjesa më e madhe e tij ishte e punuar në basoreliev dhe e larë në argjënd. Më kish pëlqyer, ishin të gjithë apostujt, simbolet e fesë që nga alfa... punuar me mjeshtëri në miniaturë. Po të mos ishte për atë fotografi të Shën Mërisë me Jesunë fëmi në krahë, e cila dukej sikur ishte shkëputur nga ndonjë revistë e ngjitur në gropën që krijonte relievi në mes... nuk do të kishte të paguar. Por ajo fotografi, për syrin tim që kishte parë ikona të mrekullueshme të dala nga duart e kunatit tim... ja ulte vlerën. Isha larguar prej aty duke u hallakatur nëpër dyqanin e antikuariatit se mos gjeja diçka më interesante. Asgjë tjetër nuk më hyri në sy... Veçse më forcohej ideja se ai kuadër nuk duhej lënë aty. Gjithsesi, e varur në mur do të bënte goxha figurë, pastaj ishte nga të paktat që gjeje këtu të fesë ortodokse.”

Dukej krejt njeri tjetër, në fakt ka kohë që sikur është bërë tjetër, që pas atij operacioni të frikshëm kur hoqi tumoret. Përpara ishte antipatik. Antipatik, fjalë e madhe ta thuash për një njeri. Më mirë do të ishte të thoshja që mua më dukej antipatik, edhe se tani nuk është se kam ndonjë simpati. Një koleg pune e aq, por të paktën nuk mundohem ta evitoj.

“Pas operacionit kish filluar të bënte ikona ortodokse. I punonte dhe i dhuronte ndër miq e kolegë. Në fillim kisha menduar se ishte thjesht një hobi e tij, një mënyrë për të kaluar kohën e lirë, ashtu siç kam unë të shkruarit, por pak nga pak u bë më këmbëngulës. U kërkonte vajzave nga Rumania t'i sillnin fotografi ikonash dhe video të meshave të kishës së tyre kur shkonin për vizitë në shtëpi. I studjonte e fliste i apasionuar veç për to. “Sa i bezdisshëm...”, mendoja

Historinë e tij?!... Nuk e dija historinë e tij, e dëgjova më vonë krejt rastësisht. Kisha kërkuar në fjalor fjalën “miserere”, që e kisha dëgjuar në një këngë. Kisha menduar se ishte mizerje ose varfëri. Por kjo nuk ma mbushte mendjen, Pavaroti i madh... t'i këndonte aq bukur mizerjes... Janë të pakta gjëra të tilla të parëndësishme që më fiksohen, e ky është fat i madh, sepse... nuk heq dot dorë kollaj.

- C'do të thotë miserere? - e shtriva kërkimin edhe në punë.

- Misero, i varfër, - tha njëra.

- Je e sigurtë? Përse nuk e gjej në fjalor?

Mblodhi supet. E përsërita me kërshëri pyetjen. Edhe të tjerat mblodhën supet.

- Eshtë latinisht, - ish përgjigjur ai. - Eshtë fillimi i një psalmi. Ku e ke dëgjuar?

- Një këngë, ajo e Zuccheros që këndon me Pavarotin...

- “Abbi pietà” , ki mëshirë. “Ma che mistero...la mia vita, che...- ai filloi të këndonte.

- Faleminderit, kjo është kënga.

Ishte fillimi i turnit. U shpërndamë nëpër detyrat tona. Pas pak e dëgjova nga larg t'a këndonte sërish.

- A thua të ketë atë kuptim?- pyeta kolegen me të cilën punoja.

- Nëse e thotë ai... Ka studjuar për t'u bërë prift e mesa di unë ka qenë murg një farë kohe. Pastaj u dashurua me një grua, u martua dhe u bëri naftën të gjithave...”

- Do të ma lesh ca kohë? Do të mundohem ta riprodhoj. Eshtë shumë më e bukur dhe më e plotë se...

“ E bukur dhe e plotë... Nuk më kish thënë asgjë ai kuadër në mur, veç e shihja si një gjë që nuk më përkiste mua. Mendoja se i pëlqente tim shoqi që i përket asaj feje e nuk është kryqëzim si puna ime. Ta riprodhonte... për këtë nuk kisha dyshim, prifti i barokios i kërkonte herë pas here të bënte meremetime ikonash madje edhe të qëndiste veshjet e tyre. Edhe se e kishin flakur tej dhe e kishin përbuzur, punës së tij nuk i bënin buzë, kur u nevojitej...”

- Sa kohë?

- Them për nja dy muaj, më mbetet pak kohë për vete, pasditeve ma merr kohën djali.

- Dakort!

E mbështolli me kujdes e pastaj e hapi prapë. Gishtat e tij preknin me kujdes e butë relievin e apostujve në një ledhatim. Buzëqeshja qëndisi tiparet e tij tek sytë ju përhumbën jashtë dritares dhe... buzët lëvizën në një lutje.

- E di çfarë? Mbaje për fare, - nuk mund t'u besoja veshëve që ato fjalë i kisha shqiptuar unë.

- Vërtetë? Vërtetë e ke... Përse?

Përtypa në moment një përgjigje që më erdhi po aq befasuese, ndërsa dëgjoja zërin tim të gënjente:

- Kam një tjetër të tillë në shtëpi.


Atë mbrëmje turni im mbaronte një orë më vonë. U kthye në infermieri dhe më falenderoi sërish. E ndoqa me sy tek përshkonte korridorin e gjatë me ikonën në duar, si një fëmijë me një dhuratë të çmuar. Buzët e tij formulonin lutje. Befas... ai mendim që tërë atë pasdite nuk arrinte të merrte formë sepse haste në atë se si do t'i justifikohesha tim shoqi për dhurimin e asaj ikone që me thënë të drejtën nuk më kish kushtuar pak... nisi të merrte formë. Këtu nuk hynte as dëshira e as kënaqësia për të dhuruar, as edhe se personi në fjalë e meritonte. Ai kërkonte sërish besimin, atë që përbuzja, vuajtjet e peripecitë pas “mëkatit” ja kishin larguar. Nëpërmjet një kishe tjetër më tolerante karshi priftërinjve sepse... nuk mund ta konceptonte Zotin jashtë kishës. “Nuk është në terezi nga trutë”, thashë me vehte, “e mbase nuk jam as unë, fundja kush mund të jetë... Zoti nëse është, është një për të gjithë. Herët a vonë...” Nga dritarja, ajri i freskët i natës solli tingujt e zërit të tij në një “Miserere” plot pasion.


C'mister jeta ime, ç'mister...

... jam mëkatar... gënjeshtar... engjëll tradhëtar...

... ku jam e çfarë bëj, si jetoj...

... Jetoj në shpirtin e botës...

....

i varfër... unë...

por... ngre dolli për jetën...

 


miserere, ki mëshirë...

... nëse ka një dritë, një shpresë...

... jepmë gëzimin për të jetuar...”

 

Do ta gjejë, mendova duke vënë buzën në gaz. Eshtë hapi i parë, rrezja e parë e dritës pas errësirës. Ka patur aq guxim sa t'i kundërvihet një kishe e besimit të saj, do të ketë aq sa të kapërcejë edhe tjetrën sepse Zoti është një, e shpirti jeton në shpirtin e botës... Jeta është mister, besimi gjithashtu.


- Atë ikonën e fala.

- Kujt? Atij që nuk doje ta shihje me sy?!- pyeti i habitur im shoq.- Përse?

- Kish më shumë nevojë për të se sa ne, - më në fund munda të shqiptoja atë përgjigje që e kisha përtypur orë më parë.


Imperia, me 9 dhjetor 2009



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora