Kulturë
Sabile Keçmezi- Basha: Një libër i rëndësishëm për farmakologjinë
E enjte, 07.01.2010, 10:56 PM
Një libër i rëndësishëm për farmakologjinë
Dr. Zef Mulaj “880 Bimët Mjekësore në Alpet e Shqipërisë” (Si t’i përdorim për shëndetin), Tiranë, 2008, 271
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha
sabile_basha@hotmail.com
Me vonesë më kishte rënë në dorë libri shkencor i Dr. Zef Mulaj “880 Bimët Mjekësore në Alpet e Shqipërisë”. Fillimisht hezitoja që ta lexoja ngase, mendoja se është libër shkencor dhe i një fahu krejt tjetër nga ajo që merrem unë dhe mendoja se droe do ta kem të vështirë për të kuptuar termet latine e shumë të tjera. Por, duke e lexuar librin u binda se monografia, respektivisht studimi i Dr. Zef Mulajt nuk ishte një libër vetëm shkencor dhe jo thjesht një libër që duhet ta lexojnë vetëm ekspertet e farmakologjisë, por ngela e mahnitur nga ajo që lexova se lirshëm mund të them se Zef Mulaj kishte shkrua një monografi shkencore jo vetëm për farmakologet dhe farmacistët dhe jo vetëm për mjekët e të tjerë të përafërt me ta, por Dr. Zef Mulaj kishte shkruar një monografi për një opinion më të gjerë, për të gjithë ata të cilët donë dhe duan të din diçka më tepër për bimët, për përdorimin dhe efektet e tyre shëruese e helmuese, për dobinë dhe për dëmin e tyre., për rritjen dhe kultivimin e mëtejme të tyre dhe për të gjitha ato që nuki dija gjerë më tani i gjeta në mënyrë shumë të kapshme për mua si laike e kësaj lëmie.
Zakonisht preferojë dhe kritikojë të gjithë ata të cilët shkruajnë recensione, vështrime por, edhe përkthejnë libra dhe në kopertinat apo në brendinë e tyre nuk shkruajnë për biografin e autorit të librit dhe mungesa e këtyre të dhënave ngelim pa informimin e duhur se kush është autori i akëcilit libër apo studimi të rëndësishëm . Andaj duke u nisur nga ky parim, unë do të shkruaja edhe për një biografi të shkurtër të vet autorit.
Kush është Dr. Zef Mulaj?
Në Kosovë, në komunitetin e studiuesve të farmakologjisë dhe të shkencave mjekësore, emri i Dr. Zef Mulajt, nuk është i panjohur, ngase me punën dhe angazhimin e tij në këtë fushë dhe fusha të ndryshe të krijimtarisë letrare, ka bërë që të jetë prezent edhe në këtë pjesë të Shqipërisë Etnike. Zef Mulaj u lind në fshatin Qeresh-Mulaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), më 1953. Ka kryer degën e farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Punoi disa vite në fshatrat e vendlindjes, dhe zaten nga këtu e ka zanafillën dashuria e madhe dhe pasiononte për njohjen, mbledhjen e studimin e florës mjekësore dhe mjekësisë tradicionale të zonave alpine.
Më 1994, për çështje studimi udhëton për Itali, ku atje kreu me sukses studimet e larta në fushën e farmacisë, pran Universitetit të Camerinos. Në vazhdim të kërkimeve e studimeve shkencore, paraqiti dhe mbrojti me sukses tezën e doktoratës e cila u vlerësua si njëra nga punimet më të suksesshme të universitetit. Punimi i tij u vlerësua me notë të lartë dhe ai mori gradën shkencore “Doktor i shkencave farmaceutike”. Është anëtarë i “Urdhrit të Farmacistit” dhe anëtarë i Shoqatës së Fitoterapisë, në Republikën e Italisë. Veç veprimtarisë shkencore, ai shkruan prozë e poezi të frymëzuara nga vendlindja e tij e bukur. Gjerë më tani ka botuar dy vëllime me poezi: “Emri që lindi diellin”, 2004, dhe “Mjegullvarur mbi Ballkan”, 2006. Jeton dhe vepron në Itali.
Përmbajtja e librit
Studimi “880 Bimë Mjekësore në Alpet e Shqipërisë” i Dr. Zef Mulaj, është një libër që lexohet me një frymë jo vetëm nga ekspertet e kësaj lëmie por edhe më tepër nga të tjerët. Dr. Mulaj librin e ka konceptuar dhe ndarë në katër pjesë kryesore, që secila veç e veç të ofron të dhëna të bollshme gati për të gjitha bimët që rriten dhe kultivohen në pjesën Veriore të Shqipërisë (Alpeve të Shqipërisë).
Qysh në hyrje të librit, autori të befason dhe të informon me modesti se libri është i shkruar për bimët dhe për mjeshtrin e përdorimit të tyre duke shtuar se “Të mbrohesh dhe të kurohesh nga sëmundjet, duhet ta quash veten objekt i natyrës dhe natyrën “spitali” i yt i mjekimit”. Nga autori dhe libri na del mesazhi se ti njohësh bimët, ti kultivosh ato dhe të dish ti përdorësh është vet mrekullia pa të cilën nuk mundemi të vazhdojmë më tej në jetë.
Përveç fjalës së Profesorit të nderuar dhe ekspertit të njohur Lamberto Re, i cili vlerëson dhe lavdëron punën e madhe të studiuesit shqiptar Dr. Zef Mulajt, ai thotë se “Dr. Zef Mulaj, ekspert ndërkombëtar i bimëve mjekësore e paraqet studimin e tij për 880 bimë mjekësore karakteristike të zonës alpine të Shqipërisë. Këtu trajton një përmbledhje të punës së tij tipike dhe të vetme, pothuajse të një jete, duke filluar qysh në rini dhe dalëngadalë duke e çuar atë në nivelet më të larta shkencore. Dhe, mund të them si farmakolog e si etnobotanist me një karrierë të gjatë, se nuk më ka takuar kurrë të gjej një arritje të tillë në këtë fushë...” thotë profesori i njohur italian Lamberto Re.
Me pakë fjalë na prezantohet edhe vet autori Dr. Zef Mulaj, duka na ofruar të dhëna të bollshme se çka e shtyri që të merrej me bimësinë, arsyet e shumta dhe shkaqet që e orientuan në këtë punë sa të mirë aq edhe të vështirë në të njëjtën kohë.
Pjesa e parë “Studimi (dhe eksplorimi) i bimëve mjekësore të Alpeve të Tropojës”, pjesë edhe kryesore e studimit, përfshinë: Bimësinë mjekësore të Alpeve dhe traditat e popullit në përdorimin e tyre”. Autori duke qenë njohës i mirë i mjekësisë popullore dhe duke lëvruar thellë e më thellë në hulumtimet e tija shkencore arrin rezultate marramendëse duke gërshetuar traditën mjekësore me shkencën farmaceutike. Andaj edhe është krejt e natyrshme të përfundojë i tërë hulumtimi me rezultate të larta. Më vonë, autori duke elaboruar të dhënat për bimësinë, na ofron të dhëna të bollshme për bimët mjekësore, për studimin dhe përdorimin shkencor të tyre; pjesë tjetër që i shtohet librit është edhe si duhet të grumbullohen bimët mjekësore; Principtet aktive të drogave bimore dhe efektet e tyre kurative; Substancat e hidhura në bimët mjekësore; Taninet dhe drogat përkatëse; Glikozidet dhe drogat e tyre; Grupimi i bimëve në tabela, sipas zonave të rritjes , të shprehura në tabela dhe të hedhura në grafikë përkatëse; Grupimi i bimëve mjekësore në tre blloqe të Alpeve; Fazat e studimit të bimësisë së Alpeve dhe përmbyll pjesën e parë të studimit me “Grupimi i bimëve mjekësore në hartën fito-gjeografike të Alpeve”.
“Roli i Alpeve të Shqipërisë së Veriut mbi ekologjinë fito-kimike e mjedisit”, trajtohet në pjesën e dytë të studimit. Dr. Mulaj, me të dhënat shkencore dhe duke përdorur një literaturë të pasur relevante si nga studiuesit shqiptar po ashtu edhe nga të huajt, ofron të dhëna interesante për pjesët si : Biokimia e imopolizimit në bimët mjekësore (Roli i saj në substancat aktive); Toksinat vegjetale, efekti i tyre mbi njeriun, kafshët, bimët dhe natyrën e mjedisin për rreth; Si duhet të përdoret një bimë mjekësore (droga e saj); Ndotja e mjedisit nga faktori njeri e vet natyra; Modifikimet gjenetike të bimëve; Disekuilibri biologjik i bimëve mjekësore të Alpeve; Llogaritjet e ndotjeve në Alpet e Tropojës nga faktori njeri dhe vetë natyra; Format e përdorimit të bimësisë si droga mjekësore; Çfarë është fitoterapia; Kur duhet të merren mjekimet nga bimët mjekësore dhe përmbyllë pjesën e dytë të studimit me të dhënat se si duhet trajtuar sëmundjet me droga mjekësore bimore etj.
Me moton “Pushon lëvizja, pushon jeta”, studiuesi i farmakologjisë Dr. Zef Mulaj, fillon pjesën e tretë të librit “Natyra dhe njeriu”. Autori thekson se në këtë pjesë, trajton sëmundjet më të shpeshta dhe më shqetësuese për kohën tonë dhe për të ardhmen. Ato, vazhdimisht trajtohen në korrelacion me faktorët natyrorë, faktorin njeri dhe me bimësinë, si në mjet mbrojtës e ndihmues në kurimin e tyre. Në këtë kapitull shtjellohen temat si: Dhimbjet ose oartikulare dhe natyra; Insufiçencat venoze dhe natyra; Ritensinat hidrike dhe toksinat në organizëm; Bimët mjekësore depurative , të shoqëruara me kripëra minerare; Dispepsit dhe problemet e tyre mjekuese; Natyra dhe sëmundjet depresive ; Anësia dhe ndërhyrja me strategji të reja; Si të ushqehemi për një jetë sa më të gjatë dhe përmbyllet me analizën e temës “Flasim për secilën nga shijet natyrore” etj.
Në pjesën e fundit, respektivisht në pjesën e katërt të studimit, autori vëmendje të posaçme i kushton çajërave (tisanet), verërave mjekësore dhe banjave aromatike. Duke përfshirë: Mënyrat e përgatitjes së çajrave; Kur duhet të merren çajërat, Përdorimi i çajërave sipas moshave; Matja e drogave para përgatitjes; Këshilla të përgjithshme praktike e shumë të dhëna të tjera që kanë një rëndësi të veçantë për çdo individ që i përdor dhe ka nevojë ti përdor ato. Pastaj, në pjesën e dytë të pjesës së katërt shkruan për “Verërat mjekësore dhe këshilla përdorimi”. Ndërsa në pjesën e tretë të të njëjtës pjesë, trajtohen gjerësisht “Njohuri për banjat aromatike dhe shembuj të përdorimit të tyre”, duke trajtuar veç e veç: efektet relaksuese si nën 1. Banja për të nxitur sistemet mbrojtëse te organizmit, 2. Banjë antidepresive, 3. Banjë antireumatike e kundër fyerjes së ekstremiteteve, 4. Banjë për të rritur qarkullimin e gjakut e shumë lloje të tjera.
Në fund të librit autori na ofron Listën e bimëve mjekësore ( mbi 854 sosh) si dhe zonat e rritjes së tyre duke na prezantuar me emra latin dhe emrat në gjuhën shqipe. Ndërsa lista e bimëve helmuese numëron 50 lloje dhe përfundon me mbi 904 bimë mjekësore.
Autori i studimit “880 Bimë Mjekësore në Alpet e Shqipërisë”, Dr. Zef Mulaj, duket qartë se gjatë hartimit të librit ka përdorur një literaturë relevante e të pasur shkencore, por që nuk i mungojnë as të dhënat tjera argumentuese siç janë grafikonet e shumta, tabelat si dhe fotografi të bimëve të prezantuara në libër.
Duhet shtuar se libri “880 Bimë Mjekësore në Alpet e Shqipërisë”, veç rëndësisë dhe vlerave shkencore që ka dhe që janë të pa diskutueshme, besoi se duhet të jetë me interes dhe i mirëseardhur si për ekspertet e farmakologjisë po ashtu edhe nga ata të mjekësisë në përgjithësi. Po ashtu sugjerojë se duhet të gjejë përdorim të gjerë nga ana e çdo qytetari dhe familjeje në përgjithësi, se, edhe vet autori Dr. Zef Mulaj rekomandon se bimët mjekuese “nënkuptojnë konceptin kurativ e jo negativ. Sepse aty të kuron vetë natyra- spital” andaj pa dallim ngritjeje profesionale, ne që të gjithë kemi nevojë për një jetë të shëndetshme.
Duhet përmendur me një admirim të veçantë se autori, studimin në fjalë ua kushton me nderim e mall mërgimtari, vendit e popullit të tij të dashur, Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhën ata.