E diele, 28.04.2024, 04:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Eshref Ymeri: Rikthim te një temë e kahershme

E marte, 05.01.2010, 08:57 PM


Rikthim te një temë e kahershme

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Pas shembjes së sistemit komunist dhe vendosjes së sistemit pluralist në Shqipëri, në mjetet e komunikimit masiv patën nisur ca diskutime rreth shqipes së njësuar. Objekt kritikash u bë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë në vitin 1972. Publiku i gjerë, qoftë brenda Shqipërisë Londineze, qoftë matanë kufijve të saj, u gjend para alternativës që shtrohej nga diskutues të ndryshëm, gjer edhe të niveleve akademike: toskërishtja apo gegërishtja? Disa nga këta diskutues u nxitën të shkruanin sidomos pasi përfundoi konferenca shkencore me temë “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare”, që i zhvilloi punimet  në Tiranë më 11-12 nëntor 2002, me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

       Me këtë rast, intelektuali i mirënjohur kosovar, zoti Migjen Kelmendi, dha alarmin:  “Kongresi i Gjuhës Shqipe (1972) në krizë!” dhe në mesazhin e vet me titull “Letër e hapur opinionit kulturor tiranas” (Gazeta “Java”, 12 nëntor 2002), shkruante: “Ka vite që nuk e shkruaj standardin gjuhësor të vitit '72. Praktikoj shkrimin e një gegërishteje ashtu si më kujtohet dhe si e flas me njerëzit e dashur të mi, ashtu si e flasin 2 milionë njerëz, shqiptarë të Kosovës, në familje, në rrugë, nëpër dasma e deka, nëpër kafeteri, nëpër jetë”.

Disa vjet më vonë, në kundërshtim me këtë pikëpamje të zotit Kelmendi, zoti Cenë Pushkolli, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Tema Javore”, në artikullin e vet me titull” Gjuha standarde në nivel kombëtar na afron ndërmjet veti”, botuar në gazetën “Tribuna Shqiptare”, 18 korrik 2009, dhe në revistën “Zëri i Shqiptarit”, në numrin 4 (11) (korrik-gusht 2009, f. 29), lëshon një tjetër alarm: “Gjuha shqipe po kthehet në një arenë cirku”. Kështu, kemi dy pikëpamje krejt të kundërta për shqipen e njësuar. I përmenda këta dy autorë jo për faktin se në thirrjet e tyre problemi vjen e shterohet, por për arsyen e thjeshtë se ata përfaqësojnë dy palë që i kundërvihen njëra-tjetrës në mënyrë alarmante lidhur me qëndrimin ndaj shqipes standarde. Pra, zoti Kelmendi në gazetën e vet “Java” praktikon një gegërishte që flitet “në familje, në rrugë, nëpër dasma e deka, nëpër kafeteri, nëpër jetë”. Unë mendoj se zoti Kelmendi mirë bën që shkruan kësisoj në gazetën e vet. Sepse gjithë ai leksik, gjithë ato trajta gramatikore, gjithë ato shprehje që ai përdor në gegërishten e vet, në analizë të fundit, përbëjnë një pasuri të madhe të gjuhës shqipe. Veçse gjërat duhen specifikuar një çikë më shkoqur: cilin nëndialekt të gegërishtes parapëlqen për gazetën e vet zoti Kelmendi? Se gegërishtja, si pjesë e pandarë e “oqeanit” të gjuhës shqipe, përbëhet nga disa nëndialekte, duke filluar nga Elbasani deri në Podujevë dhe nga Struga e Dibra deri në Shkodër e Ulqin, nga Gostivari e Tetova deri në Pejë. Mendoj se do të ishte mjaft interesante sikur një intelektual dibran të ndërmerrte nismën për të botuar një gazetë të vetën në nëndialektin dibran. Dhe nga ajo gazetë ne do të mësonim se dibranët në “kafeteri”, atij që sapo hyn brenda iu drejtuakan me shprehjen “mëlle derën” apo “mshile derën”. Po në këtë gazetë mund të hasnim shprehjen “shejfe, or qak, ça ka voci”.  Ose: “ - Si je tej? - Majr”. “ - Si i ke nga shpaja? - Bereqavers”. Kurse në një gazetë që mund të botohej në nëndialektin e Tiranës, me siguri që do të na binte në sy shprehja “çere thua ti, or jahu!”

       Nuk më ka qëlluar rasti të kem në dorë ndonjë kopje të gazetës “Java” të zotit Kelmendi, në mënyrë që të njihesha nga afër me gegërishten e tij. Por nga interneti mësova se gegërishtja e tij “dallon nga ajo e shkollës shkodrane, si më pak elitiste dhe më e afërt me ligjëratën bisedore” (Ardian Vehbiu. Si po e shkruajmë gegërishten. Faqja e internetit “Forumi Shqiptar”, 02. 04. 2007). Me sa duket, “gegërishtja sot shkruhet në forma të ndryshme e sipas kriteresh e kredosh të ndryshme…” (po aty)   

         Por ajo që më ka bërë më tepër përshtypje në pikëpamjet e zotit Kelmendi për shqipen e njësuar, është një tjetër deklaratë e tij, në të cilën ai shprehet: “Standardi gjuhësor nuk ka pasur kurrë sukses në Kosovë përderisa mbi 80 për qind e popullatës nuk e njeh atë”. Pikërisht këtë deklaratë të zotit Kelmendi e kam të vështirë ta vlerësoj si realiste. Kjo për faktin se gjatë vitit 1999 më qëlloi rasti ta vizitoj Kosovën katër herë: tri herë shoqërova si përthyes grupe gazetarësh, të ardhur nga Ukraina, dhe një herë tjetër një grup gazetarësh nga Federata Ruse. I patëm rënë Kosovës kryq e tërthor. Më 25 korrik, me grupin e gazetarëve ukrainas, shkuam në Pejë. Pasi vizituam trupat italiane të KFOR-it, bëmë një shëtitje nëpër qytet. Në anë të një rrugice, kur ishim duke ecur përgjatë këmbësores, më afrohet një djalosh rreth 13-14 vjeç dhe meqë i qe krijuar përshtypja se duhej të isha shqiptar,  më drejtohet me një pyetje: zotëri, kush janë këta? E sqarova se kush ishin, pasi i kishte bërë përshtypje që gazetarët flisnin në një gjuhë sllave që ai nuk po e kuptonte dot. Meqë m’u duk djalosh fort i këndshëm  dhe që sytë i kishte plot shkëlqim, u shkëputa ca çaste nga gazetarët dhe bëra me të një dorë muhabet. Ai djalosh quhej Kreshnik Hoti dhe ishte nxënës i shkollës 8-vjeçare “Azem Galica”. Nga ajo bisedë e shkurtër me të, nuk vura re absolutisht që ai të kishte ndofarë vështirësie për t’u shprehur në shqipen e njësuar. Madje goja i rridhte si bilbil. Kur u kthyem në Prishtinë, gjatë kohës që po hanim darkë në restorantin e Grand Hotel-it, u njoha me një kamerier të ri,  zotin Xhelal Shaqiri, i cili, në bisedë e sipër, kur ra fjala për çështjen kombëtare, më tha: “Trojet shqiptare gradualisht duhet të bashkohen në një shtet të vetëm, me vullnetin e lirë të vetë shqiptarëve dhe për këtë askush s’mund të na bëhet pengesë” (Gazeta “55”, 26 gusht 1999). Kurse tjetri, një punonjës i shërbimit të Grand Hotel-it, zoti Enver Zeka, po atë mbrëmje, m’u shpreh fare çiltër: “Synimi ynë është pavarësia dhe mandej bashkimi me Shqipërinë e Jugut, se Kosova Shqipëri është, por Shqipëri Verilindore, kurse Shqipëria me kufijtë e sotëm politikë është, në të vërtetë, thjesht Shqipëri e Jugut, prandaj e përshëndes përzemërsisht popullin e Shqipërisë së Jugut që na u gjend në ditë të vështira” (po aty). Pra, as te këta zotërinj, po ashtu, nuk vura re ndonjë stepje apo zor për t’u shprehur në shqipen e njësuar. Fjalët e tyre i hodha në bllokun e shënimeve pikë për pikë.

Më 21 nëntor po shoqëroja grupin e gazetarëve rusë për në Prizren.Pas takimeve që patëm në qytet me komandën e trupave gjermane të KFOR-it, shkuam për një vizitë në fshatin Grejkoc të Komunës së Prizrenit. Aty na priti zëvendëskryeplaku i fshatit, zotit Kadri Canaj. Ai u deklaroi gazetarëve rusë si më poshtë: “Paramilitarët serbë këtu armatosën me automatikë edhe nxënësit serbë të moshës 14-vjeçare për të terrorizuar popullsinë e fshatit. Këtu, në mes të fshatit, paramilitarët serbë, bashkë me oficerë mercenarë rusë të shërbimit aktiv, pushkatuan dy nxënës shqiptarë dhe mandej kufomat e tyre i dogjën me benzinë. Prandaj rusëve nuk dua t’ua shoh bojën, qoftë gazetarë apo kushdoqoftë” (Gazeta “55”, 5 dhjetor 1999) Edhe këtë deklaratë të zotit Kadri e pata hedhur në bllok fjalë për fjalë. Pasi u largua zoti Kadri, ne bëmë ca vizita nëpër fshat, ku 70% e shtëpive ishin djegur nga barbarët serbë, dhe trupat e KFOR-it gjerman po merreshin me riparimin e tyre. Shkuam për vizitë në shtëpinë e një zotërie të moshuar që quhej Azem Canaj. Meqenëse shtëpinë e kishte të djegur, na zbriti në bodrumin e saj, ku na pritën të gjithë njerëzit e familjes së tij. Mes tyre ishin edhe nuset e djemve të tij, me foshnja nëpër duar, të gjitha të bukura si hyri. U fjalosëm rreth një gjysmë ore. Të gjithë flisnin një shqipe të pastër dhe bukur të kuptueshme, ashtu siç është shqipja jonë e njësuar. Njëri nga gazetarët rus e pyeti zotin Azem se ç’mendim kishte për Rugovën. Dhe ai iu përgjigj: “Rugova e bëri të njohur Kosovën në mbarë botën”.

Gjatë atyre katër vizitave nëpër Kosovë, takova edhe shumë banorë të tjerë të saj, por e quajta të arsyeshme që këtu të mjaftohem vetëm me sa citova më lart, çka më bën të gjykoj se të deklarosh që 80% e popullatës në Kosovë nuk e njeh standardin gjuhësor, do të thotë që të mos dëshirosh ta njohësh një realitet që ia bën mu.

Por, ndër të tjera, zoti Kelmendi, me shumë të drejtë, shprehet: “… unë nuk mund ta përjetoj e konceptoj ndaras toskërishten nga gjuha dhe kultura shqipe, ashtu si ndodhi me idiomën tjetër, gegërishten, gjatë gjithë kësaj kohe. Unë nuk mund ta kuptoj kulturën shqiptare pa njërin nga këto dialekte. Pa cilindo nga to, gjuha dhe kultura shqiptare për mua është më e pakuar, më e varfër dhe më e vogël”. Jam plotësisht i një mendjeje me zotin Kelmendi. Ta mendosh gjuhën shqipe pa njërin prej këtyre dialekteve, është njëlloj sikur ta përfytyrosh organizmin e njeriut pa njërin nga dy organet jetike të tij - këmbën ose dorën. Por ama jemi të vetëdijshëm se çdo vend i zhvilluar, për normëzimin e drejtshkrimit të gjuhës së vet, normalisht, merr për bazë njërin nga variantet e saj. Se pse u mor për bazë toskërishtja - për këtë është folur e shkruar shumë. Madje njëri nga studiuesit e talentuar të gjuhës shqipe, zoti Mehmet Elezi, këtij problemi i ka kushtuar një libër të tërë me titull “Gjuha shqipe në bunker”. Unë e kam analizuar hollësisht librin e zotit Elezi në një material me titull “Në rrezen e një diskutimi”, të botuar në gazetën “Rimëkëmbja” (10 maj 2005), që gjendet edhe në faqen e internetit, dhe këtu nuk e quaj me vend t’i rikthehem kësaj çështjeje.

 

[Veçse këtu dëshiroj të përsëris kalimthi se zoti Manol Konomi (ish-drejtor i Institutit të Shkencave, të themeluar më 28 maj 1947) asokohe doli para publikut me deklaratën e mëposhtme: “Gjuhë letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë” (citohet sipas librit të lartpërmendur të zotit Elezi, f. 46). Kjo ishte një deklaratë e kulluar politike, tepër fyese dhe boll revoltuese për krejt shqiptarët e  Mbishkumbinit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të përbënte kurrfarë argumenti shkencor për përzgjedhjen e toskërishtes si bazë të gjuhës letrare shqipe. Argumentet e vërteta për vendosjen e toskërishtes në themel të shqipes së standardizuar i kanë sjellë gjuhëtarë të njohur të botës akademike, mes të cilëve dëshiroj të përmend zonjën Kristina Jorgaqi, profesore e asociuar. Këto argumente ajo i ka shpalosur fare qartë në artikullin e saj me titull “Mistifikimi i standardit dhe roli i gegërishtes” (Gazeta “Shekulli”, 17 dhjetor 2007)].

  

Por këtu nuk mund të mos ritheksoj se shqetësimi kryesor i zotit Elezi përmblidhet në faktin që gegërishtes iu mohua pasuria leksikore në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe që Akademia e Shkencave botoi në vitin 1980. Për këtë qëllim ai, me nismën e vet, mori përsipër një punë me të vërtetë kolosale për “zhvarrosjen” dhe nxjerrjen “në dritën e diellit” edhe të 41 mijë fjalëve “të burgosura” të gegërishtes, që i botoi në një fjalor fort të vëllimshëm, të cilin vështirë se mund të ishte në gjendje ta përgatiste edhe nje sektor i tërë i leksikografisë në një hark aq të ngjeshur kohor. Tani le të shpresojmë që Akademia e Shkencave do të përmendet një ditë dhe do t’i hyjë punës për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, ku, normalisht,  duhet të gjejë pasqyrimin e vetë edhe pasuria leksikore e gegërishtes. Por kam dyshim se kjo shpresë do të mbetet veç një ëndërr e bukur, sepse, me sa jam në dijeni, “krahu i punës” shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, nga viti në vit sa vjen e rrëgjohet gjithnjë e më shumë. Më e udhës do të ishte që një fjalor i tillë të hartohet në bashkëpunim të ngushtë me forcat shkencore të Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, si edhe me shkencëtarë shqiptarw të Shkupit dhe të trojeve të tjera etnike.

Pra, që t’i kthehem shqetësimit të zotit Kelmendi, dëshiroj të theksoj se, siç e përmenda më lart, gjuha e çdo vendi të zhvilluar, për t’u njësuar, domosdo që do të mbështetet mbi një variant të saj. Por kjo s’do të thotë që dialektet apo nëndialektet e saj duhet të shuhen. Pëkundrazi, këta duhet të përbëjnë ata “përrenjtë” e vegjël të saj që, ca nga ca, vijnë e bëhen më “ujëplotë” dhe në “turrin” e tyre drejt “lumenjve” të gjuhës, përfundojnë në “oqeanin” e madh të saj, ku gjuha e njësuar “qëmton” kohë pas kohe për qëllime vetëpasurimi . Pra, kuptohet vetvetiu se nuk mund të haset në botë ndonjë gjuhë e njësuar  që të mos ketë disa dialekte dhe nëndialekte. Le të marrim si shembull gjuhën angleze, e cila ka dialektet e veta në mbarë botën anglishtfolëse, duke filluar që nga Zelanda e Re dhe Australi deri në Kanada. Madje edhe brenda Britanisë së Madhe hasen dialekte me nëndialektet përkatëse. Para do kohësh ndoqa një komedi të bukur amerikane me titull “Dumb and Dumber” (budallai dhe më budallai). Në njërën nga ndodhitë e rastit të kësaj komedie, njëri nga personazhet e saj, një taksist ky (interpretuar nga aktori mjaft i talentuar Jim Carrey), nxori kokën nga xhami i makinës dhe pyeti një zonjë që po priste më këmbë aty pari nëse donte të shkonte në aerodrom. Ajo ia ktheu se për atje i duhej të nisej. Por timbri i të folurit së saj i krijoi përshtypjen se ajo duhej të qe e huaj dhe e pyeti menjëherë se nga ishte.  Nga Austria, - ia ktheu ajo. Atij iu duk sikur ajo i tha “nga Australia” dhe aty për aty ai filloi t’i fliste në dialektin australian. Pra, në këtë “perandori gjuhësore” anglishtfolëse, me disa dialekte dhe nëndialekte, domosdo që duhet të ekzistojë një “mbianglishte”, një anglishte e njësuar, siç edhe ekziston në të vërtetë, e kuptueshme në mbarë vendet e lartpërmendura. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gjuhën ruse që flitet në një supershtet, si Federata Ruse, që shtrihet që nga gadishulli i Kamçatkës deri në brigjet e Detit Balltik. Kur isha student në Shën-Peterburg (ish-Leningrad) gjatë viteve 1959-1961, në fund të vitit të parë të studimeve, me një “fletë turistike” që më dha universiteti, m’u dha rasti t’i kaloj pushimet e verës në jug, kryesisht në Gjeorgji. Bashkë me një grup turistësh rusë, arritëm në qytetin e Osetisë së Veriut, Orxhenikidze. Na shoqëronte një student i Universitetit të Tbilisit  Prej andej u ngjitëm në Qafën e Kryqit (Krestovëj Perevall), që shënonte kufirin mes Kaukazit të Veriut dhe Kaukazit të Jugut. Në program kishim edhe një marshim më këmbë. Gjatë atij marshimi, ramë në shtëpinë e një fshatari gjeorgjian që ngrihej në shpatin e një kodre. I zoti i shtëpisë u bë dhe aq kur na pa.  U fjalosëm një copë herë të mirë me të. E fliste rusishten për bukuri. Kur u ndamë me të dhe vazhduam marshimin, i thashë studentit që na shoqëronte: sa mirë që e fliste rusishten ai patrioti yt. - Po pa rusishten, - ma kthen ai, - s’do të merreshim dot vesh me njëri-tjetrin në gjithë këtë Bashkim Sovjetik, ku jetojnë 100 kombësi që flasin në 60 gjuhë.

Pajtohem plotësisht me mendimin e zonjës Kristina Jorgaqi, e cila, në artikullin e larpërmendur, jep një rekomandim fort vlefshëm: “Sot kur dialektofonia është jo pak e pranishme ndër shqiptarët, por ndërkaq pozitat e standardit janë forcuar mjaft, ndaj dialekteve mund të ndiqej një politikë më e hapur, më liberale. Mund të jepeshin kështu më shumë njohuri mbi dialektet, nisur nga trajtimi i autorëve të traditës në shkollë. Mund të botoheshin fjalorë të të folmeve të ndryshme dialektore të shqipes. E, nëse do të kishte një publik që do ta ndiente si nevojë shpirtërore e do ta kërkonte si "produkt" për ta konsumuar, pse jo, të krijohej e të publikohej gjerësisht edhe në dialekt. Kanale televizive apo radiofonike në dialekt, po ashtu, - veç atyre në gjuhë standarde, - do t'ishin, si në shumë vende të tjera, një mundësi alternative shprehjeje” (po aty).

Me këtë rast, dëshiroj të përmend kanalin televiziv privat “Tirana” të zotit Haxhi Isufi, në emisionet kulturore të të cilit ka një hapësirë të kënaqshme e folmja tiranase. Aty mund të ndjekësh me endje humorin e Skënder Sallakut dhe të aktorëve të tjerë të talentuar në këtë të folme. Mirë do të ishte  që të botoheshin edhe gazeta në të folme apo nëndialekte të shqipes, sepse në këtë mënyrë do të bëhej edhe më i kuptueshëm leksiku i tyre edhe prej të tjerëve që flasin në dialekte apo nendialekte të ndryshme. Një gjë e tillë do të bënte të mundur që një e folme e trevave të Kosovës të kuptohej lehtë nga banorët e një treve të Toskërisë. Kështu, shprehje apo fjalë të tilla të gegërishtes së zotit Kelmendi, si, fjala vjen, “qysh e kije plakin?”, “a jini tanë shnosh?”, “ia hipme kualve”, “m’u dha rasa”, “un vesht’i bajshëm pipëza” etj., do të kuptoheshin lehtë në mbarë trevat shqiptare. Kështu do të kuptohej prej të gjithëve fjala “qak” (plak)  apo “voc” (djalë) e një nëndialekti dibran. Kjo do të krijonte lehtësi që edhe në trevat e Mbishkumbinit të kuptoheshin pa vështirësi fjalët e një nëndialekti të Labërisë, si “dardallac” (më griu dardallaci) që do të thotë “erë shumë e ftohtë”, apo “qepenare” (mbylle qepenaren!) që ka kuptimin “gojë”, por me ngjyrim negativ.

       Unë mendoj se Zoti Kelmendi pikërisht këtë qëllim ndjek me botimin e gazetës së vet “Java” në njërin nga nëndialektet e gegërishtes: ta bëjë të kuptueshëm leksikun e tij edhe për ata që, jashtë gjuhës standarde, në rrethet e tyre të ngushta, flasin në të tjera nëndialekte. Nuk jam i prirur të mendoj se ai kërkon përmbysjen e standardit gjuhësor  ekzistues dhe krijimin e një tjetër standardi. Me këtë rast dëshiroj t’i kujtoj zotit Kelmendi fjalët e specialistit të mirënjohur të shqipes, prof. dr. Xhevat Lloshit që thotë: “Nuk ka gjuhë gegërishte dhe gjuhë toskërishte. Të dyja këto janë ndarje të trashëguara, por jo gjuhë të ndryshme” (Gazeta “Telegraf”, 24 nëntor 2009). Por, për fat të keq, përmes internetit, jam njohur me ca akuza në adresë të zotit Kelmendi, sikur ai, me gazetën e vet, synon të krijojë një gjuhë “kosovarishte”, me pikësynimin për krijimin e një “kombi kosovar”. Nëse është me të vërtetë kështu, atëherë kam të drejtë të dyshoj se zoti Kelmendi notuaka në të tjera ujëra. Këtë dyshim ma përforcon edhe një tjetër deklaratë e dikurshme e zotit Kelmendi. Në emisionin “Shqip”, të transmetuar më 25 mars 2006 nga studioja e TV “Koha Vizion” dhe e TV “Top Channel”, ku ishin të ftuar zonja Edita Tahiri dhe zotërinjtë Albin Kurti e Migjen Kelmendi, gazetarja, zonja Rudina Xhunga, u drejtoi atyre pyetjen se ç’mendonin për “Shqipërinë Etnike”. Në përgjigjen që dha, zoti Kelmendi guxoi të bënte përafrime të termit “Shqipëri Etnike” me termin “Serbi e Madhe”, të cilën Millosheviçi s’arriti ta realizonte dot kurrë se kërkonte të pushtonte territore të huaja, kurse me termin “Shqipëri Etnike” nënkuptohet bashkimi i trojeve etnike shqiptare në një shtet të unifikuar kombëtar. Por edhe një tjetër deklaratë e kohëve të fundit e zotit Kelmendi hedh një tjetër hije dyshime mbi synimet që ai ndjek, siç flitet në Kosovë, për krijimin e “kosovarishtes” së vet.

Në emisionin e paradokohshëm televiziv "Zonë e ndaluar", zoti Kelmendi “tregoi nervozizëm kundër të ashtuquajturit "presion kulturor të Tiranës", sepse, sipas tij, me Beogradin na lidh nje traditë e gjatë bashkëjetese kulturore” (Gazeta “Koha Jonë”, 19 dhjetor 2009). Se cilat na paskan qenë ato “të mirat e bashkëjetesës kulturore” të Beogradit me Prishtinën, këtë, më mirë se zoti Kelmendi, e di mbarë populli shqiptar i Kosovës.

       Sa për alarmin që ngre zoti Cenë Pushkolli, mund të them se ai ka shumë të drejtë kur thotë se gjuha e njësuar në nivel kombëtar na mban të bashkuar. Të gjithë ata që janë kundër shqipes së njësuar, i ftoj të mos habiten nëse festimi i njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë mund t’i gjejë në një shtet të bashkuar. Në ato kushte, shqipja standarde do të marrë një rëndësi edhe shumë më të madhe dhe kujdesi për përsosjen e rregullave të saj (se në të ka mjaft gjëra që duhen rregulluar) do të bëhet edhe më i domosdoshëm, duke mos lejuar që ajo të “pëlyret” në një mënyrë aq të papërgjegjshme nga leksiku i politikanëve apo i përfaqësuesve të mjeteve të informimit masiv, siç ngre zërin me plot të drejtë zoti Pushkolli.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora