| E marte, 05.01.2010, 08:57 PM |
Rikthim te një temë e kahershme
Nga Prof. dr. Eshref Ymeri
Pas shembjes së sistemit komunist dhe vendosjes së sistemit pluralist në Shqipëri, në mjetet e komunikimit masiv patën nisur ca diskutime rreth shqipes së njësuar. Objekt kritikash u bë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që u mbajt në Tiranë në vitin 1972. Publiku i gjerë, qoftë brenda Shqipërisë Londineze, qoftë matanë kufijve të saj, u gjend para alternativës që shtrohej nga diskutues të ndryshëm, gjer edhe të niveleve akademike: toskërishtja apo gegërishtja? Disa nga këta diskutues u nxitën të shkruanin sidomos pasi përfundoi konferenca shkencore me temë “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare”, që i zhvilloi punimet në Tiranë më 11-12 nëntor 2002, me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.
Me këtë rast, intelektuali i mirënjohur kosovar, zoti Migjen Kelmendi, dha alarmin: “Kongresi i Gjuhës Shqipe (1972) në krizë!” dhe në mesazhin e vet me titull “Letër e hapur opinionit kulturor tiranas” (Gazeta “Java”, 12 nëntor 2002), shkruante: “Ka vite që nuk e shkruaj standardin gjuhësor të vitit '72. Praktikoj shkrimin e një gegërishteje ashtu si më kujtohet dhe si e flas me njerëzit e dashur të mi, ashtu si e flasin 2 milionë njerëz, shqiptarë të Kosovës, në familje, në rrugë, nëpër dasma e deka, nëpër kafeteri, nëpër jetë”.
Disa vjet më vonë, në kundërshtim me këtë pikëpamje të zotit Kelmendi, zoti Cenë Pushkolli, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Tema Javore”, në artikullin e vet me titull” Gjuha standarde në nivel kombëtar na afron ndërmjet veti”, botuar në gazetën “Tribuna Shqiptare”, 18 korrik 2009, dhe në revistën “Zëri i Shqiptarit”, në numrin 4 (11) (korrik-gusht
Nuk më ka qëlluar rasti të kem në dorë ndonjë kopje të gazetës “Java” të zotit Kelmendi, në mënyrë që të njihesha nga afër me gegërishten e tij. Por nga interneti mësova se gegërishtja e tij “dallon nga ajo e shkollës shkodrane, si më pak elitiste dhe më e afërt me ligjëratën bisedore” (Ardian Vehbiu. Si po e shkruajmë gegërishten. Faqja e internetit “Forumi Shqiptar”, 02. 04. 2007). Me sa duket, “gegërishtja sot shkruhet në forma të ndryshme e sipas kriteresh e kredosh të ndryshme…” (po aty)
Por ajo që më ka bërë më tepër përshtypje në pikëpamjet e zotit Kelmendi për shqipen e njësuar, është një tjetër deklaratë e tij, në të cilën ai shprehet: “Standardi gjuhësor nuk ka pasur kurrë sukses në Kosovë përderisa mbi 80 për qind e popullatës nuk e njeh atë”. Pikërisht këtë deklaratë të zotit Kelmendi e kam të vështirë ta vlerësoj si realiste. Kjo për faktin se gjatë vitit 1999 më qëlloi rasti ta vizitoj Kosovën katër herë: tri herë shoqërova si përthyes grupe gazetarësh, të ardhur nga Ukraina, dhe një herë tjetër një grup gazetarësh nga Federata Ruse. I patëm rënë Kosovës kryq e tërthor. Më 25 korrik, me grupin e gazetarëve ukrainas, shkuam në Pejë. Pasi vizituam trupat italiane të KFOR-it, bëmë një shëtitje nëpër qytet. Në anë të një rrugice, kur ishim duke ecur përgjatë këmbësores, më afrohet një djalosh rreth 13-14 vjeç dhe meqë i qe krijuar përshtypja se duhej të isha shqiptar, më drejtohet me një pyetje: zotëri, kush janë këta? E sqarova se kush ishin, pasi i kishte bërë përshtypje që gazetarët flisnin në një gjuhë sllave që ai nuk po e kuptonte dot. Meqë m’u duk djalosh fort i këndshëm dhe që sytë i kishte plot shkëlqim, u shkëputa ca çaste nga gazetarët dhe bëra me të një dorë muhabet. Ai djalosh quhej Kreshnik Hoti dhe ishte nxënës i shkollës 8-vjeçare “Azem Galica”. Nga ajo bisedë e shkurtër me të, nuk vura re absolutisht që ai të kishte ndofarë vështirësie për t’u shprehur në shqipen e njësuar. Madje goja i rridhte si bilbil. Kur u kthyem në Prishtinë, gjatë kohës që po hanim darkë në restorantin e Grand Hotel-it, u njoha me një kamerier të ri, zotin Xhelal Shaqiri, i cili, në bisedë e sipër, kur ra fjala për çështjen kombëtare, më tha: “Trojet shqiptare gradualisht duhet të bashkohen në një shtet të vetëm, me vullnetin e lirë të vetë shqiptarëve dhe për këtë askush s’mund të na bëhet pengesë” (Gazeta “
Më 21 nëntor po shoqëroja grupin e gazetarëve rusë për në Prizren.Pas takimeve që patëm në qytet me komandën e trupave gjermane të KFOR-it, shkuam për një vizitë në fshatin Grejkoc të Komunës së Prizrenit. Aty na priti zëvendëskryeplaku i fshatit, zotit Kadri Canaj. Ai u deklaroi gazetarëve rusë si më poshtë: “Paramilitarët serbë këtu armatosën me automatikë edhe nxënësit serbë të moshës 14-vjeçare për të terrorizuar popullsinë e fshatit. Këtu, në mes të fshatit, paramilitarët serbë, bashkë me oficerë mercenarë rusë të shërbimit aktiv, pushkatuan dy nxënës shqiptarë dhe mandej kufomat e tyre i dogjën me benzinë. Prandaj rusëve nuk dua t’ua shoh bojën, qoftë gazetarë apo kushdoqoftë” (Gazeta “
Gjatë atyre katër vizitave nëpër Kosovë, takova edhe shumë banorë të tjerë të saj, por e quajta të arsyeshme që këtu të mjaftohem vetëm me sa citova më lart, çka më bën të gjykoj se të deklarosh që 80% e popullatës në Kosovë nuk e njeh standardin gjuhësor, do të thotë që të mos dëshirosh ta njohësh një realitet që ia bën mu.
Por, ndër të tjera, zoti Kelmendi, me shumë të drejtë, shprehet: “… unë nuk mund ta përjetoj e konceptoj ndaras toskërishten nga gjuha dhe kultura shqipe, ashtu si ndodhi me idiomën tjetër, gegërishten, gjatë gjithë kësaj kohe. Unë nuk mund ta kuptoj kulturën shqiptare pa njërin nga këto dialekte. Pa cilindo nga to, gjuha dhe kultura shqiptare për mua është më e pakuar, më e varfër dhe më e vogël”. Jam plotësisht i një mendjeje me zotin Kelmendi. Ta mendosh gjuhën shqipe pa njërin prej këtyre dialekteve, është njëlloj sikur ta përfytyrosh organizmin e njeriut pa njërin nga dy organet jetike të tij - këmbën ose dorën. Por ama jemi të vetëdijshëm se çdo vend i zhvilluar, për normëzimin e drejtshkrimit të gjuhës së vet, normalisht, merr për bazë njërin nga variantet e saj. Se pse u mor për bazë toskërishtja - për këtë është folur e shkruar shumë. Madje njëri nga studiuesit e talentuar të gjuhës shqipe, zoti Mehmet Elezi, këtij problemi i ka kushtuar një libër të tërë me titull “Gjuha shqipe në bunker”. Unë e kam analizuar hollësisht librin e zotit Elezi në një material me titull “Në rrezen e një diskutimi”, të botuar në gazetën “Rimëkëmbja” (10 maj 2005), që gjendet edhe në faqen e internetit, dhe këtu nuk e quaj me vend t’i rikthehem kësaj çështjeje.
[Veçse këtu dëshiroj të përsëris kalimthi se zoti Manol Konomi (ish-drejtor i Institutit të Shkencave, të themeluar më 28 maj 1947) asokohe doli para publikut me deklaratën e mëposhtme: “Gjuhë letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë” (citohet sipas librit të lartpërmendur të zotit Elezi, f. 46). Kjo ishte një deklaratë e kulluar politike, tepër fyese dhe boll revoltuese për krejt shqiptarët e Mbishkumbinit dhe, rrjedhimisht, nuk mund të përbënte kurrfarë argumenti shkencor për përzgjedhjen e toskërishtes si bazë të gjuhës letrare shqipe. Argumentet e vërteta për vendosjen e toskërishtes në themel të shqipes së standardizuar i kanë sjellë gjuhëtarë të njohur të botës akademike, mes të cilëve dëshiroj të përmend zonjën Kristina Jorgaqi, profesore e asociuar. Këto argumente ajo i ka shpalosur fare qartë në artikullin e saj me titull “Mistifikimi i standardit dhe roli i gegërishtes” (Gazeta “Shekulli”, 17 dhjetor 2007)].
Por këtu nuk mund të mos ritheksoj se shqetësimi kryesor i zotit Elezi përmblidhet në faktin që gegërishtes iu mohua pasuria leksikore në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe që Akademia e Shkencave botoi në vitin 1980. Për këtë qëllim ai, me nismën e vet, mori përsipër një punë me të vërtetë kolosale për “zhvarrosjen” dhe nxjerrjen “në dritën e diellit” edhe të 41 mijë fjalëve “të burgosura” të gegërishtes, që i botoi në një fjalor fort të vëllimshëm, të cilin vështirë se mund të ishte në gjendje ta përgatiste edhe nje sektor i tërë i leksikografisë në një hark aq të ngjeshur kohor. Tani le të shpresojmë që Akademia e Shkencave do të përmendet një ditë dhe do t’i hyjë punës për hartimin e një fjalori të madh të gjuhës shqipe, ku, normalisht, duhet të gjejë pasqyrimin e vetë edhe pasuria leksikore e gegërishtes. Por kam dyshim se kjo shpresë do të mbetet veç një ëndërr e bukur, sepse, me sa jam në dijeni, “krahu i punës” shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, nga viti në vit sa vjen e rrëgjohet gjithnjë e më shumë. Më e udhës do të ishte që një fjalor i tillë të hartohet në bashkëpunim të ngushtë me forcat shkencore të Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, si edhe me shkencëtarë shqiptarw të Shkupit dhe të trojeve të tjera etnike.
Pra, që t’i kthehem shqetësimit të zotit Kelmendi, dëshiroj të theksoj se, siç e përmenda më lart, gjuha e çdo vendi të zhvilluar, për t’u njësuar, domosdo që do të mbështetet mbi një variant të saj. Por kjo s’do të thotë që dialektet apo nëndialektet e saj duhet të shuhen. Pëkundrazi, këta duhet të përbëjnë ata “përrenjtë” e vegjël të saj që, ca nga ca, vijnë e bëhen më “ujëplotë” dhe në “turrin” e tyre drejt “lumenjve” të gjuhës, përfundojnë në “oqeanin” e madh të saj, ku gjuha e njësuar “qëmton” kohë pas kohe për qëllime vetëpasurimi . Pra, kuptohet vetvetiu se nuk mund të haset në botë ndonjë gjuhë e njësuar që të mos ketë disa dialekte dhe nëndialekte. Le të marrim si shembull gjuhën angleze, e cila ka dialektet e veta në mbarë botën anglishtfolëse, duke filluar që nga Zelanda e Re dhe Australi deri në Kanada. Madje edhe brenda Britanisë së Madhe hasen dialekte me nëndialektet përkatëse.
Pajtohem plotësisht me mendimin e zonjës Kristina Jorgaqi, e cila, në artikullin e larpërmendur, jep një rekomandim
Me këtë rast, dëshiroj të përmend kanalin televiziv privat “Tirana” të zotit Haxhi Isufi, në emisionet kulturore të të cilit ka një hapësirë të kënaqshme e folmja tiranase. Aty mund të ndjekësh me endje humorin e Skënder Sallakut dhe të aktorëve të tjerë të talentuar në këtë të folme. Mirë do të ishte që të botoheshin edhe gazeta në të folme apo nëndialekte të shqipes, sepse në këtë mënyrë do të bëhej edhe më i kuptueshëm leksiku i tyre edhe prej të tjerëve që flasin në dialekte apo nendialekte të ndryshme. Një gjë e tillë do të bënte të mundur që një e folme e trevave të Kosovës të kuptohej lehtë nga banorët e një treve të Toskërisë. Kështu, shprehje apo fjalë të tilla të gegërishtes së zotit Kelmendi, si, fjala vjen, “qysh e kije plakin?”, “a jini tanë shnosh?”, “ia hipme kualve”, “m’u dha rasa”, “un vesht’i bajshëm pipëza” etj., do të kuptoheshin lehtë në mbarë trevat shqiptare. Kështu do të kuptohej prej të gjithëve fjala “qak” (plak) apo “voc” (djalë) e një nëndialekti dibran. Kjo do të krijonte lehtësi që edhe në trevat e Mbishkumbinit të kuptoheshin pa vështirësi fjalët e një nëndialekti të Labërisë, si “dardallac” (më griu dardallaci) që do të thotë “erë shumë e ftohtë”, apo “qepenare” (mbylle qepenaren!) që ka kuptimin “gojë”, por me ngjyrim negativ.
Unë mendoj se Zoti Kelmendi pikërisht këtë qëllim ndjek me botimin e gazetës së vet “Java” në njërin nga nëndialektet e gegërishtes: ta bëjë të kuptueshëm leksikun e tij edhe për ata që, jashtë gjuhës standarde, në rrethet e tyre të ngushta, flasin në të tjera nëndialekte. Nuk jam i prirur të mendoj se ai kërkon përmbysjen e standardit gjuhësor ekzistues dhe krijimin e një tjetër standardi. Me këtë rast dëshiroj t’i kujtoj zotit Kelmendi fjalët e specialistit të mirënjohur të shqipes, prof. dr. Xhevat Lloshit që thotë: “Nuk ka gjuhë gegërishte dhe gjuhë toskërishte. Të dyja këto janë ndarje të trashëguara, por jo gjuhë të ndryshme” (Gazeta “Telegraf”, 24 nëntor 2009). Por, për fat të keq, përmes internetit, jam njohur me ca akuza në adresë të zotit Kelmendi, sikur ai, me gazetën e vet, synon të krijojë një gjuhë “kosovarishte”, me pikësynimin për krijimin e një “kombi kosovar”. Nëse është me të vërtetë kështu, atëherë kam të drejtë të dyshoj se zoti Kelmendi notuaka në të tjera ujëra. Këtë dyshim ma përforcon edhe një tjetër deklaratë e dikurshme e zotit Kelmendi. Në emisionin “Shqip”, të transmetuar më 25 mars 2006 nga studioja e TV “Koha Vizion” dhe e TV “Top Channel”, ku ishin të ftuar zonja Edita Tahiri dhe zotërinjtë Albin Kurti e Migjen Kelmendi, gazetarja, zonja Rudina Xhunga, u drejtoi atyre pyetjen se ç’mendonin për “Shqipërinë Etnike”. Në përgjigjen që dha, zoti Kelmendi guxoi të bënte përafrime të termit “Shqipëri Etnike” me termin “Serbi e Madhe”, të cilën Millosheviçi s’arriti ta realizonte dot kurrë se kërkonte të pushtonte territore të huaja, kurse me termin “Shqipëri Etnike” nënkuptohet bashkimi i trojeve etnike shqiptare në një shtet të unifikuar kombëtar. Por edhe një tjetër deklaratë e kohëve të fundit e zotit Kelmendi hedh një tjetër hije dyshime mbi synimet që ai ndjek, siç flitet në Kosovë, për krijimin e “kosovarishtes” së vet.
Në emisionin e paradokohshëm televiziv "Zonë e ndaluar", zoti Kelmendi “tregoi nervozizëm kundër të ashtuquajturit "presion kulturor të Tiranës", sepse, sipas tij, me Beogradin na lidh nje traditë e gjatë bashkëjetese kulturore” (Gazeta “Koha Jonë”, 19 dhjetor 2009). Se cilat na paskan qenë ato “të mirat e bashkëjetesës kulturore” të Beogradit me Prishtinën, këtë, më mirë se zoti Kelmendi, e di mbarë populli shqiptar i Kosovës.
Sa për alarmin që ngre zoti Cenë Pushkolli, mund të them se ai ka shumë të drejtë kur thotë se gjuha e njësuar në nivel kombëtar na mban të bashkuar. Të gjithë ata që janë kundër shqipes së njësuar, i ftoj të mos habiten nëse festimi i njëqindvjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë mund t’i gjejë në një shtet të bashkuar. Në ato kushte, shqipja standarde do të marrë një rëndësi edhe shumë më të madhe dhe kujdesi për përsosjen e rregullave të saj (se në të ka mjaft gjëra që duhen rregulluar) do të bëhet edhe më i domosdoshëm, duke mos lejuar që ajo të “pëlyret” në një mënyrë aq të papërgjegjshme nga leksiku i politikanëve apo i përfaqësuesve të mjeteve të informimit masiv, siç ngre zërin me plot të drejtë zoti Pushkolli.