E shtune, 27.04.2024, 02:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Salihu: Një dramë reale e kthyer në vokacion narativ

E marte, 05.01.2010, 07:46 PM


NJË DRAMË REALE E KTHYER NË VOKACION NARATIV

Nga Remzi Salihu

Romani debutues “I kujt ishte Joni” që botoi ’’ Brezi 9 ‘’, 2006, është një guxim i madh, bindshëm i autorit, për t’i hyrë këtij zhanri të krijimtarisë letrare. Nëse te shumë shkrimtarë tjerë sprovat e para të krijimtarisë i gjejmë, si fillim i të shkruarit, në poezi, te ky autor shihet qartë mospërfillja e këtij zhanri, që është bërë i zakontë te shumë krijues tjerë fillestar, të cilët merren me krijimtari letrare. Romani ka dal në dritë tani, por nga ngjarja dhe syzheu që ngërthen rrëfimi janë të bluara një kohë të gjatë në laboratorin krijues të këtij shkrimtari. Të duket se temat dhe motivet që janë ngjeshur në këtë roman tregojnë për një pjekuri të autorit për ta bërë këtë roman mjaft tërheqës dhe të kapshëm për lexuesin. Pas një përvoje e kulture të gjatë leximi dhe furnizimit me teknikën e gjuhës prozaike, autori merr guximin ta shkruaj këtë roman që lexohet me një frymë.

 Romani “ I kujt ishte Joni”, është një ngjarje  reale e dinastisë së familjes së Ahmet Brodecit. Në këtë roman që është ndarë në pesë kaptina, unë do t’i quaja tregime, të cilat ndoshta do të ishin edhe romane në vete. Rrëfimi në fillim ngërthen narracionin tradicional dhe pastaj gradualisht kalon në psikologjinë e individit kundrejt rrethit, ai madje kalon në botën e brendshme shpirtërore të njeriut. Autori me një arsyetim logjik shpalon fatin e njerëzve, jetën e tyre, për peripecitë dhe sakrificat jetësore, që gulçojnë gjatë tërë kohës në shpirtin e tyre. Në strukturën e këtij romani pasqyrohen ngjarje reale të ndodhura v]ërtet në kohë dhe hapësirë. Në të ka detaje dhe etapa të caktuara të jetës së kësaj familje, e që në esencë ngërthen jetën e saj, gëzimin dhe hidhërimin, martesave, ndarjeve, lindjeve dhe vdekjeve. Autori sjell një shtjellim biografik dhe ngjarjen e vë në skenë nga perspektiva e rrëfimit dhe atë e bën gjithsesi me shumë ngjyra të gjalla dhe të detajuara. Në mënyrë subtile, gjatë leximit të këtij romani veprojnë shumë fotografi dhe motive që masovikisht janë të lidhura me jetën e njeriut të kësaj ane. Krenaria familjare është tipike shqiptare me të gjitha traditat, doket dhe zakonet e saj. Autori përmes Jonit ndriçon pastërtinë e kësaj familje tipike shqiptare. Toleranca dhe mos toleranca shihet te vitaliteti i personazhit kryesorë, Jonit, i cili e përcjell ngjarjen familjare nga distanca. Shkak kryesor është rrëfimi edhe pse rrëfyesi ngjarjen e trajton nga jashtë, por në tërësi është brenda në të me të gjitha karakteristikat e tij. Në mënyrë tipike shpalohet thellësia e karakterit burrëror të kësaj familje. Por në këtë roman nuk mbeten pa u tipizuar edhe gruaja ( nëna shqiptare ), durimi dhe sakrifica e saj nga peripecitë që  ndodhin gjatë rrugëtimit të lumit të quajtur jetë. Gruaja luan rolin kryesorë për të mbetur gjallë rrëfimi i kësaj ngjarje. Nëna në familjet shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm. Si te shumë autorë tjerë edhe te Refet Abazi kjo figurë është boshti kryesor për zhvillimin e një familje. Andaj edhe nëna e Jonit me guximin dhe naivitetin e saj sakrifikon jetën personale për mirëqenien, vazhdimësinë e familjes. Gjithë kohën Joni flet për të tjerët herë në vetën e parë, e herë më shumë, në vetën e tretë. Ai nuk urdhëron çka ndodh rreth tij, por ndjen dhe këtë ndjenjë e bën sikur në skenën e ndonjë teatri, ai bëhet personazh i dhimbjes dhe gëzimit. Emblema e tij është energjia që thith brenda vetes, energji që do ta dalloj nga personazhet tjera. Energjia e Jonit vishet me të mirën dhe të keqen që ka jeta. Kundrejt të tjerëve Joni jep përshtypje si i huaj, por në realitet ai është i afërt, madje ai   kërkon një liri absolute, nuk donë që liria e tij të jetë e kufizuar për një rreth dhe tokë të caktuar. As fjalët e nënës nuk do ta kufizojnë imagjinatën e tij për të dalë nga trungu i vet. Joni këtë e sheh si kufizim të tmerrshëm, sepse individin e donë të lirë, si hapësirën qiellore. Vetëm në raport me qiellin e ndiente veten të lirë. Si duket autori me anë të shpirtit të Jonit do të bëj ndryshim në tokën dhe rrethin ku jeton e shëmbëllen. Personazhi i Abazit është kozmopolit dhe tolerant, ai nuk vuan kush dhe për çka beson. Për të besimi është diçka tjetër, e ajo tjetër është diçka që vjen nga thellësia e shpirtit. Njeriu sipas tij më parë duhet të ketë vlerën njeri si qenie që lind dhe vepron në jetë. Kur Joni me meditimet e tij  hip në luhatësen e jetës, i shtron vetes pyetje pse lind njeriu, kush është faktori kryesorë që e sjell atë në jetë? Cilat janë ato vlera që duhet të veshin shpirtin e njeriut dhe ta mbarësojnë atë në kryerjen e detyrave njerëzore në shoqëri? Barku i tij i fryrë nga imagjinata nuk ka të bëj me shtatzëninë,  por me psikologjinë e individit, i cili duhet të pjellë një njeri të ri, të lirë. Aroma e një fëmije i vente si avull dhe si diçka e këndshme dhe ai tenton këtë aromë ta mbaj brenda vetes, në trurin e tij, ose në shpirtin e tij. Ndoshta është aroma karakteristike që ka njeriu në vete dhe që dallon nga të tjerët dhe kjo si e tillë duhet respektuar dhe kultivuar. Sepse fuqia më e madhe se dhuna e vdekja është beteja për të mbjell dashuri midis njerëzve. Ky dallim duhet respektuar ashtu siç është dallimi midis gjinisë, ngjyrës dhe fesë.

          Për ta kuptuar në tërësi romanin “ I kujt ishte Joni “, duhet analizuar edhe rrëfyesin, që do të thotë, që njohuritë e të rrëfyerit duhet të zbërthehen në tërësi. Në këtë roman është e qartë që narratori e ka të njohur personazhin, atë e njeh mirë me të gjitha informatat që ka. Ai ia njeh të gjitha mendimet, shijet dhe marrëdhëniet e tij me rrethin ku jeton. Kjo do të thotë se ai i njeh mirë ngjarjet e kohës nëpër të cilën kalon. Rrëfyesi ka njohuri për historinë e së kaluarës dhe të sotmes së kësaj familje. Ai bëhet ndërmjetësues midis lexuesit dhe personazheve që trajton, prandaj nuk vjen rastësisht, në fatin dhe fatkeqësinë e jetës së kësaj familje. Ai këtë e bën në dy forma të të shprehurit, në vetën e parë dhe të tretë.

          Në këtë roman paraqitet e kaluara dhe e sotmja, fëmijëria dhe burrëria. Madje aty është përfshirë Lufta e pare botërore, koha e Rankoviçit dhe koha e sotme, bile edhe lufta e 2001. Kjo familje është dëshmitare e të gjitha këtyre periodave. Vuajtjet dhe gëzimet vijnë në mënyrë kronologjike nëpër të gjitha ato etapa kohore. Përmes këtyre tetë pjesëve ose kaptinave, njihemi me doket zakonet e rrethit. Joni është absorbuesi kryesor nëpër këto etapa jetësore. Derisa personazhet tjera në roman pësojnë, veprojnë fizikisht,  ai shpalon ndjenjën psikike të shtresuar prej fëmijërisë e deri kur bëhet prind.  Në disa skena mbizotëron koha e fëmijërisë kur zhvillohet dialogu i Jonit me nënën dhe babanë e tij. Të gjitha pyetjeve të shtruara ua kërkon domethënien. Ndoshta edhe e bija e Jonit që bën pyetjet e këtij lloji, autorin e shtynë në vazhdimësinë e jetës e cila ka lindjen dhe vdekjen e saj. Fotografitë dhe ngjarjet jetësore duhet të evidentohen diku si trashëgimi shoqërore e kulturore dhe jo si fotografi kujtese të varura thjeshtë në mur. Gjeneratat ngjarjet i trashëgojnë dhe i futin në thesarin e historisë. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe kohës e jetës i lënë trashëgiminë e tyre me veprat dhe përjetimet e veta. Sipas autorit vetëm qenia e shpirtit dhe vepra mbetet gjallë. Ajo vazhdon si frymë e pashkëputshme e qenies njerëzore të mbijetoj. Sepse çdo gjë ka orën e lindjes dhe vdekjes, vetëm shpirti mbetet gjallë. Ashtu siç e shpjegon edhe teologjia.

          Nëse bëjmë një analogji me romanin “Parfumi“ të Zyskind Patrikut, do të shohim se në pyetjet që i bëhen nënës së Grenuellit gjatë lindjes së saj pranë një tezge dhe ambienti të rrethuar me koka peshqish, shihet qartë ana psikologjike e asaj gruaje që lindte fëmijë të paligjshëm në Parisin e asaj kohe. Aty ku dominonte era e keqe, pa pastërti e madhe. Kisha luante rolin e vet dominues në shoqëri, mu në atë horror vend të jashtëzakonshëm, duhej ta pjellë fëmijën e pestë të paligjshëm. Kur i filluan dhimbjet e lindjes, ajo u ulë pranë asaj tezge dhe, me thikën përgjakur që pastronte peshqit e preu kërthizën e pjellës së vet. Ajo  në atë moment e humb vetëdijen dhe alivanoset me thikën në duar. Pas ardhjes së saj në vetëdije nga gjaku që e kishte mbuluar duart dhe trupin saj, ajo ngrihet në këmbë dhe e hedhë thikën dhe shkon të pastrohet. Grenuelli zbulohet nga të tjerët me piskllimën  e tij, i cili kishte mbetur  nëpër kokat e hedhura të peshqve të pastruara. Kjo qenje në rrethin e vet njihet pa aromën e identitetit të tij, por ai ka si shkathtësi të bëj dallimin e veçorive aromatike. Tek romani “I kujt është Joni” lindja nuk është e pa ligjshme, aroma e tij ka identitetin e vet. Dhe nëse ngjarja e “Parfumit” etimologjinë e vet e ka në shekullin 18. Zhean Baptist Grenuelli i lindur me një shije dhe aromë karakteristike të tij, sepse hunda e tij ishte e zënë për ta shijuar erën e vetë dhe e hapur për përmes obsesionit të tij për ta konsumuar aromën më të mirë në botë kthehet në vrasës të natës. Kurse te romani “I kujt ishte Joni”, autori, Jonin e bartë nëpër ndodhi dhe situata të shumta jetësore, duke shpaluar ndjenjën e tij shpirtërore. Romani “Parfum” nga Patrik Syskind ka të bëj me karakterin e një buri të quajtur Grenuj, i cili kthehet në vrasës, kurse Jonin vrasjet dhe kufomat e shqetësojnë. Burimin ngjarja e ka nga fëmijëria e vështirë. Në fëmijërinë e pa fëmijëruar. Nëpër të gjitha barrierat e jetës, ai kërkon aromën e përsosur, dhe duke kërkuar këtë, kalon nëpër kufoma. Nëna e Grenuellit e lind birin e tij në një dhomë me peshq dhe  njoftimi i tij, i parë me jetën, është duhma e rëndë qe i hynë nëpër zgavrat e hundës. Por edhe Joni ka ndalesa fëmijërore, por jo si të Grenuj. Joni nuk është vrasës, por luftëtar i paepur i dhimbjes, së keqes dhe lirisë absolute. Kur e ndajnë nga lojërat për t’ia marrë fëmijërinë, copëtimi  topit, ose ndalesa tjera nga lojërat dhe ëndrrat e fëmijërisë, janë shqetësimet që veprojnë në ndjenjat e Jonit. Dhe këto shqetësime do ta përcjellin gjatë tërë jetës. Ai u kundërvihet traumave dhe dhunës shoqërore, që lënë pasoja në zhvillimin normal të fëmijëve. Joni mllefoset nga anomalitë shoqërore. Ai nuk arsyeton gabimet e të tjerëve, por i ironizon, madje ai nuk flet për shkaqet e ngjarjeve, por për pasojat e saj. Kujtesa e Jonit është e ngarkuar me domethënien e jetës dhe sipas tij bukuria e jetës është kur njeriu fillon ta kuptoj atë, si tërësi të shenjave personale e ato shenja janë të arkivuara në sirtarin e shpirtit të çdo individi. Këto shenja janë të lidhura ngushtë njëri me tjetrin, sepse dashuria midis njerëzve është e bukur, e ndërsjellët, kur nga ajo japish dhe marrish. Këto detaje të bindjes së vet Joni i shëmbëllen me anë të celularit. Këtu vepron një fuqi, ose pushteti, që ka individi ndaj gjërave dhe rrethit ku jeton, por ato janë vetëm mjete shërbyese përballë shpirtit tolerancës që duhet të ketë njeriu. Autori këtu na shtynë të përballemi me idetë e Erih Fromit për “karakterin nekrofil”, kur me këto gjëra përballet njeriu në jetë, në mënyrë socialadekfate veprojnë në vete, pa të keqe, dëshmitë e këtij karakteri njerëzorë, kur bënë për vete njeriu ndonjë simbol statutar si, ”shtëpia ime’’, ‘automobili im”, ’’ ora ime’’, ’’ celulari im’’, si vlera tjera me te cilat njeriu bashkëjeton. Këtë element filozofik edhe Joni e merr si paradoks, se gjërat që janë personale nuk duhet të lidhin aq peshë përballë shpirtit dhe dashurisë ndaj njerëzve. Sepse sendet janë mjete, që vetëm na shërbejnë dhe këmbehen në jetë neve të gjithëve, kurse shpirti është diçka personale e që dallohet prej të gjithave. Kështu që Joni kalon në porosi didaktike, duke na e bërë  të ditur se njeriu jeton edhe pas vdekjes me anë të shpirtit të vetë, nëse ka lënë vepra të mira gjatë tërë jetës së tij.

    Mjaft mirë është bërë në roman tipizimi i babait, Hisenit. Joni këtë personazh e përcjell me vëmendje të madhe deri në fund të jetës së tij. Me këtë figure autori identifikon urtësinë dhe mençurinë e popullit të kësaj ane, i cili gjatë historisë ka ditur t’u përballoj të gjitha vështirësive që ia ka sjellë koha dhe jeta përpara. Si duket Joni vetëm nga ky personazh pranon këshilla. Fjalët e babait për të janë të shenjta. Ndoshta mënyra e tij e urtë e komunikimit, prind fëmijë, e përvetëson ndjenjën e Jonit. Andaj ky personazh do t’i shkoj pas hijes së tij deri në fund të jetës. Edhe në momentin e para vdekjes kur ai nuk komunikonte dhe s’njihte asnjë njeri pranë tij, me Jonin do të flas sikur të ishte i vetëdijshëm me porosi bindëse.  Madje sakrifica dhe maturia e babait edhe pse i pa shkollë në burg, në agoni të vdekjes, në momente më të vështira, përdorë mençurinë dhe durimin për të mbetur gjallë. Por edhe në momentin më të dhimbshëm ky burrë tregohet i përmbajtur. Në sofrën e durimit të tij, përballë kufomës së djalit të tij, kur të afërmit dhe rrethi pretendonin për hakmarrje, maturia dhe urtësia e tij ngritët mbi të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet, duke shëmbëllyer burrërinë e kësaj ane, se çdo krim do ta gjykojë Perëndia dhe ligji. Sepse sipas tij çdo njeri do të përgjigjet në jetë e vdekje për veprat që bënë. Sipas filozofisë së tij njeriu nuk ka të drejtë t’ia marrë jetën dikujt. Këto janë normat dhe bindjet fetare që kishte babai Jonit gjatë jetës së tij. Ndoshta këto bindje dhe norma personazhin kryesorë do ta kishin trasuar të shkoj pas gjurmëve të babait duke e respektuar këshillat dhe maturitë e tij me njerëzit dhe rrethin. Të duket se Joni vetëm prej babait pranon këshilla dhe këtu në roman na paraqitet si respekt i ndërsjellë.

Romani i Refet Abzit ’’I kujt ishte joni”, sjell në skenë një ngjarje historiko psikologjike. Gjuha e romanit është rrjedhshme dhe tërheqëse, që të krijon emocione rrëqethëse. Vrulli i brendshëm dhe imagjinata e habitshme shpalohet në rrëfim, si ndonjë skenarë filmi, me plot detaje fascinuese. Përshkrimi i gjërave deri në imtësi të skajshme sjell fotografi të gjalla në ndërtimin e personazheve. Romani i Refet Abazit është një përpjekje serioze e autorit, që lexohet me një frymë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora