E diele, 28.04.2024, 05:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Toponimia e Dushkajës (I)

E shtune, 02.01.2010, 07:35 PM


Prof. SKËNDER R. HOXHA

 

TOPONIMIA E DUSHKAJËS

 

Ju shpreh mirënjohje pleqve, mësuesve, si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët nuk kursyen  kontributin e tyre për t’më ndihmuar gjatë vjeljes së lëndës toponimike nëpër fshatra të krahinës së Dushkajës.                                                                           

     

       

       SHKURTIMET E FJALËVE, TË PUNIMEVE,

         TË VEPRAVE E TË  INSTITUCIONEVE

      

       Alb. = Albanologjik

       ALL = Antroponima e Llapushës (Prekorupës).

       antrop. = antroponim (-i, -et).

       arab. = arabisht.

       arn. Arnautska (kupto: shqipe).

       ASHK = Antroponimia e shqiptarëve të Kosovës –I.

       Bashkimi = Fjalori i “Bashkimit”.

       dalm. = dalmatisht.

       DH = Decanske hrisovulje (Krisobulat e Deçanit).

       DRSSH = Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës (1485).

       dt. = data (i, e ) datës

       ERHSJ = “Etimologijski rjecnik hrvatskoga ili srpskoga jezika”.

       f. = diku tregon gjininë femërore, e diku tregon faqen e tekstit të cituar.

       FGJSSH = Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe.

       FGJSH = Fjalori i Gjuhës Shqipe.

       fig. = figurativisht.

       fj. = fjalë.

       Fj. e gj. shq. = Fjalorët e gjuhës shqipe.

       Fj. i Bujq. = Fjalori i Bujqësisë i Doc. Niko Q a f z e z i t.

       Fj. Serbokr. – shq. = Fjalori Serbokroatisht – Shqip.

       geg. = gegërisht.

       god. = godina (viti).

       gr. = greqisht.

       HHGJSH = Hyrje në historinë e gjuhës shqipe.

       IAP = Instituti Albanologjik i Prishtinës.

       ie. = indoevropiane.

       ind. = indishte.

       indeur. = indoeuropiane.

       it. = italisht.

       u. c. = ime sela (emër fshati).

       j. = jug (krahu jugor).

       jl. = juglindje.

       jp. = jugperëndim.

       kat. = katund.

       KD = Krisobulat e Deçanit.

       khs. = krahaso.

       knj. = knjiga (libri).

       krahin. = krahinarizëm.

       l. = lindje (krahu lindor, pol gjeografik).

       lat. = latinisht.

       let. = letonisht.

       lit. = lituanisht.

       m. = tregon gjininë mashkullore.

       Makrotop. = makrotoponim.

     matr. = matronim,

     mikrotop. = mikrotoponim.

     nr. = numër.

     p. = perëndim.

     part. = patronim.   

     pun. cit. = punimi i cituar.

     RKMD = Recnik Kosovsko – Metohijskog dijalekta.

     RM = Recnik mesta.

     rum. = rumunisht.

     SANU = Srpska Akademija Nauka i Umetnosti.

     serbokr. = serbokroatisht.

     SGJFSH = Studime gjuhësore në fushë të shqipes.

     sll. = sllavisht (sllave).

     sshf. = Seria e shkencave filologjike (në “Gjurmime Albanologjike”).

     St. gj. = Studime gjuhësore.

     Stud. Fil. = Studime filologjike.

     (c. – sello).

     (cv. = sveska).

     sh. = në disa fjalorë tregon numrin e shumës e diku është shkurticë për fjalën: shih.

     shq. = shqip.

     shum. = shumës-i (numri shumës).

     top. = toponim (-i, -e, -et).

     tosk. = toskërisht.

     trak. = trakisht.

     tur. = turqisht.

     v. = veri (poli verior).

     v. = viti.

     vep. cit. = vepra e cituar.

     vj. = vjetër.

     vl. = verilindje.

     vp. = veriperëndim.

 

      Shënimet më të gjera për veprat, punimet, autorët e tyre, vendin e botimit, etj., jepen në fusnota.

 

      

       RELIEVI, PËRKUFIZIMI, LASHTËSIA

       DHE POPULLATA E DUSHKAJËS

 

       Krahina Dushkajës shtrihet në pjesën lindore të Dukagjinit Qendror, e cila karakterizohet me numër të madh kodrash, sukash, fushëgropash dhe luginash të gjera të mbuluara me pyje të vogla e të mëdha me dushk, për çka ky rajon herët e vonë u quajt D u s h k a j ë. 1) Si i tillë, konfiguracioni i rajonit të Dushkajës në mënyrë komplekse paraqet një veçanti trajtash tektonike dhe morfologjike. Duke shkruar për këtë formacion bimor, gjeografi serb, Jovan Cvijiq, kishte thënë se: “S’ka asnjë fushëgropë në Gadishullin Ballkanik, për të cilën ky formacion vegjetativ të jetë aq karakteristik sa (Dushkaja – vërejtja jonë) për Metohinë”2)

     Gjatë hulumtimeve tona , e sidomos pas bisedimeve e konsultimeve me pleq të kësaj treve, kemi ardhur te formulimi se regjioni etnogjeografik i Dushkajës përfshin 26 katunde të komunave Gjakovë e Deçan, nga të cilat: Bardhaniqi, Beci, Bërdesana, Cërmjani, Doblibarja, Gërgoci, Jabllanica, Janoshi, Kralani, Llugaxhia, Marmulli, Meqja, Palabardhi, (Radoniqi e Rakoci, të cilat janë përmbytur në Liqenin Akumulues “Radoniqi”)3), Rakovina, Rashkoci, Sapoti, Vraniqi, Zhabeli dhe Zhdrella – për qendër administrative, arsimore e kulturore kanë Gjakovën, kurse Dashinoci, Mazniku, Ratishi i Epër, Ratishi i Ulët dhe Vranoci i Vogël – Deçanin. Mirëpo, në kuadër të kësaj krahine, janë edhe katër vendbanime të cilat në pikëpamje administrative janë si paralagje: 1. Velikobarja – si paralagje e Bardhaniqit, 2. Kodralia, 3. Netici – si paralagje të Rashkocit dhe 4.Rezina – si paralagje e Bërdesanës. Këto katër vendbanime, nga ajo që dëgjohet në traditë, kanë shumë atribute të katundeve në vete, sepse gjithandej thuhet: “Po shkoj në Kodrali, në Velikobare, …” etj. Ndërkaq, për Kodralinë, ndonjëherë thuhet Kodralia e Rashkocit, kur e kërkon puna për ta dalluar nga Kodralia e Pozharit, e cila gjendet në krahinë të Rekës.

     Kufij natyrorë të kësaj krahine janë: Drini i Bardhë – në lindje, Bistrica e Deçanit (Lumbardha) – në veri, rrjedha e poshtme e lumit Erenik – në jug dhe krahina e Rekës – në perëndim.

     Pjesa lindore e Dushkajës i takon pellgut të Drinit të Bardhë, duke u shtrirë në anën e djathtë të rrjedhës së mesme të tij, ndërsa kah veriu dhe verilindja, për kufi natyror, ka po ashtu anën e djathtë të rrjedhës së poshtme të Bistricës së Deçanit, e cila e ndan Dushkajën nga krahina e Lugut të Baranit në këtë krah. Duke e kundruar më tej, nga aspekti i përkufizimit, Dushkaja, në anën perëndimore ka krahinën e Rekës e për të vazhduar kah jugu me Fushat e Trakaniqit, Fushat e Gjakovës dhe anën e majtë të rrjedhes së poshtme të lumit Erenik, gjer te gryka e derdhjes së tij në Drinin e Bardhë, afër katundit Marmull.

     Në qendër të Dushkajës, në mes të territoreve të katundeve Gërgoc, Radoniq, Zhdrellë, Rashkoc, Cërmjan e Rakovinë, gjendet një kodër e lartë e quajtur Suka e Cërmjanit, e cila paraqet një fragment të vargut serpentin (Suka e Koznikut, e Cërmjanit, e Babajlloçit dhe Suka e Hereçit), që rajonit të Dushkajës, të thuash, i vë përmes një kufi natyral horizontal në drejtimin lindje – perëndim. Suka e Cërmjanit, përafërsisht, është në mes të Dushkajës, e cila kërkon studim të thukët e të gjithanshëm nga fusha të ndryshme diturake, ngase përreth majës së saj gjenden fragmente gërmadhash  të mureve të një kalaje të dikurshme, mbase të kohës ilire? Për ekzistimin e këtij lokaliteti të lashtë dëshmon edhe një legjendë që ruhet në traditën popullore të atjeshme, si dhe disa mikrotoponime që gjallojnë në këtë oronim kompleks të tipit të fortifikuar, ndonjë prej të cilave do t’i zëmë ngoje më vonë.

     Gjatë punës sime në terren (të filluar para 30 vitesh) për vjeljen e toponimisë, nëpër katundet periferike dhe ato të brendisë së territorit të Dushkajës, ku pata biseda të shumta me njerëz moshash të ndryshme, analfabetë e të shkolluar, profesionesh të ndryshme dhe përkatësish të ndryshme konfesionale, kam hetuar se këtë krah të atdheut tonë nuk e ka përthekuar syri as dora e shkencëtarëve, veçmas të shkencës së onomastikës, me përjashtim të katundeve Bec, Cërmjan e Rashkoc që janë afër qendrës komunale, Gjakovës dhe afër rrugëve, paksa, të mira, por që edhe për to pak është bërë në këtë drejtim. Kjo rrethanë rezulton se për Dushkajën kemi fare pak apo hiç burime të shkruara paraprake të kësaj fusha, gjë që është një zbrazësirë për shkencën, por edhe një vështirësi për interesimet tona.

    Sipas pohimeve të pleqve (informatorëve), respektivisht nga të dhënat në terren, një numër i madh i katundeve të Dushkajës janë shumë të vjetra. Këtë e tumirin edhe defterët mesjetarë të administratës sllave e osmane, e sidomos: “Decanske hrisovulje” të vitit 1330 dhe “Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës” të vitit 1485, si dhe disa harta të vjetra. Në defterin e parë gjeta të shënuara katundet: Jabllanicë, Ratishë, Rakoc, Rashkoc, Zhdrellë, Meqe, Sapot, Cërmjan, Rakovinë, Kralan, Bec dhe Radoniq 4), ndërsa në të dytin: Palabardhin, Janoshin, Vraniqin, Kralanin, Cërmjanin, Becin, Rashkocin, Radoniqin, Rakocin dhe Rakovinën 5), ku për disa prej tyre nuk jemi krejt të sigurt se me vërtetësi janë trajta të mëhershme të katundeve të sotme. Mirëpo, ka mundësi që në këta defterë të jenë të shënuara edhe katunte të tjera të kësaj krahine, por që të mos jenë transkriptuar e transliteruar mirë, gjë që na e vështirëson identifikimin e tyre. Sidoqoftë, këto burime shkrimore janë të rëndësishme dhe dëshmojnë për vjetërsinë e këtyre vendbanimeve të Dushkajës edhe shumë para kohës së shkruarjes së defterëve të sipërpërmendur.

      Në një shkrim ku bëhet fjalë për Dushkajën dhe lashtësinë e saj, thuhet: “Sipas hartave të vjetra nga libri “Kosova në hartat e vjetra gjeografike”, gjurmimeve arkeologjike, defterëve turkë dhe dokumenteve të tjera të periudhës osmane, supozohet se rajoni i Dushkajës i takon një lashtësie të largët. Këtë e argumentojnë më së miri shënimet nga hartat e vjetra mbi Dardaninë – Kosovën.

 Në hartën “Gastaldi, Carta dei Paesi Danu­bja­ni”, e vitit 1517, në të cilën është përfshirë edhe ra­jo­ni i Du­shkajës së sotme, tërë këtij rajoni i është dhë­në ka­ra­kter malor, që paraqitet me maja të rru­m­bu­­­llakta dhe drunj gjetherënës. Në mesin e shumë ve­n­d­ba­ni­meve të tjera të asaj kohe shënohet edhe vend­ba­ni­mi Barda­gi (Bardani), ku sot është fshati Bar­dhaniq i kë­tij rajoni.

Në harta dhe shënime të mëvonshme, shënohen edhe vendbanime dhe toponime të tjera. Kështu në hartën “Generál Karte Von Zeneral Evropa” (Vien, 1900 dhe 1904), territori i Kosovës është përfshirë në katër pjesë, ku njëra prej tyre është Prizreni (pje­­sa JP), ku shënohen këto vendbanime dhe to­po­­nime të Dushkajës: Cerneljan (Cërmjani i so­tëm), Jab­llanica, Janosh, Luka Maze, Luka Ve­g­le (si duket ësh­të fja­la për toponimet: Suka e Ma­dhe dhe Suka e Vogël, ko­drina në afërsi të fshatit Cër­­mjan), Me­qe, ... Rash­ko­vce (Rashkoc).

Në hartën “General Karte Von Bosnien der He­r­­c­e­go­­vina, von Serbien und Montenegro ? M ? 12 Pri­­shti­na” (pjesa lindore) shënohen këto vend­bani­me: He­rec (Hereq), Janos (si duket fshati Ja­nosh).

Në hartën “Ubersichts – Balat... L, 12 – Scu­ta­ri”, për­­me­ndet toponimi Luka Sermijanit (Suka e Cër­mjanit).

Në hartën “Kieperet, General Karte von den Eu­ro­­paischen Turkei”..., viti 1853, përmendet vend­ba­­­nimi Kraljana (fshati Kralan i këtij rajoni).

Lashtësinë e këtyre vendbanimeve e argu­me­n­to­jnë edhe gjurmimet arkeologjike të bëra nga En­ti Ar­­ke­o­lo­gjik i Kosovës, në pranverën e vitit 1982, në Sukë të Cërmjanit, ku është konstatuar ve­n­dba­ni­mi i kohës iliro?romake.” (shih, 80 ? vjet pune të shko­llës fillore të Cërmjanit, Cërmjan 1995, f. 8).

    Popullata e Dushkajës tradicionalisht ka jetuar, po edhe sot kryesisht jeton, nga bujqësia e blegtoria, por në këto tri – katër deceniet e fundit po i jepet rëndësi arsimit, punësimit, emancipimit dhe transformimit të gjithmbarshëm të katundit. Në këtë trevë, me shqiptarët autoktonë, kanë jetuar një kohë edhe serbë e malazezë kolonistë, romë endacakë (gjithandej këta të fundit i quajnë gabelë e maxhupë), si dhe, sipas gjurmëve në toponimi, kam gjetur se në një anë të Dushkajës, për një kohë, të kenë jetuar edhe pak çerkezë etj., por ka edhe shumë vendbanime që në vazhdimësi kanë qenë të banuara etnikisht vetëm nga pjesëtarët e kombit shqiptar.6)

     Në këtë libër do të paraqesim nga një historik të shkurtër për secilin katund të Dushkajës, lëndën toponimike të vjelë në terren gjatë tridhjetë vjetëve, natyrisht, të punuar kohë pas kohe. Do të hedhim sadopak dritë mbi disa emërtime të vendbanimeve, të mikrotoponimeve e të makrotoponimeve, të oronimeve, të hidronimeve etj. të kësaj treve, në rrafshin etimologjik, leksikor, kuptimor dhe gjuhësor të tyre, për çka mendojmë se kjo punë do të jetë një kontribut i rëndësishëm për njohjen dhe studimin e toponimisë së këtij krahu, e mbase edhe për fusha të tjera studimore. Ndonëse pjesa më e madhe e mikrotoponimeve dhe makrotoponimeve, oronimeve, ojkonimeve, hidronimeve etj., të Dushkajës janë me prejardhje të gurrës shqipe, etimologjikisht apo në trajtë të mirëfilltë, një pjesë e tyre janë gjuhësisht të përziera, pra me origjinë të gjuhëve sllave, turke, latine, greke, apo të gjuhëve të tjera. Por, “kjo është edhe krejt e qartë nëse kemi parasysh se gjatë periodave të ndryshme, për shkaqe historike, ekonomike, edhe në Kosovë janë bërë dyndje, shtegtime dhe lëvizje të tjera të popujve të ndryshëm, të cilët kanë jetuar, madje disa prej tyre edhe sot jetojnë në kontakt ose në simbiozë"7). Për këtë arsye ngjan që një fjalë e shqipes të shkruhet në bazën e patronimeve a toponimeve jo si duhet, (gabimisht) me alfabete të gjuhëve të hershme të shkruara 8), dukuri kjo e cila me të madhe është e shprehur edhe në toponimi, e sidomos në toponimet ekstraktike.

                                                                                                                   (autori)

 

Fusnotat:

1) Skënder R. H o x h a, Toponimia e fshatrave Radoniq e Rakoc, Gjurmime Albanologjike, Seria e Shkencave Filologjike (më tej: sshf.), 16 – 1986, Instituti Albanologjik i Prishtinës (më tej: IAP), Prishtinë, 1987, f. 285; S. R. H o x h a, Çështje të toponimisë së katundeve Radoniq dhe Rakoc të Dushkajës (kumtesë), Çështje të studimeve albanologjike I, IAP, Prishtinë, 1987, f. 333.

2) Jovan C v i j i ?, Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije III, Beograd, 1911, f. 1138.

3) Katundet Radoniq dhe Rakoc, si vendbanime, janë zhdukur që nga viti 1984, ngase pjesa më e madhe e tokave të tyre u përmbytën në Liqenin artificial “Radoniqi”, por toponiminë e territorit të këtyre dy katundeve e pata vjelë para zhdukjes së tyre.

4) Pavle I v i ? – Milica G r k o v i ?, De?anske hrisovulje (më tej: DH), Novi Sad, 1976 (f. I – 191, 196, 265; II- 26, 39, 49, 50, 54, 62, 67; III- 1167, 2309, 2331, 2601, 2602, 2826).

5) Selami P u l a h a, Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, i vitit 1485, (më tej: DRSSH…), Tiranë, 1974, f. 249, 334, 135.

6) Shih, Rezultatet e Para të Regjistrimit të Popullsisë së Kosovës, të vitit 1981, Enti Krahinor i Statistikës, Prishtinë, 1981.

7) Dr. Latif M u l a k u, Toponime me prejardhje shqipe, serbokroate, arumune dhe turke, :Rilindja”, 1.XII.1974, Prishtinë, f. 14.

8) Rexhep D o ç i, Antroponimia e Llapushës (Prekorupës) (më tej: ALL…), Instituti Albanologjik i Prishtinës  (më tej: IAP), Prishtinë, 1983, f. 31.          



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora