Kulturë
Medije Vraniqi: Dedikuar bijës time Valona Vraniqit
E merkure, 30.12.2009, 08:56 PM

Keto vargje jane dhurata jone per ty. Jane fjale te dala nga apeksi i zemres, aty ku ke zene vend perjetesisht bije. Zoti te ngriti yll ne qiell, eshte drita jote qe na ndriçon rrugen ne toke, eshte muza jote qe ti le' tek ne, ajo muze qe krijon dialogun tone me ty, bije, çdo çast, kudo e kurdo.
Dedikuar bijës time Valona Vraniqit
Erdhe në jetën time si një engjëll me atë fytyrë të vogël, erdhe dhe u bëre motiv i jetës sime, dhurata më e bukur që mora nga Zoti, shkaku i lumturisë sime.
Harrova gjithçka harrova çdo dhimbje që ndjeja kaq larg në mërgim, larg të dashurve që më lindën e më rritën, larg mikeve dhe Prizrenit tim. Mjaftonte një buzëqeshja e jotja dhe unë bëhesha me krahë, më e lumtur se kurrë.
Kalonin ditët njëra pas tjetrës, e ti rriteshe e ndryshoje çdo ditë pamjen tënde që po bëhej një bukuri e rrallë, me pasionet e dëshirat e tua. Me ju, fëmijët e mi, dashuritë e mija po ndihesha e plotësuar në shpirt tek më gëzonit ditët e mija dhe atit tuaj, me rritjen, mbarëvajtjen dhe edukatën tuaj kudo.
Oh bijë, oh Valonë, këtë letër nëna ta dërgon ty, këtë libër nëna ta dedikon ty. E di që më je pranë dhe më shikon herë me mall e herë me trishtim kur lotin tim netëve pa fund e fshijnë flladet e agimeve. Unë agimet i pres me ty, duke soditur yjet në qiell të më shfaqesh TI… Duke mërmëritur nën buzë shpirt vrarë: Sot ku je?... Pse nuk më je pranë, të më lumturosh ashtu dhe pak, si dikur që kokën në gji ma mbështesje dhe më flisje për ëndrrat e tua.
Fati u tregua i pamëshirshëm me ty, ishe tepër e re për të të marre vdekja, ishe vetëm 25 pranvera.
Nuk arrite të realizosh tërë ato ëndrra që kishe, nuk arrite të bëhesh as nuse, as nënë, arrite shumë për atë moshë nga kjo jetë.
Këtë libër ia dedikoj edhe familjes sime Vraniqi.
Më mungon çdo ditë e qeshura, buza jote mbi ballin tim, që s’po shoh gëzimin në sytë e tu, që shihja dikur kur të mbaja në krahë dhe, pikëllimin tënd kur unë largohesha një çast.
Gëzoheshe kur më kishe pranë. Shpirti im a të mungoj vallë unë ty?
Nuk e di… vetëm dëshiroj që me këtë libër të të mbaj të gjallë, me vargjet e thurura veç për ty të ndjesh përkëdheljen dhe dhimbjen time që dua ta ndajmë kështu, bashkë.
Kam mall… Te mori vdekja në atë aksident tragjik. Me mungon zemra ime... Zemra ime, një ditë do të jemi bashkë përsëri! Jeto e lumtur në atë botë dhe me prit TI... Engjëlli im Valona!
Sikur dhimbjen time sot
Yjet lart ta ndjenin,
Do të zbritnin poshtë tek unë
E do të më ngushëllonin
Duke më sjellë fijen e artë të flokëve të tu,
Që shpesh e ndjej gjumit gushën ma gudulis,
Duke më thënë me pëshpërimë:
Mami, fli e dashur dhe mos qaj, unë jam këtu…
Zemrës do i vija një mbulojë
që hirin tënd ta ruaj dhe n varr
Ah..., se di pse kjo natë më është bërë barrë
ndoshta s’është ajo pesha e rëndesës
është një tjetër dhimbje që djeg
si prushi i kësaj gënjeshtre
mendimet vijnë pa pyetur aspak
ashtu konfuzë në pështjellim
se di e nesërmja si do jetë
se di në për mua do ketë agim...
VARGJET E MIA...
Çfarë t’u them netëve pa gjumë
Vargjeve të mia çfarë t’u tregoj
Të mbaruara mbetura pa frymë
Zemrës që nuk troket veç di të rënkoj
Ç’t’u them... orëve të vona
Në këtë mërgim të gjatë që shpirti më ikën pa ty
nga kujtimet gjumi i tyre i rend pa kohë
i trishtuar nga vrazhdësia
Për ty Valona
Krah ka marrë nga dashuria e ditëve tona
Eh koka ime e rënduar
Bijë nuk qenka e lehtë të jetosh me shpirt të lënduar.
MË MUNGON VALONË…
Për Ty po më qan shpirti edhe sot
pa ngjyrë, pa tingull ky lot
m‘pikon heshturazi tash e sa kohë
mungese jotja, nuk mësohem dot.
Se më dogji malli moj bija ime
përditë m’i gërryen të miat kujtime
ti në botën tjetër, unë në botën time
na bashkojnë veç ëndrrat, sot bërë dhimbje.
Ky mall, ky lot, kjo vuajtje e gjatë
ky vaj pa zë, çdo ditë e natë
dhe këto të lagura letra e shkronja
janë për Ty bijë, për sytë e tu të zjarrtë
Valona.
VALONA SOT NËNA TË PËRCJELL…
3-Janar-2006
U përkula mbi gjumin tënd
Mbi fytyrën tënde të heshtur
Të këndova për të fundit herë nina-nana
Që më pas ta këndonte qielli dhe hëna
Ti fli... E mira ime fli…
Fryma jote… s’do më mbajë më zgjuar
Si dikur të jepja gji dhe të përkëdhelja n duar
Hesht para meje si një pasqyrë magjike
me të kaltrin vështrim s’do më shohësh më
oh, zemër merrmë me vete
Nëna, errësirës vetëm s’të lë
ashtu e shtrire si princeshë e fjetur
Të kundroj për të fundit herë e mahnitur
hap krahët e hidhem drejt teje krejt papritur
Ashtu krahëhapur mbeta te ty përjetësisht
Trupi është vetëm mërgimtar
Pavdekësia e shpirtit ekziston pa dyshim
Ti mua ndaj më le të gjallë
Të ruaj përjetësisht tëndin kujtim
Ti fli… këngë imja e pambaruar
Fryma jote kujtimin ma mban zgjuar...
___________________

- vajzës së mikes sime, Medijes.
Pëllumbat gugisnin emrin...Valona, Valona!
Një ditë të bukur dhjetori,
kur era e lehtë bënte dashuri,
me gjethet e degët e pemëve,
Ju si dy ëngjëj të dashuruar,
putheshit cmendurisht nën dritat verbuese.
Sytë kurreshtarë ju ndiqnin me zili,
Se ishit si dy pëllumba që gugisnit dashurisht.
Zemrat rrihnin të shpenguara dhe e shtonin,
shpeshurinë e rrahjeve, mëkuar me gjak të nxehtë në aortë.
Zhytur në një det malli prej puthjeve ciltërsisht,,
Befas...., në një cast fatkeq,
Sikur fluturuat drejt përjëtsisë.
Pëllumbat e bardhë gati u bënë të hirtë
tek qanin dhe me gugitjen e tyre, therrisnin:
Valona....Valona...!
Nga Raimonda Moisiu
Hartford CT USA
Komentoni
Artikuj te tjere
Demir Krasniqi: Festat e fundvitit i kanë emërtimet e veta
Sami Islami: Pse ankohet Gjuha Shqipe?
Rafail Anastasiu: Si arriti Pandele Vangjeli të bëhet prefekt i Korçës
Engjëll Koliqi: Cikël poetik (26 tetor - 5 nëntor)
Zef Mulaj: Kufitë që vranë dashurinë
Shaban Cakoli: Thërras Rapsodin
Remzi Salihu: Performanca alkimiste e një shpirti të shqetësuar poetik
Blerim Rrecaj: Ardhja e fundvitit
Agim Gashi: Lulja në lum
Poezi nga Ekrem Ajruli
Cikël poetik nga Përparim Hysi
Poezi nga Andreas Altmann, përktheyer nga Remzi Salihu
Halit Bogaj: Viti i Ri 2010
Agim Gashi - Drenica: Në vend të urimit
Poezi nga Kasam Shaqirvela
Albërie Hadërgjonaj: Si po censurohet kënga për Ibrahim Rugovën
Puntorie Ziba: Harta sekrete (Komedi)
Teuta Shala: Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë në veprën e dijetarit dhe albanologut Milan Shuflaj
Engjëll Kengji: Pasvdekje!
Minica Mure?an: Një thesar i pjekur ideshë poetike