E diele, 28.04.2024, 01:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Puntorie Ziba: Harta sekrete (Komedi)

E marte, 29.12.2009, 08:47 PM


Puntorie Ziba


HARTA  SEKRETE


Komedi

 

Personazhet:

Eriku, hartograf……………. 40 vjeç.

Vasa,  paparac ....…………...45 vjeç.

Hera, e dashura e Erikut…..38 vjeçe.

Niko, një i huaj, fqinj i Erikut35 vjeç.

Kudreti, shok lufte…………...38 vjeç.

Turaku, mesoburrë…………..50 vjeç.

Polici Xhim..............................30 vjeç.

 

Ngjarja e kësaj drame ndodh pas vitit 2005. Në fabulën e saj, përmes alegorisë, metaforës, satirës, sarkazmës dhe një humori të hollë e shumë fin, del në shesh njeriu gënjeshtar, mashtrues e spiun, i cili në komedi është paparac. Në këtë tekst paraqitet vazhdimësia e apetiteve serbe, për të vënë pushtet mbi tokë të huaj, si dhe  instrumentalizimi i mitit për të.   

 Personazhi paparac vjen nga kopeja e të marrëve për të spiunuar njeriun shqiptar. Drama përcjell mesazhin se asgjë nuk mund ta dhunon realitetin dhe historinë e një populli autokton.

  Shqiptari me emrin Erik nuhat gjahtarin dhe shpreh një mospërfillje totale ndaj tij duke treguar zhdërvjelltësinë dhe mençurinë që posedon. Ai i tregon paparacit se vdiq koha e veprimeve nacionaliste e destruktive, edhe pse shikohet që paparaci akoma ëndërron raportin robërues ndaj popullit shqiptar.   Në këtë dramë del në shesh fytyra reale e një palaçoje serb që mundohet të vërë në lojë  njeriun shqiptar, i cili ka virtyt: besën, mikpritjen dhe tolerancën.

                     

                                                                       autori

                                                                   _________


 

Skena 01.

 

       (Një dhomë e madhe, e shndërruar në atelie, muret e së cilës nuk duken nga hartat e varura. Në murin e mëngjër shikohet një raft i gjatë prej druri, mbi të cilin janë radhitur me kujdes dekore: Libra me kopertina të vjetruara, skulptura të vogla dhe një shqiponjë dykrerëshe prej bakri. Në dysheme ca harta të vogla fizike të hedhura në mënyrë të parregullt. Një hartë e madhe e Ballkanit e varur në krye të ateliesë dhe afër saj një hartë tjetër e pa mbaruar. Nga ana e djathtë  e ateliesë një sfond i kuq, një pasqyrë e madhe dhe ca portrete grafike: idealistësh, disidentësh dhe patriotësh. Në njërin skaj të ateliesë një hartë tjetër e pështjellur me kujdes dhe e mbështetur në mur. Harta është e lidhur me një fjongo mëndafshi të kuqe. Në mes të ateliesë një kolltuk i mbuluar me velenxë. Rreth murit një divan i vjetër, një komodinë, mbi të një televizor. Ca karrige të radhitura afër njëra tjetrës. Një lavaman i thjeshtë për të larë duart. Ngjyra dhe lapsa të hedhur nëpër dysheme. Skena mbetet e njëjtë deri në fund të shfaqjes.

   Eriku është veshur me pantallona xhins dhe me një këmishë blu. Faqet i ka pak të përlyera me ngjyrë të kaltër. Në njërën dorë mban lapsin me të cilin vizaton, kurse me tjetrën var në mur një hartë memece. Aty mundohet t’i gjen shenjat konvencionale. Ai vendon me kujdes pëllëmbën e dorës në atë vend ku mendon se duhet të ketë institucione, qytete hekurudha etj. Në çdo pjesë të hartës memece ku Eriku e vendon pëllëmbën që e ka lyer me ngjyrë të kaltër, mbetet gjurma e pëllëmbës dhe e gishtërinjve.)

 

 Eriku: (Vendon pëllëmbën): Këtu kryeqyteti, këtu, lumi me rrjedhë të shpejtë, këtu ura, këtu kisha, xhamia, shpella, miniera, manastiri, termocentrali, hekurudha, aeroporti, qafë mali, vijë demarkacioni, kufiri shtetëror...

( Eriku ndalet, shikon gjurmët e gishtërinjve, lanë duart, pastaj ulet në kolltuk gjysmë i shtrirë, me gishtërinjtë e thurur mbrapa koke. Ia ngul sytë hartës së pambaruar që e ka përball dhe nis e këndon me zë të ulët një këngë popullore.)

 

Eriku:

Se ç’më plase buzën-o

o moj buzë plasur, 

ka nja dy-tri ditë moj

që nuk më je qasur.

 

 Nëna s' të ka lënë moj

a vetë nuk ke dashur,

rruga s'të ka rënë moj

a punë  ke pasur.

 

Të dua lale, të dua

mendo pak edhe për mua,

ilaçin që m’shëron mua

e gjeta n’buzët e tua.

 

     (Dëgjohet sirena e një autoambulance. Eriku afrohet te dritarja. Shikon dy burra të panjohur që mbajnë në krah një burrë tjetër që duket si i plagosur. Përsëri ulet në kolltuk. Të panjohurit i bien ziles një herë, e lënë shokun e tyre para dere dhe ikin me të katra. Eriku e hap derën dhe shikon një të panjohur që rri pupas. I habitur ecën rreth e rrotull burrit të panjohur, i cili duket i veshur si fshatar, me një shapkë të rrasur përmbi sy e me një pamje tinëzare. Eriku mrrol vetullat dhe ia hedhë sytë, prej te këmbët deri  te koka. Ai vazhdon të sillet ngadalë rreth të panjohurit, duke luajtur kokën majtas – djathtas dhe duke shprehur habi në fytyrë.  Ardhacaku duket i shqetësuar. Ai e vendon dhe e heq disa herë me radhë një kapele të vjetër, me një formë të çuditshme dhe nuk i heq sytë nga fytyra e Erikut. I panjohuri me emrin Vasa sa herë e heq shapkën e rregullon balluken e flokëve, të cilën e ka krehur me kujdes dhe e ka ngritur lartë si bisht gjeli.)

 

Eriku: (E hap derën e jashtme shumë ngadalë. Dera kërcëllon nga burgjitë e ndryshkura.) Ti, ç’pret këtu?... Autobusin!

Vasa:  Më falni! Unë...

Eriku:  Fol më shpejt! Nuk kam kohë të merrem me ty... ( E mbyll derën dhe e hap përsëri.)

Vasa: Prit! Kam një hall.

Eriku: Ç’hall !?... Unë nuk kam para.

Vasa: Nuk jam lypës.

Eriku: Nuk je lypës?

Vasa: Jo.

Eriku: ( Eriku mrrol vetullat dhe e shikon drejt në sy.) Më njeh mua?

Vasa: Jo. Pse, ti më njeh? ( Pauzë.)

Eriku: (Duke u kujtuar, luan kokën në shenjë mohimi.) Jo.

Vasa: (Vazhdon ta vër e ta  heq kapelën.) Mos më shiko aq me inat!...Mbeta këtu. Nuk më bëjnë këmbët. S’mundem të eci...

Eriku: Përse luan me atë kapele? Çka është ajo, hiq e venë, hiq e venë...hiq e venë...

Vasa: Ti nuk ke kapele?

Eriku: (Ia zgjat dorën dhe ia tërheq menjëherë, pa e prekur fare dorën e njeriut të panjohur.) Unë jam Eriku pa kapele.  Po ti !?

Vasa: Unë vuaj.

Eriku: Si the, si!

Vasa: Vuaj.

Eriku:Vuan?...  Të dukem doktor, për të sëmurë mendor!

Vasa: ( Pauzë.)

Eriku: Ke humbur paratë në bixhoz ? Ke humbur gruan, apo... Fol!

Vasa: Kam humbur, kam huu... Nuk më kujtohet se çka kam humbur!

Eriku: Nuk të kujtohet asgjë? Asgjë!

Vasa: Vuaj nga amnezia.

Eriku: Rrenë.

Vasa: Më ra dikush me tokmak në kokë dhe u rrëzova...E kam thyer këmbën.

Eriku: Kokën, këmbën... Nuk më dukesh i lënduar. Hmm!... E di. E di, ti je i dehur. Je bërë tapë.

Vasa: Zotëri!...

Eriku: Urdhëro, ti që ke humbur... mendjen.

Vasa: Më fal që nuk trokita.

Eriku: Nuk më dukesh njeri i mirë. Hajde, the qafën përjashta!

Vasa: Më lër të trokasë si njeri, e të merremi veshtë.

Eriku: Erdhe të më vrasësh !?

Vasa: Jo.

Eriku: Në këtë anë të lumit, nuk i zihet besë askujt.

Vasa: Unë, të dukem vrasës?

 ( Cingëron disa herë zilja e celularit. Eriku fut dorën në xhep dhe me pak vështirësi  nxjerr celularin.)

Eriku:

Alo! Alo!

Hera: Hera Jam. Çka të del ai zë si prej shpelle. Mirë je?

Eriku: Jo moj, mirë jam. Prit! ( Përpiqet ta mbyll derën, por nuk mundet sepse Vasa rri ulur mes pragut. Eriku e shtyne me majat e gishtërinjve,  por ai nuk hiqet.)

Hera: Vendoje kafen se erdha.

Eriku: Si?... Jo, jo! Eja më vonë.

Hera: Përse më vonë. Nuk je vetëm?

Eriku: Jo... Si nuk jam vetëm! Kam pak punë...

Hera: Dëgjo Erik!

Eriku: (Hyn pak më brenda skenës. Largohet prej Vasos. Ul zërin.) Më dëgjo ti mua! Më dëgjon apo jo?

Hera: Nuk të dëgjoj mirë, bërtit pak?

Eriku: Si, nuk më dëgjon? Mos u tall!

Hera:Të dëgjoj, po ngrije... ngrije zërin!

Eriku:Eh, mirë, tani dëgjo! Porsa të vish në shtëpinë time do zhvishesh. Po nuk u zhveshe menjëherë, do vras veten. Eh...

Hera: Më vjen turp.

Eriku:Të vjen turp!...Prej kujt?

Hera:Mund të vjen dikush.

Eriku: Jo, moj Lalushe jo, nuk vjen askush.

Hera: Po, nana jote...

Eriku: Nana ime! Po, lere tani! As ajo, as shokët... Nuk guxon kush të hyj në shtëpinë time pa trokitur, se...( Çirret.) Kam siklet.

Hera: Ti do zhvishesh?

Eriku: Po, si jo, do zhvishem.

Vasa: Këso bisede në telefon!...Sa i shkundur...

Eriku: (Vasos) Çka the?

Hera: Kujt i the, çka the?

Eriku: Çka thash? Askujt, asgjë nuk i thash... Më doli kot. Moj, mos kërkon të përfitosh kundërvlerë, dhe do që të zhvishem edhe unë?...Ok. Ta zëmë se kam dëshirë të të shikoj pa sytjenat e kaltra si syprina e detit.

Hera: O, dëgjo!

Eriku: O, më dëgjo ti mua njëherë ! S’mund ta mbaroj hartën fizike, e as hartën gjeografike memece, pa të pasur ty afër. Eja pak më vonë.

Hera:Ani po të dëgjoj vetëm njëherë.

Eriku: Harta memece...

Hera: Si, memece... S’ka gojë fare?

Eriku: Lere, lere, se kur të më vish këtu, lalushi do ta shpjegoj ç’është harta memece. Më thuaj që do zhvishesh. (Përplas këmbët në dysheme si fëmijë.) Më thuaj, më thuaj!...

Vasa: (Duke u zbythur herë para, herë pas.) Sa i hutuar...

Hera: (Duke e holluar zërin.) Asnjëherë nuk ke ngul këmbë...

(Eriku Flet me Herën dhe ia bën me dorë Vasos ta shtyje derën që ai të mbetet vetëm brenda. Vasa e mbyll derën por zbythas hyn edhe vet brenda.)

Eriku: (Vasos) Jashtë. (Vasa e le derën gjysmë të hapur dhe rri pas dere.)

Hera: Përse jashtë.

Eriku: Prit de!... Te ana e djathtë e trupit tënd, lart mbi bel e ke të vizatuar një hartë.

Hera: Hartë!

Eriku: Mos u habit!

Hera: Për tatuazhin e ke?

Eriku: Jo moj, nuk është tatuazh, por nishan. Tatuazh e ke akrepin dhe e ke vizatuar aty…mes gjinjve. E mbaj mend mirë unë, nuk jam budalla. Atë, nuk ta kam vizatuar unë. Ashtu ke lindur.

Hera: Nuk e kam parë.

Eriku: Si nuk e ke parë?

Hera: Nuk di gjë. As nëna nuk më ka thënë.

Eriku: As nëna jote s’e ka parë? Bah! Aty e ke pig...pigmentin më të theksuar, më të murrmë. Nishan moj, nishan! Të gjithë kanë nishane. Po. Dikush e ka si lule, dikush si hartë, e... Është nishan ogurmirë ai. Të mos e kishe atë nishan nuk do bashkëjetoja me ty. Ah, moj shejtane sa të dua! Çka do bëja unë pa ty, pa atë nishan misterioz në trup! Do rrija si ujku shurdhë... Edhe dyzet tjera beqar...

Hera: Nishan?

Eriku: Po moj, po! Ai nishani yt, është si punë muze. Më frymëzon. Sa herë të duash ti do ta puthi, sepse ka formën e një harte që herë më duket si një shtet i vogël, e herë si...si një shtet i bukur, i madh, me shumë lule... Si parajsë.

Hera: A, është si shteti jonë?

Eriku:Ëhë.

Vasa: (Prej te dera.) Përse e zuri me gojë fjalën shtet se...

Eriku:(Vasos.) Mos më ndërhyj në bisedë!

Hera: Ti po flet me dikë.

Eriku: Jo. U përzien linjet. Nuk mund të flasim më.

Hera: Alo!Alo!

Eriku: Alo! Po. Eja pasdite. Eja, eja të ta shoh, shpirt! Lalushi të pret fiks në orën tre. Puq-puq! Mirupafshim!... Mbylle ti e para! Ah, mbylle-mbylle!...(Fut  celularin në xhep.)

Eriku: (Shfryet i nevrikosur.) Çka i rras hundët ...

Vasa: Më fal.

Eriku: Haj pirdhu se nuk më bën syri fët prej llafeve tua.

Vasa: Më jep shans...

Eriku: Më mirë ik. Mos luaj me zjarr! Jam i keq për të këqijtë. Që tani, mund të detyroj ta kafshosh bërrylin tënd.

Vasa: Bërrylin tim!? (Mundohet ta kafshon bërrylin.)

Eriku: Po, po.

Vasa: As që më shkon mendja... Më lejo të trokas, e të hy brenda si njeri.

Eriku:Të trokasësh! Përse të trokasësh?

Vasa: Që të hyj...

Eriku: E  mirë, trokit dhe dëgjo nikoqirin.

Vasa: (Vasa ecën duke çaluar dhe rri pas dere, kurse Eriku e mbyll derën dhe futet brenda. Vasa troket disa herë me hov.) Hape derën! Hape derën, o i zoti shtëpisë! Hapee! (Pauzë.) Hape, de!

Eriku: Jo, nuk e hapi se ti nuk je nëna ime, ti je ujku!

Vasa: (Sa për vete) Ç’farë budallai! (Erikut) Jo, nuk jam ujku, unë jam nëna jote! Të kam sjellë...

Eriku: Jo, ti nuk je nëna ime, ti je burrë.

Vasa: Më fal se harrova që jam burrë!... Unë jam babai yt. Hape derën se unë do të ruaj, do të jap para të hash e të pish, të ndërtosh çerdhe, të blesh një djep... Oh, jo, djepin e ke...Të blesh...Të blesh lopata të kuqe prej sheqeri.

Eriku: Mjaft! Këtu mbaron loja. Ujku i hëngri edhat, ata i ngecën në fyt dhe ai, sot e kësaj dite jeton me siklet. Bile thonë se lëkurat që ua rropi, i ka varur rreth qafe. Ato i rëndojnë si gur.

Vasa: (Troket përsëri.) Më fal o i zoti shtëpisë ! Pasi rastisa këtu në derën tuaj, a mund të hy pak brenda të marr pak frymë e të pushoj...

Eriku: Hyn nga bira e çelësit.

Vasa: Vetëm gjysmë ore.

Eriku: Nuk kam kohë.

Vasa: Përse?

Eriku: Çne ti !...Cili je ti që merr guximin e më pyet... Nuk dua të të jap llogari, pikë.

Vasa: (Ulet këmbëkryq para dere.) Dëshiron ta puth këmbën? Po ma hape derën, do ta puthë këmbën. Nxirre këmbën të ta puth!

Eriku: (Hap derën dhe mbështetet në qoshen e derës. Vasa rri me turinj të zgjatur. Eriku e prek me këmbë.) Jo, nuk do hysh.

Vasa: Përse more?

Eriku: E ndjej se je prej atyre që porsa ua jep gishtin ta hanë dorën,  zemrën, mushkërinë, pastaj... (Bërtet.) mu-në.

Vasa: (Me të mirë.) Mos bërtit. Jam endacak. Ku gjej ndonjë derë çel... hy.

Eriku: Hyn! Si hyn?

Vasa: Nuk kam familje. S’kam as nënë, as baba, as grua, as... Ku më zë nata, nuk më zbardh drita.

Eriku: Ç’më duhet mua... Nuk çaj kokë për vagabondë.

Vasa: (Zgjat kokën si breshkë, prej te dera e jashtme, shtrin tërë trupin dhe i sodit hartat.) (Pauzë.) Bobo!

Eriku: ( E përqesh.) Bobo, bobo! Hapi sytë ti, hapi! ( E shtyn ngadalë me këmbë.)

Vasa: S’bëra gjë!

Eriku: Ma vërteto!

Vasa: Si?

Eriku: Nisja, leh!

Vasa: Të leh! Përse të leh? Jam njeri...

Eriku:Edhe njerëzit lehin.

Vasa: Po bën shaka. Qenke shakaxhi.

Eriku: Nuk do dalësh i gjallë, po nuk lehe...

Vasa: (Për vete.) I paska shkatërruar nervat... (Erikut.) Të dukem qen?

Eriku: (Ia kthen shpinën.) Ëhë.

Vasa: Nuk di të leh.

Eriku: Nuhate gjë?

Vasa: Po.

Eriku: Eh, tani nis e leh!... Por, jo si njerëzit, si qentë.

Vasa: Ani de, ani.( Bën onomatopenë e qenit.) Haam! Ham – ham- ham!

Eriku: ( Bën sikur trembet.) Përse  lehe si qen?

Vasa: Ti më the.

Eriku: Të them, po.

Vasa: ... E shikova hartën pak... Sa e bukur është. Si nuse.

Eriku: Nuk e shikove, por e hëngre me sy... Do të ha unë ti. Do të çaraveshi me thonj po sodite edhe njëherë gjënë time.

Vasa: ( Me zë të ulët.) Çdo gjë më duket konfuze...Meditova pak.

Eriku: Po, ku të zihet besë ti se...

Vasa: Ke temperament tipik të këtij rrethi.

Eriku: Çfarë temperamenti ka ky rreth?

Vasa: S’ta them dot.

Eriku: Hajt, hajt më trego!

Vasa: Mbase tjetër herë.

Eriku: Nuk më bëhet vonë mua për dokrrat e njerëzve, që i rrasin hundët kudo.

 

( Vasa sa herë flet, futet nga pak brenda duke u zbythur, duke u hequr  zvarrë, kurse Eriku ecën mbrapsht.)

 

Vasa: Dale, dale...

Eriku: Sh sh sh sht! Ti shikoj sytë, ballin, kokën, kapelën, këmishën, pantallonat...bile edhe atë që e ke nën...

Vasa: Nuk je mikpritës?

Eriku: Jo, nuk jam.

Vasa: Duhet të jesh.  

Eriku: Mos deshe t’i zgjidh ushkurët ?

Vasa: Ti nuk ta ka përcaktuar kanuni mirësjelljen?

Eriku: Jo.

Vasa: Ki mëshirë Zotëri!  

Eriku: Haj, kujtohu cili je, nga vjen, e ...

Vasa: Dera nuk i mbyllet as armikut...Ç’rëndësi ka emri? Unë po të doja, ta kisha fut ndonjë emër, por... Nuk më kujtohet asnjë për ilaç...

Eriku:( Me ironi përmend emra diktatorësh të njohur.)  Nuk të kujtohet emri Adolf, e Sadam, e Lenin, e Stalin, e me nder me thënë Slo....!

Vasa: Bobo më dhemb! (Mban këmbën me dorë.)

Eriku: Të sulmuan në rrugë?

Vasa: ( Duke qarë) Joooo!...

Eriku: Qaj ti qaj!

Vasa:  Do qaj, do qaj.

Eriku: Do qash, e do plasësh.

Vasa:  Ku e di ti?

Eriku: Hapi sytë!

Vasa: Përse?

Eriku: Ha ha ha! Ke sy, me vezullim sysh prej dhelpre.

Vasa: Mos të lutem!

Eriku: Je dinak.

Vasa: Më duket se më njeh...

Eriku: Jo. Jo, të thash. (Pauzë.) As nuk të njoh, as nuk dua të të njoh.

Vasa: Ashtu, ë ?

Eriku: (I zgjat një para metalike.) Na, merre këtë pesëshen dhe ik! Më lerë të qetë!

Vasa: Të thash se nuk jam lypës.

Eriku: Mua më dukesh lypës.

Vasa: Kam para.

Eriku: Sa i hardallosur je. Shih çfarë pantallonash! As kapelën, se ke si kapele. Ç’farë balluke se... Ha, ha, ha, ha!

Vasa: Kështu, nuk ta mbushi syrin, por kam shumë para.

Eriku: Të ndjek kush?

Vasa: Jo. (Sa për vete.) Sa qenka egërsuar. Si ujk qenka bërë. S’do ta kem aq lehtë ...

Eriku: Shtëpia ime nuk është han.

Vasa: Eh, si janë bërë njerëzit sot! Oh, më dhemb...

Eriku: Shtiresh.

Vasa: Jam njeri i sinqertë!

Eriku: Nuk kam kohë të merrem me të panjohur...

Vasa:  O vdiqa!

Eriku: Akoma s’ke vdekur!

Vasa: Të kam vëlla.

Eriku: Jo, jo, nuk më ke vëlla.

Vasa: Jo, a? ... Të kam si vëlla, de!

Eriku: Ra komunizmi.

Vasa: A a a! Urdhëro! ( Hap gojën shumë.)A, ra, a, a, a!? Pash zotin, ra ? Si ra? Kur ra?

Eriku: Ka ra moti.( Për vete.) Si shtiret Luciferi! ( Me zë të lartë.) O popull, dëgjoni si shtiret Luciferi! Ooooo, popull! A dëgjoni bre si shtiret Luciferi!?

Vasa:( Mbyll veshët, pastaj, prek mendjen me gisht.) Sss’më hynë...

Eriku: S’të hynë. Sa vite ta kanë larë e shpërlarë, trurin e shkretë. Po,do të hynë, do të hynë...

Vasa: Vështirë...

Eriku: Kurrë mos të hyftë!

Vasa: Ishte i mirë i bekuari.

Eriku: Mos ia pafsha bojën kurrë.

Vasa: Bah, çka më tregove!

Eriku: Kanë ndryshuar punët.

Vasa: Po, po...Jo, s’mund ta marr me mend që ra ai, si ra ai, e ...

Eriku: Pikoi si një dardhë e pjekur, pllaq- plluq e u bë mu...

Vasa : Eh, bie , bie ...

Eriku: Ai ra, kurse ti e ke humbur rrugën dhe je shkalluar.

Vasa: Jam gërvishtur dhe jam mavijosur...

Eriku: Nuk e paskam ditur se në këtë anë të lumit edhe të gërvishturit i transferojnë me autoambulancë.

Vasa: Nuk kam qenë unë në autoambulancë zotëri...Thanë se ishte plagosur një udhëtar.

Eriku: Mos m’u servilos! ... Më krijon neveri!

Vasa: Mirë zzzz...

Eriku: Ej, ej, ç’bën kështu?

Vasa: Çka bëra?

Eriku: Shiko bre çka ke bërë!

Vasa: Çka kam bërë?

Eriku: Edhe thua, çka kam bërë.

Vasa: S’kam bërë asgjë.

Eriku: Ke hyr...

Vasa: Unë! Ku?

Eriku: Tinëz, ke arritur në...në krye të vendit.

Vasa: (Prek kokën, qafën, faqet.)Yf, siklet! Nga sikleti e kam. Dua të sillem vërdallë.

Eriku: Si miza në dhallë.

Vasa: Si miza...Përse si miza?

Eriku: Ëhë! Sillu, sillu tinëz, por do i hash ca shkopinj shpinës, që...

Vasa: Nuk më zë vendi – vend. Më duket se zë krimba, po nuk lëviza nga pak.

Eriku: Ti po hiqesh zvarrë!

Vasa: Jam nevrastenik.

Eriku: Shko në spitalin e të sëmurëve psikik.

Vasa: Nuk jam i çmendur.

Eriku: (E kap me  dy duar, e ngre lartë dhe e kthen nga dera.) Hiqu zvarrë, andej! (Bën me gisht nga dera e daljes.)

Vasa: Kam ethe. Dridhem.

Eriku: Mu pështire. Mos  ta pafsha surratin!

Vasa: Ooh, nisi të më djegë! Mos ke hidrogjen prej 20%-ve ? Po pate, ma jep ta dezinfektoj pak plagën.

Eriku: (Ia afron celularin) Na, merre! Merre, merre! Telefonoju shokëve, mjekëve, policëve ... Në daç nënës e babait tënd... Le të vijnë të të marrin dhe pirdhu, ik!

Vasa: Nuk ke shpirt të më përzësh!

Eriku: Kam, kam.

Vasa: Nuk ke.

Eriku: Më shiko në sy !

Vasa: Nuk di t’i lexoj sytë e huaj.

Eriku: Nuk të kam mik, nuk të njoh fare...

Vasa: Po kush të tha se nuk mund të bëhemi miq! (Vasa vazhdon të zbythet rreth e rrotull nëpër atelie, dhe i shikon hartat.) Sa të ç’rregulluar e paske dhomën!

Eriku: Mos i hap sytë si dac, po trego si  rastise në derën time !?

Vasa: (Përsëri ia zgjat dorën.) Mirë se të gjeta!

Eriku: ( Pa lëvizur fare.) Ma thuaj emrin e pastaj...

Vasa: Nuk ta them!

Eriku: (Duket nervoz.) Do e thuash, do e thuash !... Sa mirë do e thuash!

Vasa: ( Qeshet dhe ju bie këmbëve me shuplaka.) Ha, ha, ha! Haaaaaaaa!

Eriku: Eh, çdo të lyej me benzinë, e... (Sa për vete.) Dua ta shikoj duke  dergjur.

Vasa: (Vazhdon të qeshet.) Ha, ha! Tani të vërejta. Qenke përlye në fytyrë.

Eriku: ( Afrohet te pasqyra dhe shikohet. Pauzë).

Vasa: Eja të ta fshij!...

Eriku: (Duke fshirë fytyrën.) Nuk dua të më prekësh, as me gishtin e vogël.

Vasa: Bobo, mu tha goja! Bëhu pak galant, ashtu si të ka fal zoti dhe më jep ndonjë lëng të freskohem.

Eriku: Lëng!?

Vasa: Bën edhe ujë.

Eriku: (Merr mbi tavolinë gotën e mbushur me ujë.) Na, pi! T’u furtë në fyt!... Lëng nuk kam.

Vasa: Faleminderit Zotëri!

Eriku: Mos, mos...!

Vasa: Më jep edhe një copë bukë se jam shumë i uritur. Eja, eja, dëgjoi zorrët e mia!

Eriku: Zorrët e tua !?

Vasa: Bëjnë revolucion. Grr, grr, grr...

Eriku: U, t’i ngrëntë qeni zorrët!

Vasa: Sa i keq je!

Eriku: Qenke i çmendur! ...Unë të t’i dëgjoj zorrët, ty a !?

Vasa: ( Pauzë)  Hë, mos u mendo se e di që do më japësh.

Eriku: Si?...

Vasa: Thash kot. Mbase...

Eriku: (Me ironi) Kafen e pi sade apo me sheqer?

Vasa: Me fare pak sheqer.

Eriku: Na, ha këtë copë bukë edhe ik, se jam shumë i zënë.

Vasa: ( Vasa e mbush gojën plot dhe luan turinjtë sikur përtypet lopa. Atij i ngec buka në fyt. Përpiqet të flet, por nuk mundet. I dalin kokërdhokët e syve jashtë. I pikojnë lot, qurra... Merr pamjen e njeriut që mbetet pa frymë.) Hm!...Uhu, uhu,ujë!

Eriku: Bobo, u mbyt thiu! ( Nis i bie me grushte shpinës... Ia fut gishtin në gojë...) Eh, çdo më mbetet në derë, do kujtojnë se unë e kam mbytur. Hape gojën! Hape, hape! Ujë, ujë! Ku e lash gotën bre! ( Shkon e mbush një gotë me ujë dhe ia jep ta pi. Vasa nuk e hap gojën dhe uji derdhet mbi këmishë.)

Vasa: ( Pasi Eriku i bie edhe  njëherë shpinës me shumë fuqi, Vasa i zgurdullon sytë dhe e nxjerr bukën e përtypur, nga goja e hedh te harta e Ballkanit.) O, nëne! O, baba!

Eriku: Hartën... Ma përleve Ballkanin!

Vasa: O, rruga ime! O, territori im! Ky deshi të më mbys. Nuk dua të vdes. Nuk dua. Thirre mjekun të më jep injeksion. Nuk marr frymë. Mezi marr frymë...Thirr ndonjë mjek...

Eriku: Nuk dua.

Vasa: Jam bërë i zi në fytyrë?

Eriku: Mjaft! Nuk bie rrufeja në hithra. Gjithmonë e ke bërë mizën buall.

Vasa: Deshe të më vrasësh. E di unë. Janë inate të vjetra...

Eriku: (Ulet në kolltuk dhe e shikon. Duket i qetë. Shollënit dhe i hap krahët.) Aaaah!

Vasa: Tani bën sehir me mua. Rri, rri!

Eriku: Fol ti, fol! Ankohu e kujtohu, se ku ke me më padit. Po të dëgjoj.

Vasa: O o o, nuk shkon thatë. Nuk shkon.

Eriku: Shiko çka i bëre Ballkanit!

Vasa: Si kam bërë gjë prej gjëje. Ai ma ka hëngër ...

Eriku: (Çohet në këmbë dhe sillet nëpër atelie, pastaj qëndron karshi Vasos.) Jashtë! Dil jashtë se mu sos durimi!

Vasa: Nuk mundem bre burrë...Më duro pak!

Eriku: Shumë të durova.

Vasa: Më jep diçka ta ngjyej bukën... Pak kripë, pak gjizë, pak djathë...Ku  hahet buka thatë.

Eriku: Oh nane, oh nane, ç’farë budallai!

Vasa: E di, e di që do më japësh pak. Do ta paguaj? Po deshe ta paguaj. Nuk besoj që merr para.

Eriku: (Pauzë.) Na  kripën ...

Vasa: Mm! Sa  e shijshme! Faleminderit.

Eriku: Gjizë nuk kam, por edhe po të kisha, nuk të kisha dhënë.

Vasa: ( Sa për vete) Po më eci keci, do ma paguash shtrenjtë këtë...Njësoj si në kohërat e argjendta, kur s’guxoje të bësh as gëk, se të shkonte koka bashkë me at kapakun e bardhë me lesh delesh. (Erikut) Faleminderit shumë! Po ti si ke qenë me shëndet?...Haj më thuaj cili je dhe nga e ke origjinën.

Eriku: Origjinën!?

Vasa: Nga ke ardhur de ...

Eriku: Ëhë, unë…Unë jam Luigji i XIV dhe i marr në oborrin tim të plagosurit, të vdekurit, të mençurit, budallenjtë…Ata që vijnë te unë, mi zhveshin çorapet, mi lajnë dhe mi puthin këmbët. Puthmi edhe ti!

Vasa: Frangu i poshtër  ai Luigji i XIV. Ia bëfsha varrin, ia bëfsha! Edhe ai më tradhtoi... (Pauzë.)

Eriku: Puthma njërën këmbë!

Vasa: Pak më parë nuk deshe.

Eriku: (I zhvesh çorapet.) Puthmi të dy këmbët!

Vasa: ( Rrudh fytyrën, sikur i vjen era keqe.) Përsëri... Shaka po bën, shaka. Vishi çorapet!

Eriku: Nisja...puth!

Vasa: Bjere legenin t’i laj...

Eriku: S’ka ujë.

Vasa: (I bie në gjunjë. Pauzë.)

Eriku: Shumë mirë. Bjer në gjunjë dhe puthmi...

Vasa: Mos bre burrë !

Eriku: Nuk ka më mos!

Vasa: Shikon? Të jam gjunjëzuar.

Eriku: Fillo!

Vasa: ( Nis e ia puth pa ndërprerë. Pauzë.)

Eriku: Mjaft.

Vasa: Përse?

Eriku: Tani, dua të tregoj nga kam ardhur.

Vasa: Mbase nuk ka nevojë. Do të vazhdoj t’i puth këmbët?

Eriku: Jo. Ku e patëm fjalën?

Vasa: Harrova. Mendje i thonë!

Eriku: Ëhë! Tani do të tregoj se nga kam ardhur. Unë kam pikuar...

Vasa: Si!...Kur?...Përse?

Eriku: Nga hëna...

Vasa: Ke pikuar!?

Eriku: Pooo. Si kumbull, tak-tak, tak- tak- tak...

Vasa: E-he! E kam ditur!

Eriku: ( Me ironi) E ke ditur, si jo!

Vasa: Më fal si quhej planeti nga ke pikuar?

Eriku: Hënë.

Vasa: Nga cila nënë ?

Eriku: Nga nëna jote! (Bërtet) Nga hënaaa! (Sa për vete.) Sa i përngjan ky atij fqinjit tim nën mua…More, mos është kthyer Vasa Vasoviqi …Apo s’dalin këta nga se kujton! Ka dhjet vite a më shumë që s’është dukur. Po, jo. Çne ai të futet te unë!  (Vasos) Cili na je ti o fytyrë peshku që erdhe këtu te unë, tani kur mua më ziejnë trutë, sepse dua të projektoj ca harta të reja.

Vasa: Ç’do të vizatosh!?

Eriku: Harta. Harta, more harta! A nuk ke parë kurrë harta?

Vasa: Hartaxhi je ?

Eriku: Jo, gjizar, djathar …Kam tre tufa me dele.

Vasa: Qenke virtuoz për këtë punë. Prit t’i shikoj pak ata të pështjelluarat!

Eriku: Jo, nuk mund t’i shikosh.

Vasa: Qenke plot fantazi. Po ky shteti këtu cili është?

Eriku: Pyet ti, pyet! Je futur këtu, kurse unë e pres të dashurën time...

Vasa: Edhe ti paske të dashur?

Eriku: Përse, çka të dukem unë!

Vasa : Jo, jo. Po, po, është shumë mirë të kesh një të dashur. Bobo sa harta të bukura!

Eriku: Harta si të gjitha hartat e botës.

Vasa: Bah, kjo memecja sa e bukur!

Eriku: ( I emocionuar.) Eeeh! Po, si të të them! E kam pasion…

Vasa: Ç’ditë është sot?

Eriku: Nuk kam kohë të mendoj...Ti, ke kohë?

Vasa: Kam, kam...

Eriku: Ke ti, ke. Po të mos kishe, nuk do rrije këtu të shikosh prapanicën time.

Vasa: Po ajo e pështjelluara me fjongo mëndafshi?

Eriku: Çka?

Vasa: E cilit shtet është?

Eriku: (Me tallje.) Ishulli Palma De Majorka.

Vasa: Shtet komunist, ë !?

Eriku: Komunistët ty... Nuk thash shtet po ishull.

Vasa: Më ndje! ( Sa për vete.) Tani edhe ishujt më duken shtete.

Eriku: Paske ditur të kërkosh ndjesë.

Vasa: A mund ta hapi? Kam dëshirë ta shikoj...

Eriku: Nuk mund ta hapësh.

Vasa: Ani de, ani.

Eriku: Trego ku jeton?

Vasa: Këtu.

Eriku: Si këtu?

Vasa: Këtu.

Eriku: Këtu, te unë?

Vasa: Jo. Këtu, atje...

Eriku: O kokë gomari,o...

Vasa: More mos kam humbur unë? Më duket se kam humbur. Eh, mendja! Çka të bën mendja...As lagjen time nuk e njoh. Fajtor është ai që ma futi një dackë, më përqeshi dhe iku pa lënë gjurmë. Do duhet ta padis në gjyq, por as emrin nuk ia di. Ta hajë dreqi! Kurrë s’kam qenë nëpër gjykata... Ti ke qenë nëpër gjyqe?

Eriku: Shiko punët e tua ! Më ler...

Vasa: Edhe unë jam rustik për çështje juridike.

Eriku: S’merrem unë me ato punë. As, nuk më ha palla kush ta ka futur  ty…Më trego kur do më hiqesh qafe ?!

Vasa: Do, të më bëhesh dëshmitar ?

Eriku: Jo.

Vasa: Bëhu dëshmitar, të lutem!

Eriku: Po më provokove vetëm edhe një herë, do ta fus edhe unë një dackë që...

Vasa: Desha të tregoj se për një fije shpëtova edhe nga vetura.

Eriku: ( I dalldisur te harta e pambaruar.) Ku jeton ajo...

Vasa: Ku e ke mendjen ti?

Eriku: Hë, çke?

Vasa: Vetura s’është njeri. Njeriu që më vrau…që më gërvishti... që për pak do më vriste, jeton atje. Jaaa, atje matanë lumit. ( Bën me gisht nga harta ku duhet të vizatohet Kosova.)

Eriku: Ëhë! Në cilën anë, jeton ti?

Vasa: ( Prek hartën.) Këtu. Nga pjesa lindore... (Bërtet) Mu kujtua! Ai ka jetuar  në atë anë, kurse unë në këtë ... Adresa ime : Rruga “121” - gjashtë ndaj... E paskam harruar numrin! Ju ku jetoni?

Eriku: Rruga “121”-gjashtë ndaj një, shtatëmbëdhjetë”. He-he! Të dy qenkemi në një anë, në një rrugë. Mbase nuk je fqinji im ti turi peshku!

Vasa: Mos fyej. Jo, jo. Rruga ime “314”... Nuk e mbaj mend adresën. Nuk jam fqinji yt.

Eriku: S’ka rëndësi. Dil prej këtu!

Vasa: Prit...

Eriku: Ik se do të më detyrosh të të kapi, e të të hedh nga dritarja si thes me plehra.

Vasa: Nuk e bën ti atë...

Eriku: E bëj, e bëj!

Vasa: Nuk mundem të eci, më dhemb këmba.

Eriku: (E përqesh.) Nuk mundem të eci më dhemb këmba. Çka mi shtrembëron fjalët kur flet ?

Vasa: Mezi flas...

Eriku:( Ia shikon një aparat fotografik luksoz, shumë të sofistikuar të varur në krah me një rrip të hollë prej lëkure.) Ç’është ky që e ke varë?

Vasa: Aparat.

Eriku: Jo, përbindësh... Po, a nuk e shikoj unë që është aparat?

Vasa :...I thjeshtë, për të fotografuar.

Eriku: Çka fotografon?

Vasa: Ura, lumenj, shkëmbinj, vajza, djem, fëmijë...

Eriku: Mjaft! Ti, mos je papa...(I merret goja...)

Vasa: Nuk jam papa...Papës, emrin nuk dua t’ia dëgjoj.

Eriku: Ti je paparac.

Vasa: Jo ç’ne!

Eriku: Ëhë, tani e mora veshtë. Ti qenke paparac dhe ke ardhur të më spiunosh...

Vasa: E ke gabim.

Eriku: Vazhdon të më kërcënosh.

Vasa: Jo.

Eriku: Hajt bre, se nuk ma ha palla mua nga paparacët.

Vasa: Si, nuk ta ha...

Eriku: S’e rruaj fare!

Vasa: (Pauzë.)

Eriku: E merr me vete nga shkon?

Vasa: E marr, e marr, se helbete...

Eriku: Kujt i vihesh pas?

Vasa: Askujt. Vetëm kot, nga pasioni bëj shtrak-shtruk...Kupton!?

Eriku: Jo xhanëm, unë nuk kuptoj, nuk di, nuk ndjej, nuk ha, nuk pi, nuk shoh...

Vasa: Ani de, ani. Mos bërtit!

Eriku: Bre,bre! Vetëm ti di. Ti shikon, ti ke zemër, mushkëri, lukth, zorrë, kokë, veshë...Unë jam budalla, e nuk e di ç’na qenka kjo shtrak-shtruk-ja!... Ç’është teknika, industria, shteti e pushteti...Sipas teje unë jam kafshë. Thuaj se unë jam kafshë! Haj  thuaj tri herë: Ti je kafshë.

Vasa: Nuk je.

Eriku: Thuaj tri herë: Ti ke bisht.

Vasa: Mos e ngrejë zërin, se më tremb.

Eriku: Thuaj me zë të lartë : Ti je kafshë, ti ke bisht. Ti ke bisht....Ti ke bisht...   

Vasa: Nuk them... Unë nuk kam thënë...

Eriku: Ke thënë, ke thënë. Edhe yt at ka thënë, edhe jot ëmë...Edhe të gjithë kuajt bashkë me mushkat e tua i kanë vënë bisht  prapanicës time.

Vasa: Uh, sa nxehtë u bë këtu!

Eriku: (Çirret.) Thuaj!

Vasa: (I trembur.)Ssi...(pauzë.)

Eriku: Ok. Atëherë ngjitja vetes një bisht.

Vasa: Of, nisi të më dhemb koka.

Eriku: Nuk ka as of, as uf.  

Vasa: Më lër të dal pak në verandë.

Eriku:Te veranda sat ëme! Çjerre fytin ! Thuaj!

Vasa: Unë jam kafshë, unë kam bisht. Unë jam kafshë... (Pauzë.) (Vasa flladitet me një erashkë të vjetër që e gjen në atelie.)

Eriku: ( Ulet në kolltuk dhe merr pozë.) Më bën një foto, i dashur paparac!

Vasa: Ty nuk të fotografoj, nuk je fotozhenik... E kisha  fotografuar këtë.( Bën me gisht nga harta e  pështjelluar.)

Eriku: Mos bre! S’ditke gjë ti! Këtë, atë...I ra troç burri i botës pa i bërë syri fët.

Vasa: Përse?

Eriku: Sepse nuk dua.

Vasa: Ti ndonjë ditë, do i publikosh këta.

Eriku: Kam bërë punë shumë fisnike, por do t’i publikoj atëherë kur  do më dojë qejfi mua.

Vasa: (Me zë të ulët.) Edhe mua.

Eriku: Shiko punën tënde paparac! ...Dhe dil, vihu dikujt tjetër pas!

Vasa: E ke gabim! Unë të gjitha punët i bëj shtruar.

Eriku: Ma jep shpejt aparatin!

Vasa: Nuk ta jap!

Eriku: Ma jep me dorën tënde, më mirë për ty...

Vasa: Mos ma merr! E kam pasion fotografimin e fenomeneve natyrore dhe punëve tjera që i bën dora e njeriut...Ja si puna jote që e ke pasion vizatimin e hartave. Ti vizaton, kurse unë kam merak të bëj shtrak e shtruk...

Eriku: Mos gabo të bësh një shtrak, këtu....

Vasa: Nëse nuk ke dëshirë ti, unë as nuk do i shoh me sy...

Eriku: Ma jep aparatin!

Vasa: Është i imi. Mund të bëj ç’të dua me këtë.

Eriku: ( Zgjat dorën ta kap aparatin, Vasa largohet.) Si do të kapi, do të çaraveshi me thonj, do ta shkuli turirin e…Peshkut.

Vasa: Mos !...

Eriku: ( Ia merr aparatin dhe ia hedh në dysheme.) Tash, na merre ! Fotografo këtë timin dhe tëndin... (Prek me dorë prapanicën.)

Vasa: Cilin?

Eriku: Bishtin... Ta shikojmë se cili e ka më të gjatë.

Vasa: Ma theve aparatin.

Eriku: Jo, nuk e thyej pa ta fotografuar bishtin, që nuk e ke ndër shalë, por në ballë. Ha ha ha ! (Ia prekë balluken .)

Vasa: Mos! Kam siklet.

 

 

 Skena 02.

 

( Eriku vazhdon ta heq qafe Vason.  Nis ia shkul veshët, i shpupurish flokët, ia prish balluken. Në atë çast hyn fqinji Niko pa trokitur. Ai nga ecja dhe nga veshja duket se ka hormone femrash. Niko rregullon këmishën ngjyrë rozë, dhe prek vathin në vesh. Ai mahnitet dhe mrekullohet kur e shikon Erikun duke i prekur flokët e një burri të panjohur.)

 Eriku: ( Duke ia shpupurish flokët.) Përse më shet mend këtu në kulmin tim?

Vasa: O, mos!

Eriku: Përse?

Vasa: M’i le flokët!...

Niko: (Lëshon një zë si zë gruaje dhe afrohet nga ata të dy dalëngadalë, duke u përdredhur e duke e shkundur balluken). Ua ç’më tmerrove mi shpirt! Unë nuk e kam ditur për ty se je ... Bobo, sa afër të paskam pasur!...(Niset të del si i turpëruar.)

Eriku: Niko mos dil! Eja, ulu! Ky është…

Niko: (Duke i lëpirë buzët.)... Pederast... Duket se është xhentëlmen!

Eriku: Mos je qorruar Niko!?

Niko: Shihe, shihe! Gjithë ky burrë, e unë...

Vasa: Ç’është ky, more!

Niko: Edhe sharmantë, edhe i hollë, edhe i gjatë... Sa mirë.

Eriku: Si mund ti shfaqësh komplimente një palaçoje si ky?

Niko: (Sa për vete.) Mbase nuk do gërhet natën...

Eriku: Ulu se do të tregoj...

Niko: Këtu pari ka lindur, apo jo?... Se nuk rritet kollaj gjithë ai plep...

Eriku:..O, grek! O, majmun!... Ky është paparac! Ky është…Ku ta di unë i gjori çka është ky...Ku ka lindur dhe nga ka dalë. Unë e gjeta para dere...

Niko: Ha ha ha! U, sa qejf! Para dere? Sa mirë është të gjesh dashnorë, para dere.

Eriku: ... Aty ishte ulur. Rrinte si lypës. Thotë se ka amnezi.

Niko: Ti gjithmonë të përcjell fati...

Eriku: Niko, a më dëgjon apo jo!? Çka u matufose kështu?

Niko: Kam pak emocione. Po të dëgjoj, si nuk të dëgjoj.

Eriku: Ky është paparac. Fotografon, ashtu... fshehtas.

Niko: Paparac, apo pederast?

Vasa: Jam endacak.

Eriku: ( Sa për vete.) Niko, të iku truri.

Niko: ( Duke u përdredhur e duke lëpirë buzët.) Eh, mua më duket pederast.

Vasa: Ti i beson këtij, e mua jo!?

Eriku: Ha, ha, ha! As njërit, as tjetrit.

Vasa: E shikoj unë...

Eriku: Respekte, greko!

Niko: Ha, ha !Respekte, shqipe!

Eriku: E pe?

Vasa: (Nikos) Ju bashkëjetoni...më fal!... Bashkëpunoni?

Niko: Ëhë!

Vasa: Prej kur?

Eriku: Prej sot.

Vasa: Jo, jo, nuk besoj që edhe ti greko...

Eriku: Punë e madhe...

Niko: Nuk dua t’ju lë. Ju dua të dyve. Ju kam xhan.

Vasa: O këtë, o mua...

Eriku: Hape zemrën, Niko!

Niko: Suratin sikur ia kam pa, por emrin nuk ia di.

Vasa: (Nikos.) Më shikon?

Niko: U, sa qejf! Po...

Vasa: Më kanë zënë ethet e gushtit. Jam sëmurë.

Niko: Kujdes, se jeta kalon shpejt

Eriku:Pupu! Torollaku.

Niko: Ok bejbi! Unë mendoj vetëm për dashuri. Të dy jeni alamet... Ju të dy jeni burra të mirë. Mpuq!

Vasa: Nuk dua të flas me Zhigolo.

Niko: Jo, zhigolo jo. Mmm! Nga më ke pikuar?

Vasa: Erdha...

Eriku: Nga maja e shkëmbit.

Niko: ( Duke u lazdruar.) O, të dashur! Më thirrni kur të mbeteni vetëm për vetëm. Unë ju dua, tek e tek. Ha, ha ! (del)

Eriku: Prit Niko, mos ik! Mos më paragjyko!

  (Pauzë.)

Vasa: Këtë të huajin e do.

Eriku: Hm!

Vasa: Mua nuk më qas në derë.

Eriku: Ti e do vetëm veten tënde.

Vasa: Eh!

Eriku: I bëre njerëzit të dyshojnë.

Vasa: Le të dyshojnë!

Eriku: Çka flet more!

Vasa: ( Belbezon) Ççç’tttëë... thththem!

Eriku: Cila është gjuha e nënës tënde ?

Vasa: (  I mbyll sytë dhe rri si hu gardhi. Nuk flet asgjë. Duket sikur fle prej në këmbë. Duke gërhitur ulet në kolltuk ku vazhdon të flejë. Eriku i shkon rrotull dhe duket i habitur. Pauzë.)

 

Eriku: Flenë!?... More ky fle! Bo-booo, e zu gjumi budallain! Tani shikon ëndërr në mes të shtëpisë time. Shiko, shiko! E bën kokrrën e gjumit rahat, rahat... (Pauzë.) More, si ta kapi këtë gorillë, do ta hedh për dritare poshtë... Eh, çdo mi fëlliqe duart! Nuk di si e durova deri tani. S’e duroj më! ... Ah, assesi! ( Përplas karrigen në dysheme dhe ia thyen njërën këmbë.)

Vasa: ( Vasa zgjohet nga zhurma. Kruan sytë, hap krahët.) Më fal! Më zuri gjumi pak. Çdo ditë në këtë kohë flejë.

Eriku: ( Me ironi) Flejë ti xhanëm, flejë!

Vasa: Mos jam  jerm?

Eriku: Kur nuk ke qenë se... !

Vasa: Çka the pak më parë se harrova.

Eriku: (Merr karrigen me tri këmbë dhe ia afron.) Ulu këtu !

Vasa: Përse?

Eriku: Ulu!

Vasa: (Sillet nëpër atelie.) Qe,qe...

Eriku: Ulu, se tani do ta përsëris pyetjen që ta bëra para se të flesh.

Vasa: (Ulet në karrigen me tri këmbë dhe përplaset në dysheme. Çohet, ulet përsëri dhe bie. Rri i shtrirë.) Faleminderit, për sherrin që ma bëre.  

Eriku: Nuk ka përse! ( Shpërthen këmishën deri në kërthizë. Rregullon flokët, merr lapsin dhe nis ravijëzon kufirin e shtetit të tij.) Uh, tani sikur ndjehem pak më mirë... Më bën pak muhabet, o endacak! (Pauzë.) Fol ti fol! Mund të ma tregosh gjuhën që e flet kur nuk je këtu... Domethënë në këtë shtëpi...

Vasa: Ëhë, aty e lamë.

Eriku: Çohu mos rri i shtrirë si xhenaze.

Vasa: Nuk mundem. Jam lënduar. Ma zgjat dorën!
Eriku: Jam i zënë. Punoj. Dhe nuk dua ta fëlliqi dorën...

Vasa: ( Mezi çohet) Eh, aty, aty te gjuha e lamë.

Eriku: Po. Aty e lamë.

Vasa: Kjo s’është gjuha ime. Gjuha ime nuk përngjan aspak me gjuhën tënde, por nuk më kujtohet se... Të thash se vuaj nga amnezia.

Eriku: Nuk dukesh njeri që vuan... Dukesh arrogant, bile prej atyre  njerëzve që kujtojnë se toka bashkë me diellin,  me yjet e me gjithë Zotin lartë, janë të tyre.

Vasa: Toka është e imja.

Eriku: E ytja?!

Vasa: Edhe zoti është i imi.

Eriku: Posi, posi, i yti! (Me inat.) Kush të tha se zoti është vetëm i yti. Kush? ( E hedh lapsin me fuqi në dysheme.)

Vasa: ( Trembet. Mblidhet bëhet sa një grusht. Gjuhën e nxjerr jashtë. I pikojnë jargë.) Nuk di gjë unë! Mua, s’ më kujtohet asgjë prej gjëje! Jam bërë budalla.

Eriku: Po të isha vrasës...

Vasa: Do më vrisje.

Eriku: U mblodhe! U bëre lëmsh! Ha ha ha! Sa mirë! Mirë, zvogëlohu! Bëhu i vogël! Bëhu sa një këlysh... Këlysh i djallit, këlysh! Eh, tani dukesh më mirë. Më bëre të të mëshiroj. Ashtu, rri! Ashtu të dua, të vockël, të urtë, të… Zërin  mos ta dëgjoj!  Kuptove?

Vasa:  ( Duke i ngatërruar këmbët, duart, e duke u mbledhur. Qëndron galuc.) Ani de, ani.

Eriku: Nuk të kujtohet asnjë fjalë ?

Vasa: Jo.

Eriku: As emri i nënës tënde ?

Vasa: Më kujtohet një fjalë e vetme që s’e them dot.

Eriku: Thuaje!

Vasa: Met...met...metoh...

Eriku: Bashkoi fonemat!

Vasa: Ija...s’më del!

Eriku: S’të del? Kurrë mos të daltë!…

Vasa: E mbaj mend pak, ashtu si nëpër mjegull, se në gjuhën time flet edhe Ai.

Eriku: Cili?

Vasa: Ai atje lartë. (Bën me dorë nga qielli.)

Eriku: Për kë e ke fjalën?

Vasa: Për Zotin e madhërishëm.

Eriku: Pa, pa! (E prek ballin me dorë). Pash at Zotin e madhërishëm, ti mendon se... Ai ka gojë dhe flet në gjuhën tënde ?

Vasa: Po. Ka gojë, ka, si nuk paska gojë! Ka edhe vetulla, edhe flokë,  edhe veshë, edhe...  

Eriku: Domethënë... ti djali Zotit. Ti dhe Zoti...Bravos, bre bravos! Për besë nuk e kam ditur.

Vasa: Po.

Eriku: Si e ka babai yt emrin? (pauzë)

Vasa: Baba im e ka emrin...

Eriku: Ani, më trego ndonjë fjalë... Si të flet ai...babai...

Vasa: Unë për vete s’e kam dëgjuar, por...

Eriku: Boll mirë besa!...Ti gënjen! Ti je gënjeshtar. Ulu edhe njëherë në këtë karrige!

Vasa: Oh, jo! Mos!

Eriku: Ulu të them!

(Vasa ulet, rrëzohet dhe mbetet i shtrirë në dysheme, me krahë e këmbë të hapura.)

 


Skena 03.

 

( Bie zilja. Eriku  shikon nga syri i derës që vjen Hera dhe përpiqet ta fsheh Vason. E kap te shpatullat dhe e heq zvarrë nëpër dysheme, por pengohet te këmba e Vasos dhe bie mbi te. Hyn Hera e veshur me një fustan kimono. Ajo pa ia kthyer sytë Erikut që është i shtrirë në dysheme, nis e zhvishet. Eriku duket i shqetësuar. Te Hera lindin dilemat. Ajo nuk e fsheh xhelozinë kur e shikon të dashurin e saj me një të panjohur.)

 

Hera: ( Heq fustanin.) Erik... Erik... Lalushi im, ku je?

Eriku: (Pauzë.)

Hera: U zhvesha Lalush, a më shikon?

Eriku: Mos, mos u zhvesh!…

Hera: Ti më the...( E shikon Erikun mbi Vason. Duket gjysmë e lakuriqësuar.) Bo, bo! Kujt i paske hip!

Eriku:( Mbi Vason) Nuk i kam hip.

Hera: Zbrit se i ke hip!

Eriku: Po, vishu moj... se edhe unë do zbres...

Hera: Ti vetë më the që sa të vi, të zhvishem e të të pozoj, se duhet ta shikosh atë nishanin që ka formën e hartës... dhe ...(qan) Ë ë ë!

Eriku: Po, po të thash...

( Duke u ngutur që ta vesh fustanin, Hera pengohet te këmba e Vasos dhe bie mbi Erikun. Ajo nis e çirret me të madhe.)

Hera: O o o o of! O o o of!

Vasa: Uuuuu, këmba!

Eriku: Tu thaftë!

Hera: ( Çohet me shpejtësi. Duke rregulluar flokët dhe duke bërë me gisht). Cili është ky horr, zotëri Erik?

Eriku: (Shkund pantallonat.) Aq sa e di ti, e di edhe unë! Ma përplasën dy njerëz të panjohur këtu, para derës time, dhe ia mbathën...Ikën.

Hera: Prandaj ti rri mbyllur dhe nuk del natë e ditë prej shtëpie!...Bile - bile, pardje më the që të mos vi shpesh, se gjoja je shumë i zënë me hartën … Tradhtar!

Eriku: Çka flet moj!?

Hera:Trego, ku e mbaje ! Ku e fshihje, këtë njeri të hardallosur. Shikoje ç’farë trupi ka! I hollë, koc e lëkurë. I gjatë si plepi që s’bën kokrra…

Eriku: Më lejo shpirt!...

Hera: Në këtë farë atelie ti nuk vizaton më!... Ti nuk je hartograf, por... pederast. Dhe kë dashuron se! Ti dashuron një gomar.

     ( Del jashtë dhe hyn përsëri.)
Eriku: Mos ik!

Hera: Ç’është ky burrë këtu? (Cingërinë me zë të ulët. ) Të ishte grua, nejse... Mbase do ta kisha falur... Bre, bre! (Pauzë.) Ç’u shkalluan të gjithë burrat e botës! ...

Eriku: ( Sa për vete ) Ç’janë bërë këta njerëz kështu, mor aman! A të panë me një burrë!…(Herës.) Nuk jam tradhtar. S’të kam tradhtuar kurrë!

Vasa: S’tradhton ky!

Hera: E di ti, e di! Shiko, shiko çfarë balluke paska, si shpatë mali.

Vasa: Eh, ma pëlqejnë të gjithë.

Eriku: Kjo nuk ta pëlqen.

Hera: E paske ngritur përpjetë...

Vasa: Ju të dy... jeni fejuar?

Hera: Punë që s’bëhet kurrë.

Vasa: Shiko! Unë nuk dua t’ju prish punë...

Eriku: Jo, ti nuk e prishe, ti e dhjeve...

Hera: ...Fare, fare!

Vasa: Si, fare?

Eriku: ( Vasos) Këtu u sos muhabeti me ty, pikë. Dil!

Hera: O, po lere tani, të sqarohemi!

Eriku: Çka do të sqarohesh? Ky është prej atyre që e rrahën ferrën, kurse unë  jam ai që e zura zogun. Kupton?

Vasa: E zure zogun?

Eriku: Po.

Vasa: Nuk të kuptoj!

Hera: Jo, nuk të kuptoj.

Eriku: Ishte i imi ai! Kupto pak, o peshk!

Vasa: Unë...

Hera: (Vasos) Kurrë mos e merr burrin gënjeshtar.

Eriku: Ti lalushe, mua më bën gënjeshtar?

Hera: Më dukesh ca i dalldisur...

Eriku: As që më bie ndërmend të puthem me burrë!

Hera: Mbase hormonet...Njerëzit ndryshojnë.

Eriku: Ndryshojnë, a! ( I vërsulet Herës, e puth në dorë, në krah, në ballë, pastaj disa  sekonda në buzë.) Hera!...Vetëm ty të dua. Vetëm ty...

Hera: Në rregull, në rregull... Ik tani! (E shtyn.) Hiqu qafe! Nuk dua të puthem me ty!

Eriku: Me kë do puthesh mi zemër, pa më thuaj!

(E kap përsëri, e shtrëngon fort dhe e puth. Hera i shtrihet në krah.)

Vasa: Kam frikë.

Eriku: ( E kthen kokën nga Vasa) Plas!

Vasa: Ej, unë kam frikë kur njerëzit puthen!... Mos putheni! Përse putheni? E, ej, unë... ( Flet dhe i shkon rrotull Erikut dhe Herës. Ata vazhdojnë të puthen.)

Eriku: Hiqmu qafe se vet erdhe, unë nuk të thirra.

Vasa: Kur njerëzit e teprojnë me të puthura kris lufta.

Eriku: Ti dhjefsha besëtytnitë e tua!

Hera: Uuu, përsëri do krise a!? (Vasos.) Ku ishe ti gjatë eksodit?

Vasa: (Pauzë)

Eriku: Në birë të miut.

Hera:Unë isha në… buzë detit Jon. U lava, u shpërlava sa më deshi qejfi. Kam qenë rahat, se të gjithë të dashurit e mi i kisha në luftë. Edhe hartografi nuk më bezdisi.

Eriku: Edhe unë...

Hera:  Çka the ti?

Vasa: Përse ti?

Eriku: Edhe mua më kishe në luftë mi shpirt ! Sa letra të solla nga fronti.  Njësoj si Napoleoni, Zhozefinës. Hë, tregoi këtij! ...(Vasos) Si e ke emrin ti, mo!

Hera: Ha ha ha ! Emër kinez paska!( Vasos) Mirë je Mo?

Vasa: Mirë.

Eriku: ( Me ironi.) Si top është.

Vasa: Napoleoni dhe Zhozefina jetojnë në këtë anë të lumit, apo në atë anë?

Eriku: ( E përqesh) Zhozefina dhe Napoleoni......

Hera: Ha ha ha ! Edhe shtiresh sikur nuk ia di emrin!

Eriku: ( E merr me të mirë.) Jo moj, më plastë...Më plastë zemra që më plasi, as emrin nuk ia di këtij peshku, as...

Hera: Si do të besoj?

Eriku: Më gjete gafil.

Hera: Kisha dëshirë të të gjej gafil.   

Eriku: Eja ulu në prehrin tim!

Hera: Nuk dua!

Vasa: (Ulet në një skutë të dhomës, ashtu i mbledhur,  i frikuar, ia ngul sytë hartës së pështjellur dhe flet me vete.) Të egër janë , por mendjen e kanë te mbarsja... Sa kanë qejf të lindin fëmijë. (Ngre zërin.) O-o-o, më dhemb ! ( Shtrëngon kokën me dy duar.)

Hera: Shikon! I dhemb.

Eriku: Të dhemb? Plas, nëse të dhemb!

Hera: Nuk e kam ditur …Nuk do besoja po mos të kisha parë me sytë e mi. Ti përfund, e ai mbi ty... Apo, ai përfund, e ti mbi atë... Harrova si ju pash. Pas asaj pamje shokante, nuk më punon truri.

Eriku: Qetësohu lalushe!

Hera: Jo nuk mund të qetësohem. Ti qenke …ti qenke pederast bre vëlla! (Del vrik, e nervozuar.)

Eriku: Oh, mooos! Kthehu, Heraaa! (pauzë) (Vasos) Shiko çka më bëre more peshk! Haj tani mbushja mendjen asaj se unë nuk jam ( I merret goja) pe-pep…pep...

Vasa: Pep...Pipi...

Eriku: Përse more, Pipi jam unë ? Nise të tallesh këtu nën kulmin tim, a? ( Matet ti bjerë.)

Vasa: Dëgjomë! Lere atë mace! Nuk ishte për ty. Ishte shumë e dobët. Asaj, po ia more krahun të ia puthësh, do të të mbetet krahu  në dorë. Po ia more këmbën do të mbetet këmba...Merre një me gjoks të madh, me kofsha të trasha, me qafë të trashë…

Eriku: (Shikon nga dritarja.) Shife, shife! Paska shije të hollë ky gomari i Zeqos.

Vasa: Kam, kam.

Eriku: Ia ke parë veshët edhe sytë gomarit të Zeqos?

Vasa: Jo.

Eriku: Ti edhe ai, njësoj i keni...Edhe veshët, edhe sytë, edhe bishtin...

Vasa: U hidhërove kot. S’të thash gjë të keqe. Mund të rrish edhe pak pa martuar.

Eriku: Ik, ore ngordho! Edhe ti na ditke !

Vasa: Them për të mirën tënde.

Eriku: Mbylle!

Vasa: E mbylla.

 

  

Skena 04.

 

(Dëgjohet një trokitje e rëndë. Eriku i shikon nga syri i derës shokët e tij. Ai mundohet  ta fshehe Vason sepse ka frikë që edhe ata do nisin të dyshojnë.)

 

 

Eriku: Shokët.

Vasa: Cilët shokë?

Eriku: Shokët e mi, budalla! Shpejt fshihu diku, se do hyjnë...

Vasa: (Dridhet) Brrrrrr! Ku të futem ?

Eriku: Dridhu thi dridhu, se të kruhet e....!

Vasa: Ku më kruhet...Ku të fshihem ?

Eriku: Në birë të miut…Ku do të fus more aman! Bobo, çohu! Ec më shpejt, se edhe ata do të mendojnë se jam o pederast, o i dyshimtë... Kush do ti mbylle gojët e hallkut atëherë! Eh, ç’më gjeti! Sa të ikin këta mbathja! Dil prej shtëpisë sime se do të lyej me benzinë...

Vasa: Ani de, ani.

Eriku: Si, ani de, ani !? Po ti nuk merr veshtë as shqip, as frëngjisht as turqisht!…Se si më flet !... Njësoj si ata...djajtë. Fshihu këtu pas kësaj hartës së madhe!

Vasa: Nuk dua pas kësaj.

Eriku: Si ore nuk do?

Vasa: Ore, nuk dua pas Evropës...Dua pas Azisë.

Eriku:Hyr te them! ( E shtyn.)

Vasa: ( Futet pas hartës së pambaruar dhe nxjerr kokën.) Mos ju trego...

Eriku: Sh sh sht!

( Hyn Kudreti dhe Turaku)

Kudreti: Ç’kemi?

Eriku: Asgjë prej gjëje. Qe e pres Herën të hamë.

Turaku: Çka do hash?

Eriku: Oh, jo, hëngra. Unë kam ngrënë shumë. Bile edhe kafe kam pirë. Po ju?

Kudreti: ( Shtrihet në kolltuk) Erdhëm të pimë nga një gotë bashkë dhe të shikojmë se si punon, sa punon, sa lekë do marrësh…Puna e dorës është punë dore bre vëlla, s’ka të bëjë me industrinë, me makina...!

Turaku: Po pate kohë, mund të luajmë një parti shah...e pimë edhe nga një kafe se e pjekë unë.

Eriku: (Duke i mbushur gotat me raki rrushi.) Më keni zënë ngushtë. Sot nuk kam kohë. Luajmë nesër pasdite.

Turaku: Sot, sot. Sot duam ne.

Kudreti: Lere njeriun rehat se ka punë.

Eriku: E, hajde, gëzuar!

Kudreti: Hajde, gëzuar pra!

Eriku: Çke Turak! U preke në sedër?

Kudreti: He-he!

Turaku: Ej, Erik, sikur të lëviz ajo harta e pa mbaruar.

Eriku: Lëviz, lëviz…fryn era, fiuuuu! ( Lëviz pëllëmbët lartë e poshtë).

Kudreti: Jo, ore.

Turaku: Mos, ore!

Eriku: Po, ore!

Kudreti: Po ku frynë era në dhomë!...

Eriku: Frynë, frynë... krijohet rrymë nga dritaret e hapura.

Kudreti: Dritaret janë të mbyllura.

Turaku: Lëviz aty poshtë...

Eriku: Poshtë, poshtë…Gjithmonë ashtu ndodh. Gjërat nisin të lëvizin prej poshtë, e jo nga lartë. Edhe gjatë revolucionit ashtu ndodhi, lëviznin ata poshtë…kurse ata lartë hanin derr... d…ardha.

Turaku: Cili shtet, është aty?

Eriku: Ku?

Kudreti: Aty ku lëviz.

Eriku: ( Prek pjesën e pa vizatuar ) Ky është një shtet i ri. Këtu do jenë malet, fushat, lumenjtë, detet…Oh, jo nuk ka det. Pritni ta shkruaj se këtu nuk ka det…

Turaku: Ç’qenke hallakatur kështu, o hartograf! Ti ke qenë ekspert për gjeografi, e tani më shurdhon se ke dilema rreth asaj se a ka det, apo nuk ka!

Turaku: Edhe dridhesh.

Eriku: Dridhem, dridhem, kam ethe...

Kudreti: Ethesh?

Eriku: Po ethëm ndonjëherë...helbete burra jemi, e...

Turaku: Kjo, Kosova sikur të ka mbetur përgjysmë…

Kudreti: Dhe... dridhet!

Turaku: E e e e! Sikur për herë të parë është dridhur…

Kudret: Haj medet, haj!

Eriku: Po de! Ajo është mësuar të dridhet. Dridhu nga latini, dridhu nga turku, nga gjermani, nga italiani, nga serbi, nga bullgari…

Turaku: Jo, nga bullgari.

Kudreti: Jo, jo, nga bullgari.

Turaku: Edhe ai na duhej.

Eriku: Eh, mund të  ketë pas edhe ndonjë bullgar de...

Turaku: E-e, si jo! Ka pas ndonjë, ka pas!

Eriku: Ka ende?

Turaku: S’ka më. I numërove të gjithë tak e tak, e tak e tak… Kudreti: Bravos! ( I rreh shuplakat.)

Eriku: Faleminderit.

Kudreti: More, atje poshtë nisi të dridhet si shumë!

Eriku: Mos luan tërmet !? ( Fshehtas e prek fuqishëm llambadarin. Llamba lëkundet sa majtas, djathtas.)

Kudreti: Ou, nisen të më merren mendtë.

Eriku: Shikoni si luan llamba! Tërmet, tërmet. Dilni, dilni se luan llambadari. Ej, toka...dridhet toka!

( Eriku del jashtë i pari, kurse shokët ecin pas tij.)

 

 

Skena 05.

 

(Vasa gëzohet që për një çast mbetet vetë. Shtrihet në dysheme, i hap këmbët qosh e më qosh, mbulohet me hartën e Kosovës dhe nis e i ndez  cigaret një pas një. Pak më vonë e hedh cigaren e ndezur mbi hartë. I jepet flaka hartës së Ballkanit. Eriku  trishtohet.)

 

Vasa: ( Dëgjohet një fishkëllimë e fuqishme ere, pastaj muzikë.) Dridhu shtet dridhu! Sa i bukur je kur dridhesh! Oh, oh sa mirë ndjehem në këtë dhomë. Phu, t’i haj dreqi këta, sa të pathyeshëm që janë!...(Numëron me gishtërinj.) Një, ndaj një, gjashtëmbëdhjetë…Apartamenti im që ia mora me zor një horri, do jetë një kat më poshtë prej këtu. Unë jam nën…nën…Më mirë të isha mbi... Ëhë! Nejse, nejse! Po si të shkoj se!... Duhet të tërhiqem pak me mençuri. Populli i këtij harbuti thotë: “Dhashë një pare hyra në valle, jap njëqind nuk mund të dal.” Ti them se nuk më rrihet më, e faleminderit për mikpritjen...Pastaj, haj ditën e mirë, e mirë u pafshim!... Dhe, si fshehtas do të zbresë poshtë te apartamenti im.  Do e bëj një birë të madhe në dysheme... Oh jo, në tavan... dhe shtrak-shtrruk... Por, po më pyeti se ç’kërkoj poshtë, ose nga e kam origjinën, ose ku të flejë, si t’i them se … Nuk e di si më hodhën para derës së këtij, ata torollakët e mi. Mund ta fotografoja edhe prej poshtë këtë liliputin, këtë dhinë e zgjebosur. Unë për ujkun, e dera e ujkut para syve të mi. Si të mos hy brenda moj edhëzë ! Ti je e butë, e bardhë, e shishme, e... Edhëz, edhëz, edhëzë, hapja Vasos derën-ë... He-he! Aventurë, fantastike.

( Dëgjohet onomatopeja e ujkut, pastaj muzikë.)

Sa mirë vetëm. Bobo, sa lezet! More, mirë e bëri hartomani që më doli para. Do ia fotografoj hartën e pështjelluar, do ia flaki nga dritarja kolltukun, shandanët, abazhurët, lapsat dhe këta hartat gjeografike memece, pastaj do ia thyej dyert, dritaret dhe do t’ju telefonoj shokëve të vijnë të më marrin. (Ndërron vendet e karrigeve, kolltukut dhe hartave. Krijon tollovi.) Ah, sa sherre do i bëj. Nuk ia putha këmbën kot, jo! Kush plasi t’ia puth këmbën këtij. Bile edhe iu gjunjëzova. (Qan me zë. Bën dialog me veten.) O, populli im, mos kanë qenë djemtë e tu të shthurur? Nuk kanë qenë. Ç’do bënte SFRJ-a, pa ata? Asgjë s’do të bënte. A ju kullojnë plagët? Ju kullojnë. Po duart, a i keni akoma me gjak? I keni. Po shpërlani, përse nuk i shpërlani? I keni shpërlarë. A pështireni nga kufomat? Nuk pështireni. (Duke qarë.) Oj Ranko, oj Çubro, oj Slobo,oj,oj baba, mama...! (Pauzë. Nis e qeshet.) Ha, ha, ha, ha! Sa mirë ua kemi bërë. (I fshin hundët.) Do ma paguaj shtrenjtë ky hartomani. Ha, ha, ha! Do ia pështyjë hartat. Të gjitha do ia pështyj. Por, edhe mund ta vras. Po të më kujtohet do e vras... Nuk mund të jetoj pa i bërë asgjë... Do e detyroj që edhe ai të ma puth mua këmbën. Nuk dal prej këtu pa ma puth këmbën. Pastaj, ah pastaj ( Fërkon duart.) atë hartën e pështjellur si sarmë, do ia fotografoj dhe do ia shkarravis…Malet do ia bëj fusha, atë lumin që ma ndan qytetin do e bëj det… Ah, sa bukur! Ne në këtë anë, ata në atë anë! ( E shuan cigaren dhe ndez një tjetër.)… Eh, atëherë, kurrë nuk do ia shikoj  surratin. Jo, më mirë të bëj një oqean. Sa ma larg prej këtij, aq më mirë. Tërë ajo e mirë, një të keqe do të ketë, që nuk do mundem ta godas me gurë prej matanë oqeanit. Sa qenka punë e rëndë kjo puna e paparacëve. Unë Vasa vrasësi u bëra paparac.  Bah! Dashka edhe pak marifet kjo punë, po nejse, nuk jam edhe aq keq.  

Do duhet ta mashtroj këtë kokë alabastër. Në fillim do shtoj xhentilesën, do i krekosem e do i servilosem. Jo, nuk do i servilosem. Nuk më lejoi t’i servilosem. Është dinak gopi s’emës. Do e lë punën të rrjedhe vetë. Po, sikur ti jap para. Do ti jap një thes me para, e ta bëj për vete. Mbase do të më lejon të rri edhe ca ditë këtu. Pastaj, shtrrak, shtrruk, shtrruk!... Do e fotografoj atë hartën sekrete, hartat gjeografike fizike dhe hartat gjeografike memece... Pastaj do ia djeg shtëpinë dhe do e zhduki... (Dëgjohen pjesë nga muzika e valleve: ruse, greke, turke, spanjolle, kineze dhe luan nga pak. Rreh kraharorin.) Unë do loboj me kazarxhokët, sirtakët, flamengot, me rokerat, me rep e reget, me pajtushkat, me çoçeklerët...Na, na, na e ça, ça, ça !... Të gjithëve do ju them: A s’e shikoni ç’kërkojnë këta të marrët e Ballkanit !? Kërkojnë shtet me liqene, me dete e oqeane, me male të larta e fusha të gjëra... Nëse nuk më besojnë, do ua tregoj hartat e do ju them: Qe, shikoni!...

 Po nëse  nuk i do paratë. Apo s’janë kokëfortë këta. Nuk korruptohen lehtë jo! Më mirë të më kishin dhënë një pushkë se sa këtë aparatin fotografik modern. Me grykëhollë i kisha pastruar hesapet më lehtë. ( Drejton gishtin dhe bën sikur i ve në shënjestër hartat.

Eriku: Ballkanin, Francën, Anglinë...Brrrrrrrrrrr! Greqinë, jo. Kosovën...Brrrrrrrrrrrrrrrr! Jo, jo Kosovën e vockël, se është gjynah. O djepushin im! Ku e përkundi mendjen unë pa ty! Ti je mësuar të luhatesh, oja, oja, oja, ja! Nuk të vras ti, jo! ( E lëmon hartën e pambaruar të Kosovës.) Brrrrrrrr, USA,brrrrrr!

Eriku: ( Hyn Eriku .)Kë e qëllon me pushkë! Kë ?

Vasa: Askënd, asnjeri, askush... Nuk kam pushkë.

Eriku: Ç’është ky?

Vasa: Gisht.

Eriku: Vrasës!

Vasa: Nuk jam ...

Eriku: Çka ke bërë kështu?

Vasa: Më le vetë, e desha të luaj pak, se u mërzita. Edhe karrigeve ua ndërrova vendin.

Eriku: Me mund, edhe gishtin e bën pushkë.

Vasa: U lodha. Mezi e flas këtë gjuhë të rëndë. Bobo! Me pika, pa pika, lartë, poshtë... Me ca bashkëtingëllore të rënda, me ca zanore të shëmtuara...

Eriku:T’i lusha e ti bëfsha paragjykimet unë ty...! ( E kap, e mbështet për muri, ia ngre duart lart dhe ia hap këmbët.)

Vasa: Ç’ke ndërmend të bësh? (Pauzë)

Eriku: Do të vras.

Vasa: Ke armë?

Eriku: Për njerëzit si ti, mu bëftë  pushka, top. Ktheje kokën nga muri!

Vasa: Kot më bie më qafë...

Eriku: Nuk të besoj! Idiot. ( E le Vason të mbështetur për muri dhe ulet në kolltuk dhe ia kthen shpinën. E ndez televizorin dhe i ndërron programet me shpejtësi. Pauzë.)

Vasa: Mund të ulem?

Eriku:Jo.

Vasa:( Fshehtas nxjerr një cigare nga xhepi dhe e kall. Pas një kollitje të gjatë i dalin lot nga sytë. E hedh cigaren e ndezur mbi hartën e Ballkanit. Hartës i jepet flaka.) U,u!

Eriku: Flakë, flakë! Ah nënën ty, më dogje!

Vasa: Zjarr. ( Mundohet ta shuan.)

Eriku: Hartën, Ballkanin... E dogje Ballkanin!...( I hedh pak ujë.)

Vasa: Jo, jo!

Eriku: More ti edhe botën e kthen në kaos. Po, naa! (Ngre bërrylin.) Nuk mundesh...

Vasa: U shuajt.

Eriku: O, o, më shkatërrove, më shkallove...Jashtë! Dil se do të kalli...Nuk kam nevojë ti di qëllimet e tua; se përse erdhe, se përse mbanë aparat fotografik, përse ... Ik! Zhduku!

Vasa: (Del, rri një sekondë jashtë dhe hyn përsëri.) Nuk dal.

Eriku: Si, si the? Nuk del, a!?  

Vasa: Më ther ! Më çaravesh! Më bën copa- copa, nuk dal!

Eriku: Jashtë!

Vasa: (Del dhe hyn përsëri.) E harrova aparatin.

Eriku: Çka?

Vasa: E dua aparatin.

Eriku: Nuk ta jap pa e shikuar çka ke fotografuar.

Vasa: Haj, shikoje! Do të pres.

Eriku: Çka pret?

Vasa: Do pres ta kontrollosh ...Njeriu s’bën rahat askund...

Eriku: Ke peshën e gurëve në qafë...

Vasa: Ma fal atë hartën atje, dhe do iki. Mbase ty s’të duhet. (Bën me  gisht nga harta e pështjelluar.)

Eriku: ( Duke lozur.) Merre, këtë.

Vasa:  Nuk e dua,  Ball …ball… ball…

Eriku: Cilin?

Vasa : Nuk mundem, nuk më del.

Eriku: E do Ballkanin?

Vasa: Jo, jo.

Eriku: Merre Evropën?

Vasa: Jo, jo. Një mijë herë, jo.

Eriku: E di, e di, ti e do Amerikën. Merre!

Vasa:  Yf,yf ! (Mbyll hundën.) Vjen era keqe, si era pleh.

Eriku: Mua më vjen era?

Vasa: Amerikës...

Eriku: ( I afrohet Vasos. Mbyll hundën me gishta.) More ty të vjen era: Nga goja, nga këpucët, nga...

Vasa: ( Pas një pauze ju merr erë të gjitha gjërave nëpër dhomë dhe hiqet zvarrë deri te harta e Kosovës i merr erë.) Mm, kësaj i vjen era mirë.

Eriku: Lulëkuqe.

Vasa: Bozhure.

Eriku: Jo,lulëkuqe.

Vasa: Aaah!

Eriku: Eee, i vjen, i vjen.

Vasa: Kosovën e dua, nuk them se nuk e dua...(Qan.)

Eriku: Ku ik  hileqari, prej hileve.

Vasa: Mu kujtua një punë që i ka vdekur nana...

Eriku: (Pauzë.)

Vasa: (I fshin lotët dhe i fryn hundët.) Tani po dal. Lamtumirë!

Eriku: Mjaft ke ndenjur!

Vasa: Më thuaj edhe ti lamtumirë.

Eriku: Më mirë ik.

Vasa: ( Shkon deri te dera dhe kthehet përsëri.) Do para?

Eriku: Para!?

Vasa: Euro...

Eriku: Mos ke luajtur mendsh?

Vasa: Do të jap shumë. Hë, fol sa do? Do një thes ? (E prek xhepin që e ka të fryrë.)

Eriku: Jo, asnjë cent. Nuk shitem unë.

Vasa: As edhe një thes nuk do?

Eriku. Të thash jo.

Vasa: Eriçeee ! …

Eriku: Hë!

Vasa: Më thuaj urdhëro, të lutem!

Eriku: Jo, ty nuk të them kurrë, urdhëro.

Vasa: Gabon shumë.

Eriku: Nuk gaboj aspak.

Vasa: Eriçe, dua të të ndihmoj.

Eriku: Mos ma shëmto emrin!

Vasa: Përgjigju !

Eriku: Përse më dukesh gjysma njeri, e gjysma peshk?

Vasa: Më lejo ta vizatoj hartën.

Eriku: Ti nuk je hartograf.

Vasa: Kush të tha se nuk jam?

Eriku: Cilën hartë do ta vizatosh.

Vasa: Hartën e Kosovës.

Eriku: E vizatoj vetë.

Vasa: Atë lumin, të lutem!

Eriku: Cilin lum?

Vasa: Cili lum është ky?

Eriku: (Duke u tallur.) Lumi Xhamna në Indi.

Vasa: Ç’më duhet India mua.

Eriku: Lere se nuk di të vizatosh.

Vasa: Atëherë, kishën.

Eriku: Asnjëherë.

Vasa: Minierën.

Eriku: As minierën, as një wc. publike nuk ta lë...

Vasa: Nuk je fer Eriçe. Më le me gisht në gojë.

Eriku: I tillë ke ardhur.

Vasa: Sa  ke ndryshuar! Nuk je ... Nuk je mikpritës...

Eriku: ( I kruan flokët pastaj hundën, majtas djathtas, pandërprerë) Si, si the?

Vasa:  Ma lër ta vizatoj! Do e zbukuroj shumë atë hartë… do e mitizoj vëllaçko! Do ndërtoj, do trilloj një mit gjigant aty... Në mes të hartës. Ai do na ruaj nga e keqja, nga shtriga. E di ti që nesër i kujtohet shtrigës e vjen na jep molla. Një mua dhe një ti. Dhe... porsa ne t’i hamë mollët, do na mpihen dhëmbët e do na ngecin dardhat në fyt.

Eriku: Mollët.

Vasa: Mollët thash.

Eriku: Mos rrej! Dardhat the.

Vasa: Do vdesim Eriçe! Do vdesim! Ani le të vdesim, por dua të vdesim të përqafuar, ashtu si na mësonte shoku Tito. Ah Tito,Tito! (qan)

Eriku: Kurrën e kurrës!

Vasa: Eriçe, vdekja është e pashmangshme, prandaj mundohu të bësh qejf ... Edhe njëherë po të them: Hape gojën! Fol, sa të do xhani?

Eriku: Nuk dua asnjë lekë!

Vasa: (I hap sytë.) Ç’farë valute është ajo, le-le-lekë...?

Eriku: Përse më jep para?

Vasa: Që ta vizatojmë bashkë këtë hartën e pa mbaruar.

Eriku: Makut!

Vasa: Thuaj po, dhe...

Eriku: Do vdes me faqe të bardhë.

Vasa: Mirë e ke! Përse të vdesim kur mund të rrojmë sa të duam në këtë hartë…në këtë tokë të bukur e të shenjtë. Këtu në mes do e kemi një djep të madh. (Hap krahët.) Naa! Le të përkunden fëmijët, gjynah janë. Mund të përkundemi edhe ne të rriturit. Përse jo! Ah, trak e truk, e nani-nani i vockël, nani-nani... Oh, oh, oh! Nuk ka gjë më të bukur. Apo si kemi qejf ne ato punë...Mendoj, ju... Ju i keni qejf.

Eriku: Çka, ne?

Vasa: E do djepin, nani-nani, nani-nani !?

Eriku: Ti more biri i peshkut, ende mundohesh të ma pëlcasësh shpretkën mua?

Vasa: Do më lejosh?

Eriku: Jo, jo, jo edhe jo! ( Çirret.)

Vasa:  ( Merr pamjen e një njeriu të çmendur. Shkund flokët lart e poshtë.) Po , po, po, edhe po!

Eriku: Jo.( Sa për vete.) Eh, po ta kisha atë...(Bën me gisht shenjën e revoles.)

Vasa: Përse më thua jo?

Eriku: Nuk të duroj dot, je ziliqarë.

Vasa: Unë ziliqarë!?...

Eriku: (Me zë shumë të lartë.) Bile edhe mitoman, edhe delirioz, edhe paranojak, edhe shpellak, e i ndotur, e i lajthitur!  (Qeshet me ironi.) Ha! Bile edhe i rralluar, i shkalluar, i shkalluar i rralluar !

Vasa: (I përsërit fjalët e Erikut dhe i mbyll veshët me duar.) Mitoman, delirioz, paranojak, i ndotur, i lajthitur...

(Hyn, Hera.)

Hera: Erdha unë.

Eriku: ( Pa e shikuar Herën.) Mirë bëre...

Hera: Më falni që ua prisha muhabetin. Dëgjova që ziheni dhe thash se jeni ngopur me dashuri e … Tani s’keni ç’bëni prandaj ziheni.

Eriku: (Pa ia vënë veshin Herës)  Na, merre dhe vizatoje!

Vasa: Vërtet thua !?...

Eriku: Vizato një shqiponjë!

Vasa: Ç’the?... Shqiponjë?

Eriku: Me dy koka.

Vasa: Me një kokë. Nuk ka shqiponjë me dy koka.

Eriku: Ka, një.

Hera: Me dy, me dy.

Vasa: Jo. Jo, jo! Po deshe me një kokë.

Eriku: U ta prefsha kokën unë ty, hë!

Vasa: Mu kujtua!

Hera: ( I shikon e habitur herë njërin, e herë tjetrin). Më lejoni mua ta vizatoj se jam dorë lirë dhe e bëj një shtet të madh këtu që se keni parë e se keni dëgjuar kurrë!

Vasa: I kujt do jetë ai shtet?

Hera: I imi.

Vasa: Ku dinë gratë të vizatojnë, po nejse nxirre!... Nxirre dufin nga brenda!

Hera: O, si harrova se ti je maskulist!

Eriku: Edhe shovinist.

Vasa: (Me ironi.) Mirë e keni ju xhanëm. Në terezi e keni. Kush është si ju!...

Eriku: Ti e rrahe ferrën, unë e kapa zogun tim.

Vasa: Ma the njëherë.

Eriku: Do ta them edhe një milion herë.

Vasa: (Pauzë.)

Eriku: (Vasës) Leri llafet! Nxirre maskën dhe ma thuaj troç cili je dhe përse të hodhën në derën time si gjelin në plehra.

Vasa: Harroi ata budallenjtë që më hodhën. Eh, mu kujtua.

Eriku: Çka t’u kujtua?

Vasa: Aty në mes të hartës, do e vizatoj veten time se jam shumë fotozhenik.

Eriku Ti fotozhenik! Njeriu me turi peshku, fotozhenik. Ha ha ha !

Hera: Po të vizatuan ty në mes, krejt fëmijët e Kosovës, bile edhe ata të Ballkanit do bëhen për në spital, sepse do frikohen nga turiri yt. Unë nuk e kuptoj ky budallai im si të pëlqeu! Më mirë le të fëlliqej me Nikon...

Vasa: Jo, jo.

Hera: ( Me zë të lartë.) Bile Niko është më i bukur, më...si sherr budallai... Është grek. Ka pasuri të madhe, ka mite. Mitet na kanë vjelur ne, si kokrrat e rrushit; një nga një... Po, nejse! Është edhe politeist. Njeri me shumë zotëra. Lum ai. Gjithë ata zotëra ia mbajnë...gajlen. E ne, vetëm njëri...

Eriku: Hera, shko të lutem!

Hera: Do shkoj shpirt. Ditën e mirë!

Eriku: Mos ec këndej pari, derisa unë t’ia çaravesh maskën këtij mitomanit.

Vasa: Ditën e mirë! Edhe unë po iki...

Eriku: Jo. Do rrish këtu, sepse unë e ti, kemi ca punë.

Vasa: Vetëm unë edhe ti?

Eriku: Po.

Hera : Ububu, moj nëne ! A mito...man e ka emrin, a ?

Eriku: Jo, mito-kumbull!

Hera: Më fal Erik se... Mbase, të rashë më qaf kot, për këtë muto...mitomanin...

Eriku: S’ka gjë.

Hera: E kur do më kujtohet për... për të bërë dashuri...çka të bëj unë?

Eriku: Do të thirri shpejt.

Hera: Kur do ndodh ajo...Shpejt?

Eriku: Sonte, ose nesër mbrëma. Sa ta përcjelli këtë...

Hera: Nuk dua të bëjmë seks para këtij lugatit.

Vasa: Nuk dua të bëni seks para meje.

Eriku: Mos more!

Vasa: Po more!

Eriku: Ti më shpif ligje këtu në shtëpinë time?

Vasa: Po more! Jo more, jo! Nuk ka problem! Bëni ju ligje... Bëni edhe seks sa të doni. Po deshët edhe tani mund të bëni. Unë mund të fshihem këtu, pas hartës gjeografike memece.

Eriku: Rriqër është ky, rriqër. Kuku bre, do e mbys!

Hera: Mos Lalush, mos se nuk mund të shikoj njerëz duke dhënë shpirt...dmth. duke  vdekur.

Eriku: Shko lalushe, shko!

Hera: Po ta bëj qejfin lalush, po ta bëj…Prit të të puth!

Eriku: Erdhi momenti t’i pastrojmë hesapet unë edhe ky.

Hera: Më ndje lalush! Mbase mu hidhërove!

Eriku: Soji i këtij na ka ngatërruar me vëllanë, me motrën...edhe me gruan.

Hera: Afrohu, të ta puth ballin! (del). 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Skena 06.

 

( Skena duket gjysmë e errësuar. Eriku dhe Vasa duken si të përgjumur. Eriku është veshur me këmishë të kuqe. Ai çohet ngadalë dhe  ravijëzon kufirin e Kosovës në hartë. Porsa shtrihet Eriku në divan, çohet Vasa i veshur me këmishë të zezë. Vasa e merr ngadalë aparatin prej aty ku e ka fshehur Eriku, fotografon hartën dhe pastaj e fshin kufirin që e ka ravijëzuar ai. Pas pak përsëri çohet Eriku, ravijëzon kufirin që e ka prishur Vasa. Kur shtrihet Eriku, përsëri çohet Vasa e fshin. Kështu ndodh disa herë me radhë.)

 

Vasa: (Çohet e kap hartën me kordele e hap dhe mundohet ta  pështjell ashtu si ishte më parë.) (Sa për vete) Përse këtë e ka pështjellur kaq me kujdes!

Eriku: (Zgjohet nga zhurma e letrës.) Atë mos e prek!

Vasa: E hapa.

Eriku: E hape?

Vasa: Po.

Eriku: E shikove?

Vasa: Po.

Eriku: E, plas pra!

Vasa: (Pauzë.)

Eriku: E fotografove?

Vasa: Dua ta fotografoj që ta kem për kujtim.

Eriku: Nuk mundet.

Vasa: Të lutem!

Eriku: ( E merr hartën e pështjell përsëri.) Kurrë të mos të të bjerë ndërmend ta prekësh edhe njëherë !

Vasa: A bën vetëm pak?...

Eriku: Jo, të thash!

Vasa: Ani de, ani!

Eriku: Mjaft më, me këtë : Ani de, ani.

Vasa: Ani...

( Cingëron zilja e telefonit dhe e derës. Vjen një polic. Eriku dhe Vasa vishen si në skenat e mëparshme.)

Eriku: ( Duke u veshur dhe duke kruar sytë.) Kape! Oh, hape!

Vasa: Çka të hapi?

Eriku: Derën.

Vasa: Cingëroi zilja?

Eriku: Nuk e di.

Vasa: Sikur cingëroi!

Eriku: Lere edhe njëherë të cingëron se mund të hyjë ai ujku që i hëngri edhat.

Vasa: Eh, kohë satanai. Gjatë komunizmit i mbanim dyert hapur qosh e më qosh...

Eriku: Edhe turirin bashkë me prapanicën, i mbanit hapur qosh e më qosh...

Vasa: Ani de...

Eriku: Të kam thënë mos e prek atë hartë. Shiko çka ke bërë këtu !

Vasa: Bjere ta rregulloj!

Eriku: Mos... Lere ! O, nuk të duroj dot.

Vasa: Mësohu të më durosh!

Eriku: Sa ti pastrojmë hesapet...

Vasa: Këtu ndjehem aq mirë!...

Eriku: Si mund të ndjehesh mirë nën kulm të huaj?

Vasa: E lakmoj...

Eriku: Si the, si?

Vasa: Lere! Bie zilja.

Eriku: Le të bjerë.

Vasa: Do shurdhohet.

Eriku: Idiot.

Vasa: Ani, de, de...

Eriku:Trego përse më shkele pragun, dhe merre aparatin, ik!

Vasa: Qe, qe, po dal! ( Merr aparatin, mbath këpucët dhe bëhet gati të del.)

Eriku: Së pari fol, pastaj mbathja!

( Përsëri cingëron telefoni dhe zilja e derës.)

Eriku: Kape, hape!

Vasa: Hape, kape ti!

Eriku: Ti derën, unë telefonin! ( Ngatërrohen dhe rrëzohen të dy në dysheme).

(Polici Xhim shtyn derën me forcë dhe futet brenda. Të dy i gjen të  shtrirë.)

Polici Xhim: Hellou! I am here!

Eriku: Ok. Please !

Polici Xhim: Haudujudu!

Eriku: Qe, po qërojmë hesape.

Polici Xhim: Më falni që hyra kështu. I rashë ziles disa herë e ju... Kemi urdhër të bëjmë identifikimin e banorëve të lagjes tuaj, dhe...

Eriku: Okej. I re, i re, nuk ka problem.

Polici Xhim: Where are you? Your homoseksual !? Fine, fine.

Eriku: Jo, jo. Ky është endacak. No freand... No my ghost...guest...Ku ta di unë cili është ky.

Polici Xhim: Letrat e identifikimit. Leje njoftimi, pasaporta, libreza shëndetësore... çka keni mi jepni t’ua shikoj.

Eriku: Një sekondë, ju lutem!

Polici Xhim: (Vasës) Edhe ju?

Vasa: What !?

Polici Xhim: Pasaportën tuaj ju lutem! Mos u tremb! Ne bëjmë një kontroll shtëpi më shtëpi. Do t’i evidentojmë, dhe do t’i identifikojmë banorët e kësaj lagjeje.

Vasa: Unë nuk kam... Nuk e di cili jam. (Erikut) Vërtet cili jam unë?

Eriku: ( Sa për vete) Si ta quaj këtë thi tani !... Thi…Eh!…

Polici Xhim: Thi! Ky e ka emrin thi…Tii!...ha ha ha ha!

Eriku: Kush e përmendi derrin?

Vasa: Mbase ia ka ënda derrin, e …

Eriku: Ku e ha derrin unë, more thi?

Vasa: Hë, mirë më ra ndërmend të të pyes diçka, tani në këtë çast.

Eriku: Fol!

Vasa: Më thuaj ti Er…

Eriku: Ik!…

Vasa: Më thuaj ti Ik…Erik…

Eriku: Ti duhet të ikësh.

Vasa: Përse nuk e ha derrin?

Eriku: Nuk më shijon.

Vasa: (Bën me gisht nga polici.) E di ky miku që ti nuk e ha derrin?

Eriku: E di.

Vasa: Dhe nuk u gajas...Nuk u tall... Nuk e prishi imazhin për ty?

Eriku: Nuk të shkon më kungulli mbi ujë.

(Vasa ec lartë e poshtë sepse është shqetësuar nga polici. Shkel pa dashje hartën e Ballkanit dhe e përlyen me gjonin e këpucës).

Eriku: Hartën , hartën…

Vasa: Çka?

Eriku: E shkele hartën e Ballkanit tim.

Vasa: Ballkani është i imi.

Polici Xhim: Stop! Mos ziheni!

Eriku: Për këtë hartë ti thyej turinjtë ti bëj naaa... sa të thiut.

Vasa: Për Ballkanin?

Eriku: Jo more për hartën.( Me ironi)

Vasa: E do Ballkanin?... E do, e do. E do Kosovën?... E do, e do...

Eriku : Do i marr, do i bëj përshesh dhe do ti jap  ti hash për darkë. A, ta ka ënda ?

Vasa: Jo, se ha përsheshin!

Polici Xhim: Stop please! Ju thashë të mos ziheni para meje.

Eriku: Ky nuk më le rehat zoti polic!

( Të dy shtyhen me duar, si fëmijë.)

Polici Xhim: Stop! Stop! Për një hartë  rriheni? Mua mu duk se ju të dy... ( Çon dy gishta të bashkuar përpjetë.) Dashuroheni.

Eriku: Me këtë shkop për të trembur sorra?

Vasa: Jo, jo... Nuk jam shkop.

Eriku: Hartën e kam vizatuar për qejfin tim. Zotëri Xhim, ky nuk është shoku im. Nuk bashkëjeton me mua. Është një kalimtar  rasti. Era do ta fryjë përsëri andej nga ka ardhur. Mu fut brenda duke u zbythur...

Polici Xhim: Zbythur... Dont andersten! Nuk marr veshtë!

Eriku: U fut te unë, bythëpraps.

Polici Xhim: Ok!

Vasa: As unë nuk i kuptoj.

Eriku : Ti ke paragjykime, halucinacione...

Vasa: Gjuha ime është më e bukura në botë.

Eriku: Eh, mendje - mendje!

Vasa: E di unë, e di. Nuk i kam harruar të gjitha...

Eriku:Tregoi policit përse ke ardhur në shtëpinë time dhe lere historinë tënde që i ngjan asaj përrallës me shtriga.

Vasa: Vërtet përse kam ardhur!?

Eriku: Fol!

Vasa: Kam ardhur në t’pamë.

Polici Xhim: Çdo të thotë kjo?

Vasa: Ashtu e kemi traditë ne të kësaj lagjeje, shkojmë futemi diku dhe themi kemi shkuar në t’pamë. Me pa, de.

Eriku: Ky erdhi të ma prish...( Me ironi) jo more të ma zbukuron hartën e Ballkanit. Kur flejë unë, ky i vizaton dy tufa lulesh të bardha, një në krye të Ballkanit, e tjetrën poshtë.  Kështu, Ballkani duket si një varr i madh...Si ka dëshirë ky ta shikon. Vetëm në këtë pikë këtu, nuk mund të biem dakord sepse ky është mitoman dhe ka merak këtu brenda të harton një përbindësh të mitizuar ...( Bën me gisht nga harta e Kosovës.) Unë e vizatoj hartën pa djaj e mite, pa kulte tiranike... Ky ma fshin. Kur  e vizaton ky, e fshijë unë... (Ia luan syrin policit. Duke u tallur.) Zoti polic Xhim, unë kam vendos ta murosi këtë, këtu të gjallë, që të mos më prishet harta. Ha ha ha!

Vasa: Nuk të vjen gjynah?

Eriku: Hmm! Tani mu kujtua. Ky thi gjithmonë mi ka prishur urat, shtëpitë...

Vasa: Jo, unë jo! T’i kanë prishur ata që luajnë sirtaki, ose ata që luajnë çoçek. Unë kam qenë larg teje.

Eriku: Larg ke qenë, larg... Shumë larg...

Vasa: ( Pauzë.)

(Eriku ia zgjat pasaportën policit.) Qe Zoti Polic, pasaporta ime!

Polici Xhim: Ok. Profesioni!

Eriku Gjeograf... hartograf.

Polici Xhim: (Vasos) Ju zotëri me çka merreni?

Vasa: I pa punë.

Polici Xhim: Profesioni juaj?

Vasa: I bie gajdes.

Eriku: Gajdexhi, muzikë, la la la la! Ha ha ha!

Vasa: Mos deshe të të them kasap.

Eriku: Ti kasap?

Vasa: Jo, jo! Kot u talla. Ty, ty, tyyyyy!

Polici Xhim: Si e ka emrin koautori?

Vasa: Vas...vas...vas...

Polici Xhim: Ooo, good! Ti, gjerman je?

Vasa: Nuk jam gjerman.

Polici Xhim: Dokumentet!

Eriku: Ky është mitoman dhe paparac.

Vasa: I  adhuroj, i adhuroj...

Eriku: Njëherë i shenjtëron fenomenet, i mitizon, pastaj i grabit...i uzurpon...

Vasa: Mos më prek në shpirt!

Eriku: Fshati që digjet nuk do kallauz. Të gjithë t’i shikojnë sytë me vezullim dhelpre !

Vasa: Eh ...

Eriku: Ky është gënjeshtar zotëri Polic Xhim.

Vasa: Mi kanë djegur dokumentet këta. Ky...Kush?  Jo, jo ky. Nuk e di cili! Më beso të lutem! 

Polici Xhim: Nuk të besoj. Nuk mundem, sepse ashtu më ka mësuar mamaja. Ajo më ka thënë: Mos ju beso anonimëve, mitomanëve sepse janë të rrezikshëm!

Vasa: Jam i sëmurë, vuaj nga amnezia.

Eriku: Edhe i sëmurë, edhe fodull, edhe kryelartë...

Polici Xhim: Sa është ora tani?

Vasa: Nuk e di.

Polici Xhim: Ti...mito...Pas pesë orëve këtu më ke. Nëse nuk i ke dokumentet do të burgosi.

Vasa: Ok.

Eriku: Hiqma qafe këtë njeri Zoti Polic!

Polici Xhim: Do kthehem pas ca orësh. Erik, kujdes! Mos e lësho derisa të kthehem unë ! (Del.)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Skena 07.

 

( Eriku qëndron në atelie. Tani duhet ta ruan Vason të mos ik. Vjen Hera. Ajo dëshiron të bën dashuri me Erikun. Eriku nuk i tregon Herës që i panjohuri është ende aty.) Hera hidhërohet me Erikun sepse i duket pasiv dhe i dyshimtë. Ajo nxjerr revolen që ta vret Vason.)

 

Hera: (I lajmërohet Erikut në celular) Alo, alo lalush! Shpirt! Mu sos durimi. Do vdes po nuk të pash sonte. Ah, sa kam mall! U dogja, më del flaka. Më kupton? A, iku ai pederast...paparaci ? Tallesh!... Sa inat i kam paparacët. Gjithë Ballkani është mbushur me paparac. Edhe Kosova. More tërë bota vlon nga paparacët. Sa të bezdisshëm që janë. Ok. Pas pak, aty më ke. Dua të të lëmoj, të të puth... Të mbeti harta pa e vizatuar more zog! Vet më the që ke dëshirë të ma shikosh atë hartën e vockël gjeografike, në trupin tim. The se ka një pigment pak më të theksuar, pastaj as tatuazhin nuk ma ke puthur... ë ë, do qaj!Ok. U pafshim!

 

Eriku: ( Mbyll telefonin dhe flet me vete.) Mos qaj e dashur, mos qaj! Ku ta dija unë i gjori se do më hyje rriqra! Haj, ec e nxirre rriqrën prej trupi! Ajo të futet në damarë, e ta pi gjakun ta...ta ha mushkërinë...(Vasos) Ç’më shikon si dac? Më mbete në derë. Oh, më çmende, më çmende! Për një shpifje ma bëre shtëpinë lëmsh. Tani edhe pak do të vjen Hera. Më vonë, vijnë shokët të luajmë shah...Ata do ikin, po të panë këtu.

Vasa: Ke dëshirë të iki?

Eriku: Edhe pyet...

Vasa: Nuk ke dëshirë të shihemi më?

Eriku: Jo.

Vasa: Je pesimist?

Eriku: Unë pesimist! Në tërë botën kam miq.

Vasa: Ma jep aparatin dhe do shkoj.

Eriku: Ku do shkosh tani!?

Vasa: Nuk e di.

Eriku: Nuk guxon të shkosh se duhet ta presësh policin.

Vasa: Jo, nuk e pres. Do iki tani. (Niset të del.)

Eriku: ( E kap me forcë.) Rri këtu!

Vasa: Më lerë rehat!

Eriku: Vetë e ke lypur.

Vasa: Nuk mundem të rri.

Eriku: Do rrish dhe do plasësh.

Vasa: Do vras veten, po nuk më le të iki... Do thonë e vrau hartografi.

Eriku: ( Merr një thikë kuzhine.) Na, vraju! Nxirri zorrët jashtë, po deshe. Fare nuk më dhemb prapanica për ty.

Vasa: ( E merr thikën e shikon dhe luan me te.) Është e vogël. Do më lër gjallë e për serë. Më jep një më të madhe.

Eriku: (Dëgjon zhurmë takesh.) Erdhi!... Erdhi!

Vasa: Erdhi !?

Eriku: Po erdhi. Fshihu!

Vasa: Kush erdhi?

Eriku: Borëbardha.

Vasa: Ku të fshihem?

Eriku: ( Nervoz.) Hyn në prapanicën time!

Vasa: Ma hap këtë dhomën e mbyllur, këtë konklavën tënde pra!

Eriku: Mos e trash muhabetin se...

Vasa: Po hy këtu.

Eriku: Jo. Aty do hy unë edhe Hera.

Vasa: E unë?...

Eriku: Hyn, në bir të miut!

(Dëgjohen trokitjet e takeve të këpucëve, pastaj zëri i Herës.)

Hera: Erik, Eriiik...Erdha lalush, erdha! Hape, hapeee!

Eriku: Një sekondë Hera! (Vasos.) Futu pas hartës së Ballkanit!

Vasa: Pas  Kosovës...

Eriku: Futu aty ku të thash! ( Herës) E hapa Hera ime, e hapa!

( E hap derën qosh e më qosh, hyn Hera e veshur me një fustan dekolte, ngjyrë blu. Ajo ka vënë në kokë një fjongo të bardhë dhe duket si nuskë. ( Vendon në vazon prej qelqi tufën e karafilave të kuq dhe shkon të mbush ujë për lulet. Eriku i vihet pas  nga frika se mos i afrohet hartës ku është fshehur Vasa.)  Sa bukur qenke veshur! Kur e ke blerë fustanin? Nuk ta paskam parë.  Qenka pak i shkurtër, por të rri shumë bukur.

Hera: Flm. lalush. E kam blerë për ty. Dua ta kënaqi shpirtin tënd.( I hidhet në qafë dhe e puthë në ballë, në faqe dhe në buzë.) Oh, sa i ëmbël je! (Pauzë)

Muzikë, përse nuk ka muzikë. Ti i ke harruar tenorët tanë. As shtratin nuk e ke shtruar, as petale të thata prej trëndafili nuk ke hedhur, as nuk e ke ajrosur atelienë! Ah, edhe qirinj nuk ke ndezur. Sikur  e ke humbur sensin për romantiken, për të bukurën. Çka ke lalushi im?

Eriku: Nuk pata kohë.

Vasa: Bre,bre! Edhe bishti i këtyre na ditka... ! I paskan hyrë salltanetit...

Hera: Çka the?

Eriku: Kush? Unë? Po, po unë. Normal që unë...Kush guxon tjetër të flet... (Afron kokën aty ku është fshehur Vasa.) Ia thyej nofullat. Harrova zemër. Isha i lodhur.

Hera: (Duke u lazdruar e duke ia prekur buzët me gishta.) Përse?! Je shumë i emocionuar. Më ngadalë...

Eriku: ...Nuk e shikon si më është bërë dhoma tollovi! Edhe disqet nuk e di ku i kam lënë.

Hera: Iku ai paparaci i poshtër ?

Eriku: Iku.

Hera: Eh, shyqyr! Kur iku?

Eriku: Pak, para...

Hera: Oh, sa lirshëm marr frymë tani. Oh,oh!  Erik, më beso se nuk mund ta shikoja atë fytyrë, më dukej si fytyrë shkau. Ma merrte frymën...(pauzë)

Eriku: Më thuaj ndonjë fjalë të ëmbël.

Hera: A të zhvishem?

Eriku: Prit edhe pak.

Hera: Përse të mos zhvishem?

Eriku: Rri se unë do të zhveshi.

Hera: Hë, më bëj ti një deklaratë!

Eriku:  Herën tjetër. Nuk mundem tani.

Hera: Më bëj, më bëj!

Eriku: (Përpiqet të duket i emocionuar.) Të kam lule, të kam zog, të kam shpirt...Mjaft për sot.

Hera: Nuk mi the të gjitha... Nuk mi the...

Eriku: Të kam grua seksi, të kam hartë me fusha e male... Malet dhe fushat me lule shumë ... Gruaja ime, ne do martohemi dhe do bëjmë...

Hera: Dua bebe. Eja të bëjmë bebe!

Eriku: Nuk jemi martuar.

Hera: Të gjithë bëjnë bebe pa u martuar.

Eriku: Be - be - be - be...bebe! (Pauzë.)

Hera: Erik, Erik! (Mbetet pa frymë.)

Eriku: Fol zemër, fol!

Hera: Shiko !

Eriku: Ç’të shikoj?

Hera: Aty, sikur ka njeri të gjallë.

Eriku: Jooo! Çne!  Ku e shikon?

Hera: Aty more! A lëviz ajo harta e Ballkanit, apo mua më bëjnë sytë.

Eriku: Lëviz, lëviz...Eja të hymë në dhomë!

Hera: Nuk dua të hy në atë dhomë se është terr...edhe divanin e sollëm këtu... Atje s’ke ku ulesh! Ka edhe pluhur.

Eriku: Këtu lëviz...

Hera: Mos ka hyrë ndonjë mi?

Eriku: Ka hy, ka hy.

Hera: Nuk e di përse i kam inat minjtë.

Eriku: Edhe unë.

Hera: Cilët minj i ke më shumë inat, ata të shkurreve apo këta të shtëpisë.

Eriku: Edhe ata , edhe këta...

Hera: ( E imiton Erikun) Edhe ata, edhe këta...Ti flet sikur i shikon,  dhe i ke këtu parasysh, minjtë.

Eriku: Ndonjëherë kam halucinacione.

Hera: E ke ilet nga lufta.

Eriku: Iletet merren edhe në paqe.

Hera: Au, shiko!...Përse lëviz Ballkani?

Eriku: Edhe Kosova lëviz.

Hera: Jo, Kosova nuk lëviz.

Eriku: Nuk është edhe aq fodulle prandaj...Eja ! Eja!

Hera: Erik, kam frikë.

Eriku: Paj, edhe mund të na shikon dikush...

Hera: Të gjitha dritaret kanë perde.

Eriku: Njerëzit nuk kanë perde.

Hera: Çka flet kështu i dashur!?

Eriku: Eja, ulu në prehrin tim! ( Hera i ulet në prehër, Eriku e përkëdhel ngadalë.)

Hera: Erik, ma shiko nishanin! Shikoje! ( Hera merr frymë thellë dhe nis e zhvishet  ngadalë deri në bel.)

Eriku: Stop! Mjaaaft! Mirë je...

Hera: Nuk ke dëshirë të më shikosh të lakuriqësuar në këtë natë të bukur me hënë e me yje?

Eriku: Jo, jo!... Nuk shikoj as hënë, as yje...Sot, jo.

Hera: Ç’je bërë kështu ti?...Ok. tani lëvize gishtin te kufiri i hartës sime.

 (Eriku lëviz ngadalë gishtin në skajet e një shenje të murrme në trupin e Herës. Shenja ka formën e një harte të vogël gjeografike.) Ha ha! Erik po xigëlohem. Ha, ha Erik !... Ma prek edhe akrepin pak!

Eriku: Cilin akrep?

Hera: Tatuazhin.

Eriku: Hera ime, unë jam ekspert, jam specialist në fushën e hartografisë.

Hera: Erik!

Eriku: ( Duke e puthur në faqe.)Mmm!

Hera: Dua bebe!

Eriku: Më the njëherë.

Hera: Erik, unë dua që sonte ta bëjmë një bebe. Do bëjmë një vajzë të bukur si hëna. Edhe emrin do ja lëmë Hana. Eja, eja!

Eriku: Po, po Hana. ... Shpirt, do e bëjmë nesër mbrëma.

Hera: Njësoj është...(I afrohet dhe e përqafon me afsh. Ata puthen. (Pauzë.)  Hera mundohet ti hip sipër, ia vendon njërën dorë te rripi,  duke u përpjekur t’ia zhvesh pantallonat, Eriku e largon.)

Eriku: ( Me zë të shterur.) Më ke mua mi zemër edhe fëmijë, edhe gjithçka...

Vasa: (Me zë të ulët) Ky është i vetmi shqiptar që nuk do bebe. Budallai!

Hera: (Largohet nga Eriku.) Lalush, mos foli dikush?

Eriku: Ashtu të bënë veshët.

Hera: Dëgjova zë njeriu.

Eriku: Bebja...bebja do punë ...

Hera: Nuk do shumë punë.

Eriku: Po do bërë, po do lind, po do të hajë që të rritet, po do mi shkarravisë hartat, po do mi grise, po...   

Hera: Ti përse nuk zhvishesh Erik?

Eriku:( Shikon Vason që hap sytë nga e plasaritura e hartës.) Oh, si të të them...Nuk mundem ...

Hera:Të ka humbur burrëria miku im!

Eriku: Jam bërë si breshkë zemër. Kam frikë ta nxjerr kokën në shtëpinë time.

Hera: Mos ke nevojë për ilaçin viagra?

Eriku: Jo,çne!

Hera: Mos u turpëro! Kam lexuar se shumica e burrave në botë, e përdorin...

Eriku: Jo.

Hera: Po deshe do shkoj të blej disa, për këtë muaj.

Eriku: Të thashë, jo.

Hera: (Vishet e nevrikosur.) E kuptoj. Ti nuk më do më...Mbase...

Eriku: Të dua shumë.

Hera: Je bërë impotent?

Eriku: Mirë jam.

Hera: Ke filluar t’i duash ata të gjinisë tjetër...

Eriku: Kurrë!

Hera: Je bërë transeksual?

Eriku: Sa të çuditshme jeni ju gratë!

Hera: Dashuron dikë tjetër!? (pauzë) Më thuaj, më thuaj është mashkull apo femër?

Eriku:Të dua vetëm ty.

Hera: Atëherë përse më neglizhon lalush? U bë një muaj që nuk kemi flejtë bashkë.

Eriku: Do flemë, do flemë zemra ime!

Hera: Dua sonte...

ERiku: Jo sonte.

Hera: Përse?

Eriku: Frikohem Hera.

Hera: Ti frikohesh!? Ha ha ha! Edhe këtë e dëgjova prej gojës sate!? Si nuk të vjen turp! Shiko si të ka ikur gjaku nga fytyra! Ti gënjen, gënjen...

Eriku: Jo, nuk frikohem unë more!

Hera: E shikon!

Eriku: Turpërohem...

Hera: Gënjeshtar!

Eriku: Nuk të gënjej.

Hera: Mos luaj...

Eriku: Ti thuaj çka të duash dhe bën çka të duash, por unë e shikoj... Ai lëviz.

Hera: Lëviz!

Eriku: Shikoje!

Hera: Cili lëviz?

Eriku: Ball...kan...kani...

Hera: Po, po. Vërtet lëviz...Mbase  i ke hapur të gjitha dritaret?

Eriku: Të gjitha janë të mbyllura.

Hera: ( Me zë të lartë) Eriiik!

Eriku: Fol!

Hera: Oh, Erik...(Alivanoset në krahët e Erikut.)

Eriku: Fol, moj fol! ( I bie me shuplakë fytyrës. Pauzë.)

Hera: Më duket se pas Ballkanit ka një njeri! Ia shikoj majat e gishtërinjve.

Eriku: Ka.

Hera: Ma jep revolen!

Eriku: Ma kanë marr.

Hera: Kush ta mori?

Eriku: Është e ndaluar me ligj, mbajtja e armëve në shtëpi.

Hera: Prit!

Eriku: Ç’të pres?

Hera: Kam unë një të vogël në çantë. Ku e lash çantën? (Sillet vërdallë nëpër dhomë, kërkon çantën.)

Vasa: Uaaa! ( Del si i hutuar dhe e hedh thikën e vogël në dysheme.)

Hera: ( Nxjerr një revole femrash nga çanta.) Ua! Ky... Ky akoma qenka këtu. Oh, Erik bre! Shiko, shiko ku e hodhi thikën!... Përse më gënjeve Erik? Po, ky mund të jetë ndonjë pervers, ndonjë vrasës, ndonjë maniak që i do burrat. (Drejton revolen nga Vasa.) Do të vras! Maniak!

Vasa: Mos, të lutem!

Hera: Mos lëviz!

Eriku: Është paparac.

Hera: Peder apo Paparac?

Eriku:Po...

Hera: Si po! (Vasos) Ulu këtu në këtë karrige (Bën me gisht nga karrigia me tri këmbë.) dhe thuaje të vërtetën! Po e lëvize edhe gishtin e vogël do shtijë, do t’i hedh trutë në tavan.

Vasa: Ki mëshirë se je femër! Mbase ke zemër të butë... Kjo karrige ka tri këmbë.

Hera:Ulu!   

Eriku: Do mi përlyesh hartat!

Vasa: Mos! Të lutem, mos! (Rri pupas përmbi karrige sepse nuk guxon të ulet, që të mos rrëzohet.)

Eriku: Kujdes Hera, se do ma dhesësh projektimin hartografik.

Hera: Ti dreq, si na e kishe emrin ?... Nejse, s’ka rëndësi! Më trego mua drejtë, a je paparac, pederast apo maniak...(Pauzë.) Fol!

Vasa: ( Sa për vete) Bobo ç’ më gjeti! Çka t’i them se...!  Ti them paparac, do më dënojnë. Ti them pederast, do më... (Pauzë.)

Hera:( Sa për vete. ) Dua t’i pastroj hesapet njëherë e përgjithmonë me Erikun. (Vasos) Fol, fol!

Vasa: Jam, jam... Pederast. I dua burrat. Ç’të bëj! Të atillë më ka lindur  nëna.

Hera: Kaq desha. Unë e çmendura i besova këtij. ( Bën me gisht nga Eriku. E shkrep një plumb në tavan. Merr çantën dhe niset të del, por Eriku e mbështjell me të dy krahët.)

Eriku: Rri këtu!

Hera: Paç veten në qafë!

Eriku: ... Jooo, nuk është ... Është paparac. Ka ardhur të më spiunojë. Ma jep revolen! Tani unë do t’ia derdh trutë, jo ti! ( Ia merr revolen Herës dhe ia ve Vasos në mendje.) Gënjeshtar! Ke gënjyer Londrën, Parisin, Berlinin...Tërë botën e ke përlyer me rrena. Fol, se ma helmove gjakun! E, mjaft  të durova! Fol përse mu qase në derë?

Vasa: ( I frikuar.) Pa-pa-pa-pa-rac... Jam paparac. Ky është zanati im i vjetër.

Hera: (Mbulon fytyrën me pëllëmbë dhe del duke folur.) Paparac, papa...!

Eriku: Eh-eh, prit! Më duket se të njoh... Tani ta njoha zërin. Nuk më kujtohet emri. Kam kujtuar se je i vdekur. O, ende nuk mund ta marr me mend, në je ti ai shpifësi...( Kap telefonin) Alo, alo  Polici Xhim, ky është një spiun...Ejani më shpejt ju lutem! (Ulet këmbëkryq në mes të dhomës dhe mban ballin me dorë.)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Skena 08

 

 

(Vijnë Kudreti, Polici Xhim, Niko dhe Turaku. Vasa duket i frikuar. Ai rri me shpinë të kthyer nga spektatorët. Eriku duket hijerëndë. Polici mendon se duhet të ndëshkohet Vasa. Pak para se të mbaroj shfaqja, në ballë të skenës, paraqitet harta e shtetit të ri. Ajo është harta sekrete, të cilën nuk e kishte shikuar askush përveç Herës.

 

 

Polici Xhim: (Vasos) Sa është ora?

Vasa: Nuk e di.

Eriku: Gjashtë pa një çerek.

Polici Xhim: Erdha me kohë. Jam i saktë.

Vasa: Po.

Polici Xhim: Identifikohu!

Vasa: Nuk kam dokumente.

Polici Xhim: Dokumente nuk ke, orën nuk e di...Na thuaj, çka di ti dhe çka bën ti?

Vasa: Unë di shumë.  Jam erudit. Nuk bëj asgjë të keqe...Fotografoj.

Eriku: Nuk je erudit more shkop delesh, por je paparac.

Kudreti : Paparac !

Polici Xhim: Kudret, Niko edhe ti Turak ejani këtu! Eja edhe ti Paparac! Rri karshi këtyre! Ju të tre shikojeni mirë. Shikojeni, shikojeni!  Mos keni as turp, as frikë.

Kudreti: Nuk kemi as frikë, as turp!

Turaku: Jo, ç’ne!

Niko: Unë nuk jam prej këtu, jam transit. Ha ha!

Polici Xhim: Shkoni rreth e rrotull këtij dhe shikoni mirë, prej te koka deri te këmbët. (Pauzë.) E shikuat?

Të tre: Po e shikuam.

Polici Xhim: E njihni këtë njeri?

Të tre burrat: Po, si të themi!

Polici Xhim: Ti Niko kur ke ardhur në këtë qytet?

Niko: Ka nja pesë vite që shkoj e vi këtu, Zoti Xhim.

Polici Xhim: Të pëlqen?

Niko: Po, shumë.

Polici Xhim: Edhe mua.

Vasa: Edhe mua.

Eriku: E dimë të gjithë, se ke merak ta lëpish këtë vend...

Polici Xhim: Ti Niko, jeton në këtë apartament?

Niko: Po.

Polici Xhim: Trego nëse e ke parë... A e njeh këtë person.

Niko: Unë, edhe e njoh edhe nuk e njoh.

Polici Xhim: Si e njeh, edhe nuk e njeh! Cili është misioni yt në këtë vend?  Mos je edhe ti polic?

Niko: Unë... Jam, jam misionar. (Përdridhet.) Edhe jam...

Polici Xhim: Fol, Niko, aq sa di.

Niko:  Kur them se e njoh, më kujtohet një burrë me një palë sy dhelpre, që mi ngul mua sa herë hyn e del, në derën një kat nën ne. Hyn fshehtas. Vetë hyn, e vetë del. Gjynah. Më duket  i vetmuar. Nuk besoj që është hajdut. Mbase nuk ka dëshirë ta shikon askush. Kur them nuk e njoh...Më falni, po unë i gjori nuk i mbaj mend fytyrat e meshkujve sepse nuk guxoj t’i shikoj dy herë në sy...Më kaplojnë emocionet.

Polici Xhim: Ah, Niko, Niko!

Vasa: Ky është prej atyre...Të këtillë  ka pas plot Olimpi.

Polici Xhim: ( Vasos) Prej cilëve?

Vasa: Prej sojit të pederastëve.

Polici Xhim: Le të vepron si i do qejfi, po nuk i bëri dëm askujt.

Eriku: Mos i fyej njerëzit këtu në pragun tim!

Vasa: Nuk e fyej më.

Niko: Lere se e kam dashur shumë. Nuk kam besuar që është kaq i egër. Nuk e dua më. Ha, ha!

Vasa: Edhe ti kundër meje, a?

Niko: Edhe unë, biri yt Bruto. Ha, ha, ha! (Aktron duke hapur krahët.)

Vasa: I bën sherr vetes.

Polici Xhim: (Vasos) Ti ke bërë shumë sherre. Me të gjithë je kacafytur...

Niko: Ku di gjë unë!

Vasa: Ti hesht dhe shiko punën tënde!

Eriku: Ore, se ç’më përngjan në një njeri të mbrapshtë... Si e kishte emrin... Nuk më kujtohet emri, por e di se kur ishim fëmijë na frikësonte, na  kërcënohej, na vidhte paratë dhe na hidhte librat në lum...

Kudreti: Kujtohu... Haj, kujtohu si e kishte emrin!

Eriku: Në maj të gjuhës e kam, por...

Turaku: Po, po, ai duhet të jetë.

Eriku: Cili?

Turaku: Ai që na rrihte, na vidhte...

Kudreti: Hajdut?

Polici Xhim: Kleptoman?

Turaku: I poshtër!

Polici Xhim: Nejse...ti dëgjojmë të tjerët.

Eriku: Ky, me siguri ka vra  njerëz nëpër territoret e ish SFRJ-së.

Vasa: Nuk kam vrarë.

Eriku: Thuaju se ke vrarë dikë, dhe se mu fute në shtëpi të bësh një udhë e dy punë... Të fshihesh dhe të fotografosh. Thuaju!

Vasa: Jo, nuk mund të them se...

Polici Xhim: Qetësohu Erik!

Kudreti: Edhe  mua më duket i dyshimtë.

Turaku: Ej, mu kujtua! Unë e kam shikuar në mal.

Polici Xhim: Ke qenë në mal?

Vasa: Kam qenë.

Polici Xhim: Bari je ti!

Vasa: Bari.

Turaku: Atje ku e kam shikuar unë, nuk kishte asnjë kafshë të butë, vetëm kafshë të egra.

Vasa: Po...Ta zëmë se i kam ruajtur kafshët e egra.

Eriku: I ke ruajtur derrat e egër?

Niko: Ha ha ha!

Kudreti: Bari derrash.

Vasa: I kam vrarë dhe i kam ngrënë.

Turaku: E tregoi emrin, ky?

Kudreti: Vërtet si e ka emrin?

Eriku: Tani s’ke ku ik, thuaje emrin!

Turaku:Thuaje, thuaje!

Niko: Kush e di sa të lezetshëm ma ka...Ha, ha, ha!

Polici Xhim: Thuaje!

Vasa: Vasa.

(Kudreti mbështetet në një skaj të ateliesë dhe  nuk i heq sytë nga Vasa.)

Turaku, Eriku: Vasa!?

Vasa:Vasa more, Vasa jam.

Niko: Ai... nën mua. Ha ha !

Eriku: E dija. E ndjeja...

Turaku: Ikni se Vasa!

Eriku: Është i rrezikshëm.

Turaku: Nuk është i armatosur.

Eriku: Nuk ikim. Nuk frikohemi më prej Vasës.

Polici Xhim: Vasss...Vasa.

Eriku: Vasa oh Vasën e nanës!

Turaku: Emër i njohur për të keq.

Eriku: Ti je Vasa përfund meje, a?

Vasa: Jo. Po, po, përfund...

Turaku: Sa paska ndryshuar mor aman!

Kudreti: Duket si gogol.

Eriku: Më bëre budalla.

Vasa: Pa qëllim të keq. Ashtu kot. Dëshiroja të luaj...

Polici Xhim: Mund të të kushtojë shumë kjo lojë, ti o paparac!

Vasa: (Policit.) Zoti polic Xhim, unë shumë i dua hartat, prandaj dëshiroja t’i ndihmoj Eriçes.

Eriku: Më quajnë Erik, boll ma shëmtove emrin.

Vasa: Më fal!

Eriku:( E kap kokën me dy duar) Pu, pu, pu, çfarë budallai që jam! Cili më bëri budalla se... Ky ... Vasa! Ore, i shikoja unë disa njerëz të dyshimtë që hynin në shtëpinë e tij qysh në komunizëm. Hynin-dilnin;dilnin-hynin...Hanin e pinin dhe e këndonin këngën e ndonjë djepi pre druri... Më vonë e kuptova se ishin spiunë. Fëmijët e lagjes nuk i merrte gjumi prej zhurmës që e bënin këta. Po kujt ia mbante t’ju thotë gjysmë prej gjysme se... Tërt, i haje dhjetë vjet...  Ose të shkonte koka!

Polici Xhim: Heshtni, please!

Vasa: S’kam bërë asgjë.

Polici Xhim: Hesht edhe ti Vass-a! ( Thekson më shumë zanoren a.) Pa më thoni cili nga ju, di diçka më tepër për paparacin?

Kudreti: Ikniii!

Eriku: Qetësohu! Përse bërtet?

Kudreti:Unë ika.(Niset të del.)

Niko: Uf, sa keq! Ika edhe unë.

Turaku: Ku të ikim, pse të ikim?

Eriku: Priit! More, mos shikon zjarr diku !?

Kudreti: Më  keq se zjarri.

Eriku: Ky ka vënë bombë. Këtu ka bombë. Ky, ky... ( Bën me gisht nga Vasa.)

Polici Xhim: Ke vënë bombë?

Niko: O, jeta ime e shtrenjtë, mbaruam!

Turaku: Bobo, do na vrase të gjithëve. Shiko pas hartave Erik! ( Të gjithë kërkojnë nëpër atelie.)

Vasa: ( Me zë të lartë.) Jooooooo! Nuk kam vënë kurrfarë bombe.

Kudreti: ( Kudreti alivanoset. Eriku i hedh ujë. Ai mezi vjen në vete.)  Hapni sytë!

Eriku, Turaku, Niko, polici Xhim: I hapëm.

Kudreti: Ky është ai!

Eriku: Cili? Fol!

Kudreti: Vasa që ka shkruar  referat gjenocidial në vitin 1937, për zhdukjen e farës sonë.

Turaku, Eriku: (Të habitur dhe të shqetësuar.) Po, a! Uaaa!

Vasa: ( I trembur) Nuk jam unë ai. Nuk jam unë. (Erikut) Pasha kishën e shenjtë, nuk jam unë.

Turaku: E njeh ti, atë horr?

Vasa: Jo, nuk e njoh.

Eriku: E ke xhaxha?

Vasa: Nuk e kam. Nuk e njoh.

Kudreti: E njeh, e njeh. Ti je kipci i tij, por ashtu të bëjnë dardhat tani, se do ta shpëtosh kokën.

Vasa: Unë nuk jam si ai.

Turaku: Pak më despot...

Kudreti: Më falni shokë!...Ju trishtova... Pata emocione...

Polici Xhim: Okej.

Eriku: (Vasos.) Thuaj ç’kërkove këtu?

Vasa: Nuk jam unë...Kisha dëgjuar që je hartograf dhe doja të të ndihmoj.

Polici Xhim: Kuptohet që nuk je ti ! Tani jemi në vitin ...

Eriku: 2005

Vasa: Zoti polic, këta mu kërcënuan me armë.

Polici Xhim: Cili t’u kërcënua?

Vasa: Ky bashkë me të dashurën.

Polici Xhim: Si do kishe vepruar ti, nëse dikush hynte në shtëpinë tënde, e t’i frikësonte njerëzit e shtëpisë?

Vasa: Kisha pi ndonjë gotë, e ...

Polici Xhim: Thuaje të vërtetën!

Vasa: I kisha ndëshkuar, por nuk i kisha vrarë.

Eriku: Edhe ti askush nuk të vrau, por mund të ndëshkohesh.

Vasa: Mos, ju lutem! S’kam bërë asgjë.

Polici Xhim: Do duhet të të ndëshkojmë.

Vasa: Përse?

Polici Xhim: Do shikojmë ç’thotë ligji...( Ia vendon Vasos duart në verige.)

Vasa: Cili ligj?

Polici Xhim: Eja pas meje!

Vasa: Aparatin. E dua aparatin!

Polici Xhim: Aparati do mbetet këtu.

Vasa: (Pështyn hartën e Evropës dhe të Amerikës, pastaj nis e i shan.) Phu! Phu!

Polici Xhim: O, my god! Edhe për këtë do ndëshkohesh.

Vasa: Nuk i njoh ligjet e këtyre, as tuajat. 

Eriku: Jashtë!

Vasa: Nuk dal.

( Polici mundohet ta merr me vete, por Vasa i kundërvihet. Polici e heq zvarrë nëpër skenë dhe e nxjerr jashtë.)

 

Kudreti: Kontrolloje aparatin, Erik!

Niko: Është prej këtyre me teknikë më të re. Ktheji fotot mbrapsht!

Eriku: ( I shikon fotot që i ka bërë Vasa.) Shikoni shokë! Kur arriti ta fotografon hartën e pështjellur se!...Atë e kam vizatuar vite, e vite me radhë.

Kudreti: Cilën?

Eriku: Hartën sekrete. Ashtu e ka quajtur Hera. Vetëm ajo e ka parë . E kam bërë me përkushtim...

( Hyn Hera, duket e bukur dhe e gëzuar.)

Kudreti: (Herës.)Ai e kishte fotografuar edhe hartën sekrete.

Hera: Nuk i thonë kot paparac.

Eriku: I hasi sharra në gozhdë këtij farë paparaci.

Hera: Erik, hape ta shikojmë!

Eriku: S’ka asgjë sekrete Hera! Eja me mua! Qe, shikoje shtetin tënd! Le ta shikojë gjithë bota ! ( Të dy kthehen të përqafuar nga harta e paraqitur në mur. Kudreti edhe Duraku mrekullohen kur e shikojnë hartën, kurse Niko rri anash duke e shikuar Herën dhe Erikun. Ata qëndrojnë gatitu para hartës. Edhe spektatori shikon në ballë të skenës hartën e shtetit të ri, të paraqitur në mur me video-bim.)  Ç’thua ti greko, ë !? Ç’ke që nuk qesh tani?

Niko: (Duke qeshur, i rregullon flokët me pështymë.) Ha ha! Unë ta heq kapelën shqipe. Nami i mirë  shkon përtej detit.

 

 

                                             FUND

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora