Kulturë
Vladimir Marku: Cikël me poezi nga libri: Nga “Leonardo Da Vinçi” tek “Pearson”
E marte, 29.12.2009, 07:23 PM

Cikël me poezi nga libri: Nga “Leonardo Da Vinçi” tek “Pearson” 2009
Nuk e di se çfarë kërkoj
Nuk e di se çfarë kërkoj
Aeroporteve, vërtet nuk e di
I ngas si kuajt hapësirat
Si i çmendur, nuk e di
Qyteteve të botës shikoj rrotull
Ethja digjet në sytë e mi
Dal e hyj nëpër re
Loz me diellin kukamshefti
I numëroj pendët një ylberi
Por çfarë kërkoj nuk e di
I njoh unë rrugët qiellore
Dhe planetin e njoh me pëllëmbë
Bukuroshen time shtojzavalle
E di ku është, por s’mund ta gjej.
Mbi Atlantik
Larg nga ty, mbi Atlantik
Turbo që nxitojnë të më largojnë
Dhe ti që më afër më rri
Mbi Atlantik, dilema lëkundet
Në destinacion të mbërrija
Apo si engjëll tek ty të vija
Ajër dhe ujë midis nesh
Ti e paharruara dhe e shtrenjta
Dhe e dashura që nga pas më ndjek
Me të urtën zemër
Do të doja tek ti të vija
Si engjëll.
Përqafimi
Në një përqafim universin kisha
Mrekullinë e mëndafshtë të flokut të saj
Nektari i luleve qëndisur aromat
Oh, lumturi që më bënte të qaj.
Fshehur fytyrën në flokun si ëndërr
Krahët shtrënguar rreth një fërgëllime
I dehur isha, në qiellin e shtatë
Kisha në krah një lule psherëtime.
E butë, e ngrohtë, e ndrojtur e bukura
Nën një përqafim që fund do t’ishte
Një çast parajse në qeshjen e saj
Një çast lumturie zemra do t’më kishte.
Do ta kujtoj, e ëmbla zemër
Përqafimin e fundit, të mëndafshtin flok’
Ngrohtësinë e qeshjes, zjarrin e syve
Dhe ti mos e harro të dashurin shok’.
Do të këndoja për ty …
Do të këndoja për ty, në gjunjë, këngët e tua
Do të gatuaja për ty, çfarë ke të preferuara
Në shtrat mëngjesin do ta sillja me një karafil
Do të të shikoja në sy natë e ditë
Me admirim të harlisur në sytë e mi
Do t’i lidhja duart me të tuat
Deri në shkrirje, deri në amëshim
Do të të pëshpërisja fjalë blete
E trurin do ta zbrazja nga mobiljet e vjetra
Po edhe shpirtin, gjithë kënaqësi
Për ta mbushur me mirënjohje e dashuri
Se ti më dhe jetë, mikja ime
Më dhe arsye të jetoj, më dhe mua
Prandaj strehëza jonë është në zemrën time
Dhe, për ty, ëndrra jote do të jem, deri në fund.
Celulari
Një celular besnik, mbi krevat
Ta dish, zemër, nëse nuk e di
I hapur rri, gjithë drithërimë
Në gatishmëri, se mos merr ti.
Me shpresë e shoh dhjetra herë
Natë qoftë apo ditë
Se mos ti ke bërë një zile
Se mos ti m’ke kthyer sytë.
Atë udhëtim kur ta marrë
Celularin me vete do ta kem
N’më kujtofsh ti një ditë
Prej andej do t’përgjigjem.
Një celular besnik mbi krevat
Nga krahu ku flije ti
I hapur rri gjithë drithërimë
Ti këtë nuk e di.
Nuk e di ku je!
Kafshatën e muzikës dikur bashkë e ndanim
E qeshura akoma nuk është tharrë
Me mbiemra të ëmbël përkëdheleshim
Flinim së bashku në ikjet dhe në ardhjet
Me lulet e mallit ditët tradhëtonim
Netët duke pritur bashkë me padurimin
Nuk e di, e dashur, se ku ke ikur
Muzikën dhe dritën me kë i ndan
Vallë të zgjon një varg i bukur?
Apo tjetër ëndërr ty të zgjon?
Frymëmarrjen time e more me vete
Duke munguar, gjakun ma ngrive
Nuk ma dhe shpresën që vdes e fundit
Do të firmos kontratën me jetën tjetër
Pa ty, ëndërr e keqe ësht’, o Zot, kjo jetë.
Ketri
Nuk e pashë më atë në pemë
Unë një gjitar isha
Dhe ajo një ketër.
Lozëm shumë bashkë
Dhe u deshëm shumë
Lozonjarja Ketër
Besniku gjitar.
Malli lindte dhe perëndonte
Pastaj lindte prapë
Në zemra të ngrohta
Miqësia këndonte.
Po Ketri është ketër
Rron lart ndër pemë
Për një gjitar
Malli nuk e merr.
Tek pema e pres
Ketrushën lozonjare
Unë një gjitar isha
Dhe ajo një ketër
Si një shtojzavalle.
Sytë e tu!
Zgjoheshe natën duke qarë
Dorën zgjasje e më kërkoje
Kishe frikë se s'isha më
Qeshjen tënde ti ma fale
Heshtjen e bukur dhe zërin muzikë
Timbrin e dashur të shqetësimit
Dhe ëmbëlsinë e dashurisë
Fjalët dhela dhe veten tënde
Duart plot dritë e melodi
Por mbi të gjitha blerimin e syve
Që paqe më jepte e lumturi
I butë jam dhe i ndjeshëm
Kështu tërë jetën do të jem
Por për sytë e tu mund të vras
Dhe të shemb tokë e qiell
Se një burrë i dashuruar
Do të të presë sa t’ke’ jetë.
Kthej kokën
Ngre sytë e përlotur të natës
Vështroj ballkonin e qiellit të vrarë
Ku zonjusha e vogël ditë
Ka nderë retë për t'i tharë.
Retë thahen dhe unë lagem
Në palcë të shpresave vetmia
Dielli i shpirtit perënduar
Në dhimbje gjithësia.
Kthej kokën nga vetja ime
Sa më dhimbsen sytë e mi
I përmbytur nga mendimet
Retë thajnë mbi mua shi.
Komentoni
Artikuj te tjere
Albert Zholi: Mevlan Shanaj “grindet” me Ibrahim Kovaçin e vërtetë
Përparim Hysi: Kur qelepiri të delë nga hundët
Demir Krasniqi: Gazelet turkoaziatike - virus në muzikën shqipe
Halit Bogaj: Zhan Mare (1913 – 1998)
Dhurata Hamzai: “Kostumi” italian nuk e mbuloi dot dështimin e Festivalit të RTSH-së
Kalosh Çeliku: Bariu me kërrabë Qeverisë Vitin e Ri ia uron
Vangjush Saro: Kandidat për mbrëmjen e Vitit të Ri
Doli në shitje revista letrare ''Stili '97'' Nr. 49/50, 2009
Kujtim Mateli: Thëllëzat
Petraq Risto: Poezi nga libri i ri ''Apo-ka-lypsi''
Fadil Curri: Antologji e krijuesve n?n Rrap
Në vënd të një urimi për Vitin e Ri nga Julia Gjika (Cikël poetik)
Kristaq Turtulli: Peizazhi i buzë mbrëmjes
Juliana Pasha fiton Festivalin me këngën e Ardit Gjebresë, shkon në Evropian
Poezi satirike nga Nehat Jahiu
Vllasova Musta: Libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë”
Gëzim Mekuli: Baladë
Poezi nga Ekrem Ajruli
Poezi nga Yll M. Lajçi
Gjon Keka: Trazimi i martesës politike