Kulturë
Kristaq Turtulli: Peizazhi i buzë mbrëmjes
E hene, 28.12.2009, 08:13 PM

PEIZAZHI I BUZË MBRËMJES
POEMTH
Nga përgjakja e qiellit,
Retë janë te hutuara,
Të topitura.
Shtyhen ato, ngacmohen,
Përdridhen, përplasen,
Ngatërrohen.
I përgjërohen petkut të zjarrtë,
I ka mërzitur uniforma e bardhë,
e hirtë, e pështirë.
Ne lakuriqësi,
Ndjehen prostituta të sinqerta.
Ka ndryshuar moda,
Nga emocioni,
Me vështirësi marrin frymë,
Të treten duan, të përvëlohen nga afshi i zjarrtë.
Është akti i fundit
Nga thertorja ditës,
Në pragun e perëndimit të diellit.
Sy madhi,
Magjistari,
I pamëshirshmi,
Jete dhënësi,
Lëviz ngadalë,
Gjithë ceremoni.
I janë fashitur, shuar epshet.
Flakërohet sfondi i qiellit,
Në zjarrin e trishtimit...
Zëra te hidhëta, të largëta,
Të shurdhëta,
të fund dheut,
dhe fund skajit,
si shtriga,
Ulen dhe ngrihen anembanë,
Bërtasin, ulërijnë:
“Më në fund u kryqëzua dielli
Si Krishti,
U mbërthye me qindra miliarda gozhdë,
Po flaket në humnerë,
Te groposet njëherë e mirë.
Ju lutemi shikojeni, dita u mplak, u rrudhos,u ronit,
mezi mbushet me frymë.
U bë kufomë.
Urra-urra -urra,
O burra përmbi ta,
Ha- ha- ha- ha!”
Duket sikur gjithçka
Digjet nga flakët e mëdha.
Pallatet shumëkatëshe,
Godinat e vjetra.
Hijet e pyjeve te lashta,
Shpirtrat e Inkasve enden në monopate,
Hapat e tyre hallakaten nëpër baltëra,
Erërat e shekujve lëpijnë trupat e zhveshura.
Sy brengosur vështrojnë,
Hukatin, rënkojnë,
Qytetërimi i tyre ka humbur pa lënë gjurmë,
Ne Harkun e humbjeve të mëdha...
Kuqëlojnë
Meridianët e përdredhura të autostradave,
Të përmbytura nga makinat.
Qytetet e monopoleve,
Si vajza plaka,
Kane dritë- hije ne vetvete,
Nen ethet e krizës ekonomike...
Liqenet alpine duken të përndezura,
Janë thyer, kalbur varkat e vjetra.
U shkrinë akujt e akullnajave,
Ikën patat duke ngritur miliona stërkala,
fluturuan të trembura.
Fushat pa anë u mbuluan nga mjegulla.
Trenat e shpejtë,
Zhduken rrëmbimthi në barkun e tokës,
Sjellë dhe përcjellë,
Pjellë,
Gëzimet, brengat, hallet, shqetësimet e njerëzve..
Në aeroporte
Motorët e avionëve qëndrojnë të ndezura,
Të paduruar, përgatiten të fluturojnë,
Si shpendë grabitqarë,
Naftë dhe tym anembanë,
Avionët marrin hov shkëputen nga toka,
Çajnë zhurmshëm drejt reve,
Befasisht shndrohen në zogj të vegjël shtegtarë,
Në dritëza të vogla.
Avionët shpejtojnë të mbërrijnë në hemisferën matanë,
Drejt së voglës,
Të mrekullueshmes,
Vendlindjes sime,
Trëndafilit mes maleve të lartë.
Ti rrëmbejnë ditës disa orë,
Mos i mbërthejë mbrëmja.
Avionët humbin tutje,
Duke lënë pas vijëza të holla si puthje.
Ndërkohë përcëllohen dëshirat e tretura,
Ëndrrat e parealizuara,
Puthjet e dëshiruara,
Ngrihen, valëzohen, dallgëzohen dashuritë,
Të pakujdesshme,
Të uritura,
Të lodhura,
Të shpëlara.
Nëna e kapitur,
Me shallin e vjetër,
Të grisur,
Mbulon fëmijët gërdhuzë.
Babai nxiton në punë turn i tretë,
Ai nuk e ve re përpëlitjen e ditës,
Flakërinin e buzë mbrëmjes,
Magjinë dhe tronditjen e kohës,
Fëmijën e ka të sëmurë.
I verbri trokëllin bastunin në rrugën me gurë.
Nata për të është kular në qafë.
Përplasen makinat,
Urgjencat të nervozuara uturijnë.
Përvëlohet ambienti nga zjarri i fundit,
Së bashku me vrullin e humbur,
Është thjeshtësuar seksi,
Bërë limonadë e thartë,
Ndehur ne telin e marrëzisë.
Gëzimet e shfryra zvarriten tutje,
Kërleshen me etjen për të sunduar,
Vrarë,
Pasuruar.
Diku dëgjohet e qara e fëmijës së porsa lindur,
I madh është loti i plakut të lodhur,
Nga rrugëtimi i gjatë.
Ai ka harruar të puthë,
të flasë,
të mendojë,
Ai është si një copë dru i flakur në rrugë.
Inatet nuk shterojnë.
Nuk shuhen kurrë,
Xhelozitë,
Marrëzitë,
Hasmëritë,
Në këtë fund mbrëmje.
Sfinksi i gjithëpushtetshëm është kudo,
Ka mbërthyer botën si një gogël,
I merr frymën,
E mrekullueshmja,
E domosdoshmja,
E tmerrshmja,
“E pavlera,”
Paraja.
Syri i flakëruar,
I magjishëm i diellit është i saktë,
Lëviz, shket, lehtë, ngadalë,
Ai është babaxhan i mirë,
(Dikush sokëllin: dielli është kodosh me brirë,
Ju lutem heshtni, mos më flisni mirë për të,
Ai të lë me barrë...)
Sidoqoftë,
Sy zjarrti,
Nuk ka çfarë të bëjë,
Është çasti i ikjes.
Më në fund flaku përdhe,
Buzëqeshjen e venitur,
Të fikur,
Si kartëvizitë.
Retë janë të mpira,
Të shkalafitura,
Ato ndjehen të fyera,
Iku, humbi,
I madhi, dashnori.
Ato janë bërë të errëta, të zeza.
Toka veshur hollë,
Në këmishë të tejdukshme,
Lëviz shpatullat e zhveshura,
E pavëmendshme si një koketë.
Rrotullon kryet të gjejë kthinë të qetë,
Në përgatitjen e tualetit të radhës.
Por e vogla hënë,
Si një monedhe metalike e përdorur,
Duket e trembur,
e zbehtë.
Toka nuk mund të gjejë shëmbëlltyrën e vet në të.
U kollit qielli rëndë-rendë,
Tërhoqi mbas vetes pelerinën e pafundme,
Të përcëlluar, shpuar prej kometave,
Nga xhepat e thellë,
Shkuli disa copëra qelqe,
I flaku përtej, i bëri yje.
Kapelën rrezoi mbi sy,
U mbyll në vetvete.
Toka u drodh,
Ndjeu të ftohtë,
Ç’ti bëjë hënës së vogël sa një kopsë,
Për të mos u kallkanosur,
U mbështoll me pallton e errët, të trashë.
Ra nata.
U bë firomë dhe një ditë.
Në trilionët e trilionëve të ditëve të ikura,
të tretura...
Në asgjë...
Komentoni
Artikuj te tjere
Juliana Pasha fiton Festivalin me këngën e Ardit Gjebresë, shkon në Evropian
Poezi satirike nga Nehat Jahiu
Vllasova Musta: Libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë”
Gëzim Mekuli: Baladë
Poezi nga Ekrem Ajruli
Poezi nga Yll M. Lajçi
Gjon Keka: Trazimi i martesës politike
Demir Krasniqi: Më shkoj jeta krejt me tutë
Mazllum Saneja: Ditari im (III)
Dhurata Hamzai: Parid Teferiç: “Onufri” kthehet tek Onufri
Remzi Salihu: Struktura ironike e muzës poetike
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë uron profesor Peter R. Priftin
Recensione për librin e autores Behare Rexhepi, ''Në kërkim të dashurisë''
Moikom Zeqo: Një kryevepër e panjohur e Pjeter Bogdanit
Vargje dimri nga Skënder R. Hoxha
Suzana Kuqi: Këngë e ëmbël
At Viktor Demaj: At Gjergj Fishta Tetë letra nga Korrespodenca
Halit Bogaj: Pse
Zef Mulaj: Shqiptarët dhe Lahuta e Malsisë
Përparim Hysi: Profesori