Kulturë
Mazllum Saneja: Ditari im (III)
E diele, 27.12.2009, 08:53 PM

DITARI IM
19 IX 1992
Prapë ndihem keq. Ndiej neveri ndaj gjithë atij bagazhi që është vulgare, e vogël dhe nuk mund dot të kuptoj se përse gjithnjë kredhem në këtë ndyrësirë. Prej nga e tërë kjo urrejtje në mes të njerëzve. Dhe, a thua kjo është e vërtetë?
4 VIII 1993
Më kujtohet si sot 4 gushti i vitit 1976. Bënte një vapë e padurueshme, e madhe. Dielli sikur përvëlonte me rrezet e veta. Që në mëngjes vendosem bashkë me babain të shkonim për t’u larë në lumin e Erenikut.Sikur pashë për një moment vetveten të shtrirë mbi rërën e ndezur. Pranë meje – babai, i cili nuk rrezitej fare dhe rrinte ne hijen e drurit, i tëri i djersitur nga vapa e madhe.
Në mbrëmje u kthyem te shtëpia të kënaqur dhe të lumtur. Sa i lumtur i ndieja vetevetn në vatrën prindërore. E dija se qëndrimi im i përtërinte prindërit, që dukeshin shumë të gëzuar. Dikur, babai ia thoshte një kënge të moçme nga vitet e rinisë së vet, një këngë plot ngashërim e mall për të kaluarën. Nëna si gjithnjë ishte e zënë me punët e shtëpisë, tamam dukej si një bletë punëtore. Dhe, gjellët që gatuante nëna, u pëlqenin të gjithëve.
Më thuani kush di të dojë porsi babai, nëna. Dashuri e bukur, e dëlirë, e painteres. Oh Zot, sikur vetëm të dinim këtë ta çmojmë.
12 IV 1994
Sot vendosa të shkoj në shfaqjen e një cirku. Shfaqja e cirkut me akrobatë, zhonglerë, magjistarë, palaço, klounë, pastaj, me kafshë të zbutura e akcesoria të tjera gjithnjë më kanë tërhequr si magji. Sepse i gjithë ky imazh i prezantuar brenda arenës së cirkut është një art i shkëlqyer.
Me një vëmendje të veçantë e kureshtje të ngjallur pashë gjithë këtë magji të fshehtë e të pashpjegueshme në arenën e cirkut.
Vonë në mbrëmje, duke u kthyer në shtëpi, m’u kujtua cirku në qytetin e gëzuar, kur isha për herë të parë me prindërit, vëllezërit dhe motrat.
18 VII 1994
Ka net të tëra që më fanitet babai, më del si hije, si vegim.Gjithnjë më dukej se më fliste me pikëllim për pleqërinë e vet dhe, për vitet që do vinin. Sikur e shoh të merakosur e të shqetësuar për fatin tim, për jetën time në mërgim, sikur gjithnjë dëgjoj zërin e tij, që kurr nuk e dëgjova:
-Çfarë do të bëhet me ty Mazllum, kur ti prapë do të ikësh në botën e huaj. Si do t’i përballosh vështirësitë e jetës o bir, kur ne nuk do të jemi gjallë, as unë as nëna. Kam frikë për ty o bir, përse nuk rri këtu në vendlindje – si sot më ushton në vesh ai zë i tij i dridhshëm dhe i mekur.
Dëshirova të ia them një fjalë, po fjala më mbeti në fyt
Tani në të kurbetit bredhërimë, unë bart psherëtimën dhe thirravajet e mbytyra në lot për babain tim, që u dogj pa lëshuar zë.
Në këtë valë shpirti, në sytë e mi lotë të ngrirë rigojnë, oh Zot!
4 V 1995
Thuajse fare padashur harrova të shkruaj për personin më të dashur, më të afërt dhe më besnik në jetën time në emigracion, që më shoqëron që nga fillimi e deri më sot, duke ndeenjur gjithnjë pranë meje, duke kuptuar më mirë se unë mendimet dhe ndjenjat e mia. Ajo është mikja ime engjëllore, Ewa. Ewa Smietanska. Ajo me një durim prometeik dhe stoicizëm antik, me një ndjeshmëri të madhe i di të gjitha rëniet e ngritjet e mia, krizat, lëvizjet e shpërthimet e mia depresive. Dhe, fal kontaktit me të, gjithnjë më pak ndiej frikën, ankthin, vetminë dhe pasigurinë në mërgim. Fal dashurisë, ngrohtësisë dhe qetësisë së saj tek unë është përtërirë egjallëruar vullneti i çeliktë për jetë, besimi, shpresa e dashuria.
Duke e kuptuar thellë mallin tim ndaj Atdheut, vetminë, ankthin dhe pasigurinë në vendin e huaj, dramën e emigrantit pa atdhe,Ewa e ka kuptuar thellë-thellë tipin e personalitetit tim të ndërlikuar, çdo gjest timin, shprehjen e fytyrës, mënyrën e të folurit, të shkurarit, mënyrën e të veshurit e të ecurit.
Lirisht mund të konstatoj se asnjë psikiatër në botë nuk ka mundur të ndikojë në psikikën time sikunder ka ndikuar Ewa, me artin më sublim të heshtjës e të të kuptuarit, duke ngjallur në mua kurajën dhe etjen për jetë
dhe, duke më lehtësuar në të kërkuarit e së vërtetës për vetveten.
19 VII 1996
Net të mrekullueshme, të nxehta. Net me vapa të mëdha, të padurueshme, që nuk mund të flesh. Qielli i mbarsur me yje e hënë.Madje edhe drurët kundërmojnë, sikur të jenë të larë me argjend. Prej nga natën kaq drita?
Qielli i kaltër dhe i kthjellët, thuajse unë e prek me duar, nën të cilin e ndiej
zhurmën e qetë.
. Së këtejmi ai misteri i jetës.
E di se këta janë zërat e parë, shenjat e para.
Ja edhe një çast i shkëlqimit të padukshëm, po ndjeva veteveten i mahnitur dhe i realizuar deri në tëmth. Një shkëlqim i tillë duket vetëm një herë. Është i papërsëritshëm. Pastaj çudia. E trishtimi përplot shkëlqim. Derisa pjesa tjetër mund të jetë vetëm një poshtërim, blasfemi kundër vetvetes. Ndaj, si mund ta shpëtojmë vetëm një rreze?
Sikur të mundnim ta shikojmë me kurajë botën e njerëzit, e para së gjithash
sikur të mundnim ta shikojmë në thellësi vetveten.
30 VII 1996
Kjo nuk ishte dritë. U fikën dritat para se të shtrëngohën
pëllëmbët e duarve.
22 V 1997
Kohë më parë lexoj në shtyp apo dëgjoj se qenka krijuar epoka me emra politikanësh, që mezi fundin e presin. Dhe njeriu bashkëkohës këto epoka i përjeton marramendshëm. Epoka e sotme rrjedh në largësi të shkurëtra siç janë dritëshkurtër politikanët e sotëm, që nuk i gjykojnë dot thellë gjërat, që nuk janë të aftë të parashikojnë pasojat e diçkaje, derisa epokat e dikurshme patën emra hijerëndë e madhështor siç ishte epoka e akullnajave, epoka e gurit.
Ndërkaq, madje thonë se, në epokën tonë edhe e bukura është e pavlerë, se teoricienët e artit hoqën dorë, sepse me artin e kohëve tona ata merren, se tashmë ia behën kohë të vështira me njerëz të tjerë.
Sa të pamëshirë jemi , oh Zot!
Megjithatë, do të dëshiroja të lexoj gjithnjë më shumë për epokën e krijuesit tim.
28 VII 1998
Sot heret në mëngjes të gjitha mjetet e informimit publik kumtuan për vdekjen e poetit të madh polak, Zbigniew Herbert, i cili jo vetëm në vendin e tij po edhe më gjërë në Evropë konsiderohet si princ i poetëve modern në botë. E ndiej vetveten të lumtur dhe krenar që e njoha së afërmi dhe, me të bëra një intervistë për gazetën tonë “Rilindja”. Ai ishte një njeri fisnik dhe poet i një rangu të lartë botëror. Në fund të jetës së tij ish i zhgënjyer me ralitetin që e rrethonte dhe, me padrejtësitë që iu bën. Ndonëse ishte një kandidat i mundshëm dhe i sigurt i Çmimit Nobel në fushë të letërsisë, ai nuk u nderua me këtë çmim, po megjithatë, Zbigniew Herbert me veprën e tij të shkëlqyer poetike mbetet poeti më i madh në epokën e sotme . Gjeninë e tij krijuese, kritikë dhe estetë të njohur evropian e krahasojnë me gjeninë krijuese të T.S.Eliotit dhe të R.M. Rilkes.
Derisa përsias për Herbertin dhe veprën e tij, që vërtet është një statujë e artit, sa është e rëndësishme në qoftë se lë pas vete kujtime dhe të bëma të
ndritshme. Megjithatë, a thua të gjithë ne jetojmë me nder e dinjitet? Zbigniew Herbert – po. Thonë së është vështirë t’i qëndrosh besnik idealëve tua, të dëshmosh gjithnjë, veçanërisht në kohë të vështira të sistemit totalitar, çfarë u dëshmua Zbigniew Herbert, edhe me jeten dhe me vepren e vet heroike.
Është e udhës të vë në spikamë një mendim kontemplativ të Herbertit për rolin e artit në shoqëri:
“Historia nuk njeh asnjë shembull që arti ose artisti, kudo e kurdo, te ketë ushtruar ndonjë ndikim në fatin e botës. Dhe, nga kjo e vërtetë e hidhur, rrjedh përfundimi tjetër, që të jemi modest, të vetëdishëm për rolin dhe fuqinë e kufizuar…”.
12 XII 1999
Fill i vetëm në dhomën time. Kish filluar të më mundonte qysh në mëngjes një brengë e çuditshme, një mërzi e mall për vendlindjen, Atdheun. E dija fort mirë se atje përgjatë Erenikut e Çabratit dhe tërë Kosovën po vazhdonte apokalipsa e kohëve moderne, se atje gjëmë e madhe e hata po ndodh. Në një letër qe i shkruaja vëllait, letër që kurrë nuk arriti tek ai, i shkruaja se ne jemi më të fortë se vdekja.
Në këtë kënd vetmie, larg atdheut - net të tëra të pagjumë kaloja, derisa populli im i shumëvuajtur përjetonte netët e gjata të Bartolomeut ne mes thikave dhe, Kalorësit Apokaliptik po vranin, thernin e masakronin fëmijë, burra e gra të pambrojtura dhe gjithçka shqiptare.
Mendime të llahtarshme e lemeritëse më përpëlitnin pareshtur, ndjenja të errëta e të paqarta për mua më dyndeshin në kokë, dhe unë nuk kisha as fuqi as dëshirë t’i zgjidh.
20 IV 2000
Nuk di çfarë po ndodh me mua. Ndihem gjithnje më i lodhur, më priten fuqitë.E ndiej veten të drobitur. Po megjithatë duhet jetuar, e fal Zotit ende kam vullnet të çeliktë të shkruaj, sepse thonë është dëm të humbësh kohën kot më kot. Sepse të shkruarit e poezisë për mua është ilaç qetësues, mjet që zbut e më qetëson dhembjen e vetmisë sime mërgimtare. Sepse fjala më është bërë balsam.
8 VII 2000
Nuk di as vetë përse nuk shkoj te mjekët. Megjithatë miku im besnik, Zbigniew Kowalski gjithnjë më bind me prova se duhet gjithsesi të këshillohem me mjekun, me këshillat e tyre.
Ka kohë që vuaj nga alergjia, një sëmundje që shfaqet me rritjen ose me uljen e theksuar vtë ndjeshmërisë së organizmit. Kam alergji ndaj gjithçka që më rrethon,për shëmbull ndaj pluhurit, leshit etj etj.
Pastaj, gjithnjë vuaj nga tiroidet, me sëmundjën e këtyre gjëndrave, që shfaqet me ënjtjen e gushës dhe shoqërohet zakonisht me shqetësime të mëdha nervore.Ka kohë që prostata dhe diabeti nuk më lënë të qetë.
Tërë kjo gjendje ime e keqësuar, tërë kjo histori e sëmundjeve është e ndërlidhur me mënyrën e jetesës në kushte të vështira dhe të rënda në emigracion.
Dhjetra kontrolle mjekësore te endokrinologu, urologu e diabetologu.Tashme gjithnje jam nën vëzhgimin e mjekëve. Kjo më bën që të mos dorëzohem para vështirësive, të qëndroj stoik, ndonëse më shoqëron pareshtur ankthi, frika e vetmia.
Oh, sa rëndë, sa vështirë.
21 XI 2000
Nuk di as vetë përse e sjell ndër mend në këto çaste të buzëmbrëmjës, derisa bëja një shetitje, letren që ia shkrova vite më parë motrës sime, Myrvetes.Një letër që kurrë nuk ia dërgova. Në atë letër i shkrova, në mes tjerash, se duhet të pajtohet me humbjen e të birit,duke e ngushëlluar se, atë e mori Zoti, për ta bërë dhunti të veten.Se Zoti nuk e la Dardanin e vogël të vuajë në kalvarin e jetës, po e mori në gjirin e vet.
Më vonë shkrova një poezi për fatin e saj që është i njejtë me fatin tim:
“Në të vërtetë nuk ka asgjë përse të ankohemi
as për kohën e shkuar
ndonëse jeta nuk na përkëdheli kurrë
.............................................
...........................................
Të tjerëve
shpjegoju
se unë pata
një jetë të shkëlqyer
vuajtjesh”
Në të kthyer nga shetitja përreth pyllit, m’u duk sikur dëgjoja vajin e bilbilit.
0h Zot, përse mendimi im gjithnjë pikon dhembje e gjak.
18 III 2001
Solemniteti i përvjetorit të dhembshur të Katinit, Miednojes, Kuropatit e vendëve të tjera të kujtesës së dhembshur të popullit polak, kur më 1940, me urdhërin e Stalinit u vranë 22 mijë oficeër polakë e policë, pjesëtarë të inteligjencisë përparimtare polake. Dhe, deri më sot, Rusia zyrtare akoma nuk i pranon krimet mizore dhe barbare në popullin e pambrojtur polak.
Derisa i shkruaj këto rreshta më kujtohet kur kancelari gjerman, Willi Brandt më 1971 edhe në Varshavë e Aushvic u përkul dhe u gjunjzëua për krimet e nazistëve gjerman ndaj popullit polak dhe hebre. Tani shtrohet pyetja: a thua do e bëjë nj gjëest të tillë të lartë Vlladimir Putin? Kujtoj se jo. Nuk mund ta bëjë një gjest të tillë të lartë dhe heroik- Putini, një pjesëtar i KGB, as do e bëjnë edhe udhheqësit pushtetmbajtës të Sërbisë, të kërkojnë falje për krimet, vrasjet e masakrimet e përgjakshme ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Historia dëshmon se popujt i bashkon diçka e shenjtë, çfarë është fati i ngjashëm historik, sikundër është fati historik i popullit polak dhe shqiptar.
23 XII. 2002
Udhëtoja me tren për Nowy- Sacz, qytet në jug të Polonisë. Dhe atje shkova të kaloj festen e Krishtlindjeve dhe pritjen e Vitit të Ri te bashkatdhetari im . Dhe gjithnjë tek bashkatdhetari im i kaloi festat, që të mos ndihem i vetmuar.Rrija gjithnjë i shqetësuar për sëmundjen e motres sime engjëllore, Shuhretes, e cila lëngonte e përpëlitej në shtratin e vdekjes, atje larg në vendlindje. Dhe në mbrëmjën e 26 dhjetorit 2002, telefoni i zi dhe ai zëri i pikëlluar i motrës Valbone : Shuhretja vdiq! Në sytë e mi të shqyer, lotë të ngrirë zunë të rigojnë. Ja, iku edhe motra Shuhrete në rrugen e pakthim, për të pllakosur në të zez përgjithnjë zemrën time mërgimtare.
Atje, lart në qiell, do t’i bashkohet babait, nënës dhe vëllaut, që aq fort i deshi.
Sa rëndë e sa vështirë e kam të pranoj vdekjen e parakohshme të motres në këtë valë shpirti.
Se një ditë, me siguri do të gjejmë njëri-tjetrin atje lart në qiell. Se mërgimi im tashmë po merr fund, se gjithnjë po më duket se po më thërrasin zërat e mekur të babait, të nënës,të vëllait dhe të motrës si një britmë e çjerrë.
24 IV 2003
Fill i vetëm në vetmi mes frikës dhe ankthit në qytetin e huaj. Thuajse ndihesha i ngrirë. Një mall i papërshkrueshëm më merrte për vendlindjen. Gjithnjë lutesha për të vdekurit dhe të gjallët e mi.
Si një xhevahir i shtrenjtë ruaj kujtimin e përjetshëm për të gjitha ata martirë të rënë për atdhe,që u flijuan për lirinë e Kosovës.
4 VIII 2003
Natë tmerrësisht e bukur si asnjë natë tjetër. Natë e përshkuar me poezi. Me poezitë e Fatos Arapit, Mihal Hanxharit, Zbigniew Herbertit, Ali Podrimjes, Czeslaw Miloszit dhe, fjalët sekrete të Eves, të cilat i dëgjoja si në dremitje.
Pastaj çaji me lule bliri. Dhe heshtja.
Kur dola në rrugë, bota m’u duk e mrekullueshme.U gëzova se ende jetoj. Çdo krijesë është një fat i madh. Lumturi. Lumturi që përbën bashkësinë tonë njerëzore.
A thua përse unë, ti?
A thua mendohemi ndonëse për një çast mbi këtë privilegj të veçantë , që gëzojmë? E ata, që këtë hirësi e fat akoma nuk e kanë? Nuk di si ta quaj këtë, po të mos qeniesosh, kjo domethënë shumë më tepër se fatkeqësi
oh Zot.
13 VI 2004
Buzëmbrëmje e jashtzakonshme. Unë rrija pranë dritares. Më dukej sikur hëna e plotë vetëm mua më ndriçonte. Një natë e shndëritshme, e yjëzuar.
Askurre më parë nuk kishja parë aq shumë yje në qiell, ndonëse ishte dimër. Dhe qielli i yjëzuar sikur lëshonte dritat vezulluese në mes të pishave e lisave të gjatë. Kudo mbretëronte një heshtje. Heshtje e thelle.Përreth një qetësi e vdekur.Të flej assesi nuk mundem. Thuajse net të tëra nuk flej. Më kot i përdor edhe medikamentet qetësuese. Oh Zot, çfarë po ndodh me mua?
Në mes të kësaj heshtjeje e paqe qiellore dëshirova të lexoj një poezi të shkëlqyer të poetit Mihal Hanxhari, që me fjalën e tij poetike si magji e balsam më qetëson dhembjen e zbut vetminë time:
Natë heshtje
Mund të dëgjohet
Kërcitja e lehtë e yjeve
Tek digjen atje lart
Nën urën e këputur
Lumi po shpie ngadalë
Një kurorë të shthurur
Që hëna hodhi përmbi lumë
Për shpirtin e urës së këputur
16 X 2004
Mbrëmje e tetorit në lulishten e qytetit. Një puhizë e lehtë e erës frynte thuajse në mua ngjallte kujtimet për kohën e shkuar. Nuk di as vetë përse m’u kujtuan prindërit. Saherë i kujtoj prindërit, rrëke lotësh më shkojnë, me psherëtima e rënkime.
Prindërit e mi – njerëz të mirë e të kuptueshëm, të ndjeshëm karshi vlimit njerëzor përplot drama, e vështronin thellë botën e njerëzit përreth.
Prindërit e mi – ndjesë paçin, ishin tolerues dhe të ndjeshëm, vetëm nëna dallohej një çikë nga babai, ishte e mbyllur në vetvete, thuajse diçka përbrenda e brente thellë në shpirt. Më kujtohet si tani, kur babai në përcolli në stacionin e trenit për të fundit herë, atëherë kur mora botën në sy, derisa nëna me sy lutës , të përlotur dhe të tretur më përcolli te porta e shtëpisë. Ato çaste ishin të vështira.
Nëna ime gjithnjë kishte një parandjenjë, se në vend të më pyeste, heshtte. Nëna ime shumëçka ka ditur për mua, i njihte më mirë se unë mendimet e mia, shpirtin tim të trazuar. Asnjëherë nuk më ka bërë asnjë pyetje, që do të lëndonte shpirtin tim, as pyetje rreth jetës simë intime. Si sot e mbaj mend gjithnjë rrinte pranë dritares, gjithnjë e kredhur në mendime. Derisa babai bisedonte me mua gjerë e gjatë, po në të vërtetë ai e mbante te fshehur gjithë atë pelin të hidhur të sëkëlldive, brengave e halleve të shumta të jetës, me të cilat përditë ballafaqohej. Ai në heshtje vuante shumë në pamundësi karshi mosdëgjimit dhe kokëfortësisë sime.
Për të na mbajtur gjallë në jetë,prindërit e mi merreshin me shitblerjen e duhanit kontrabandë, tregtinë e bënin fshehurazi për t’ shpëtuar kontrollit shtetëror të Jugosllavisë së atëhershme policore.
Dhe kurrë nuk do të harroj ato pamje të tmerrshme që përjetuakam në fëmijëri, kur xhandarët serbë e torturuan, duke rrahur e sfilitur babain dhe nënën. Ato ishin mundime , vuajtje të mëdha trupore e shpirtërore për kafshaten e hidhur të bukës.
Dhe tani në këtë shëtitje të vonë, në lulishten e qytetit, më kujtohen
prindërit e mi, që kurrë nuk i dëgjova, e hije e tyre më ndjek pareshtur
derisa udhëve të mërgimit unë mbart tani psherëtimën e tyre dhe qaj në
vetmi.
2 IV 2005
0ra 21 e 37 minuta e mbrëmjës, e një mbrëmje të pazakonshme.Si një krismë e rrufesë më goditi lajmi i hidhur dhe i pikëlluar se u nda nga kjo botë për të fundit herë Papa Gjon Pali II, për të marr rrugën drejt Atit.
Çdo sekond të jetës së Tij deri në fund, që ëndrrën e Tij e bëri realitet, që shkriu jetën e Tij në luftë paqësore për triumfin e dashurisë,paqës,dritës, shpresës, besimit dhe harmonisë shpirtërore në mes të njerëzve të tërë botës. Ai gjithë jetën ia kushtoi paqës,lirisë dhe mirëkuptimit të njerëzimit. Ai e shënoi historinë në unifikimin e njerëzimit me besim në Zotin. Mesazhi i Tij ishte që tek njerëzit të dominonin dashuria, liria,paqja. Për vendet dhe popujt e varfër, të shtypur dhe të rrezikuar, Karol ojtyla kishte gjithmonë një kujdes të veçantë.
Papa Gjon Pali II ishte një mik dhe At për Kosovën.Ai gjithnjë lutej për paqën dhe lirinë e Kosovës, për pavarësinë dhe demokracinë e saj
Dhe unë si poet dhe përkthyes i veprës së Tij , qysh më 1990 pata nderin e veçantë të takohem me Papën Gjon Palin II, i cili më priti në audiencën e Tij private, ku u bë përurimi simbolik i librit.Askurrë në jetën time nuk do e harroj bisedën me Shenjtërinë e Tij, një bisedë e ngrohtë, e lirë, e këndshme dhe e shtruar, e para së gjithash, interesimi dhe shqetësimi i thellë e atëror për situatën e atëhershme të tensionuar dhe dramatike në Kosovë, ku Papa Gjon Pali i II gjithnjë lutej për ne Shqiptarët .
Dhe, unë bashkë me miliona veta në rruzullin tokësor i falem me nderim të thellë kujtimit të Tij të përjetshëm.
17 VIII 2005
Mendohem ditë e natë duke përsiatur për vetveten, botën që më rrethon, njerëzinë.
Kush jam unë? Çfarë bëj unë këtu? Kush isha? Ku na shpie kjo udhë e pambarim? Çfarë do të bëhët me ne? E dhjetra pyetje të tjera që ia bëj vetvetes. Marrim frymë, thelle-thellë, duke thithur ajër në mushkëri. Zemra zë të më rrah. A thua me ritëm? Ku tani jemi? Ku je ti? Ku jam unë?
Presim. A thua kah do të shkojmë? Mendime të llojllojshme më vërtiten në kokë, për botën e sotme të shqetësuar e marramendëse, që po vdes kah vetëshkatërrimi. Se, në të vërtetë, kjo botë nuk më përket mua, kjo botë e tensionuar dhe dramatike përplot ankth e frikë, zili e urrejte – kah na shpie? Në asgjëkund. Më dhemb zemra kur dalëngadalë po shoh se si
po gremiset kjo botë, si gërmadhë. Një gërmadhë e madhe.
Ndaj, nga çfarë po vdes kjo botë, gjithnjë më tepër e pandjeshme, indiferente, botë e ndarë në klasa: në të varfër e të pasur, në ata që mbrohën të pambrojtur dhe në ata që gjithnjë rrezikojnë. Dhë shi për këtë shkak, megjithëkëtë vdes kjo botë e gjymtuar.
Pastaj, bota vdes për shkak të marrëzisë njerëzore.
Vdes për shkak të egoizmit. Vdes për shkak të mendjemadhësisë e mospërfilljës. Vdes për shkak të mungesës së imagjinatës. Vdes për shkak të fajdeve, për shkak të lakmisë për sundim. Vdes për shkak të fundërrinave dhe ndyrësirave të shoqërisë, që e kanë hedhur vendin në humnerë. Bota vdes për shkak të rënies të sistemit të vlerave morale dhe krizave të përgjithshme, që kanë pllakosur shoqërinë e sotme të konsumit. Vdes për shkak të urrejtës dhe armiqësisë ndaj gjithçkafës,që është tjetër, e mëvetësishme.Bota vdes për shkak të kokëfortësisë, për shkak të intolerancës.Vdes për shkak të mosmarrëveshjeve e grindjeve, se dikush beson në këtë Zot apo në ndonjë Zot tjetër.Se nuk i përket kësaj kishe apo asaj xhamie apo sinagoge, se i përket këtij apo atij orientimi seksual. Ja, para së gjithash, përse vdes kjo botë.
Bota vdes për shkak të mungesës së dashurisë, për shkak të mungesës së mëshirës, dhembshurisë, për shkak të mungesës së solidarësisë. për shkak të mungesës së imagjinatës, për shkak të mungesës së përgjegjësisë. Dhe i kredhur thellë në mendime, vras mendjen për botën që po vdes, a thua është aq e shthurur dhe aq e keqe kjo botë.
Megjithëkëtë, duhet të shpëtojmë botën nga marrëzirat, krizat dhe te këqijat që gjithandej kanë zënë ta pllakosin botën tonë…
13 XI 2006
Në një letër që më shkruan poeti ynë i njohur Ali Podrimja lexova dhe kuptova gjithë dëshpërimin e tij si ndjenjë të mospajtimit dhe të revoltës që ka të bëjë me shoqërinë tonë gjithnjë më të korruptuar, ku në krye të pushtetit kanë ardhur të udhëheqin mediokritetet e kuazi-intelektualët, të cilët i takojnë ndonjë partie apo ndonjë fisi të kamençerosëve.
Revoltën e poetit e lexoja dhe e justifikoja se si po nëpërkëmbët liria e fituar me gjakun e derdhur te bijve me te vetëdishëm të kombit, se si po harrohen eksodet dhe luftërat, nëpër të cilat kaloi ky popull i shumëvuajtur, dhe për këtë fajtor kryesor është shoqëria jonë e korruptuar dhe e fundosur në një gjendje kaotike, e cila ka zënë ta hajë vetveten.
Dhe vargjet e poetit tonë, si një sinjal alarmi më tingëllojnë, si një thirrje e kushtrim:
„Nuk vidhet Atdheu
as vritet luftëtari I tij”
7 VI 2007
Sot postieri më solli një letër. Një letër prej së largu. Ishte kjo letër e Vita Adamit, motra e poetit Mihal Hanxhari. Në mes të radhëve, ajo më shkruante: „Duke lexuar fletet e Ditarit më sollët diçka nga shpirti juaj aq i dhembshur dhe, me mendimet për jetën, vdekjen dhe qenien njerëzore. E kuptoj shumë mirë dhembjen tuaj për vdekjen e të afërmëve, të prindërve, motrave dhe vëllaut. Është e njejta dhembje që më bren çdo ditë edhe mua. Kam parasysh fotografitë e prindërve të mi, të Mihalit dhe motrës Mellani. Shpesh më duket se ata jetojnë, po janë larg, atje, në Tiranë dhe, do t’i takoj kur të shkoj atje. Po, njeriu adaptohet me ligjet e natyrës të qenieve të gjalla, që lindin, jetojnë dhe kanë një fund, që sado të përpiqesh nuk e ndalon dot…Dhe mbetet kujtimi…, lëndohemi kur na mungojnë, po jeta e të gjallëve ecën,derisa t’i vijë fundi edhe atyre…”
Sepse, nuk ka më bukur dhe më mirë të qëndrosh mbi dhembjen, duke rrezatuar dashuri, se bota sot ka akoma shumë ligësi, prapësi e paudhësi.
Le të shpresojmë se një ditë do të ngadhnjejë: e Mira, e Bukura, Njerëzorja përmbi egërsinë, mizorinë, injorancën e çmendurinë kolektive, sepse diku në një kënd vetmie ndihet i zhgënjyer zëri i trishtë i poetit karshi një bote të kainave e të judave:
„ Shkreptin xixa shpirti ynë
ushqen rrënjë vetëtimash…”(Fatos Arapi)
apo siç shkruan një poet tjetër:
“Nëse një ditë buzë një lumi
Do të shikoni një urë të këputur
Ndaloni aty
Uluni në gjunjë
Lutuni”
(Mihal Hanxhari)
Dhe fjala e tyre e gdhendur si statujë e artit më ushqen dhe trimëron në jetë, se fal tyre bota ende ekziston…
9 X 2007
Më në fund e përfundova së shkruari vëllimin poetik „Albumi i familjes sime”. Si ndodhi? Thjesht, nuk di. Tani e ndiej veten të lodhur dhe të përgjumur. Me ndjenjë të frikës, mendoj, se duhet edhe njëherë t’i kthehem dorëshkrimit. A thua vetëm një herë?
Në ndërkohë dëshiroj të dal nga banesa, të bëj një shëtitje, për të marr ajër të pastër, për t’u çlodhur? Kudo qoftë. Vetëm të dal…Për një çast më mori malli për njerëzit, ajrin. Një mall i madh për ngrohtësinë njerëzorë.
Se gjëja më e rëndësishme e njeriut është ngrohtësia e njeriut tjetër.
13 VI 2008
Me sy të shqetësuar sot lexova lajmet më të reja në shtyp, se si po afrohet fundi i botes dhe i njerëzimit.
Viti 2012 – fundi i botës siç e ka parashikuar Nostradami, profeti më i njohur i planetës sonë. Ndërkaq, sikur të mos ndodhte fundi i botës më 2012, shkencëtarët edhe ashtu parashikojnë një të ardhme të zymtë, do të ndodhin përmbytje dhe vërshime edhe më të mëdha e më të shpeshta, që do të shembin gjithçka gjithandej në botë, që do të përmbytin fshatra e qytete të tëra.
Obobo, a thua do të ndodhin këto kataklizma e katastrofa të mëdha në planetën tonë. A thua çfarë hataje e madhe e pret botën – gjithnjë me trishtim përsëris të njejtat fjalë…
Kohët e fundit flitet dhe shkruhet në shtypin botëror edhe për rënien e kapitalizmit si një sistem ekonomik dhe financiar.Megjithëkëtë, në mënyrë të barabartë ndodhin procese katastrofike: ndryshime klimatike, shtimi i madh i popullësisë në rruzullin e tokës, mungesa e ujit dhe numri gjithnjë më i madh i të uriturve në botë.
Në të vërtetë botës së sotme, njerëzimit i kanosen dy tragjedi të mëdha
tragjedia e urisë dhe tragjedia e represionit.
17 IV 2009
Pashë një ëndërr, se banoja me prindërit dhe gjyshërit , në dy shtëpiza në thellësi të pyllit me pisha e lisa të gjatë. Vazhdimisht binte shi me rrëshekë. Qëndroja në këmbë dhe shikoja përmes dritares në paizazhin e mahnitshëm të oborrit, ku gjyshërit pareshtur shkurtonin dru në pyll për lëndë djegëse. Derisa babai shkonte në gjueti, nëna mblidhte në pyll manaferra dhe kërpudha. Në mbrëmje deri vonë ndeznin vatrën e zjarrit dhe,mbaj mend, pinim çaj në gota prej argjile, e gjyshja në krye të oxhakut shqiptonte lutjet me një gjuhë të pakuptueshme, duke bërë diç si mister, duke përvëluar e zier gjethet e lulet e thara të disa bimëve me veti mjekësore.
Njëherë e një kohë në të zbardhëllyer të agimit, dikush trokiti lehtë në dritare, ishte ajo magjistarja e moshuar.
Asokohe gjyshës i kish thënë: Kemi parë se do të kthehesh. Që nga ajo kohë, lidhkam me fashë plagët e saj dhe, jam përkujdesur . Ngandonjëherë
edhe kemi luajtur bashkë…
Dhe ëndrra këtu m’u shkëput.
Thashë: megjithatë do të shkoj në Siçili. Bashkë me Evën. Në pushime verore. Dhe me siguri do të jetë një udhëtim i mrekullueshem. Dhe, për herë të parë do t’i shoh vëllezërit dhe motrat e mia arbëreshe, që me aq besnikëri, devotshmëri e dashuri në mendje e shpirt ruajtën dhe kultivuan gjuhën, zakonet dhe doket e stërlashta të stërgjyshërve e të parëve tanë , që nga Moti i Madh e deri te poeti dhe dramaturgu i njohur bashkëkohes arbëresh, Zef Skiro Di Maxho, që vite e vite me radhë përpiqet t’i jap frymë kulturës, traditës dhe gjuhës arbëreshe, atje në një cep të botës me Arbërinë në zemër, në Siçili, në Piana degli Albanesi, në
Horë të Arbëreshëve…
Dhe me padurim pres ditën e lume kur do të takohem me vëllain tim poet, Zefin, në zemër të Arbërisë. Më në fund të njihem me Gjakun e Shprishur të Arbrit.
Tamam edhe një muaj udhëtojmë për Siçili.
Zoti e bekoftë atë ditë, ditën e takimit me Arbëreshët e mi në zemër.
18 VIII 2009
Gjithçka çfarë kam bërë deri më sot, më duket një moskuptim apo mosmarrveshje.Gjithnjë jam përpjekur ta bëj një punë në mënyrë sa më të mirë, sa më të përsosur. Shpesh mendoj për këtë, se si e zgjodha unë këtë profesion, që të bëhem shkrimtar, e dikush do të thoshte se të jesh shkrimtar domethënë të jesh një idiot i përsosur.
Njerëzit e shëndoshë punojnë normalisht, punojnë në fabrika, në uzina metalurgjike, nëpër zyra e gjetiu.Arrijnë synimet e veta, krijojnë familje, shpesh ballafaqohen me sfida të ndryshme, po disi ia dalin mbanë me sukses.
Kushedi sa herë në jetë dëshirova të bëhem fshesar apo të zgjedh çfarëdo profesioni tjetër, për shembull, gjellëbërës apo larës i pjatave. Megjithëkëtë, kjo nuk ndodhi. Zgjodha profesionin e shkrimtarit. Zgjodha poezinë dhe, vetëm këtë. Po, nuk mund të mashtrosh vetveten.Duhet të shkosh pas fatit tënd. Kjo është shumë e rëndësishme dhe qenësore.Për profesionin e vet.
E di tashmë, me siguri se, arti, poezia është për mua gjithçka, është për mua vetë jeta. A thua do të ngadhnjej? A thua do të përballoj? Nuk dorëzohem para vështirësive.
3 XI 2009
Më thotë mendja se gjithë këtë që e shkrova në këtë ditar, a mos është vallë dëshmi e ndryshimit të botës. Të një botë më të mirë, më të bukur dhe më të lumtur. Dhe, kujtoj se, çdo vepër, që vlen diçka, ndikon në ndryshimin e botës, jo për ta përsosur, po vetëm për ta ndryshuar.Po, synimi ynë duhet të jetë fisnik. Dhe me këtë përfytyrim apo shëmbëllim të përkryer do të arrijmë deri te caku i jetës.
Varshavë
fundi i dhjetorit 2009
Komentoni
Artikuj te tjere
Dhurata Hamzai: Parid Teferiç: “Onufri” kthehet tek Onufri
Remzi Salihu: Struktura ironike e muzës poetike
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë uron profesor Peter R. Priftin
Recensione për librin e autores Behare Rexhepi, ''Në kërkim të dashurisë''
Moikom Zeqo: Një kryevepër e panjohur e Pjeter Bogdanit
Vargje dimri nga Skënder R. Hoxha
Suzana Kuqi: Këngë e ëmbël
At Viktor Demaj: At Gjergj Fishta Tetë letra nga Korrespodenca
Halit Bogaj: Pse
Zef Mulaj: Shqiptarët dhe Lahuta e Malsisë
Përparim Hysi: Profesori
Sokol Demaku: Bëhu guximtar - mos përbuzë
Halit Bogaj: Rudolfo Valentino (1895 –1926)
Agim Bacelli: Spartanet
Sabile Keçmezi-Basha: Ëndrrat e kuqe
Fabula nga Vangjush Saro
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami
Valentina Prifti: Ku është Evropa?
Pjetër Mëshkalla: Krishtlindje në Shkodër
Poezi nga Jusuf Zenunaj