E enjte, 08.05.2025, 02:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Moikom Zeqo: Një kryevepër e panjohur e Pjeter Bogdanit

E diele, 27.12.2009, 07:49 PM


Demush R. Avdimetaj: Pjetër Bogdani
Demush R. Avdimetaj: Pjetër Bogdani
Një kryevepër e panjohur e Pjeter Bogdanit


Nga Dr. Moikom ZEQO

Figura e papërsëritshme dhe e jashtëzakonshme e Pjetër Bogdanit për bën një nga stacionet më të mëdha dritë dhënëse të kulturës shqiptare në të gjithë shekujt. Pjetër Bogdani nuk është vetëm një kryemjeshtër mrekullibërës i gjuhës shqipe, por me sa duket ai është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane si dhe një nga poetët më të përndritur të poezisë së stilit barok në Shqipëri dhe në Evropë në shekullin XVII.
Kam vite që e studioj Pjetër Bogdanin, librin e tij epokal “Çeta e profetëve”, kam vite që shfletoj relacionet e tij të botuara në vëllime të mëdha të nxjerra nga arklivat e Vatikanit dhe të Kongregacionit të Shenjtë. Janë mijëra e mijëra faqe që përbëjnë eposin bogdanian. Aty ka të dhëna për historinë, kozmologjinë, teologjinë, poezinë stilistikën, teorinë e metaforave dhe të interpretimeve tekstologjike, gjeografinë dhe antropologjinë.
Rëndësia e Pjetër Bogdanit si poet është pa një të dytë në letrat shqipe. Ai është krijuesi i ciklit unikal të quajtur “Cikli i Sibilave” që përmban profecitë e vajzave pagane të njohura si parathënëse të ardhjes dhe triumfit të Mesisë, d.m.th. Krishtit. Vetëm me “Ciklin e Sibilave”, Pjetër Bogdani ka hyrë përfundimisht në panteonin e poezisë shqipe. Ky cikël i mrekullueshëm është ndërtuar mbi strukturën e alegorisë dhe poezisë transcedentale. Ky cikël është një unitet më vete dhe në llojin e vet për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e të shprehurit mund të hyjë tek ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shekullit XVII. Shekuj më vonë vetëm Fan Noli krijoi një cikël gjithashtu unik me motive engjëllore të Testamentit të Ri. Por në letrat dhe relacionet e Bogdanit ka të dhëna të paçmuara për poetët më të mëdhenj të Antikitetit sidomos për Homerin dhe Virgjilin pa harruar këtu ndikimin e plleshëm të vetë Dantes në strukturat konceptuale të shkrimit të Bogdanit. Bogdani ëhstë një poet poliglot. Ai shkruan mrekullisht në disa gjuhë të mëdha si p.sh në latinisht, në hebraisht, në arabisht, në italisht si dhe në gjuhën shqipe.
Dua të kumtoj një kryevepër poetike që ndodhet në një nga letrat e tij që mban datën 28 mars 1680, dërguar nga Shkupi. Kjo letër është botuar në librin “Pjetër Bogdani – letra dhe dokumente”, Shkodër 1997, përgatitur dhe botuar nga Odette Marquet. Letra në fjalë mban numrin rendor 230 dhe është shoqëruar përveç origjinalit në italisht dhe latinisht edhe nga një shënim në shqip ku thuhet se “Pjetër Bogdani me një sinqeritet të madh dhe të rrallë tregon se e kanë sulmuar me shpifje të shëmtuara dhe të padrejta disa klerikë dhe sidomos ipeshkvi Bubiq, për të formuar një opinion të keq për Bogdanin në Vatikan. Ai flet për vuajtjet e tij, për një udhëtim që ka bërë në Shkodër duke përshkuar Kuqin, Hotin, Kastratin, Shkrelin, Rrjollin, duke “derdhur gjak e djersë”. Tri herë u burgos, u rrah dhe është kërcënuar me vdekje jo vetëm nga osmanët por dhe nga ipeshkvi Bubiq. Ai shënon në letrën e tij dhe një poemë të shkruar prej tij në latinisht kur ka qenë në Riole, afër Romës dhe ushtronte përshpirtjet e shenjta në vitin 1675. E njëjta letër origjinale e Bogdanit është botuar e fotokopjuar edhe në librin e Luigi Marlekaj me titull “Pietro Bogdani e l’Albania del suo tempo”. Është fjala për një krijim të fuqishëm të shkruar nga Bogdani në latinisht prej 28 vargjesh që mund të konsiderohet me plot gojën një çudi poetike e vërtetë. Kjo kryevepër e poezisë konceptuale e Bogdanit është 10 vjet më përpara se sa ai të botonte kryelibrin e tij “Çeta e profetëve” në bilingue, në shqip dhe italisht. Duke lexuar tekstin e letrës së Bogdanit mësohet se ai ka disa shqetësime nga njerëz të afërt të tij që madje shpifin dhe spiunojnë tek eprorët e Vatikanit. Bogdani shprehet se do të qëndrojë fort në parimet e tij morale dhe nuk do të përkulet as nga cmira dhe as nga opinionet negative. Ai thotë se i frymëzuar në meditimet e tij gjatë qëndrimit në qytetin Riolo ka shkruar poezinë në latinisht të quajtur “Mundus eversus”, d.m.th. “Bota ndryshe”, ose e kundërt. Poezia është në një latinishte humanistike mesjetare dhe paraqet vështirësi në përkthim. Po jap për herë të parë për lexuesin shqiptar të përkthyer në shqip këtë poemë në latinisht të Bogdanit.

MUNDUS EVERSUS – BOTA NDRYSHE

Po kështu mund të quhet bota e kthyer mbrapsht
E gjitha bota e rruzullit (- e kundërta),
Qingji është qingj, por barinjtë mund të jenë
Ata që s’duan që ta ruajnë, (- e kundërta),
Ujku lakmitar i rrëmben, i shqyen, (- e kundërta),
I sëmuri kërkon të fuqizohet tek i shëndoshi,
I marri e quan të çmendurin të ditur, (- e kundërta),
Njeriu shihet veç si kundërshtar i pabesë,
I mohohet falja dhe mëshira e denjë,
Kur kryen hakmarrje pa kuptim gjoja ka të drejtë?
Ai pra që mpiks aftësitë e njerëzve,
Çdo lloj krimi kryen dhe u quajtka i mirë?
Nuk e kaloka jetën pa lavdi? (- e kundërta).
Ai që shet gruan, bijtë dhe bijat e tij,
Burri që e ndan gruan e vet të ndershme
Dhe për çdo lloj shpagimi mizor krenohet,
Ai që gjoja e ndrydh seksin si asket me kast,
Lirinë dhe skllavin i bën hallka të djajve,
Dhe këtë e shpall si paqe… dhe si virgjëreshat turke
Që humbin dyfish në harem dhe trupin dhe shpirtin
I gëzohet madhështisë, siç gëzon i pasuri fodull
Që duke kapërcyer varfërinë e sheh të pëlqyer
Të qenurin në dukje i varfër, dhe e kërkon këtë
Si mëndjemadhi gjoja përkorjen dhe përulësinë.
Po kështu gjoja futet në çetën e të fortëve,
Ai që për të ngacmuar forcat
E një populli të dobët dhe pa shpresë
I jep fitimtarit një palmë pleshtash.
Kjo është bota e kthyer mbrapsht, (- e kundërta).

Poezia e mësipërme është e ngritur mbi simetrinë dhe njëkohësisht asimetrinë e ironisë dhe të kundërvënieve. Kjo poezi në shqip dhe latinisht meriton të përfshihet në çdo lloj antologjie serioze me kërkesa të larta estetike. Mund të thuhet që një poezi të tillë nuk e ka deri më sot asnjë krijues shqiptar. Kjo poezi është një klithmë humaniste, kundër dhunës dhe hipokrizisë. Bota ndryshe. Kjo poezi është një substancë mesianike për të gjithë ne shqiptarët. Kjo poezi të kujton për nga forca Xhon Miltonin anglez të “Parajsës së humbur”, por dhe diçka nga stili stigmatizues dhe rebel i Shekspirit. Që nga skaji i para katër shekujve Pjetër Bogdani e ka lënë të pashlyeshme dëshminë e tij testamentale.


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx