E diele, 28.04.2024, 04:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë

E shtune, 26.12.2009, 03:25 PM


Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë

Nga Namik Selmani, mësues
namikselmani@yahoo.ca

Asnjë historian, demograf, sociolog, gjeograf, arkeolog, folklorist, gjuhëtar,  që merr përsipër  të qëmtojë në fushën e vet studimore për krahinën e Çamërisë nuk mund të anashkalojë kurrësesi faktin, aspak të diskutueshëm, të ndikimit të jashtëzakonshëm të besimit islam në jetën ekonomike,  shoqërore, shpirtërore, të kësaj krahine që, të paktën në shekujt e fundit e sidomos në 100 vitet e fundit e ka pasur dhe e ka (ndonëse me një popullsi tashmë të shpërngulur me forcë nga trojet e veta stërgjyshore) këtë besim si identitet dhe  si mbijetesë.
Ky vitalitet shpirtëror, ndër më të rrallët në forcën e tij në mbarë Ballkanin bashkë me atë të popullsisë së Kosovës, i mbështetur te ky besim njësohej me shumë fusha të jetës së popullsisë çame që në traditat zakonore, në ato ndërtimore, në guzhinën tradicionale, në onomastikën e pasur e aq të larmishme, në urimet e mallkimet, në dasmat e gëzimet, në ritet fetare që bëheshin aq të rregullta në tërë krahinën, në tolerancën fetare që tregonte kjo popullsi në lidhje me pjesën e popullsisë  të krishterë  që kishin shumë fshatra të Çamërisë.
Nuk është aspak befasi apo edhe rastësi  që edhe krijimi i familjeve të reja, dashuritë e bukura njerëzore që tregonin një pjesë tjetër po kaq të bukur të shpirtit çam të kishte këtë lidhje kaq të harmonishme mes besimit islam dhe vetë jetës që gëlonte në viset e Jugut sa e bukur në atë traditë që zbukuronte jetën e secilit mysliman çam aq edhe të vështirë përballë manovrave, qëllimeve të shtetarëve grekë, të kishës greke për asimilimin e kësaj popullsie, për mohimin e të drejtave më themelore njerëzore, atë të besimit e njohjes së gjuhës amtare  që duhet të kishte një njeri.
Brenda kufinjve të kësaj sfide të vërtetë jetësore në kohën që jenët (fëmijët) çamë hidhnin hapat e parë në tokën e bekuar të Çamërisë, nënat i faleshin Zotit me vargje të dala nga shpirti i tyre i bukur dhe i madh:

Shuqur, o i madhi Zot
Kjo ditë që më erdhi sot
Që më ecën kjo fëmilë
Zoti të ma lërë të mirë
 
Në xhamitë e shumta të Çamërisë (në fillim të shekullit XX, por edhe deri në vitet 40 të këtij shekulli, kishte dhe nga tre, katër në fshatra të ndryshëm) bëheshin jo vetë ritet fetare, por edhe kuvendet e shumta për probleme të ndryshme që kishte fshati.  Në vitet 1913-1944 kur kjo krahinë u shkëput nga trungu amë, xhamitë e fshatrave shërbenin edhe si shkolla të mirëfillta shqipe ku fëmijët bashkë me njohuritë për besimin islam, mësonin nga klerikët patriotë shqiptarë herë haptaz e herë fshehurazi shkronjat shqipe. Një gjë të tillë e mësojmë nga shumë banorë burra dhe gra që ende jetojnë në qytete të ndryshme ë Shqipërisë që prej 64 vjetësh, por edhe nga shumë dokumenta të arkivave të kohës.
Oborret e xhamive ktheheshin në mjedise festive të ngjarjeve të rëndësishme. Të tillë mund të përmendim datën 2 shtator 1941 kur në oborrin e Xhamisë së Paramithisë u mblodhën me qindra vetë për të ngritur flamurin shqiptar.

Paramëthi, moj Paramëthi
Tridhjet vjet nënë Greqi
……………………….
Paramëthi u ngrenë e vanë
Shkuan e vanë në xhami
Ngrenë flamurin kuq e zi.
 
 Në dekorin e fshatrave të Çamërisë ato patjetër ishin institucione më të respektuara të besimit, të bashkimit, të këngës, të pajtimit, të respektit ndaj njëri-tjetrit. Vetëm në fshatim  Mazrek ka pasur 4 xhami: ajo e Kovaçëve, e Çapuratëve, e Kolicatëve dhe e Mahalesë. Sipas tregimit të Refik Pronjos dhe Riza Kalit nga Paramithia ky qytet, që në vitet 1944- 1945 do të jetonte tmerrin më të madh të genocidit grek, kishte 8 xhami me rëndësi jo vetëm për këtë qendër të banuar, por dhe për mbarë Çamërinë. Të tilla mund të përmendim Xhaminë e Kalasë (ishte brenda në kalanë e qytetit), të Kanelës, të Bollatëve, të Këndalit, të Qendrës ( në të dikur ishte  falur Sulltan Bajaziti), të Pazarit, të Prronjatëve, të Shardhaqes. Në fshatin Margëllëç kishte 5 xhami. Vetëm në Janinë ku banonin rreth 40 000 banorë kishte 30 xhami, disa medrese që përgatisnin klerikë për fshatrat myslimane të Çamërisë. Në qytetin e Konispolit ka patur 5 xhami Aliagatit në qendër, e Çuçatit, e Llanxatit, e Pashanjet dhe e Shehatit.
Sheshet e xhamive që ishin kryesisht në mes të fshatrave çame ktheheshin në kuvende dhe për ngjarje të rëndësihme. E tillë është edhe kënga e krijuar në Galbaq të Filatit:
Mu ne Sheshi i Xhamisë
Treqind burra të Labërisë
U thirrën si për mexhlis

Edhe pse organizimi adminstrativ i fshatrave të krahinës bëhej kryesisht me kryepleqtë e fshatrave që edhe mund të grumbullonin fonde për ndërtimin e xhamive në fshatra, nuk janë të pakta rastet kur familje apo fise të caktuara të ndërtonin xhami të reja me kursimet e tyre. Këto xhami më vonë do të mbanin simbolikisht emrat e fiseve, por që do të ishin gjithmonë dyerhapura për të gjithë besimtarët e tjerë. Kështu mund të përmendim  Xhaminë e Llodozave në Koskë, të Sejkatëve në Filat, Xhaminë  e Ali Çubit në Margëllëç etj
Ky dekor historik , shpirtëror ishte po kaq vital që nga  hapat e parë të jetës së secilit e deri në momentet e fundit të jetës. Më shumë se në çdo aspket tjetër ai do të shpërthente në folklorin popullor që tregon saktësisht forcën e madhe dhe masive të besimit në fenë islame në masat popullore të kësaj krahine.
Po të shikojmë një këngë tepër të veçantë në grupin e këngëve me ndikimin te besimi islam na bëjnë përshtypje tre vargje:

“ Sollopia Medine
Me treqind  e ca hane
Dhe me treqind plorë dhe

Ky krahasim i këtij fshati me qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite ka lindur nga një gojëdhënë që flet për bujarinë  e fshatarëve të tij. Një djalë nga Sollopia dhe një djalë turk  bënin shërbimin ushtarak në një vend të largët . Miqësinë e tyre të madhe ata e çuan deri në vëllamëri. Që t’i dilte përpara halleve të pafund, një ditë sollopioti i dërgoi kartë turkut se “ në fshatin e tij kishte rënë një zi buke”. Me të marrë këtë letër turku i dërgon 500 mushka me grurë duke iu thënë kalorësve që t’i çonin në “ Sollopinë Medine”

***
Qëmtimi i ndikimit të besimit islam në vargjet e ninullave, të lojërave fëminore, të  këngëve të dashurisë, të këngëve të dasmave, të  vajeve të thekshme, të  punës së përditshme, të dëshirës së sinqertë për mbarësinë e jetës së fëmijëve, të shëndetit të vetë prindërve, të prodhimeve të bollshme të  të korrave e të mbjellave është një Antologji e vërtetë sa poetike aq edhe e lakmuar për studiues të fushave të ndryshme ku gjen gjithmonë diçka të re befasuese.
Këngët e trimërisë në pamje të parë nuk zënë ndonjë vend të madh në numër përbri këngëve lirike në këtë krahinë. Por ato nuk janë më pak të fuqishme në mesazhin që sjellin dhe në forcën artistike që përcjellin te lexuesi i të gjithë kohërave. Motivi atdhetar në këngët e tilla shkrihet aq harmonishëm me elementë fetarë të besimit tek Zoti. Është mesazhi i fuqishëm atdhetar i shqiptarëve se “pa fe nuk ka adhe“. Ky  del si asnjëherë më i qartë dhe i plotë në këngën “Osman Pashë trimëria” të kënduar në Arpicë që ka edhe një fillim simbolik
 
Allah , të biç( bësh) bejan
Ashtu si na ndodhi vakija
Ç’ish nglau në këtë zeman
Osman Pashë trimëria

Një ngjarje epike e ndodhur në kohën e rezistencës së kësaj popullsie kundër forcave të Ali Pashës që donte të pushtonte Çamërinë, na ka lënë një trashëgim të bukur folklorik. Xhafo Dhërmica nga fshati Dhërmicë i Gumenicës ishte një trim që s’e njihte vdekjen. Por pabesia e armiqve kaq e madhe sa atë vendosën që ta sulmonin  kur ai falte namazin e suhurit. Edhe pse me rrobat e faljes, ai mori armën e  filloi luftën. Kërkoi të çante rrethimin, pasi vrau shumë armiq, por nuk mundi dot.

Dërgon Ali Pashai
Të ziret Xhavo qerratai
Në Dhërmicë e bë berhai
Që n’suhur jaram në drekë
Luftoi Xhavua me brekë
Aq sa kishte fishëkë

Kënga poullore çame mori përsipër që të përjetësonte dhe kujtimin e vyer të klerikëve muslimanë të kësaj krahine që ishin jo vetëm udhëheqës të besimit shpirtëror të krahinës së tyre, por edhe luftëtarë të shquar të çështjes kombëtare . Të tillë mund të përmendim Hoxhë Memenë si quhej shkurt në kujtesën popullore Myftiu i Filatit Hoxhë Mehmet Zeqiraji, Dëshmor i Kombit që u vra nga grekët më 1941.

Ki Hoxhë Memeja
Qëlloi me dilbi
Ndëra e këtej nndëra
U bë Shqipëri.

Natyrisht në këtë thesar folklorik nuk mund të mungonte edhe kënga për dijetarin dhe teologun e shquar Hasan Tahsini. Me pak fjalë të kursyera populli bën portretin e tij

Dijetar Hasan Tahsini
Në tufane çan shahini
Atdhetar , bir atdhetari
Sadrazemi, shehislami
Mëndjendritur, zëmërtrimi

Kënga popullore bëhet edhe pjesë e dhimbjes së madhe që edhe këtu merr  forcë te besimi tek Zoti. Pas masakrave të vitit 1945 që kishin një parapavijë të qartë të një lufte edhe me nuanca fetare kënga thotë:

Raçë në gjumë me pikëlli
Mos më keq , moj Perëndi
Pashë një ëndërr llahatari

Ose në një këngë tjetër që ka po këtë temë me një qartësi të madhe këngëtari popullor thotë:

Si na e bëri ne Greqia
E pa vetë Perëndia
Mbilli burrat në shtëpi
I theri si bagëdi

Optikës së folklorit nuk i shpëton edhe protesta ndaj vëllavrasjes që bëhej jo vetëm në planin atdhetar, por edhe si pjesë të besimit te Zoti që nuk lejon të krijosh hakmarrje në popullin tend.
Ditën e Bajramit seç erdhën e të thanë
Nur babaselimi, nur të qofshim falë
…………………………………………
Erdhën melaqetë e të prunë selamnë
T’u bë kabull lutja po bën teslim xhanë
 
 
Morali isalm në shumë këngë del i plotë në këngë të mirëfillta fetare. Mjafton të lexosh disa prej tyre e të shohësh jo vetëm këshillat e vyera të islamit por edhe aftësinë artistike që kishte populli për trajtimin e kësaj teme aq interesante. Në një këngë të kënduar në fshatin Galbaq të Filatit thuhet ndër të tjera

Bënu hoxhë e vesh një gunë
Falu ditën pesë herë
Për nonjë mos fol rrerë
Se do vemi në atë jetë
N’atë jetë të vërtetë.

Sias zakoni të bukur të famljeve çame kur dilte gruaja në mëngjes dhe hapte derën e saj bënte lutjen e zakonshme që thuhet në këto vargje:
Bismilah rrahmani rrahim
Ditë e re kismet i ri
Hiftë fati në shtëpi.
Kjo këngë ose më saktë një ritual fetar ngjan me ajetin kuranor ku thuhet  “Pasha këtë mëngjes!”
Nuk janë të pakta edhe këngët kur burrat ose gratë vendosen në veprime që tregojnë se ata janë besmtarë të devotshëm . Në një këngë- dialog të fëmijëve me hënën, ajo tregon se e ka parë babain e tyre “ duke marrë avdes me ibrik të argjendë në Prevezë”
Hënë , hënë , kako hënë
As na pe babanë tënë?
-Në Prevezë e pashë prëmë
mirr avdes me brik t’argjendë
Edhe në yshtjet që bënin ndonjë herë gratë –nëna për fëmijët e tyre të sëmurë kërkohet gjithmonë ndihmë te Zoti. Një nënë nga Grikohori i Gumenicës kur fëmija i saj kishte këputur mish, recitonte këto vargje:

O zot i vërtetë
Xerre në selamet
Këtë rop që  ka kput mish
Vënia mishin neku ish
I itat, i im atë
I it gjish
Vëria misht atje nek ish.

Në pamundësi për të patur libra të historisë islame vetë kënga merr misionin e madh edhe të njohjes së kësaj historie , të zbërthimit të shumë ajeteve e sureve me poezi

Atë jetë është një urë
Kush të shkojë është burrë
Urdhëroi vetë xhelili
Korbanë bëri Ismaili
…………………..
Gjunahqarët i kërdisi
Brenda në xhehnm i vulisi( futi)

Besimtari çam nga Margëllëçi  para së të vërë kokën në jastëk për gjumin e natës bashkë me faljen e tij këndon edhe këto vargje:

Zot i madh, të klofshim falë
Bëra nijet të kumbisem të fle
Bëra veqil milaqetë
Të më dijnë( ndihmojnë) këtë natë sonte
 Në u difsha ishalla
Në s’u difsha embër allah

Brenda kësaj hapësire të gjërë shpirtërore që të jep besimi tek Zoti e profetët e dërguar prej tij, këngëtari popullor nuk harron të njësojë veten edhe si çam

Lah, ilah e jarabi
Vetëhenë çam e di
Nanë e babë çam e di
Vëllezër e motra çamë e di
Gjithë arnautllëkun arnaut e di.

Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit që sjell edhe ditën e bekuar të Bajramit e ka nxitur këngëtarin popullor nga Vola që të këndojë me nderim:

Këto ditët e Remazanit
Jan t’afruarat e Bajramit
Kush agjëron kët Remazan
Isht i afruar për Bajram.
Ky gëzim na del po kaq i madh  një këngë tjetër kur flitet për festën e bekuar të Bajramit. Edhe familja më e varfër në krahasim me të tjerat në fshatrat myslimane e mbushte atë ditë sofrën plot . Urimet përcillnin njëri-tjetrin e begatia mbushte pragjet:
Tepsia me bakllai
Për shumë mot Bajramin e ri
Bajramin ç’e kemi sot
Kutu kemi plaka plot.
Është pikërisht kjo festë që në një moment tjetër ka edhe trishtimin që të sjell kurbeti, vajtja nizam e burrave. Monologu i një gruaje që e respekton ditën e Bajramit, në të cilën ka prerë edhe një fustan të ri, shoqërohet me dhimbjen e saj që nuk e ka burrin pranë e të gëzojë familjarisht me të .

Ditën e Bajramit
Preva një fustan
Mjera u e mjera
Me çil do ta mbaj
Një burrë që kesha
Ma muarrë nizam
Më dërgoi një kartë
Më dërgoi selam
I marrça   të keqen
Iu bëfsha kurban.

Po të shohësh me vemendje hyrjet e shumë këngëve, pavarësisht nga karakteri i tyre epik ose lirik ato fillojnë me ditën e xhuma ( të premten) që është një nga ditët më të shënuara për myslimanët. Në këngën “ M’u prêt këmbët , m’u pretë “, kënga nis kështu: M’u pretë këmë, m’u pretë / Atë ditën e xhumasë. Në këngën “ Të xhumanë në qindi” është po kjo hyrje ,veç me një ndryshim se është në fillim të këngës :
 Të Xhumanë në qindi
 Në Volë u bë një thjamë( fatkeqësi, mandatë)
 Në këngën kushtuar vrasjes së patriotit Mulla Qemal Dautit kënga nis kështu
Të xhuma më të xhuma
 Mulla Qemali u vra…..
Qetësia shpirtërore e myslimanit  aq e pranishme në situata të vështira të jetës, kthehet në vargjet e këngës në një burim qetësie , në një forcë për kapërcimin e tyre.

Buza thotë:” S’ka të folë
As kur leni mos gëzoni
As kur vdisni, mos helmoni.
Hapni dyert  xhenetit
Janë fekse( dritë) e llambadhë
Hapim dert e xhehenemit
Ishtë pisë e dhe skotarë

Fakti që morali islam është i shkrirë në masën më të plotë në këngën popullore çame, tregon atë përhapje të natyrshme , atë klimë masive besimi që ishte në secilën familje. Për ta bërë këtë moral të njohur edhe te më të rinjtë në to predikohet ndershmëria në luftë me ata që bëjnë gjynahe. Pranohet bota tjetër
 (ahireti), për të cilin secili besimtar duhet të punojë që në këtë jetë. Predikohet dashuria për njëri-tjetrin, dashuria e respekti për fqinjin ( Gjitonin) dhe kritikohet veprimi i mynafikëve:

Në atë jetë që do vemi
Është gjarpëri sa demi
Ai njeri që s‘do njerinë
D’e djegin si qirinë
Jitoni që s’do jitonë
Me kran d’e përvëlojnë
Mynafik vatan mos pastë
Brenda varri mos e dhekstë.

Nëse do ta shikonim nga plani gjuhësor dhe artistik në këto këngë të bëjnë përshtypje detajet artistike që zgjedh poeti popullor. Kontraste mbresëlënëse pa rënë në një moral të thjeshtë ku jo rrallë bien këngë të tilla të krahinave të tjera.
Shkon ky urim e kjo frymë edhe në këngët e dasmës, sidomos në ditën kur në shtëpinë ku bëhet dasma vjen nusja:

Bismilahi, rrahmani rrahim
Elhamdu liledhine
Nimeti xhelil
Beriqeti halil
Allahu mezi
Sufra sahibi
Zoti të na fali
Të trashëgohet djali

Mbarësia e nuses që niset nga shtëpia e saj për të shkuar te shtëpia e dhëndërrit nuk mund të kuptohet pa bekimin e Zotit , ndaj dhe kënga e nënës, e shoqes , e motrës , e babait thotë:

Dolle , nuse dolle, me kokën mënjanë
Të përcolli nana të tha: “Udhë të mbarë!’
Kur më dolle derën , me paraponi
Kur më more udhën me bismilahi

Në kulmin e gëzimit të festës një dialog i nuses me dhëndërrin i mbushur me epitete nga më të bukurit i ngroh të dy shpirtërat. Përballë bukurisë së vashës dhëndërri pyet : “Vetullat përse t’u nxinë?/ sikur ke vënë mazinë?/Dhe vajza besimtare, por dhe shumë e zgjuar thotë thjesht: “ Jo, mor jo , për perëndnë / ma dha Zoti bukurinë.”
Një djalë tjetër  dashuruar pas Refinanit mezi e prêt Bajramin se pas dy javësh të Ramazanit do të shkojë në dyqan për të prerë një fustan të ri për të:

Në di javë Remazan
E bukura Refinan
U do vete në duqan
Të pshonis një top indian
Që të presësh një fustan
Ta kesh lule për bajram

Gëzimi masiv i dasmës njësohet shumë herë me grumbullimin festiv të njerëzve në ditët e bajrameve , kur me rroba të reja, me urimet e pafund për njëri-tjertin në buzë dhe me falenderimet për Allahun e madhëruar formojnë një dekor të bukur njerëzor në fshatrat e Çamërisë. Për këtë në fshatin Kurtes këndohet kështu:

Bajram , e ç’ish sot
Kutu janë zonjat lot
Bij t’i sho e s’i sho dot
M’u mbushën sitë me lot

Kjo bëhet edhe kur këndohet duaja e bukës . Pasi hanë bukë, të gjithë pjesëtarët e sofrës këndojnë:

Zoti e shtoftë
Dhe e buroftë
Më  shumë mo’ ka sot

Ose në një këngë tjetër që këndohej në Picar të Filatit thuhej : “Shtoje o zot, mbushe plot merrja agait/ jepja fukarait”
Vetëm besimi te zoti, te forca e tij e madhe mund ta bëjë edhe më të ndjerë këngën e dashurisë . Përballë një realiteti frymëzues. përpara portretit të vajzës së bukur që del e fshihet në dritare diku nën rrezet e bukura të hënës urimi “ të lëftë perëndia “ është më se i goditur për të shprehur atë gaz të brendshëm që i ka ardhur:

Del hëna ka mali
Llamburit shtëpia
Ja s’del në penxhere
Të lëftë Perëndia

Veç këngëve të tematikave të ndryshme që bartin të fuqishëm edhe sot e kësaj dite,  edhe toponimet e shumë fshatrave lidhen me besimin te Zoti. Ato janë subjekte të fuqishëm që tregojnë  një vitalitet të madh shpirtëror. Në fshatin Pleshavicë që është në afërsi të  kufirit më Konispolin është një shpellë që quhet Shpella e Ujthit. Tregojnë për të një legjendë se si atje shkoi një grua për të lindur. Bëri një vrimë nga lart dhe lidhi tërkuzën . U lidh me të në hava që të lindëte kollaj Guri nën të u kthye në govatë që të lahej kur të lindtëte Por s’kishte ujë . Aherë ajo ngriti të dy duart përpjetë. I mbështeti ato në faqe të shpellës dhe  iu lut Zotit: “ O zot , më jep ujë! Menjëherë lutja iu pranua. Atje ku ajo kishte vëvë duart, uji buroi  më bollëk. Me vite të tjera më  pas shumë njerëz besonin se këtu është vend i mirë dhe shkojnë të lahen me këtë ujë që ata e quajnë “ujë të mirë” dhe shpellës ia vunë emrin “ Shpella e Ujthit”.
            Një gojëdhënë shumë origjinale është dhe ajo e lejlekëve që e kanë drejtimin e vajtjes së tyre në vendet e ngrohta të ku gjendet edhe Meka. Kërcëllitja e sqepave të tyre sipas besimtarëve të kësaj krahine duket si ezan ( thirrrje) dhe simbolika e vajtjes së tyre i ngjan asaj të haxhilerëve për në Mekë:

Haxhi lelek
Eja në xhami
Nëse do kati
Efendi me flutura

Edhe onomastika e emrave të njerëzve  të kësaj krahine ishte në shumicën e rasteve me origjinë fetare . Kështu emrat Ibrahim, Ismalil, Fatime, Haxhi , Rexhep, Jasin, Ajet, Ali, Adem, Hava, Nuh, Mustafa, Muhamet, Kadri, Bajram, Kadrie, që kanë origjinë islame i gjen edhe sot e kësaj dite  në çdo shtëpi të fshatrave të Çamërisë.
 
 
***
Përballë kësaj galerie të vërtetë shumëngjyrëshe me tinguj , figura të pasura letrare  shumë origjinale, hapësirë, dritë të fortë besimi me shpresën  te Zoti që gjthësesi edhe brenda kuadrit të një eseje të plotë, mbetet akoma i virgjër dhe jo i rrahur plotësisht , historia e re nuk e ka mpakur këtë besim te fëmijët , nipërit e stërnipërit e atyre burrave e grave të kësaj krahine me një histori të lavdishme në drejtim të përhapjes së fesë islame. Në të gjitha vitet e qëndrimit në Shqipëri ku është pjesa më e madhe e të dëbuarve nga trojet e tyre, por edhe në vendet e tjera ku jetojnë e punojnë , asnjëherë nuk e patën pengun e përcjelljes së besimit te brezat më të rinj. Por, për fat të keq, në trojet tona amtare në të 70 fshatrat prej nga u dëbuan dhe u masakruan me mijrëa njerëz të pafajshëm, objektet e kultit islam në Çamëri një nga një po zhduken . Natyrisht nuk bëhet fjalë për t’i ringritur dhe restauruar në gjendjen e mëparshme, nëse atje nuk do të skojnë banorët shekullorë të tyre. Jo, as që mund të mendohet një gjë  e tillë . Sipas dokumenteve që janë të qarta shumë xhami po prishen duke gjetur një “ argument” të fortë të ndërtimit të objekteve publike , sidomos të ndërtimit të rrugëve, të  ndërtesave të tjera publike , me qëllim që të dobësohet ai besim i madh i popullsisë së Çamërisë që ka qenë shenjë e jetës  dhe e indentitetit tonë kombëtar.

Literatura
 
* Rrapaj.Fatos  -“ Rënkimet e Çamërisë – Tianë , 1985
Shabani. Halil- “ Shalësi ynë në jug”- “Saranda” 1999
* Rrapaj Mero Fatos- “ Fjalori onomastik i Epirit” – Tiranë 1995
* Hoxha . Ibrahim- Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek” – Tiranë 2000
  * Çështja came dhe integrimi europian” ( Konferencë shkencore)– Botim i Institutit të Studimeve për Çamërinë – Tiranë 2005“
* Hoxha . Ibrahim  - “ Bilbila e thëllëza came”   AITC Tiranë  2007
* Hoxha Ibrahim – Enciklopedia jugshqiptare” Tiranë   2006
 
 Namik Selmani, mësues në shkollën e mesme pedagogjike e të gjuhëve të huaja Berat
 Tirane, 24 dhjetor 2009
------------------------------------

Biografia
Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës; është gazetar dhe shkrimtar shqiptar.
Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Univeritetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.
Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA,
 Zvicër,  Maqedoni, Kosovë, etj.
Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artitike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.
Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” me qendër në qytetin eElbasanit, etj.
?     “Vatra e mallit”, poezi, 2000
?    “Zërat e brigjeve të mia”, poezi, 2003
?    “Dallandyshet e Çamërisë”, proza, 2004
?    “Kroi i këngës çame”, poezi, 2005
?    “Trokitje në Dodonë”, proza, 2006, ISBN 99943-855-6-9
?    “Filizët e fjalës gjimnaziste”, botim pedagogjik , 2006
?    “Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore”, monografi, 2006, ISBN 99943-33-82-8
?    “Fari çam”, poezi, 2006
?    “Kërkoj monumentet”, proza, 2007, ISBN 978-99956-621-0-3
?    “Shpirti çam”, antologji personale me poezi, 2007, ISBN 978-99943-967-8-8
?    “Dritaret e besimit”, poezi fetare për rininë islame, 2007, ISBN 978-99956-652-3-4
?    “Rruga e një shkolle”, monografi për shkollën mesme profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat, 2007, ISBN 9789994396795
?    “Arkivi i fjalës”, botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme, 2008
?     “Noos”, poezi nga Rizvan Nepravishta, Berat, 1998
?    “Më fal, ëndrra ime!”, poezi nga Drita Braho, Berat, 2000
?    “Në krahët e ëndrrës”, poezi nga Esmerlada Mile, Tiranë, 2007, ISBN 978-9943-967-7-1
?    “Fjongoja e pranverës”, poezi nga Fabiola Abazi, Tiranë, 2007, ISBN 978-99943-967-3-3
?    “Dollia e dashurisë”, poezi nga Laura Selmani, Tiranë , 2008
?    “Fluturim”, poezi nga Hanife Hoxhallari, Tiranë, 2008, ISBN 9789995622206
?    “Pranë njerëzve”, sprovë për një punonjës social”, Andi Selmani, Tiranë, 2008
?    “Hapësira të kulturës islame”, (Berati), redaktor i fotografisë, Berat, 1999
?    “Këngët e Beratit”, Studim, (redaktor i fotografisë), Berat, 2004
Burime të dhënash
?     “Këngët e para”, antologji poetike për të rinjtë e shkollave të mesme, 1968
?    Ali Podrimja, “Eni vjen pej Çamërie”, antologji poetike për Çamërinë, 2003, ISBN 9951-02-041-0
?    Astrit Kaziu, “Legjenda Mustafa Gjinishit”, bashkautor në përmbledhje artikujsh, 2004
?    Mehmet Gëzhilli, “Kolonel Zylyftari”, antologji kushtuar Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari, 2004, ISBN 99927-43-26-3
?    “Përtej detit – Oltre mare”, përmbledhje poetike, botuar në Ankona ( Itali), 2004, Shoqata e Emigrantëve
?    Hajro Ulqinaku, “Ulqin, ti det”, antologji poetike për Ulqinin (Mali i Zi), 2007
?    Arben Llalla, “Shtypi shqiptar dhe arvanitasi Aristidh Kola”, përmbledhje krijimesh,Tetovë,( Maqedoni), 2007, ISBN 978-9989-2720-2-8
?    Mevlud Buci, “Dritare fisnikërie”, antologji me shkrime e poezi, 2007, ISBN 9789994357185
?    Ahmet Mehmeti, “Nektari i shpirtit shqiptar”, antologji për Çamërinë, 2007, ISBN 9789994350131
?    Fatos Daci, “Dibra ‘07”, Antologji me krijime letrare për Dibrën, 2008
?    Andi Selmani “Pranë njerëzve”, 2008, ISBN 9789995-622398
?    Laura Selmani, “Dollia e dashurisë”, 2008, ISBN 9789995 622268
?    Shefki Hysa, “Diplomacia e vetëmohimit”, 2008, Tiranë, ISBN 978-99956-650-3-6
[redakto]Lidhje të jashtme
?    Personalitet që e nderon Çamërinë
?    Faqe e Namik Selmanit
?    Faqe e revistës “Krahu i Shqiponjës
?    Faqe: Sh. K.” Bilal Xhaferri”
?    Faqe: Sh. B. “Bilal Xhaferri”
?    The Cultural Association “Bilal Xhaferri”
?    The publishing house “Bilal Xhaferri”
?    Krahu english
?    Faqe e Shefki Hysës
?    Kur hapen dritaret



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora