E enjte, 01.05.2025, 09:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Pula kur këndon si gjel

E merkure, 23.12.2009, 09:01 PM




KALOSH ÇELIKU


PULA KUR KËNDON
          SI GJEL

Nëna ime kur pula këndonte si gjel
E therte. I fuste thikën në qafë.
Biro! Kënga e saj ndjell kob
Patjetër, duhet t’ia zhdukim furriqet.
Në shtëpinë tonë lajmëtar është gjeli
Mbreti i pulave. E paralajmëron agimin.

E sot, shumë pula e thirrin agimin.
Fatkeqësi. Që Nëna ime nuk është gjallë
Thikën t’ua vë në qafë. Heshti qyqet...


Këlyshët me zgjebe
turren pas shpërblimit  

Nuk e shihni si lehin pas meje. Ndërsehen         
 E  nxjerrin gjuhën dy pëllëmbë. Përjagen në
 Gazetat policore. I japin njëri tjetrit  guxim.   
Edhe lëvdata.Turren pas Nënës Parti.                  
E kthej pas kokën. Më dhimbsen këlyshët         
 Kur i shoh aq të vegjël. Buba të pafuqishëm.

Mund  t’i ha kur të dua meze. Pi, të mjerët    
Dolli me Miken. Nuk e meritojnë hadumët…


Kafshë e zbutur

Dum Dumi është një kafshë e zbutur
që kullot në livadhet e Nënës Parti
e pi ujë në Hurdhë
e tërheq qerren rrugës
e lidhin në grazhd
me një krah bar
ose një torbë taxhi.

Dum Dumi është një kafshë e zbutur
mëzat i tredhur
që nuk i kërcen Lopës
dhe kurrë nuk e thyen zgjedhën...


Në këtë Qytet gomarët
      shiten shumë shtrenjtë

Vitet i humba në këtë Qytet qyqesh
Ku gomarët shiten shumë shtrenjtë.
E ujqërit i ndjekin. I vrasin. Ringjallin
Pusi, u vënë në rrugë. Te lumi.

Ky Qytet ma hëngri gjithë pasurinë
Që, trashëgim ma la Babai kur vdiq.
Shkaku: kurrë nuk shkova pas gomarit
Po, pas Ujkut. Tigrit. Luanit. Grave.

Vitet i humba në këtë Qytet qyqesh
Ku gomarët shiten shumë shtrenjtë...


Papagallët më mësojnë mua
              si i dilet zot Atdheut

Udhëtoj. Dhe, përditë e pi jetën verë
Përderisa politkanët jetojnë në dhjamë.
Trashin qafat e lidhura me kravata kuqezi
Unë kam vuajtur shumë. I vetmuar
Kam bredhur dhiareve me zemër të uritur.

Politikanët e tredhur. Papagallët
Më mësojnë ç’është demokracia. Liria.
Si shkruhet poezia. I dilet zot Atdheut...


Në këtë Qytet burrat
       shiten me thasë

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burra ka me thasë.
E shiten lirë në Bit - Pazar.

Mike, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burrat shiten me thasë...

Partia sikur të më luftonte me poetë

Lufta vazhdon. U plaka mes librave
Poezive që më fusin në luftë. Dashuri.
Verë nuk kam. Penën e nxjerr nga brezi
Nëntë male t’i bëj rrafsh. Fushë e ugarë
Rrugë t’i hap poezisë. Lirisë në male.

Partia më lufton me këlyshë me zgjebe
O, Imzot! Sikur të më luftonte me poetë?!...


(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx