Brittany Murphy: Ylli kinematografik shuhet në moshën 32 vjeçare
E merkure, 23.12.2009, 05:37 PM
Ylli i Hollivudit, e njohur për rolin e saj në disa filma si “Clueless” apo “8 mile”, ndërroi jetë të shtunën në shtëpinë e saj në Los Angeles. Vdekja e aktores Brittany Murphy në moshën 32-vjeçare ka ngritur pikëpyetje mbi shumë rrethana, edhe pse ekspertët në një vlerësim të parë konstatuan se gjithçka ka ndodhur për shkaqe natyrore. Në kartelën klinike të vdekjes së saj, është shkruar “sulm kardiak”, duke e bërë rastin e aktores simpatike të ngjashëm me atë të këngëtarit Michael Jackson. Mediat amerikane bëjnë të ditur se ajo është gjetur nga e ëma në dush, e pajetë, ndërsa po kalonte një periudhë jo shumë të lumtur në jetën e saj. Aktorja amerikane, me probleme me drogën në të shkuarën e saj, ishte e martuar me skenografin britanik Simon Monxhek. Aktualisht, ajo merrte disa qetësues për të kuruar stresin, ndërsa njihej për natyrën e saj impulsive, edhe gjatë xhirimit të filmave. Brittany Murphy filloi karrierën në vitet ‘90 me role të vogla nëpër seriale televizive dhe filma. Një shok i saj ka thënë se bukuroshja 32 vjeçare, e cila fitoi çmime për paraqitjen e saj në filmat “Clueless dhe “8 mile” ishte e bërë e varur nga këto qetësues, pasi kishte bërë disa herë operacione plastike. Ndër qetësuesit që ajo ka përdorur janë edhe Vicodin, të cilin e kishte përdorur edhe këngëtari Jacko. Raportohet se ajo nuk ka mundur të “rri në këmbë” gjatë premierës së filmit të saj të ri “Across The Hall”, i cili u dha premierë para tri javëve në SHBA. Brittany problematike, e cila ka qenë e martuar me skenaristin britanik Simon Monjak, po ashtu ka qenë e shqetësuar nga çrregullimet në ushqim. Ka pasur spekulime që ajo ka përdorur edhe kokainë, për të cilën gjë ajo nuk ka folur. Vdekja e Brittany është shpallur të shtunën në orën 10:04 paradite, ku pak para vdekjes ajo ka pësuar sulm në zemër. Por shokët e saj kanë thënë se ajo ka vuajtur edhe nga ilaçet. “Ne kemi qenë shumë të shqetësuar që kjo gjë ka ndodhur. Brittany kishte jetuar një jetë të vështirë më shumë probleme shëndetësore. Ajo ka pasur probleme me ilaçet dhe për këtë ka kërkuar ndihmë. Fatkeqësisht, kohëve të fundit kishte filluar edhe të mos dëgjonte mirë”, ka thënë një shokë i afërt i aktores. Ish fëmija i aktores, e cila arriti në vendin e shtatë në top-listën britanike me Faster Kill Pussycat që ka një bashkëpunim me DJ Paul Oakenfold, është gjetur pandjenja kur ka marrë vesh për vdekjen e nënës së saj. Ndërkohë që edhe shumë analiza të tjera kanë zbuluar se ajo ka vuajtur nga sulmi në zemër. Mjekët janë përpjekur ta sjellin në jetë edhe në kohën sa ka qenë në makinën e ambulancës derisa ajo ka shkuar në spitalin LA Cedar, në spitalin në të cilin kishte shkuar edhe këngëtari Jackson, por mjekët nuk kanë arritur që të bëjnë asgjë. Kirurgu i spitalit të Los Angeles, Ed Winter i ka thënë web-faqes TMZ.com se Brittany në pamje të parë “ka një vdekje natyrale” dhe për të nuk ka ndonjë dyshim të bazuar. Ai ka shtuar se vdekja e saj ka ndodhur në banjo dhe autoritet janë duke shikuar historinë e saj mjekësore. Familja e saj është duke bashkëpunuar në autopsinë e bijës, e cila planifikohet t’i bëhet sot. TMZ, po ashtu ka treguar se disa lloje të tjera ilaçesh që janë gjendur në shtëpinë e saj, por ata nuk kanë dhënë detaje të tjera. Çdo lloj ilaçi që është gjetur në shtëpinë e saj do të testohet dhe do t’i bëhen analizat toksikologjike të tyre, të cilat do të marrin kohë deri në gjashtë javë.