Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Krijuesit janë ambasadorë të vlerave shpirtërore të kombit
E hene, 21.12.2009, 09:58 PM
KRIJUESIT JANË AMBASADORË TË VLERAVE SHPIRTËRORE TË
KOMBIT
Shumë prej shkrimtarëve tanimë janë emra të
njohur në nivel të Kosovës dhe atë kombëtar.
Nga Shkolla e artit kanë dalë piktorë,
skulptorë dhe grafistë të shquar që sot me ta mburret arti pamor i Kosovës dhe
ai kombëtar. Arti skenik në Pejë doli jashtë kufijve të Pejës dhe Kosovës.
Ndërsa, Teatri Populluer Krahinues në Prishtinë, pothuaj se u themelua dhe u
kompletua kryesisht nga aktorët të cilët dolën nga skena e teatrit të Pejës.
Si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës, dega në Pejë, kam organizuar shënimin e dyzetvjetorit të krijimtarisë
letrare të katër krijuesve letrarë, të cilat jo vetëm se ndjeheshin mirë, por
atyre u dukej se shoqëria e paguante në njëfarë mënyre borxhin ndaj tyre por
edhe vetë e përjetonin rrumbullakimin e punës së tyre. Me manifestimet letrare,
kemi sensibilizuar edhe rëndësinë për të mësuar dhe për ta dashur e respektuar
historinë dhe rrjedhat e saj nëpër periudha kohore.
Bashkëpunimi i ndërsjellë me krijuesit dhe
institucionet kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare nuk
është në nivelin e duhur, apo nuk është koordinuar as për së afërmi.
Letërsia e mirëfilltë nuk bëhet dhe as nuk
arrihet duke u shkapërderdhur, duke bërë klane e grupe, por as duke mbjellë
inate e zili të pakuptimta, të cilat i ngjajnë një trungu të kalbur, apo një
mjeti shpërthyes që helmon.
Me gjithë këto probleme dhe me gjithë këto
kushte të rënda e të vështira, kujtoj se vlerat dhe aktivitetet kulturore e
stolisin dhe gjithnjë e më shumë janë duke arritur drejtë kurorëzimit dhe
synimit se vlerat shpirtërore dhe kulturore janë fondamentale
__________
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, është një prej figurave më
të dalluara dhe më karakteristike, krijimtaria e të cilit ka veçantinë e
ngrohtësisë shpirtërore dhe të përjetimit, ka zërin dhe mesazhin metaforik,
kurse universi i tij krijues së bashku me filozofinë e mendimit, lexuesin jo
vetëm se e bën për vete dhe kureshtar, por edhe e provokon për analiza të
mëvetësishme të veprave të këtij krijuesi. Deri me tash, ky punëtor i
mirëfilltë i kulturës dhe i vlerave shpirtërore dhe kulturore, ka botuar
njëzetë e pesë vepra nga fusha e krijimtarisë poetike, prozë, eseistikë, monografi
dhe drama. Ndërsa, angazhimi i tij si publicist për afro tridhjetë vite me
radhë, në fushën e informimit me kohë, të drejtë dhe në mënyrë profesionale,
është një prej kontributeve më qenësore për afirmimin e vlerave shoqërore,
individuale, por edhe për luftimin e të gjitha dukurive negative, të cilat kanë
qenë prezent dhe e kanë penguar zhvillimin e mirëfilltë të shoqërisë dhe të të
gjitha segmenteve të jetës.
Sejdi Berisha, është një prej atyre që i dha shpirt dhe jetë edhe
zhvillimit të artit skenik por edhe të fushave të tjera. Ai, prej viteve të
gjashtëdhjeta ishte anëtar i Teatrit të Qytetit të Pejës, ishte anëtar i Klubit letrar të Pejës, kryetar i të cilit ka qenë
për dy mandate gjatë kohës së paraluftës, pastaj është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve
të Kosovës, kurse katër vitet e fundit, ishte kryetar i degës së këtij
asociacioni në Pejë. Ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit të Qytetit të Pejës,
anëtar i Bordit të Galerisë së Arteve në Pejë dhe anëtar i Bordit të Qendrës
për Mirëqenien e Gruas në Pejë.
Prej vitit 2002 ka organizuar kursin e gazetarisë pranë Organizatës
Joqeveritare IRC dhe pranë Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë.
Në vitet e 90-ta, ka qenë edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në
Pejë, dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Veprimtarëve të Kulturës të Pejës,
atëherë kur shqiptarëve u ishte ndaluar çdo veprimtari për shkollim, kulturë,
punë etj.
Ky ishte edhe shkaku për të zhvilluar këtë bisedë për gazetën tonë në
prag të Vitit të Ri 2010.
Pyetja: Komuna por edhe qyteti i Pejës njihet për
kah zhvillimi i kulturës qysh në vitet e pesëdhjeta e më herët, edhe përkundër
rrethanave të okupimit. Pra, Peja ka një traditë të begatë kulturore.
S. Berisha: Është e vërtetë se Peja ka një traditë të
begatë në zhvillimin e kulturës, në zhvillimin dhe ruajtjen e afirmimin e
vlerave shpirtërore dhe kulturore. Këto
të arritura kanë bërë që kjo komunë, por përmes saj, edhe tërë Kosova të jetë
një lloj ambasadori i kombit në fushën e zhvillimit të kulturës. Në këtë
aspekt, kontribut të madh, atëherë kanë dhënë zejtarët dhe intelektualët, të
cilët organizoheshin në forma të ndryshme, duke filluar nga shoqëritë muzikore
e deri tek arti skenik, krijimtaria letrare dhe arti pamor.
Atëbotë, SHKA “Përparimi” kishte arritur një rezultat të shkëlqyeshëm në
fushën e muzikës, veçmas të asaj popullore, prej nga më vonë marrin guximin të
themelohen edhe shumë SHKA, si “Ramiz Sadiku”, “Xhemajl Kada”, Ansambli i
Folklorit Burimor “Rugova” si dhe shumë grupe e seksione tjera muzikore si
“Sofra Pejane”, SHKA “Bakraçët” e kështu me radhë.
Pyetja: Të gjitha këto të arritura janë arritur me
një përkushtim dhe vullnet të madh. Por, kjo do të thotë se Peja ka pasur edhe
talent të shumtë?
S. Berisha: Po. Të gjitha këto janë arritur me një
angazhim dhe mund të madh. Bile, me mburrje mund të thuhet se në të gjitha
fushat kulturore që i përmenda, janë arritur rezultate, por artistët dhe
ansamblet e shoqëritë e këtushme edhe janë shpërblyer duke zënë vendet e para
në shumë festivale dhe manifestime të ngjashme. Si duket, atëherë përkushtimi
dhe vullneti ishte më i madh se çdo përkundër problemeve dhe tendencave për të
penguar punën. E tani është, fatkeqësisht krejt ndryshe. Kultura nuk çmohet dhe
as nuk respektohet sa duhet...
Teatri i Pejës-çerdhe e
aktorëve më të spikatur të Kosovës, kurse shumë shkrimtarë u bën emra të njohur
të letërsisë kombëtare
Pyetja: Teatri i Pejës, dikur ishte një çerdhe
prej nga kanë dalë artistët më të spikatur të Kosovës?
S. Berisha: Kudo në botë, teatri është dhe
konsiderohet si një prej institucioneve me kulmore të vlerave dhe arritjeve
kulturore. Andaj, ky epitet, në Kosovë thuaj se i takonte Pejës. Sepse, arti
skenik këtu u zhvillua që nga vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar dhe mori
hov në vitet e pesëdhjeta, kur në vitin dyzetë e nëntë, me Vendimin e Kuvendit
të atëhershëm Komunal u themelua edhe zyrtarisht Teatri i Qytetit. Prej aty,
artistët pejanë anë e këndë Kosovës, por edhe në të gjitha viset e ish
Jugosllavisë shfaqin me sukses dhe zunë vendet më prestigjioze në festivalet e
shumta. Këto rezultate, edhe sot e kësaj dite, besoj se mbahen në mend, sidomos
ato në Festivalin Federativ të Teatrove në Hvar, në Trebinje, në Kullë të
Vojvodinës, në Zrenjanin dhe Velika Pllana të Serbisë, në Festivalin e Teatrove
të Kosovës në Ferizaj dhe në Festivalin Ndërkombëtar “Mbrëmjet e Vëllazërimit”
në Prizren etj.
Kjo
donë të thotë se arti skenik në Pejë doli jashtë kufijve të Pejës dhe Kosovës.
Ndërsa, Teatri Populluer Krahinues në Prishtinë, pothuaj se u themelua dhe u
kompletua kryesisht nga aktorët të cilët dolën nga skena e teatrit të Pejës.
Pse e theksova tërë këtë histori. E vura në spikamë, sepse, edhe
përpara, por edhe tash duhet ta ndjejmë një përgjegjësi dhe obligim që shoqëria
pejane sidomos, por edhe ajo në nivel të vendit që duhet ta kanë për artin
skenik, respektivisht, për Teatrin e Pejës, i cili disponon me të gjitha
objektet më moderne të infrastrukturës dhe me një sallë të përkryer.
Pyetja: Edhe në fushën e letërsisë, Peja ka dhënë
shumë emra krijimtaria e të cilëve ka begatuar letërsinë e Kosovës dhe atë
kombëtare?
S. Berisha: Edhe në këtë fushë, Peja është shquar. Në
vitet e pesëdhjeta, nga bankat e gjimnazit kanë dalë shumë talent të fjalës së
shkruar, të cilët më vonë u bënë emra të njohur edhe të letërsisë, por edhe të
gazetarisë. Ndërsa, më kujtohet kur isha gjimnazist, me angazhimin tim dhe të
disa shokëve, themeluam Grupin letrar, i cili fillimisht, kohë pas kohe
organizonte orë letrare në nivel shkolle, kurse më vonë morëm guximin që orë
letrare të begatuara edhe me art skenik të organizojmë edhe në qytet. Kjo,
sikur zgjoi kureshtjen, por edhe u dha guxim talentëve që të merren me këtë
formë të kulturës, e cila është ndër më të rëndësishmet për kombin dhe historinë
e një populli.
Atëherë, u poqëm kushtet për themelimin edhe të Klubit letrar të
qytetit, i cili për një kohë të gjatë funksionoi për mrekulli. Pastaj,
krijuesit e moshës më të re, filluan të marrin vetën dhe të pjekin guximin për
tu marrë me krijimtari letrar, shumë prej të cilëve u bën emra të njohur, disa
në nivel komunal, disa në atë rajonal, kurse disa edhe në nivel të Kosovës dhe
atë kombëtar.
Pyetja: Gjithnjë ende jemi me zhvillimet në Pejë.
Arti figurativ, edhe kjo fushë e kulturës në Pejë ka qenë dhe është e njohur me
krijimtarinë e begatë dhe me shumë piktorë, që tani janë emra të njohur?
S. Berisha: Shkolla e Mesme e Artit, ka qenë një prej
faktorëve që ka ndikuar në zhvillimin e artit pamor, por edhe në shkollimin dhe
zbulimin e artistëve figurativë dhe atë jo vetëm nga Peja, por nga i tërë
rajoni, Kosova dhe jashtë Kosovës, siç është Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e
Preshevës. Tani, por edhe përpara, kemi pasur Shoqatën e artistëve figurativë
që vepron me sukses. Mos harroni se nga këtu kanë dalë piktorë, skulptorë dhe
grafistë të shquar që sot me ta mburret arti pamor i Kosovës dhe ai kombëtar.
Përkundër rreziqeve, në
atë kohë u organizuan mori aktivitetesh kulturore
Pyetja: Të kthehemi pak tek puna e Juaj. Ju, para
luftës në Kosovë ishit edhe në krye të letrarëve pejanë por edhe në Kryesinë e
Veprimtarëve të Kulturës në Pejë. A mund të na përshkruani këtë periudhë me
siguri aspak të lehtë?
S. Berisha: Në atë kohë sikur ishte zgjuar më shumë se
asnjëherë vetëdija por edhe këmbëngulja për punë sa më masive. Përkundër të
gjitha vështirësive dhe rreziqeve që iu ekspozoheshim, thuaja se çdo javë, çdo
pesëmbëdhjetë ditë, çdo muaj organizonim orë letrare nëpër shkolla, kurse, ato
në nivel të qytetit i organizonim nëpër kafiteri dhe lokale të cilat ishin më
të përshtatshme për aktivitete të tilla. Dhe, për habi, pjesëmarrja ishte
masovike dhe shumë e zgjedhur. Po ashtu, organizonim edhe promovime veprash të
autorëve të ndryshëm nga qyteti i Pejës. E tërë kjo, sikur forconte çdonjërin
për të vazhduar edhe më me ngulm aktivitetet jo vetëm letrare por edhe ato të
fushave të tjera. Atëbotë, Lidhja e Veprimtarëve të Kulturës në Pejë,
organizonte koncerte të shumta muzikore. Por, këto forma, të cilat ishin të
përziera edhe me poezi, i organizonim në Kishë, sepse okupatori atje më pak
dyshonte për aktivitetet tona. Dhe Çfarë ndodhi atë kohë. Në saj të punës së
palodhur e themeluam edhe Korin e vajzave, i cili ishte i pari i këtij lloji në
tërë Kosovë. Nuk i kemi lënë anash edhe aktivitet tjera, siç janë ekspozitat,
të cilat atëbotë organizoheshin në Qendrën e Re të Zejtarëve por edhe në
Galerinë “Evropa”, e cila ishte një asociacion i cili ishte themeluar më
cilësinë e institucionit privat nga një piktor yni i mirënjohur. Këtë galeri e
kemi shfrytëzuar shpeshherë edhe për aktivitetet tjera.
Kur njeriu i mendon të gjitha këto aktivitete që janë organizuar në
atë kohë, tash sikur të detyrohet pezmatimi, sikur të ngarkohet mendja me
dyshimin dhe papërgjegjësinë individuale dhe kolektive. Kur i kujton të gjitha
këto të arritura, sikur të troket frika për asgjësim, për mungesën e vetëdijes
dhe të ndërgjegjes, sikur të shkon mendja tek dyshimi për gërryerjen apo
rrënimin e vlerave shpirtërore nga vetë njeriu ynë, nga vetë shoqëria jonë?!...
Fjala e bukur letrare
fisnikëron dhe ushqen shpirtin
Pyetja: Ju, deri me tash keni botuar njëzetë e pesë
vepra letrare nga fusha të ndryshme. Ndërsa, katër vitet e fundit, keni qenë
edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dega në Pejë. Çfarë mund të
na thoni për punën Tuaj, por edhe për aktivitetin letrar në Pejë?
S. Berisha: Tash, të punosh dhe të arrish rezultate dhe
të shënosh suksese, të them të drejtën, është shumë vështirë. Mirëpo, kur
njeriu e pranon një detyrë të tillë, duhet përkushtim dhe sakrificë. Për këtë
edhe u përcaktova. Ndoshta nuk është modeste, por për katër vite, kam arritur
që të shënoj rezultate dhe të organizoj aktivitete aq të begatshme sa që ishin
për lakmi. Për lakmi, por edhe madhështore, të cilat ushqenin shpirtin e çdo
dashamiri të fjalës së shkruar.
Në këtë aspekt, jam përpjekur që të aktivizoj organizimin e orëve
letrare në nivel të qytetit, për të sensibilizuar sado kudo njerëzit e kulturës
për t’iu kthyer vlerave dhe punës në krijimtari e kulturë. Padyshim se ka qenë
vështirë, por kam arritur që të organizoj dhjetëra e dhjetëra orë letrare, në
të cilat janë përfshirë qindra e qindra dashamirë të fjalës së shkruar. Në këtë
aspekt jam angazhuar që veprimtarinë letrare të mishëroj edhe me artet tjera,
siç është fjala me artin skenik dhe atë figurativ. Kështu, me rastin e hapjes
së shumë ekspozitave, kemi begatuar ato edhe me deklamim vargjesh që shumë
parapëlqeheshin.
Pyetja: Kur jemi tek letërsia, Ju keni qenë i
kujdesshëm edhe në shënimin e përvjetorëve të atyre krijuesve që janë gjallë,
dhe jo sikurse ka qenë praktikë, që kjo punë të bëhet pas vdekjes së
shkrimtarit?
S. Berisha: Pyetje shumë e qëlluar. Gjithnjë më ka
ofenduar dhe ma ka rënduar shpirtin e mendjen shënimi i ndonjë përvjetori apo i
ndonjë përvjetori të krijimtarisë të atyre krijuesve që nuk janë më në
jetë. Po, kjo gjë më duket shumë
paradoksale. Pse të organizohen përvjetorë krijimtarish pas vdekjes, kur kjo
gjë mund të organizohet në mënyrë madhështore dhe njëherësh, këtë përformansë
ta përjetojë edhe vetë shkrimtari apo krijuesi. Nuk jam kundër, që edhe pas
vdekjes krijuesit duhet të përkujtohen dhe duhet të vlerësohet e çmohet vepra e
tyre, por kjo që them unë, kujtoj se e ka peshën shumë më të madhe.
Andaj, këtë gjë edhe e kam realizuar. Si kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve të Kosovës, dega në Pejë, kam organizuar shënimin e dyzetvjetorit
të krijimtarisë letrare të katër krijuesve letrarë, të cilat jo vetëm se
ndjeheshin mirë, por atyre u dukej se shoqëria e paguante në njëfarë mënyre
borxhin ndaj tyre por edhe vetë e përjetonin rrumbullakimin e punës së tyre.
Ishte kjo një punë shumë e qëlluar, dhe se madhështia e atyre
manifestimeve edhe sot e kësaj dite me admirim komentohet. Mendoj se kështu
duhet të punojnë edhe organet gjegjëse të qeverisë qoftë lokale apo edhe në
nivel vendi.
Pyetja: Z. Berisha, krahas kësaj që theksuat, gjatë
mandatit Tuaj si kryetar i letrarëve, kujdes të veçantë i keni kushtuar edhe
zbulimit të talentëve të rijnë por edhe përkrahjes së tyre?
S. Berisha: Unë, kur kam pranuar detyrën e kryetarit të
degës të LSHK-së në Pejë, në radhë të parë i kisha konceptuar këto që i thash
më lartë, por edhe këtë për të cilën tani më pyetni. Me këmbëngulje jam
angazhuar që të ngjalli dhe të zgjeroj bashkëpunimin me shkolla, e posaçërisht
me ato fillore. Kjo, për dy arsye. Njëra për shkak se më kujtohet vetvetja kur
isha nxënës; po që se më përkrahte mësuesi apo arsimtari, mua më dukej se jo
vetëm që merrja guximin, por edhe merrja krahë për të fluturuar në botën time,
në ëndrrat e mia. Andaj, kur e kujtoja këtë, pse mos ta bëj unë edhe për
krijuesit e rinj.
Në këtë aspekt, kemi realizuar dhjetëra e dhjetëra orë letrare, të
cilat nuk ishin vetëm të karakterit formal, por edhe kishin peshën e cilësisë
krijuese dhe të garave. Dhe e dyta. Në çdo orë letrare kemi shpallur tri
poezitë më të mira, të cilat i kemi shpërblyer me nga një apo edhe më shumë
vepra, të cilat dhurata, në të shumtën e rasteve i kam dhuruar veprat e mia.
Çfarë është me rëndësi, në këto manifestime letrare, të cilat i kemi
organizuar edhe me rastin e datave kombëtare, në to kemi sensibilizuar edhe
rëndësinë për të mësuar dhe për ta dashur e respektuar historinë dhe rrjedhat e
saj nëpër periudha kohore.
Në këto orë letrare, për katër vite, poezitë e tyre dhe shkrimet tjera
i kanë lexuar hiq më pak se afro njëmijë të rinj, shumë prej të cilëve kanë
marrë guximin dhe kanë marrë krahë sikurse unë kur isha në moshën e tyre për tu
bërë poetë. Bile, disa prej tyre, në këtë periudhë katërvjeçare kanë botuar një
apo dy vepra, që janë sinjal i mirë që gjeneratat e reja nuk ia kthejnë shpinën
vlerave letrare dhe letërsisë.
Duhet të dalim nga
lëvozhga e shpirtngushtësisë dhe primitivizmi
Pyetja: Çfarë mund të thuhet për gjendjen dhe për
pozitën e kulturës në komunën e Pejës, por edhe në shkallë vendi?
S. Berisha: Kjo është një pyetje
komplekse, andaj edhe vështirë se mund t’i jepet përgjigje adekuate. E them
kështu, sepse, përgjithësisht kultura në Pejë, por edhe në nivel të Kosovës nuk
është në pozitë të lakmueshme. Pse nuk është në pozitë të lakmueshme? Sepse, në
këtë kohë të formimit të shtetit dhe në këtë kohë tranzicioni, preokupimet janë
nga më të ndryshme, duke filluar nga kafshata e gojës e deri tek gjerat që kanë
frymë tjetër apo edhe që kundërmojnë nënçmim, korrupsion, ironi, mosinteresim,
zili, jo sinqeritet etj.
Megjithatë, po bëhen përpjekje që diçka të punohet. Por, mendoj se
shumë mangësi këtë punë e ngufasin, kështu që krijuesi ka ngelur jashtë
rrjedhave normale të jetës, apo është në margjina. Në këtë aspekt, mendoj se
faji është edhe individual edhe kolektiv. Kujtoj se ende nuk kemi dalë nga
lëvozhga e shpirtngushtësisë apo edhe nga elementet e primitivizmit. Kjo
ndoshta edhe ka shkaktuar edhe ngecjen edhe moskuptimin, edhe mospërkrahjen,
por edhe nëpërkëmbjen e vlerave kulturore, mbase edhe shpirtërore.
Edhe diçka. Kujtoj se edhe bashkëpunimi i ndërsjellë me krijuesit dhe
institucionet kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare nuk
është në nivelin e duhur, apo, as për së afërmi nuk është i koordinuar. Edhe
kjo reflektohet negativisht në avancimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore,
por edhe të cilësisë krijuese dhe të këmbimit të përvojave.
Krijimtaria e mirëfilltë
arrihet me përkrahje dhe bashkëpunim e jo me shkapërderdhje
Pyetja: Në
fushën e letërsisë ka vëllim, por nuk ka cilësi. Kurse, edhe përkrahja e
krijuesve, kuptohet, e atyre të mirëfilltë, mungon. Veç kësaj, ndoshta ka edhe
dobësi të tjera?
S. Berisha: Ne, këtu në Pejë kemi krijues të niveleve
e cilësive të ndryshme. Por, megjithatë, kujtoj se është punuar bukur mirë. Dhe
se në këtë sferë është punë e lehtë, sepse, cilësia dhe jo cilësia lehtë
ndahen. Ato i ndanë vetë qytetari, vetë lexuesi. Ndërsa, në nivel të Kosovës
por edhe më gjerë, këto që i thash, ndoshta janë edhe më të theksuara. Letërsia
e mirëfilltë nuk bëhet dhe as nuk arrihet duke u shkapërderdhur, duke bërë
klane e grupe, por as duke mbjellë inate e zili të pakuptimta, të cilat i
ngjajnë një trungu të kalbur, apo një mjeti shpërthyes që helmon.
Krijimtaria e mirëfilltë arrihet duke e përkrahur njëri tjetrin, duke
e stimuluar njëri-tjetrin por edhe duke e mbështetur shoqëria krijimtarinë e
mirëfilltë. Ndryshe, kujtoj dhe frikohem se këto gjëra nuk do të ecën mirë dhe
nuk do të kemi progres.
Merrje me mend, për shembull, kur nuk përkrahet apo nëpërkëmbet
krijuesi, kjo është njësoj sikur kur e ndërton dhe pastaj e rrënon një kala.
Kjo duket ndoshta anakronike, por kjo është e vërtetë. Në këtë rrjedhë ka
ndikim të madh edhe individi dhe komuniteti, por edhe qëndrimi i shoqërisë
përgjithësisht.
Është tmerr kur krijuesin e shoqërojnë nëpërkëmbjet derisa ai përpiqet
që njeriun dhe atdheun, por edhe vlerat shpirtërore t’i ngrit në piedestal,
duke afirmuar dhe përjetësuar çdo vlerë, e cila pastaj përjetësohet dhe mbetet
dëshmi për t’i treguar të tjerëve, apo për t’ua servisur vlerat e tilla, që
mund të bëhen krah e fuqi i vlerave edhe të popujve dhe kombeve e të vendeve të
ndryshme të botës.
Pyetja: Kur kemi të bëjmë për cilësinë e
krijimtarisë, çfarë mendoni, a ka drejtësi dhe sinqeritet në këtë drejtim?
S. Berisha: Eh,... edhe në këtë drejtim ka shumë
mangësi. Apo, ndoshta edhe këtu na mungon niveli i ndërgjegjes dhe i
vetëdijesimit. Shpesh më ka rënë të dëgjoj por edhe të vërtetohet se vlerat e
mirëfillta nuk janë vënë gjithmonë në shkallën dhe as në “raftin” e duhur. Nëse
përmendim shpërblimet për veprën më të mirë, shpërblimet e ngjashme, ka vërejte
se jo gjithherë “qëlluar”, por janë ndarë shpërblimet sipas “arshinëve” të
caktuar. Dukuri të tilla ka pothuaj se në të gjitha nivelet dhe rrafshet. E
kështu, kujtoj se nuk stimulohet, nuk afirmohet dhe as nuk nderohet krijimtaria
dhe as vlerat e mirëfillta.
Konkurset për këtë qëllim, shpeshherë thuaj se janë vetëm formale!
Pyetja: Kemi krizë disi edhe në artin skenik. Bie
fjala, Teatri i Pejës tani sa kohë, edhe pse filloi mirë, tani nuk ka
aktivitet. Pastaj, Teatri Kombëtar në Prishtinë përballet me probleme të
natyrës materiale por edhe kadrovike. Ngjashëm është edhe në disa komuna tjera?
S. Berisha: Po, edhe kjo është një pasqyrë e qëndrimit
ndaj kulturës. Ka sa kohë që kemi folur për teatro profesioniste, kurse një gjë
e tillë ka qëndruar “zvarrë”. Nuk ka mjete, nuk ka trupë teatrore. E, si të
punohet atëherë në teatër. Nuk mund të thuhet për një teatër se është
profesionist, nëse ai nuk ka trupë teatrore, dhe nëse pjesa teatrore përgatitet
për një kohë të shkurtër, bie fjala në Prishtinë e të shfaqet në Pejë.
Pastaj, stimulimi i artistëve është jo adekuat, dhe kjo padyshim se e
sjellë në situatë të vështirë dhe të palakmueshme edhe teatrin edhe aktorët dhe
të gjithë punëtorët të tjerë në këto shtëpi kulturore.
Pastaj, keni vërejtur fenomenin: në premierë, ndonjëherë mund të ketë
ndodhur që më shumë të ketë artistë në skenë se sa shikues në sallë. Bile, edhe
atëherë kur shfaqja është gratis. Çfarë do të thotë kjo?! Asgjë tjetër, vetëm
se një dëshmi se arti skenik është duke përjetuar një krizë, për të cilën, ec e
dije se kujt duhet hedhur fajin! Më kujtohet, para sa deceniesh, për një
premierë, biletat shiteshin një muaj përpara, kurse edhe për repriza ishte
vështirë të sigurosh biletë.
Pyetja: Biseduam për letërsinë edhe për artin
skenik, edhe për vështirësitë në këto fusha. Po arti figurativ, si qëndron, ai?
S. Berisha: Po, kur flitet për kulturën, pothuaj se
përgjithësisht, të gjitha segmentet janë të prekura nga kriza por edhe nga,
ndoshta, mosinteresimi. Megjithatë, tek arti skenik, ma thotë mendja se puna
qëndron pak më ndryshe. Organizohen ekspozita kolektive dhe individuale, dhe se
ato ndonjëherë edhe sjellin të ardhura për piktorin. Por, edhe kjo nuk do të
thotë se është një gjë shpresëdhënëse. Por, me gjithë këto probleme dhe me
gjithë këto kushte të rënda e të vështira, kujtoj se vlerat dhe aktivitetet
kulturore e stolisin dhe gjithnjë e më shumë janë duke arritur drejtë
kurorëzimit dhe synimit se vlerat shpirtërore dhe kulturore janë fondamentale
për një komb, dhe se atyre do tu kthehet nami e vlera dhe rëndësia si
udhërrëfyes të vlerave dhe dëshmive historike dhe kulturore të një kombi.
Po punohet, por të mos ia
zëmë diellin vetvetes...!
Pyetja: Thatë se format e aktiviteteve janë
shpresëdhënëse për t’iu kthyer vlerave dhe rolit të kulturës. Si mendoni se do
të ndodhë kjo?
S. Berisha: Vet fakti se në shumë fusha ka vëllim pune,
për të mos folur për cilësi, dëshmon se po punohet dhe se po insistohet në
rëndësinë dhe respektimin e krijimtarisë dhe të krijuesit e intelektualit.
Kujtoj se kjo do të arrihet, edhe pse fillimisht akoma jemi larg kësaj “ëndrre”.
Dua të them se Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës duhet të intensifikojë
aktivitetin dhe se shkrimtarët nuk duhet të janë të shkapërderdhur dhe as të
ngarkuar me zili e inate, por duhet të punojnë së bashku. Pastaj, Akademia e
Shkencës dhe Artit të Kosovës, me siguri se do të jetë më këmbëngulëse në
dëshmimin e rolit dhe të punës shkencore. Ndërsa, ndërtimi i objektit të
Teatrit, Operës dhe Baletit, është një shpresë dhe cytje për avancimin e
vlerave të përgjithshme kulturore.
Aktivitete janë duke zhvilluar edhe teatrot në Prishtinë dhe në disa
qendra të tjera në Kosovë. Kurse format tjera, si festivalet e filmit në
Prizren e Prishtinë, manifestimet letrare, pastaj, Takimet letrare “Shtjefen
Gjeqovi”, në Zym, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet letrare “Beqir Musliu”
në Gjilan, ato “Azem Shkreli” në Pejë, “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, Takimet
letrare të krijueseve në Vushtrri, ato “Kadri Kadriu” në Podujevë etj. si dhe
festivalet muzikore dhe folklorike, gjithnjë e më shumë po nxisin dhe provokojnë
për të besuar se kultura është faktor me rëndësi, të cilin duhet përkrahur dhe
respektuar.
Andaj, të themi se kultura është si Dionisi, të mos ia zëmë diellin
atë as vetveten, por ta përkrahim si pjesë të mendjes dhe intelektit, pa të
cilën, secili njeri, pra edhe kombi do të dukej i zymtë.
Rrugëtim i zorshëm, barrë
e rëndë shpirtërore, krenari...
Pyetja: Të kthemi tek Sejdi Berisha, si shkrimtar
dhe publicist, si punëtor i mirëfilltë i kulturës. Si arrite deri këtu?
S. Berisha: Tash, jam këtu! Të ju them të drejtën nuk
ka qenë rrugë e lehtë, por ka qenë një rrugëtim i zorshëm, me përkrahje e pa
përkrahje, ndonjëherë rrugë e nënçmuar dhe e errët, kurse ndonjëherë rrugë në
mënyrë satirike e çmuar dhe e vlerësuar lartë! Kur kam filluar këtë rrugë të
“ferrit” isha i vogël, fillorist me plotë ëndrra, por i ngarkuar edhe me
temperament e rebelizëm qysh i vogël. Të gjitha këto sikur më kanë forcuar, më
kanë trimëruar, më kanë bërë krenar, por edhe nga supet e mia sikur më kurrë
nuk ka zbritur pesha e përgjegjësisë dhe mendja e njeriut të sinqertë e të
drejtë. Këto ishin ajo barra më e rëndë edhe shpirtërore, që e ka përcjellë
edhe jetën edhe krijimtarinë time. Shumë interesant, a?!
Atëherë, në asnjë moment dhe as kurrë nuk kam menduar për të keqën, as
për ndërskamcat, as për zilinë, as për nënçmimin, as për tradhtinë dhe as për
poshtërsitë tjera! Por, gjithmonë, të them të drejtën, mik të jetës e kam pasur
dhembjen, gëzimin, përmallimin, protestën, ëndrrën, respektin,.., por edhe
lotin. Të gjitha këto, edhe sot më mundojnë dhe më përcjellin, sepse i kam miq
të mirë dhe të pandashëm të jetës. Këta edhe ma kanë dhënë guximin, mendjen dhe
talentin për tu bërë njeri në shërbim të njeriut, në shërbim të popullit, në
shërbim të tokës sime,... Për tërë këtë, shtytës të mëdhenj, kolosalë, kanë
qenë prindërit e mi, të cilët, pa marrë parasysh situatat dhe gjendjen, më kanë
trimëruar dhe mbështetur për të qëndruar vertikalisht ashtu siç kanë qëndruar
edhe ata në të gjitha situatat dhe furtunat. Në këtë aspekt, pastaj, këtë
shtytje ma kanë bërë qëndresë dhe kala edhe familja ime, bashkëshortja dhe
fëmijët. Të gjithë këta janë “fajtorë” që jam ky që jam tash. U falënderohem
pamasë dhe përgjithmonë për këtë “faj” të tyre.
Të gjitha këto që i përmenda janë “shkaktarë” që sot i kam njëzetë e
pesë vepra të botuara, e që janë si njëzetë e pesë anëtarë familjeje, si
njëzetë e pesë fëmijë, që frymojnë si unë, e kanë gjakun tim dhe të familjes
sime! E kanë gjakun e njeriut të kësaj toke. Është e vërtetë, kjo!
Pyetja: Është karakteristike se veprat e Juaja
trajtojnë tema të veçanta të njeriut tonë, vullkanit shpirtëror të tij dhe të
rrugëtimit shumë interesant, por edhe titujt e veprave i keni shumë të
fuqishëm, bile ndonjëherë, njeriut i mbushet mendja se vetëm me titull e vëren
tërë atë begatinë dhe mesazhin e veprës.; p.sh. “Vrasësi i gjumit”, “Çmendia në
rreth”, “Simfoni pritjeje”, “Lumturia e dhembjes”, “Freskia e pluhurit”, “Plagë
në pikturë”, “E bukura e rrugëtimit”, “Fjalë e pathënë” etj.
S. Berisha: A di, si. Të Ju them të drejtën, shkrimet
të nxjerrin telashe kur i ke në kokë, por edhe atëherë kur i vë në letër dhe,
edhe më shumë kur i boton dhe ato bëhen pjesë e lexuesit. Për këtë, sa ndjej
kënaqësi, po aq kam frikë e përgjegjësi, por edhe më shpijnë të mendoj për
shkrimin, i cili provokon për gjithçka. Kështu edhe krijohet një rrugë e gjatë
në trajtë të dy drejtëzave të cilat dot nuk mund t’i afroj në mes vete e lëre
më për t’i takuar dhe për t’i bërë një!
Edhe brigjet e lumit nuk takohen dhe si të tillë mbesin gjithmonë
etje, dashuri, lumturi e shpresë për realizimin e ëndrrave. Në këtë kontekst
dua të them se, nganjëherë gjërat e mira vijnë shumë të ngatërruara, sa që për
t’i radhitur nevojitet po aq kohë sa edhe ke luftuar për t’i pasur në duar, ato!
Nuk di sa isha i qartë, por a ka mesazh më të ndjeshëm dhe më të fortë se sa
kur flet për freskinë e pluhurit, për lumturinë e dhembjes, për simfoninë e
pritjes,... për fjalën e pathënë, të cilat thuaja se janë sinonim i jetës, i
rrjedhave, i ditarit të njeriut dhe i historisë së vendit tim?!
Por, dua ta theksoj edhe këtë, të cilën e kam prezantuar edhe në
shkrimet e mia; se dikujt nuk i mungon liria as në okupim, as në pranga, por,
po pra,... as në liri! Tërë këtë, krijuesi, por edhe të tjerët mund ta rrumbullakojnë
me të bukurën e rrugëtimit, në të cilën sublimohen të gjitha si koment, si
mendim, si qortim, si këshillë mbase edhe si ndrojtje e qëndresë në të njëjtën
kohë. Kështu, e tërë kjo sikur zemërimin e bën nismë të mendimit të drejtë, apo
edhe druhet se ta imponon detyrimin për të menduar edhe mbarë edhe mbrapshtë.
Është apo nuk është kështu, punë e madhe...!
Pyetja: Jeni shpërblyer shpesh për krijimtarinë
Tuaj cilësore, dhe atë që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit kaluar?...
S. Berisha: Ashtu është. Edhe atëherë kur me moshë isha
i ri. Bile atëbotë u shpërblye tregimi “Çmendia në rreth”. U gëzova pamasë. Por
kujtoj se çmimin e mora sepse konkursi ishte me shifër,... sikur të ishte
ndryshe me siguri nuk do ta kisha këtë “privilegj”! Krijimet e mia janë
shpërblyer edhe tash. Por, në këtë aspekt asnjëherë nuk më bëjnë përshtypje,
sepse,... në këtë rrugëtim gjithnjë ka hile. Po, po. Ka hile!...
Pyetja: Çfarë jeni duke punuar,... cilat janë
planet Tuaja?
S. Berisha: Nganjëherë, i them vetvetes: ngadalë,...
mos nxito. Por, ora ka vlerë të madhe, sepse,... e mat kohën. Kurse, koha ikën.
Andaj, si t’i lidhet gryka kësaj përgjigjeje. Më bëhet se nuk mjafton vetëm të
shkruash, ngase, kur ngelet vetëm një copë kohe, ajo nuk mjafton për ta
rehatuar as vetveten! Por, po ia vazhdoj shkrimit,... e të shohim. Për të saten
herë mu kujtua mendimi i Lasgush Poradecit: është pak një jetë të bësh një
vepër të mirë!...
Bisedën e zhvilloi: Zyhdi BELEGU, gazetar i