Kulturë
Kostaq Duka: I panginjur për jetën (Cikël poetik)
E shtune, 19.12.2009, 09:38 PM

I panginjur për jetën
(Në pritje te vizitës nga doktori, infermierja m’u lut të plotësoja një pyetësor)
Depresiv? I mërzitur me jetën?
Jo ,agresiv . Çdo minutë për ta kthyer në ar.
Çaste pagjumësie?
Jo. Veçse në ëndërrime natës i vjedh kohën për ti shërbyer ditës tjetër.
Ke energji?
Po. Aq sa fundin e një veprimi e shdërroi në start për një fillim të ri.
Ç’dëshiron?
Të vdes në nxitim e sipër
I panginjur për jetën.
Një fytyrë
Zoti im!
Paaftësia paska një fytyrë
Në Europë, Azi , Amerikë….
Shfryn e zjen
Si një kosh plehrash
Ku një cigare prush ndezur
Është hedhur pa kujdes….
Paaftësia
Riprodhon vetveten
Damkosur në punë të mjerë.
Paaftësia
Kancer botëror
Që të mençurit shpesh i shndrron në “budallenj”
Si vritet miqësia
Thjesht!
Mbështille pa kujdes e fute në frigorifer harrese.
Tingëllin zilja e telefonit?
Këputi kordat, mos e ngri receptorin.
Me një rreptësi policore emailet
Flaki tutje në humnerën internetike.
Një vështrim mirësjelljeje
Shtampoje në sy
E kokën ktheje menjëherë
Si të kesh parë një gur a një pemë ndanë rruge.
Një ftesë për urim, ditëlindjeje, martese,
Grise si një fletëpalosje reklame bezdisëse.
Si vritet miqësia?!
Jo me thika e armë
Por me ftohtësinë therrëse të heshtjes.
Të urrej !
-Aktorja e Hollivudit Jan me zë të lartë në publik u shpreh ndaj ish burrit të saj: “Të urrej !”-
Unë i’u urrej
I’u urrej, në gjithë spektrin e urrejtjes
Paçka se me heshtjen e gurit
Trajtjat egërsuese të urrejtjes
I shndrrova në kokra rëre brenda vetes.
Iu urrej!
Pa pasur urrejtje
S’do mbillja në zemër
Farën shpërthyese të dashurisë së re.
Iu urrej!
Farsa juaj “paqedashëse e pafaj”
Kerkon të ronitë urrejtjen
Për të zvetënuar rilindjen e dashurisë
Aty ku ti dëshiroje dhimbje e shkretëtirë harrese.
Një rrugicë
Unë e di
Të gjitha rrugët, autostradat
Tokësore, qiellore të “çojnë në Romë”
Veç për të ardhur tek ty
Më mjafton një rrugicë
E papërfillur në rrjetin universal të udhëtimeve.
Një rrugicë
Kalldrëm ngrirë
Si një plagë e vjetër e trishtuar
Në një zemër kitare
Ku një tingull dashurie, këputet e këputet pa mbarim.
Bëmë sikur harruam
Koha na thërrmoi
Në hapësira të ndryshme.
Mes nesh
Nje bisedë me zor e hapur për dashurinë
Mbeti e pambaruar.
Pas 50-të vitesh
Në eter zërat bashkuam
Dhe …u rishfaqën ashtu me dhimbje copëza
Nga ajo bisedë –varrezë e shpirtit adoleshent të dlirë…..
Por edhe pse e ringjallëm
Zë e formë si dhamë.
Njëri tjetrit i drejtuam pyetjet mërzitëse rutinë:
Si je me tensionin?
Ke dhimbje nga gjunjët?
Qëndro akull
Edhe sikur flaka të marrë çatinë.
Folëm kështu
Siç bëjnë tërë njerëzit tokësorë
Që dikur patën rini
E sot zvarritin këmbët
Në rradhën e pafund të pleqërisë.
“Beteja”
(Nga ditari i emigrantëve të “hershëm “)
Të stërngopur
Nga fushat greke me grurë,
Minjtë për qef nate
U nisën gazlëshuar
Puthiqeve të emigrantëve.
U turrën
Me potere.
Pushtuan divane,tryeza, dollape
Nisën të luajnë ping – pong brenda kafazëve
Të televizorëve.
Gjumi u shkërmoq
Trupat e dërmuar nga lodhja
Nisën të venë në veprim shqisat, e mjete lufte.
Me lugë,tepsi, jastëkë, batanije
Nisën luftën “epope” kundër minjve…
Erdhi një çast kur beteja u ndërpre.
Dy palët heshtazi
Nënshkruan traktatin për paqe.
E prapë përsëri diku, diku
Skërmitej mbyturazi një mi……
Komentoni
Artikuj te tjere
Sami Islami: Nëna ime
Skënder R. Hoxha: Gjenealogji e familjes Demaliaj
Ndue Ukaj: Trajtat e rrëfimit orfik
Gjon Keka: Abuzimi me idealin e demokracisë
Baki Ymeri: Prezantime të reja shqiptare në gjuhën rumune
Demir Krasniqi: Dy elegji ndër perlat më të njohura të këngëve popullore shqiptare
Albina Idrizi: Sa shumë ngjajmë
Blerim Rrecaj: Për borën që ra
Alban Bala: Ngjyra mbi Det (Cikël poetik)
Arif Molliqi: Përrallë e “ Një mijë e një netëve“
Cikël poetik nga Xheladin Mjeku
Një libër për veprimtarinë e sherbimëve sekrete Serbe kundër Kosovës
Halit Bogaj: Anita Ekberg
Sinan Sadiku: Vargje të frymëzuara nga dashuria ndaj atdheut dhe lirisë
Teuta Shala: ''Zeta dhe dinastia e Balshajve'' - Giuseppe Gelcich
Mikel Gojani: Libër i rëndësishëm për receptuesin shqiptar
Engjëll Koliqi: Poezi të 22-26 tetorit 2009 - Poesie del 22-26 attobre 2009
Jusuf Zenunaj: Ninulla e sotme
Monografi, të pathënat e Luftar Pajës
Fatmir Halimi: Vallja e yjeve dhe Vargjet e lira (Lasgush Poradeci dhe Migjeni)