E shtune, 27.04.2024, 09:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Dy elegji ndër perlat më të njohura të këngëve popullore shqiptare

E premte, 18.12.2009, 08:53 PM


Nga folklori ynë:

DY ELEGJI NDËR PERLAT MË TË NJOHURA TË KËNGËVE POPULLORE SHQIPTARE

Nga Demir KRASNIQI

Pa dyshim, se nga cikli i këngëve elegjiake të folklorit tonë muzikor , ndër këngët  më të bukura dhe më të njohura në trojet etnike shqiptare, janë: “Kënga e Rexhës” dhe “Kënga e Sylejman Brahimit”.  Madje, këto dy elegji kanë  tejkaluar kufijtë etnik shqiptar,  për t’u  bërë të njohura dhe të kërkuara edhe në opinionin ndërkombëtar, si perlat më të njohura të folklorit muzikor shqiptar!
    Që të dyja këto elegji kanë për temë tragjeditë familjare të kohës, ku protagonistët kryesor : Rexha dhe Sylejmani janë të vetmit djem të hasretit në familjet e tyre, të cilët vdesin tragjikisht dhe shtëpitë e tyre mbyllen për gjithmonë, nga se në familjet e tyre nuk mbetet asnjë mashkull tjetër si trashëgimtar i familjes.
    Shkaktar të vdekjes së këtyre dy të rinjve janë të kundërta me njëra tjetrën, nga se Rexha, si i vetmi djalë në familje, i cili nuk kishte askënd tjetër  , përveç se nënës plakë dhe motrave , mu në ditën e martesës së tij , goditet fatalisht nga shqelmat e kalit të njërit prej  dasmorëve të  tij, nga të cilat mbetet i vdekur në vend , kurse Sylejman Ibrahimi vritet me plumba në pritë dhe në pabesi , i cili po ashtu ishte i vetmi djalë në familje dhe nuk lë kënd pas veti, pos motrës dhe nënës plakë.
    Për ngjarjen tragjike të vdekjes së Rexhës, e shohim të arsyeshme që t’i japim disa sqarime shtesë, për kohën kur ka ndodhë kjo tragjedi.
    Në kohën kur është bërë dasma e martesës së Rexhës, por edhe shumë vite më vonë, ka qenë traditë që dasmorët (krushqit), miqtë , shokët dhe dashamirët pjesëmarrës të dasmave , të shkojnë në dasma me kuaj , nga se udhëtimet ishin të largëta dhe të mundimshme nëpër terrene të vështira malore, ku nuk kishte as rrugë, as mjete tjera komunikacioni. Një traditë e tillë e rrugëtimit të dasmorëve (krushqve) ruhet edhe sot e kësaj dite nëpër dasmat tona, por sot në vend të kuajve përdorën makinat motorike , sidomos veturat.
    Për kujdesin ndaj kuajve të mysafirëve – dasmorë: vendosjen, ushqimin dhe ujin, janë angazhuar gjithmonë njerëzit familjarë të shtëpisë së dasmorit. Prandaj, në rastin tragjik të Rexhës, kemi të bëjmë me të vetmin djalë hasreti të familjes, i cili doemos është dashur që të përkujdeset për kuajt e dasmorëve të tij.
    Në rastet e këtilla, kuajt kur nuk e njohin njeriun i cili kujdeset për ta, bëhen agresiv , sulmojnë me shqelma dhe kafshojnë me dhëmbë .
    Një fat i këtillë kobzi e përcolli edhe Rexhën, mu në ditën e martesës së tij, kur pritej ardhja e nuses së tij, bashkë me krushqit , miqtë e shtëpisë dhe të gjithë të afërmit e familjes së tij.
    Elegjinë për “Këngën e Rexhës”, pos shumë këngëtarëve tjerë popullor, i pari që e këndoi, e incizoi dhe na e përcolli përmes programeve muzikore dhe valëve të etërit të Radio Prishtinës, pa dyshim se ishte këngëtari dhe krijuesi legjendar gjakovarë Qamili i Vogël – Muhaxhiri , i cili ishte edhe autori i versionit të melodisë së kësaj kënge .
Qamili i Vogël e ka prejardhjen nga fshati Stubëll, rrethi i Medvegjës. Të parët e tij janë shpërngulur diku rreth vitit 1878, me rastin e shpërnguljeve të mëdha shqiptare të 780 copë katundeve  nga rrethi i Toplicës, Jabllanicës...
Paraardhësit e familjes së tij, janë vendosur në Gjakovë, kurse atë kohë njerëzit ardhacak quheshin “muhaxhir”(turqisht), ku nga ky motiv, pasardhësit e kësaj familje do ta përqafojnë përgjithmonë mbiemrin, përkatësisht gallapin: MUHAXHIRI !
    Sipas të gjitha gjasave, ngjarja e  Këngës së  Rexhës do të ketë ndodhur në atë rreth, për t’u bartur dhe kënduar brez pas brezi  në Gjakovë dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, ku gjatë interpretimit të saj nëpër krahina të ndryshme, nga ana e këngëtarëve të ndryshëm, shpeshherë ka pësuar ndryshime dhe deformime në tekstin e saj.
    Se mund të jetë këngë autoktone e rrethit të Jabllanicës së Medvegjës, kjo këngë edhe sot e kësaj dite ruan në veti disa shprehje (barbarizma) sllave, si që janë:”sokoli”, “delija”, “pobratimi” etj.
    Në vazhdim, për të gjithë adhuruesit e kësaj kënge dhe për ata që nga rrethanat e ndryshme , mund ta kenë harruar këtë këngë, po ju sjellim tekstin origjinal të saj:

ÇOU REXHO, ÇOU DJALO
Teksti: I popullit
Versioni i melodisë: Qamili i Vogël

Çou, more Rexho, dil te lama,
Darsëm t’ madhe po t’ banë nana .
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou, delija i nanës-o,
Sod ma i mirë po m’ dokesh –o !

Çou, more Rexho, dil tu blini ,
Se po t’ vjen, nan’s , pobratimi !
Çou Rexho, çou djalo,
Çou ,delija i nanës-o,
Sod ma i mirë po m’ dokesh-o !

Çou, more Rexho, dil në shkallë,
Po t’ vijnë krushqit palë e palë !
Çou , Rexho, çou djalo,
Çou , sokoli i nanës-o,
Sod ma i mirë po m’ dokesh-o !

Çou, more Rexho, dil n’ sokak ,
Po t’ vijnë  krushqit me bajrak !
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou, sokoli i nanës-o,
Sod ma i mirë po m’ dokesh-o !

Çou, more Rexho, dil n’ oborr,
Po t’ vjen  nusja me lahor !
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou , sokoli i nanës-o,
Nuk ka nana tjetër-o!

Po vijnë krushqit rrethit malit –
Rexha i dekun, o, n’ grazhd të kalit!
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou, delija i nanës-o,
Qysh ma fike derën-o?!

Oh, more gjog , ty, tu thaftë jela ,
Qysh ma myte, ti , Rexhën shkelma?!
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou sugari i nanës- o,
Qysh ma fike derën-o?!

Oh, more gjog, ty, tu thaftë kama,
S’ ma le Rexhën, t’ ejten  prama ?!
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou, sokoli i nanës-o,
Qysh ma fike derën-o?!

Çou, more Rexho, kqyr sahatin –
Ma ka fikë Zoti, konakin !
Çou , Rexho, çou djalo,
Çou sokoli i nanës-o,
Qysh ma fike derën-o?!

Çou, more Rexho, kqyr sahatin –
Kush t’ ia hjek nuses duvakin ?!
Çou , Rexho, çou djalo,
Çou , sugari i nanës-o,
Qysh ma dogje zemrën-o?!

Oh, ju , more krushqi , hani e pini –
Nestra , Rexhën n’ dhe t’ ma shtini !
Çou , Rexho, çou djalo,
Nuk ka nana, tjetër-o,
Qysh ma fike derën-o?!

Çou, more Rexho, dil te votra –
Po t’ vajtojnë të shkretat motra !
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou, syshkruemi i nanës-o,
Nuk kanë motrat tjetër-o !

Çou, more Rexho, dil tu talla –
Po t’ vajtojnë të  shkretat halla !
Çou, Rexho, çou djalo,
Çou , ma i miri i nanës-o,
Nuk kanë hallat tjetër-o !

Oh, ty , more zog , tu thaftë kaçepi –
Pse po m’ knon, qi m’ diq Rexhepi?!
Çou, Rexho, çou djalo,
Nuk ka nana tjetër-o,
Sod ma mshele derën-o !

    Sa i përket elegjisë së dytë, që i këndohet Sylejman Ibrahimit, e që në opinionin publik njihet më tepër përmes titullit:”Ani krisi pushka”, nuk kemi të dhëna as për kohën e ngjarjes, as për vendin se ku ka ndodhur, por as për autorin e tekstit dhe melodisë së saj.
    Vet vendi i ngjarjes tragjike , të cilin na e jep teksti i këngës:”Në stom të Drinit”, krijon një konfuzitet tek dëgjuesi dhe interpretuesi i saj, nga se në gjeografinë shqiptare ekzistojnë tre lumenj që quhen Drini: Drini i Bardhë, Drini i Zi dhe Drini i madh. Pra, këtu është e vështirë që të përcaktohet se për cilin breg (stom) të Drinit bëhet fjalë në këtë këngë?!
    Edhe kjo këngë, ashtu si edhe “Kënga e Rexhës” , është këndua me të madhe dhe këndohet edhe sot në të gjitha trojet etnike shqiptare. Madje, siç e thamë edhe më lartë, këto dy këngë kanë tentuar që t’i përkthejnë, t’i përshtatin dhe t’i  këndojnë edhe shumë popuj tjerë të Ballkanit dhe më larg .
    Derisa “Këngën e Rexhës” , na e përjetësoi me këndimin dhe incizimin e tij, Qamili i Vogël , “Këngën e Sylejman Ibrahimit” për herë të parë e ka kënduar dhe incizuar në Radio Shkup, këngëtarja e parë shqiptare e Radio Shkupit, e cila është quajtur Gonxhe Manaku (maqedonisht:Manakovska) dhe ka qenë me prejardhje nga qyteti i Manastirit.
    Ja, se si e përshkruajnë këtë tragjedi , vargjet origjinale të kësaj kënge:

KANGA E SYLEJMAN IBRAHIMIT

Ani, krisi pushka, nan-o, n’ stom të Drinit,
Ani, qyqja motra e Sylejman, o, Ibrahimit!

Ani, Sylejman, o, Sylejman , bre vlla-e,
Ani, me shumë pluma, vlla, o të paskan vra-e !

Ani, njihmi motër, varrt-o, sa i kam-e,
Ani, s’ po m’ len gjaku, vlla, varrtë me t’i pa-e!

Ani, t’ i  sheh hoxha, o vlla, kah t’i lan-e,
Ani, t’ i sheh hoxha, vlla, o bre, me xhemat-e !

Ani, amanet, o, po ta la , moj nan-e,
Ani, t’ ma maroni, nanë, o ni vorr të gjan-e !

Ani , t’ gjanë e t’ gatë, moj nanë, me dy penxhere ,
Ani, t’i  shoh lulat, nanë, ani prej pranvere !

Ani, t’i  shoh lulat, nano,  kah lulojn-e,
Ani, ta shoh dushkun , nanë, o kah t’ mugullojn-e !

Ani, ta shoh verën, nano, tuj verue ,
Ani, t’i shoh kingjat, nano, tuj ladrue !

Ani, kur t’ vjen vakti, o për me kosit-e,
Ani, kosën teme, nano, n’ livadh me ma qit-e !

Ani, krejt dynjaja, nano, le t’ bajnë seri –
Ani, qysh kositë, moj nanë, oh, kosa pa njeri?!

Ani, kur t’ vjen vakti, o , për me prashit-e ,
Ani, shatin tem, moj nane, o, n’ arë me ma qit-e !

Ani, krejt dynjaja , nano, le t’ bajnë seri –
Ani, qysh prashitë , moj nane, oh, shati pa njeri ?!

Ani, kur t’ vjen vakti, nano, për me korr-e,
Ani,  drapnin tem, moj nane, ani , qitma n’ ar-e !

Ani, krejt dynjaja , nano, le t’ bajnë seri –
Ani, qysh do t’ korrë , moj nane, oh, drapni pa njeri ?!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora