E shtune, 27.04.2024, 05:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Vargje të frymëzuara nga dashuria ndaj atdheut dhe lirisë

E enjte, 17.12.2009, 10:54 PM


VARGJE TË FRYMËZUARA NGA DASHURIA NDAJ ATDHEUT DHE LIRISË

 

Nexhat Rexha “Ndrydhja e pikës K”, botoi “Nositi” Dardanë 2003, fq. 81

 

Nga Sinan Sadiku

 

Nexhat Rexha është një emër i njohur, një veprimtar i palodhur i cili ka punuar në dobi të çështjes kombëtare një kohë të gjatë. E them këtë fakt sepse angazhimi i tij në të mirë të çështjes kombëtare, peripecitë e shumta nëpër të cilat ka kaluar ai dhe populli ynë, veprimet jonjerëzore të okupatorit, dhuna e shfrenuar, vrasjet, burgosjet… gjegjësisht mbajtja nën robëri e një populli të tërë, si dhe baticat dhe zbaticat e lëvizjes kombëtare për çlirim nga Serbia, janë temat më të shpeshta të cilat i gjejmë në poezitë e librit “Ndrydhja e pikës K”. Duke mos qenë vëzhgues i ngjarjeve, por pjesëmarrës aktiv i tyre, ai i ka përjetuar në shpirt shumë ndodhi, shumë bëma, shumë vështirësi, shumë pengesa, shumë veprime mizore të okupatorit dhe të gjitha këto ka arrit t`i shpreh me gjuhën e poezisë. Andaj duke i lexuar poezitë e librit “Ndrydhja e pikës K” na kujtohen shumë nga ato ndodhi, na kujtohen, ngjarjet e tmerrshme,  masakrat e okupatorit, dëbimet masive, atmosfera e zymtë e frikës dhe e ankthit, por edhe qëndresa dhe heroizmi i njerëzve tanë të cilët u përballën me armikun e egër dhe dolën fitues. Mu pse ka qenë pjesëmarrës aktiv në ngjarjet e kohës, autori ka qenë shumë i motivuar të shkruaj për to, andaj poezitë më të realizuara janë shkruar me një frymëzim të thellë që del nga përjetimet e  drejtpërdrejta  të poetit dhe ato janë shprehje e mendimeve dhe ndjenjave të tij. Libri “Ndrydhja e pikës K” përfshinë 64 poezi të ndara në pesë cikle. Ciklet janë: “Dalje nga ferri i Dantes”, “Përkëdhelje miopësh”, “Gjurmë të pashlyera”, “Harlisja ditore” dhe “Ëndërrshpresë në pakufi”. Karakteristikë e përbashkët e të gjitha cikleve, e të gjitha poezive është se në to shkruhet për njeriun e këtij trolli, për fatin dhe fatkeqësinë e tij, për ditët e zeza dhe ngjarjet e pakëndshme nëpër të cilat ka kaluar, për rezistencën e tij, për sakrificat e shumta dhe kuptohet për veprimet e armikut të cilat i kanë sjellë vuajtje e mjerim, shkatërrim e tragjedi, por edhe për dobësitë e brendshme të cilat disa herë e kanë penguar ecjen e tij drejt objektivave për liri e përparim.

 

Atmosfera e zymtë e luftës – okupimit

 

Libri hapet me poezinë “Kolona pa skaj” në të cilën jepet atmosfera e dhunës, e tmerrit, e barbarisë që ushtroi okupatori serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës në pranverë të vitit 1999.  Poezia fillon me vargjet: “Të gjitha rrugët e Kosovës/ janë mbushur ankth e mllef”. Pastaj përshkruhet dhuna e shfrenuar e okupatorit, vrasjet, dhunimet, kolonat e paskaj të të dëbuarve nga shtëpitë dhe pronat e veta, për të ardhur te vargjet “Për të ruajtur në kujtim të historisë/ një ëndërr trishtuese”. Dhe vërtetë poezitë e Nexhat Rexhës brezave të ardhshëm ua ruajnë një realitet trishtues të cilin gjithsesi duhet ta dinë. Megjithatë edhe në këtë poezi shkruhet për “Qëndresë e lindje të reja/ për një ditë pranvere/ në Kosovë”.

 Një përshkrim të atmosferës që ka mbretëruar në Kosovë në gjysmën e parë të vitit 1999 autori e bënë edhe në disa poezi të tjera ndër të cilat më të realizuarat janë: “Lulet e pranverës së përgjakur” dhe “Si jetohet këto ditë në Kosovë”. Në poezinë e dytë i gjejmë vargjet:

Në Kosovë jetës i vie erë droje

Gratë i kanë prerë flokët

Vajzat e kanë ndërruar frizurën     

Djalëria e parafytyron luftën

Në vijën e parë të frontit

Burrave u është zgjatur mjekra

Fëmijëve u ka humbur gëzimi

Për të vazhduar           

Në Kosovë këto ditë

            Bukë hahet pak ujë pihet shumë

Kriteret e jetës kanë një vështrim

Në çdo qoshe të rrugës

Rrezik pa përjashtim

Kosovë je loti, dhembja dhe gjaku im

Pra era e drojës, parafytyrimi i luftës, humbja e gëzimit te fëmijët, rreziku në çdo qoshe të rrugës janë karakteristikat e kohës të përshkruara me një gjuhë poetike ku dominojnë notat e ankthit, të tmerrit, të rrezikut, por edhe të mobilizimit për të mbijetuar.

           

            Dobësitë e brendshme shqetësim i autorit

 

            Këto vitet e fundit të okupimit klasik jo vetëm që i kanë qitur në shesh veprimet johumane, veprimet barbare të okupatorit, por kanë qenë vite kur ne shqiptarët në mënyrë masive jemi përpjekur të bëjmë secili diçka për ta fituar lirinë, dhe këtu jemi njohur mes veti, jemi rinjohur dhe i kemi parë shumë dobësi tona, disa herë absurde dhe të pabesueshme, të cilat dobësi e kanë zgjatur shumë dhe do ta zgjasin edhe më tej rrugën edhe ashtu të gjatë dhe përplot pengesa drejt lirisë dhe përparimit. Janë këto dobësi të cilat disa herë nuk e lënë të qetë autorin dhe ai i qet në shesh duke i pagëzuar me emër të vërtetë dhe kuptohet vet identifikimi, apo më mirë të themi diagnostifikimi i tyre është një hap, ama një hap i domosdoshëm drejt korrigjimit dhe tejkalimit. Kuptohet autori këtë e bënë me një gjuhë poetike ku sugjerimet e lehta dalin nga pakënaqësia, nga zemërimi, nga protesta dhe nga revolta e tij. Këtë tematikë e trajtojnë disa nga poezitë më të realizuara të librit si: “Para arritjes”, “Mos kështu”  “Bredhje” , “Zbrazëti”, “Gjurmë kotësie”, “Udha përtej lumit”, “Nëpërkëmbja”, “Sërish”, e të tjera. “Para arritjes” është një poezi e bukur, ndër më të bukurat e librit në të cilën tehu i kritikës e godet mendjemadhësinë, vetlavdimin, mburrjen  e pa mbulesë, pakujdesinë dhe mungesën e projekteve konkrete për ta realizuar qëllimin, për t`i realizuar objektivat kombëtare. Andaj “Me fjalë shumherë/ e kemi pushtuar botën” shkruan autori dhe vazhdon “Arrijmë deri te Malet e Parnasit/ dhe kthehemi duarthatë/ pa e pushtuar asnjë shpellë”. Sa i përket vlerës artistike nivelin e poezisë paraprake e ka edhe poezia “Mos kështu”, në të cilën preket çështja e tradhtisë kombëtare dhe hapësira e gjerë e veprimit që iu lejohet njerëzve të tillë. Te kjo poezi i gjejmë vargjet:

            Në këto kohëra të pranverës

            Pa pranverë

            Në atdheun tim edhe më tej

            Kali i Trojës shëtit shlirshëm

            E buzëqeshja ndër dhëmbë

            Grimcon gurët e kështjellës sonë

            Kurse ballit tim po i shtohen rrudhat

“Në atdheun tim edhe më tej/ Kali i Trojës shëtit shlirshëm” shkruan autori i cili është i trembur, i hutuar, i mbetur mënjanë në atdheun e vet, ndërsa kënga shqiptare mbetet e pabotuar në kohën e pranverës pa pranverë. Një përjetim i ankthshëm i robërisë, por poezia mbetet shumë aktuale edhe tani kur askush nuk merret me njerëzit që kanë punuar  dhe që punojnë ende kundër atdheut të vet, po krejt energjia harxhohet  në përpjekje për t`i eliminuar e margjinalizuar njerëzit e devotshëm që kanë punuar dhe sakrifikuar shumë për të mirën e atdheut. “Toka ka ujë për pije sa të duash/ kurse ty o njeriu im nuk të shuhet etja” janë dy vargjet e poezisë “Zbrazëti” të cilat mund të interpretohen se përkundër pasurive të shumta natyrore që i ka atdheu ynë, ende njerëzit tanë për shumë arsye nuk mund t`i plotësojnë as nevojat më elementare, po mund të interpretohen edhe ashtu se etja, pangopësia,  ambicja e shfrenuar, vrapi pas pasurisë dhe pushtetit nuk po njohin asnjë kufi moral, material... sepse “Koha ime është mbushur me ironi/ Heronjtë e hanë njëri tjetrin këtu” janë vargjet që i gjejmë më poshtë në poezi, të cilat vargje e shprehin një realitet të hidhur duke e emërtuar shkaktarin kryesor të fatkeqësisë dhe të dramës kombëtare. Te poezia “Bredhje” i gjejmë vargjet: “Ditët shterin njëra tjetrën/ liria ku mbeti” ose “Besa ku mbeti/  këtu o njeri është kohë e krisur”. Pra koha kalon shpejt, ndërsa ne punojmë shumë ngadalë për ta fituar lirinë, gjegjësisht ne bredhim poshtë përpjetë dhe kjo te autori shkakton brengë, bile edhe ankth, sepse na ndodh të habitemi e ta harrojmë misionin tonë. Dobësitë tona janë objekt trajtimi edhe në poezinë “Sërish” në të cilën i gjejmë vargjet: “Vallë robëria po krijuaka/ rrënues të themeleve/ Mu në ditën kur vihen shtyllat”. Mund të themi se një numër jo i vogël i njerëzve tanë, madje edhe i veprimtarëve që në kohën e krijimit të organizmave tanë fillestarë për çlirim, në një farë mase thuaja nuk e kanë pasur seriozisht, dhe kjo mund të jetë edhe pasojë e robërisë së gjatë e edhe pasojë e energjisë destruktive të disa njerëzve, të cilët vërtetë janë rrënues të themeleve. Poezi për dobësitë tona morale, organizative, të cilat nuk na lënë të ecim përpara me shpejtësinë e duhur. Dobësitë morale paraqiten bukur në vargjet “Ata jetëgjatët i bashkon liria/ Ata dallkaukët i bashkon tagjia” të poezisë “Nëpërkëmbja”. Me keqardhje dhe dëshpërim të thellë mund të konstatojmë se poezitë e librit “Ndrydhja e pikës K”  në të cilat diagnostifikohen dobësitë tona, veçmas të udhëheqësisë tonë, sot tingëllojnë shumë më aktuale se në kohën kur janë shkruar. Madje mund të themi se edhe pse numri i poezive në të cilat përshkruhen veprat mizore të okupatorit është dukshëm më i madh, po t`i përfshijmë aty edhe ato poezi të cilat nëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë atëherë në mënyrë të tërthortë e trajtojnë atë tematikë, se sa i poezive që i përshkruajnë dobësitë tona,  po t`i zgjedhim poezitë më të mira të librit nuk do të na dalin më shumë poezi që kanë të bëjnë  me veprimet e okupatorit se poezitë që kanë të bëjnë me dobësitë tona. Me gjasë edhe autori i librit dhe shumica e njerëzve të tjerë nuk janë befasuar nga veprimet e okupatorit, ato veprime nuk kanë qenë diçka e papritur. Pra nga pushtuesi nuk është pritur asgjë e mirë, ndërsa disa dobësi tona, e veçmas disa sjellje kriminale të njerëzve të cilëve iu kemi besuar, kanë shkaktuar tronditje të thellë, kanë shkaktuar zhgënjim sepse ata i kanë tradhtuar idealet kombëtare dhe besimin tonë. Andaj veprimet e tilla autorin e kanë prek në shpirt e kanë tronditë dhe e kanë frymëzuar t`i shkruaj disa nga poezitë e tij më të bukura.

           

            Lirikat meditative

 

            Mbase sjelljet e egra, veprimet mizore të okupatorit, po edhe sjelljet disa herë jonjerzore dhe joatdhetare të disa njerëzve tanë, poetit në  momente të caktuara ia kanë lëkundur edhe besimin në njeriun, çështje kjo e shprehur me vargjet “Më shumë satan/ e më pak virgjëreshë” të poezisë “Njeriu”, në të cilën poezi i gjejmë edhe vargjet “O Zot më ruaj nga miqtë/ se nga armiqtë ruhem vetë”.

Simbol i të keqes është satani dhe në poezinë me të njëjtin titull poeti shkruan:  

Në fytyrën tënde

Shoh erë varri

Të fëmijëve tanë

Për të vazhduar

            E zemra ime

pret dashurinë e luleve

ngjyrat e ylberit dhembshëm i vështron

Tashmë kemi ardhur te lirikat e mirëfillta meditative të cilat  krahas  meditimeve të thella i karakterizon edhe përjetimi shumë i natyrshëm dhe personal i autorit dhe në disa raste ngjyrimi elegjiak. Mbase përmasat e së keqes, defektet e shumta, pakënaqësia, e në disa raste edhe zhgënjimi e kanë lodhë autorin dhe ai është liruar  nga shtrëngesat e ndrydhjet, nga ndonjë formë e autocenzurës  dhe ka dalë në sipërfaqe natyra e çiltër njerëzore, ka shpërthyer në plotninë e tij talenti poetik,  i cili është kurorëzuar me disa nga krijimet e tij më të mira, të cilat krijime me vlerat e tyre estetike ia bëjnë një vend të mirë në poezinë e sotme shqipe. Për disa nga këto lirika shkrova më lartë, ndërsa nuk mund të mos i them disa fjalë për poezinë “Kohë apokalipse” e cila është poezia më lirike, më personale e autorit, një poezi e bukur e përshkuar nga notat e dhembjes dhe e shkruar në çastet e një përjetimi të thellë, të një frymëzimi të natyrshëm i cili del nga thellësia e shpirtit poetik. Koha tinëzare kalon duke ia marr subjektit lirik ditët më të mira, ëndrrat më të bukura. Është fjala për një kohë e cila i ka ndrydhë aftësitë dhe mundësitë e tij krijuese, për një kohë e cila thuaja ia ka marrë atij të drejtën që ta jetojë jetën ashtu siç i ka hije, duke i krijuar kufizime dhe vështirësi të të gjitha natyrave, duke ia mbyllur rrugët. Kjo kohë, pra koha e okupimit, zgjati shumë dhe gjenerata të tëra e pësuan. Megjithatë subjekti lirik nuk dorëzohet, nuk nënshtrohet dhe shpërthen në vargjet.     

Vetëm unë një ditë do të shpallë

Luftë për jetë a vdekje

E ti mate mirë kohën

Se fundi do të vijë Skiron

Edhe për ty në këtë kohë

Të apokalipses

Përkundër një realiteti të hidhur që autori ka arritur ta shpreh në shumë nga poezitë e veta, përkundër pakënaqësisë e edhe zhgënjimit në momente të caktuara, përkundër vështirësive dhe sfidave të shumta ai asnjëherë nuk ka pushuar të besoj “Se krismat e krushqve të lirisë/ po sjellin zjarrin e Prometeut”  (poezia “Krismat mbi ombrellë”). Pra ai asnjëherë nuk i ka humb shpresat , sepse “Udhëtimet e feniksit/ gjurmojnë shtigje të reja/  për një diell/ në djepin e Dardanisë”, shprehet ai në poezinë “Era”. Në poezinë “Panairi i librit 1999”  poeti si dashamir i kulturës, si dashamir i librit i gëzohet panairit të librit, mbajtur në Prishtinë në nëntor 1999, panair ky në të cilin kishin arritur shumë libra, të cilët nuk kanë mundur të qarkullojnë lirisht  asnjëherë në këto hapësira. Aty ai i gjenë librat më të bukur të shkruar në gjuhën shqipe dhe kjo e gëzon pamasë, sepse “Ne me sytë tanë i kemi parë/ shtëpitë e djegura, bibliotekat shkrumb”. Por edhe në këto momente të gëzimit vjen dhembja për autorin e “Tufës”, poetin Latif Berisha dhe për Ymer Elshanin, poet, autor i veprës “Loti udhëtarë”, që të dy të vrarë nga okupatori, si dhe për Flora Brovinën e Halil Matoshin që ende vuanin në burgjet serbe.

           

 

 

Shpalosja e dashurisë ndaj atdheut dhe lirisë

 

            Mund të themi pa mëdyshje se në mos të gjitha, gjithsesi pjesa më e madhe e poezive të librit “Ndrydhja e pikës K”  janë poezi patriotike në të cilat shpaloset dashuria e autorit ndaj atdheut, ndaj bashkëkombësve të vet, dashuri kjo e cila vjen në shprehje edhe në momentet kur ka pakënaqësi, edhe në momentet kur ka dhembje, edhe në momentet kur ka zhgënjim e edhe në momentet kur ka qortim. Pra ndryshon mënyra e artikulimit të kësaj dashurie, ndryshon shprehja poetike e kësaj dashurie, gjegjësisht modeli i shprehjes poetike të saj , por ajo frymon aty, në vargje. Modelin më tradicional, më patriotik të shprehjes së kësaj dashurie e gjejmë në ciklin “Gjurmë të pashlyera”, në të cilin janë sistemuar tetë poezi të cilat iu kushtohen dëshmorëve të cilët gjënë më të shtrenjtë ia kanë dhuruar atdheut dhe lirisë. Poezitë iu kushtohen dëshmorëve: Kadri Zeka, Sabri Krivaqa, Agush Isufi, Driton Krivaqa, Metush Krasniqi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, pastaj Dëshmorëve të Janarit, Rdvan Qazimit të njohur si Komandant Lleshi, po përmenden edhe Xhemë Gostivari dhe Mehmet Gegë Tetova.

Në poezinë kushtuar figurës madhore të Kadri Zekës të cilën e titullon “Kadri Zeka” i gjejmë vargjet “Gjithnjë vrisje frikën/ e ndizje flakën e mallit” , për të vazhduar

“Me kohë ulurimën e UDB-së/ e ke graduar në tradhti”. Dhe vërtetë të rrallë kanë qenë njerëzit  si Kadri Zeka i cili ka pasur guximin dhe ka ditur ta zgjoj optimizmin dhe krenarinë kombëtare edhe atëherë kur UDB-ja me anë të terrorit dhe burgosjeve mbillte frikë, tmerr dhe mosbesim. Të rrallë kanë qenë njerëzit  si Kadri Zeka të cilët kanë ditur t`ua heqin maskat njerëzve të UDB-së.

“Lulet në lapidar”  është një  titull i bukur simbolik i poezisë  kushtuar  tri luleve, kushtuar tre dëshmorëve: Sabri Krivaqës, Agush Isufit dhe Driton Krivaqës, të cilët ranë nga plumbat e armikut në lule të rinisë. Autori poezinë kushtuar këtyre tre dëshmorëve e ka shkruar me përkushtim dhe dashuri të veçantë. Kjo poezi me fjalë të zgjedhura, me shumë vërtetësi e përshkruan ngjarjen dhe atmosferën që ka mbretëruar atë ditë në Dardanë kur vetëm falë këmbëngulësisë së një numri të madh të njerëzve, përkundër kërcënimeve të ushtarëve rus lapidari i tre dëshmorë në fjalë është vendosur në Qendër të Dardanës, Te Ura. “Hijet e Karpateve lëshojnë krisma të zeza” shkruan autori duke na e përkujtuar tentativën e dhunshme të ushtarëve rus të cilëve nuk iu mjaftuan kërcënimet, por lëshuan edhe krisma me armë për ta penguar vendosjen e lapidarit i cili edhe sot e kësaj dite qëndron me krenari aty ku e ka vendin. “Ata të tre në përqafim qëndruan/ testament për breza urën e liruan” janë dy vargje të  bukura të poezisë në fjalë.

Në poezinë kushtuar atdhetarit  Metush Krasniqi zënë vend edhe vargjet “Çdo ditë e burgut tënd/ lindi nga një flamur” nga të cilat nënkuptojmë se me tortura e burgosje armiku e arrinte të kundërtën e asaj që synonte, kuptohet falë Bacë Metushit dhe bashkëpunëtorëve e nxënësve    tij, numrin e të cilëve nuk e pakësonin burgosjet dhe terrori i armikut, por përkundrazi, veçsa e shtonin.

 

 

 

Shprehja poetike

 

            Përveç synimit për t`i shprehur mendimet, ndjenjat, përjetimet, ngjarjet, vizionet... autori është kujdesur që ato t`i shpreh me një gjuhë sa më të bukur, sa më të përpunuar duke i zgjedhur dhe ndërtuar me mjeshtri figurat stilistike, duke e bërë një lidhje dhe kombinim sa më të natyrshëm të fjalëve, figurave, vargjeve dhe elementeve të tjera të poezisë, dhe mund të themi se këtë e ka arrit falë përkushtimit, talentit dhe kulturës letrare. Më lartë e bëra një analizë semantike të disa poezive dhe të librit si tërësi, duke u përpjekur të shkruaj për mendimet, ndjenjat, dëshirat dhe mesazhet të cilat autori përmes poezive i përcjell te lexuesi. Megjithatë të mos harrojmë se poezia e Nexhatit është poezi bashkëkohore që ka ec në hap me kohën, të cilën e karakterizon shumëkuptimësia dhe e cila lejon më shumë mundësi interpretimi, ndërsa mesazhet nuk imponohen por dalin nga brendia e poezive dhe e librit si tërësi. Te shumica e poezive lexuesi i kujdesshëm i cili posedon kulturë të përgjithshme dhe përgatitje letrare nuk e ka vështirë të depërtoj në brendinë e tyre, t`i gjejë idetë, dëshirat mesazhet... t`i përjetojë ato, gjegjësisht t`i shijoj vlerat e tyre semantike dhe estetike. Më duket se poezitë më të realizuara janë lirikat meditative në të cilat shfaqet dashuria e autorit ndaj atdheut  dhe lirisë në një kuptim më të gjerë të fjalës, në të cilat krahas mendimeve, ideve, botëkuptimeve, qëndrimeve... shfaqen edhe ndjenjat e ngrohta dhe përjetimet e subjektit lirik, gjegjësisht shpaloset bota e pasur intelektuale dhe emocionale e tij, të cilat lirika janë shkruar me një gjuhë të ngjeshur figurative që nuk është vështirë të deshifrohet edhe pse në libër ka edhe poezi më të drejtpërdrejta, por edhe më të komplikuara sa i përket anës semantike. Duket se autori edhe në jetë e edhe në poezi e sheh të pandarë fatin e vet nga  fati i atdheut, andaj jo vetëm mendimet po edhe ndjenjat, edhe disponimi, edhe dhembja edhe shpresa  e edhe gëzimi janë të kushtëzuara nga ngjarjet e ndryshme që kanë të bëjnë me atdheun, gjegjësisht edhe përjetimet më intime më personale janë të lidhura ngushtë me ndjenjën e atdhedashurisë. Sa iu përket figurave, i gjejmë të përdorura me mjeshtri e shije të veçantë: metaforën, simbolin, personifikimin, pastaj  alegorinë, aluzionin, epitetin, ironinë dhe aty këtu edhe figurat e përsëritjes: asonancën dhe aliteracionin. Poezitë: “Kohë apokalipse”, “Satani”, “Panairi i librit 1999”, “Para arritjes”, “Mos kështu”, “Bredhje”,, “Krismat mbi ombrellë”, “Gjeografia e dhembjes”, “Zbrazëti”, “Si jetohet këto ditë në Kosovë”, “Rrugët”, “Lulet e pranverës së përgjakshme”, “Udha përtej lumit”, “Era”, “Nëpërkëmbja”, “Muzgu i perëndive” dhe disa të tjera, janë realizime të bukura poetike që do t`i mbijetojnë kohës, te të cilat lexuesi gjen edhe art, edhe kuptim, edhe mesazh, edhe mendim, edhe ide, edhe ndjenjë dhe si të tilla janë një kontribut në pasurimin e poezisë së sotme shqipe. Janë poezi  të cilat dëshmojnë se autori i tyre është një krijues i talentuar, një krijues i veçantë  i cili ka një botë të pasur emocionale dhe intelektuale, ka një përvojë të pasur jetësore të skalitur nëpër ngjarjet dhe sfidat e kohës, ka një kulturë të gjerë letrare dhe njerëzore në përgjithësi, të cilat falë përkushtimit të tij tani i kemi në vargje dhe mund t`i lexojmë, t`i rilexojmë, t`i analizojmë dhe mbi të gjitha t`i shijojmë si vlera të mirëfillta artistiko-letrare.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora