E premte, 02.05.2025, 04:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Mbyllet Gazeta “Mësuesi” - Nderim për gjithë drejtuesit, redaktorët dhe bashkëpunëtorët

E merkure, 16.12.2009, 10:58 PM


Më 1 janar 2010, pas një jete mbi 48-vjeçare,
mbyllet  Gazeta “Mësuesi”, botim i MASH

NDERIM PËR  GJITHË  DREJTUESIT, REDAKTORËT
DHE BASHKËPUNËTORËT E SAJ  TË PANUMËRT

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ
publicist e  studiue-Tiranë

Vitet ikin shpejt, si  pa u ndjerë, ashtu si  rrjedhat e ujërave të lumenjëve të kulluar malorë. Po ato dhe lënë gjurmë të pashlyëra në kujtesën e secilit. Ka data e ngjarje historike, që pëmenden shpesh nga brezat pasardhës. Kjo sepse ato lidhen me jetën dhe fatin e tyre,  i kanë shoqëruar në çdo hap të zhvillimit e përparimit.

Si  për shumëkush tek ne, në kujtesën time do të mbetet e paharruar data 1 shtator e vitit 1961. Isha student i vitit të tretë, për gjuhë-letërsi shqip, në  Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Aty, lëndën e psikologjisë na e jepte pedagogu ynë i dashur dhe i paharruar, Bedri Dedja. Një ditë, ai solli në auditor numrin e parë të një gazete të re, me emerin domethënës “Mësuesi”, ku ishte caktuar kryeredaktor.  
Më parë, kisha nisur të shkruaja ndonjë artikull në gazetat e kohës, si “Zëri i Rinisë” e “Pionieri”. Duke e ditur këtë gjë, Prof.Bedriu më nxiti që të shkuaja dhe në gazetën e re të arsimit tonë kombëtar. Kështu, që në numrat e parë të “Mësuesit” nisa të shkruaja e të botoja. Më pas, sigurisht, “muret ndarës” pedagog-student me atë sikur u prishën, pra ne u bëmë miq e bashkëpunëtorë. Ishin faqet e një organi  pedagogjik e didaktik, që na lidhnin dhe që do të bënte emër të mirë në të gjithë jetën e arsimit tonë kombëtar, por dhe më gjerë.
Nuk dua ta lodh lexuesin me ecurinë e bashkëpunimit tim me  gazetën “Mësuesi”. Por vetëm shënoj se në faqet e saj kam shkruar mbi 48 vjet, pandërprerje. Ndërsa, që nga 15 maji 1981 dhe deri më 15 nëntor 2002, punova aty redaktor, deri sa dola në pension. Por dhe në këta mbi 7 vjejte ndjeva veten kurdoherë pjesë të kolektivit të kësaj gazete, ku gjeta dashuri e ngrohtësi.
Shtator, 1961 (nga e djathta): Prof.Bedri Dedja, Mark Gurakuqi e Sofokli Afezolli
Shtator, 1961 (nga e djathta): Prof.Bedri Dedja, Mark Gurakuqi e Sofokli Afezolli
Janë të shumtë drejtuesit, redaktorët dhe punonjësit tjerë të këtij organi  të shtypit arsimor, gjithnjë botim zyrtar i Ministrisë së  Arsimit e Shkencës. Për arsyet, që përmenda më sipër, jam njohur nga afër me të gjithë ata dhe prej tyre ruaj kujtimet më të mira. Por janë dhe sa e sa bashkëpunëtorë, mësues e drejtues të arsimit në rrethe, që kanë qenë deri sot, në këtë radaksi dhe në këtë gazetë,  si “të shtëpisë”. Prandaj, tani për të gjithë shpresim nderim e resepkt të thellë dhe u drejtojmë atyre mirënjohjen e mësuesve dhe brezave të  mësuesve e pedagogëve, nxënësve e studentëve e prindërve të tyre, si dhe mbarë shoqërisë shqiptare. Kjo sepse ndër vite, përmes faqeve të kësaj gazete, sigurisht duke kaluar  edhe vështirësi e pengesa, janë pasqyruar me profesionalizëm  jeta dhe zhvillimi arsimor, kulturor e shkencor i vendit tone.

Në shenjë nderimi për kryeredaktorin e parë të “Mësuesit”, Prof.Bedri Dedja-Akademik, po përmendim pak radhë, që ai i drejtoi kësaj gazete, në 40-vjetorin e çeljes: “Kur doli numri yt I parë, e shtrenjta Gazeta “Mësuesi”, une sapo I kasha mbushur 30 vjet. Nuk isha bërë ende baba me fëmijë. “Fëmija” i parë ishe ti, që sot po shënojmë  40-vjetorin tënd…Në kata 40 vjet, ti dhe unë,përgjithësisht, nuk e ndiejmë veten keq dhe, sa më duket mua, nuk kemi ndonjë pishmanllek, pra nuk i kemi mbetur borxh asakujt…”.
Pa u zgjatur, dëshirojmë  që përmes këtyre pak radhëve, në pragun e festave të fundvitit dhe të  Vitit të Ri 2010, të njoftojmë se Gazeta e dashur shumëvjeçare “Mësuesi” do ta  përfundojë misionin mbi 48-vjeçar të funksionimit të saj.
            
Dhjetor, 2009: Në redaksinë e Gazetës “Mësuesi” (nga e majta): Andon Andoni, Vjollca Spaho, Murat Gecaj e Viron Kona
Dhjetor, 2009: Në redaksinë e Gazetës “Mësuesi” (nga e majta): Andon Andoni, Vjollca Spaho, Murat Gecaj e Viron Kona
Me këtë rast jo aq të dëshiruar për ne, gjejmë rastin të shprehim nderimin dhe respektin tonë të thellë për të gjithë ata drejtues, redaktorë e punonjës  të tjerë dhe bashkëpunëtorët e panumërt të saj, të cilët shërbyen me përkushtim dhe nuk kursyen djersën as dijet e tyre, që ajo të mbijetonte e të pëparonte, të bëhej tribunë e dashur për mësues e pedagogë, nxënës e studentë, si dhe prindër e mbarë popullin tonë.

Vitet do të rrjedhin përsëri, por ne do t’u drejtohemi prapë faqeve të Gazetës sonë “Mësuesi”, tashmë në koleksion, nëpër  shtëpitë e shkollat tona, në biblioteka ose arkiva. Aty përsëri do të kërkojmë përvojë e ndihmë për udhëzgjidhje, për sa e sa çështje të rënëdësishme të zhvillimit arsimor, kulturor e shkencor të Shqipërisë sonë të dashur, e cila po ecën e sigurtë në rrjedhat e zhvillimeve europiane e më gjerë .
NGA HISTORIKU I GAZETËS “MËSUESI”
Duke shprehur edhe një  herë  nderimin e thellë dhe respektin për të gjithë drejtuesit e redaktorët dhe punonjësit e tjerë, që shërbyen me përkushtim në redaksinë e Gazetës sonë “Mësuesi”, në historinë e saj mbi 48-vjeçare,  më poshtë po përmendim emra të tyre.

Punonjësit ndër vite

I.Kryeredaktorë:

1.Bedri Dedja
2.Mustafa Gërcalliu
3.Jakup Mato
4.Sofokli Afezolli
5.Thama Qendro
6.Agim Xhafka
7.Ilir Kanini
8.Sejdo Harka
9.Andon Andoni

II.Sekretarë kolegjiumi:

1.Sofokli Afezolli
2.Kozma Grillo
3.Bardhyl Xhama
4.Vedat Demiraj
5.Dhimitër Gjika

III.Redaktorë:

1.Myzafer Bejleri
2.Sami Xhango
3.Bekim Çomo
4.Dhurata Xoxa
5.Sadije Agolli
6.Nako Bezhani
7.Ramadan Pasmaçiu
8.Muhamet Ndrita
9.Shefik Osmani
10.Miti Koçi
11.Viktor Sharra
12.Adelina Gina
13.Avzi Zeqo
14.Arian Kadiu
15.Sali Hamzaj
16.Kiço Kosta
17.Murat Gecaj
18.Ilir Kanini
19.Irma Kurti
20.Zenel Anxhaku
21.Vjollaca Spaho
22.Viron Kona
23. Anesti  Furxhi


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx