E diele, 28.04.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Arif Molliqi: Përrallë e “ Një mijë e një netëve“

E premte, 18.12.2009, 08:22 PM


Arif Molliqi

Përplasja e parë

Përrallë e “ Një mijë e një  netëve“

(Ky shkrim është botua me 2 qershor 1999, në „Bota sot“ dhe në librin “Përplasje”, 2000, Fakti Shkup.)

Do të kisha preferuar të isha punëtor në ferr. Ndryshe. Ndryshe, s´kam si ta njoh  Kalifin e një mijë e një netëve,  Kalifin e një mijë e një  shkrimeve apo,  Kalifin e një mijë e një intrigave i cili sot pas mallkimit të „kalifëve“ të vet është ngujuar në një harem dhe po shikon përmes dritareve të haremit të Tiranës se si po shkrumbohen „beduinët“  këto ditë të nxehta pa ujë e, pa bukë nën çadrat e „internacionalizmit proletar“. Vetëm aty në Ferrin (xhahnemin) e kurdisur nga  bota e përdalë do ti kisha njohur të gjithë, bile dhe rojet e ferrit. Sepse, po nuk u sprovua njeriu më ferrin, atëherë s´ka mundësi as ta njoh botën që e rrethon. S´ka mundësi ta njohësh Kalifin që i bën një mijë e një shkrime, një mijë e një fjalime , një mijë e një të zeza vetëm të mbetet i pari kalif i kalifatit dhe atë;  prej Plavë e deri në Tetovë, prej Durrësi e në Podujevë.
    Vetëm kaq ai dëshiron... pasi kalifët e sojit të tillë aq e njehin kalifatin e vet.  Kjo ndodhë sepse Ai ( kalifi) ka qenë nxënës i dobët i medresesë dhe asnjëherë nuk e ka njohur gjeografinë përtej këtyre kufijve. Mandej, medreseja e tij ka qenë me program të internacionalizmit proletar. Kështu edhe si nxënës edhe si kalif i këtij kalifati ,  Kalifi i lutej Zotit shumë, sado që ishte ateist, por ai lutej(?!)  I  lutej një  „zoti“ sado e dinte se  ai ishte i huaj për te. I lutej më gjithë shpirt dhe i falënderohej që e ka sjellë në ketë botë dhe e ka caktuar të sundoi mbi kalifatin shqiptar më aq  fuqi, e me aq përbuzje.
    E,  si ka  mundur të besoi Kalifi në Zotin tonë kur siç thotë një   gjerman i quajtur Nietzche; “ Të gjitha  kohët llapin kundër njëra- tjetrës në shpirtrat tuaj: dhe ëndrrat, dhe thashethemet e të gjitha kohëve qenë më reale se sa zgjuarsia e juaj!“
    Pra, në emër të besimit ndaj atij „Zotit“ të huaj, në emër të thashethemeve,  Kalifi i bënte një mijë e një të zeza. Bile edhe mjekrën e kishte lëshuar në emër të kalifatit dhe, „beduinët“ i dhanë titullin më të lartë që jepet në gjithë territorin e kalifatit.  E quajtën; „ babai i kombit me mjekër “.
    Ketë titull ia dorëzoj personalisht kryekalifi në emër të çështjes kombëtare(?!) e shkencor dhe të rrallë janë ata që patën nderin ta marrin titullin „kalifi më mjekër“ sado që kryekalifi nuk ka mjekër për vete(?!) Këtë titull e fitojnë vetëm „ata që janë gati të vdesin për Shqipërinë“ siç thotë Faik Konica.
    Po ky Faiku  një ditë, aty diku para një „haremi“ në mes Tiranës,  e kishte takuar „Kalifin më mjekër“ dhe  ia ç´kishin biseduar.(Eshtë viti 1999)

    „Faiku:- Kur je gati për të vdekur për atdhenë, ç´pret?
    Ai ( Kalifi më mjekër):- S´erdhi koha Faik Bej.
    Faiku: - Mos prit luftën e madhe. Që të nxehësh zemrat, që ta afrosh ditën e mirë, qite pallën, hidhu bëj një trimëri të shkëlqyer për atdhenë të çuditën bota e të çuditemi të gjithë.
    Ai - S´erdhi koha.
    Faiku - Sille, në mos erdhi!
    Ai - Pa më thua, pse s´vete të vritesh më parë ti që qenke më trim? ...
    Faiku - S´erdhi, e, për mua, s´do të vijë kurrë. E sheh se unë s´rrej. S´jam trim unë...Ti që leve trim, që more titullin „kalifi më mjekër-babai i kombit“ bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë që po e pushton greku dhe për nder të Kosovës që po e pushton serbi.
    Ai - S´erdhi koha. Sot për sot sado trimëria të bëhen, do të venë kot. Këto luftëra janë në kundërshtim më programin e marksist-leninizmit. Ti kundërvihemi internacionalistëve proletar është jashtë titullit tim shkencor.
    Faiku - ...( për shkaqe teknike, teksti   këtu nuk lexohej)...
    Ai - Tallesh me mua.
    Faiku - Nuk tallem me ty. Në mos do të vrasësh vetën , megjithëse je gati për të vdekur, çap në Gjakovë, në Prishtinë, në Drenas a në Deçan, e ,në mes të pazarit, thirr si tellalli të drejtat e shqiptarisë. Ja një punë e mirë.
Ç´do t´të bëjnë më të ligë se të te vrasin, punë për të cilën ti thua se je gati.
    Ai(kalifi) - Fjalë, fjalë, s´erdhi koha, Faik Bej!...
    Faiku - Në mos erdhi koha për të vdekur, djalë, erdhi një kohë tjetër: erdhi koha të ngrihesh, ti rruani mjekrat e ta kapërcesh me vrap pragun e derës sime, se mjaft më çave kokën !“

    E, unë, dëshmitari i këtij dialogu më erdhi keq çka i bëri Faik Konica  „kalifit më mjekër“. E luta mos kështu Faik bej se kjo bie ndesh më çështjen kombëtare(?!) Bile, ia kujtova  Metë Ramën (një personazh i F. Konicës) që i kishte thënë: „ Le t´i harrojmë gjërat e shkuara. Tani, pa  t´i biem dashit, se mos na ftohet!“
    Kishte të drejtë Metë Rama se, në „harem“ shpesh  nuk ka rrymë dhe gjërat bëhen në errësirë, pastaj, pastaj edhe mishi i dashit mund të ftohet në mungesë të rrymës.
    Në diasporë, fushëbeteja gjërat gjithmonë i hamë të ftohura.  

Përplasja e dytë

Kur djalli s´ka dele dhe shet lesh (?!)                    

(Vazhdim i përrallës   „Një mijë e një net“)

    Kishte të drejtë se, në „harem“ shpesh nuk ka rrymë dhe gjërat behën në errësirë, pastaj, pastaj edhe mishi i dashit mund të ftohet në mungesë të rrymës. Mirëpo, ujku do mjegull e, në këtë mjegull edhe Kalifi i një mijë e një netëve, duke e shfrytëzuar terrin informativ një ditë e shikoj „kalifatin“ nëpërmjet një dritare të ashtuquajtur  „televizion“   dhe i udhëzoj  kalifët  e vegjël që gjithsecili ta „okupoj“ nga një karikë kalifati që në të ardhmen e „lumtur“ do t´iu shërbejnë për nevojat e këndimit, se tani e tutje i gjithë populli veç do të këndoj...
    Çka të bëj tjetër(?!)...
    Ishte një kënaqësi e veçantë ti shikoje  nëpërmjet asaj „dritare“ ato femra të lakuriqe  me bardakë të çajit në dorë duke u shërbye  për shtatë qejfe „kalifëve“ kurse, ata më nga një kalem të  „hoxhës“ në dorë shkruanin bejte. Gjegjësisht, i shkruanin rregullat e lojës që duhej ti përmbahej gjithsecili njeri që jeton në kalifat duke përfshi edhe të ardhurit nga Karpatet... Dikur, një „kalif“ i tyre u paska pas thënë se; „nuk do t´iu mungon asnjë qime e flokut“ e tani, sipas këtyre rregullave të reja që po i shkruan Kalifi me kalifatet e vegjël, atyre; s´do t´iu mungojnë as qimet e...(?!) Urdhri i prerë;  Kush ua prek qimet  mbetet jashtë kalifatit...(?!)
    Çuditërisht e jo rastësisht, koha e këtyre kalifëve dhe koha e mesjetës i kanë të ngjashme disa rregulla! Në mesjetë nuk kishte rrymë, lexo; ishte errësirë dhe rregullat e njerëzimit punoheshin, shkruheshin në terr(?!)
    Çfarë ngjashmërie me kohën ?!
    Edhe në kohën e sotme në kalifatin e Kalifit suret e atdheut shkruhen nëpër terr... këndohen në terr...(?!) Ekziston vetëm një ndryshim më mesjetën; atëherë më shumë shkruhej me alfabetin latin. Sot,„suret“ e atdheut shkruhen me alfabetin latin, grek, cirilik, por edhe kinezisht...
    Në mesjetë ata që ishin kundër dogmave të fesë në fuqi, ata që nuk i respektonin ligjet e tyre, dënoheshin e ndiqeshin nga kisha. Këta njerëz quheshin heretikë. Kështu, u krijuan teoritë heretike. (Njerëzit heretikë... Mendime heretike... Lëvizje heretike (!)...
    Sot, në një errësirë totale, në hotel ( në harem ) Kalifi  me mjekrën e rralluar nga një sëmundje infektive që është i infektuar me viruset sllavokomunist është shumë i mërzitur sepse, nuk është duke i mbetur asnjë qime në fytyrë. Thuhet, e besa edhe flitet nëpër çarshitë e Tiranës, Prishtinës e të Tetovës e, aty këtu edhe nëpër bordelet e kurvërisë, ku rrinë kalifët më mjekra“ ( gjysma qosa të rruar nga greku e sllavi) se, Kalifi i madh ka angazhuar shumë doktoresha shkencash (që ua shkruante vet  temat), akademikë, pse jo edhe spiun e agjent të huaj për t´ia gjetur ilaçin(?!) kësaj sëmundje, por s´ka ilaç, andaj ky virus do të na e  lë Kalifin pa qime, demek pa lesh. Mjekra dalëngadalë, qime-qime po i qeroset  (?!)
    Në shenjë nervoze, në shenjë hakmarrje për sëmundjen e „qimeve“ të fytyrës ky „patriot“ romantik  i ka shpallur disa  dogma morali.  Sipas këtyre dogmave të quajtura si në mesjetë kanonike ; të gjithë ata  që nuk i respektojnë kalifët mjekraxhi, ata që kanë së paku nga një „qime“ në fytyrë dënohen më se lehti më përjashtim nga atdheu(?!) Të tjerët, demek, të pa „qimet“ në fytyrë janë heretik të patriotizmit dhe s´kanë të drejtë të mendojnë, ëndërrojnë për atdheun që ua paska lënë atyre trashëgim babaxhani komunist...( S´di si do të trajtohen nga Kalifi dhe kalifati femrat që nuk kanë qime në fytyrë?!)
    Mu kujtua, ndryshe; Kështu foli Zarathustra:
    „ Zëri i kopesë akoma jehon tek ty. Dhe kur do të thuash „Nuk kam më ndërgjegje të përbashkët me ju“ ka për të pasur ankesa dhe dhimbje“.
    Thamë, Kalifi kishte angazhuar shumë akademikë-akademikesha, intelektual të mërgatës sonë (që i kanë dëgjuar disa kurse të gjuhës vendase të urdhëruar nga social-amti dhe thonë jemi intelektual (?!) për t´ia gjetur ilaçin sëmundjes se tij. Por ishte e pamundur. Një ditë, u paraqit një shëtitës oborrtar.  Thonë paska qenë edhe emisar, ambasador e ku me ditë çka në kohën kur këndoheshin suret kombëtare përse mbrapshti dhe, ai me gjysmë frike i paska lexuar diçka Kalifit. Kalifit që kërkonte ilaç për „mjekër“.
    Diçka jo nga  përrallat e „Një mijë e një netëve“ por nga Nietzsche. Ai ia lexoj: „ O vetmitar, ti i ke hyrë rrugës për tek vetvetja! Rruga e jote kalon para teje dhe para shtatë djajve të tu. Në sytë e vetes heretik, shtrigë, magjistar dhe palaço do të bëhesh, dyshues, i ndyrë dhe i lig.(!?)
    Prej asaj ditë, Kalifi e kishte mbledhur oborrin e kalifatit dhe i kishte caktuar disa  mullëzakë që nuhasin mirë dhe i kishte ndërsye kundër atij që kishte pasur guxim dhe ia kishte përqeshur sëmundjen. Këta mullëzakë, të dresuar mirë nëpër shkollat e mullëzakëve sllavokomunist dolën qyteteve të Evropës, filluan me nuhatjet e tyre sidomos nga prapa që ti njohin kundërshtarët e tyre.  
    Nuhatja filloj. Për një punë kaq voluminoze dhe më karakter „patriotik-atdhetar“ u zgjedhën metoda të njohura antikombëtare.
    Dhe, gjatë kësaj nuhatjeje ata paskan gjetur shumë „heretik“ që nuk pajtoheshin më  këto metoda, andaj shpejt e shpejt u nxorrën rregulla të reja të bindjeve dhe të mendimit politik. Tani, të gjithë ata „heretikë“ duhet ndjekur nga ky atdhe(?!) Duhet dënuar apo, mos edhe më keq, duhet djegur në turren e druve.
    S´di, a më qeshë apo, më qarë?!
    I pa kënaqur  nga nuhatja, Kalifi një ditë mblodhi disa dylberë të vet të rij për nga mosha, që akoma nuk i kanë rënë brisk fytyrës dhe doli të shëtisë nëpër Evropë... Thonë, pasi doli më shëtitë me dylberët e vet, sepse kësaj radhe në vend të grave të haremit kishte marr dylberë të rinj, mjedis Evrope Kalifi kishte kërkuar të formohet një shoqatë e Kalifëve që për bazë do ta kenë programin sllavokomunist. Mirëpo, Evropianët duke e kuptuar se; djalli s´ka dele dhe shet lesh, gati ia kishin rrua për së dyti mjekrën po mos të kishte qëlluar një Kalif nga Rusia, apo diku aty rreth Karpateve dhe, duke ia njohur mjekrën e kishin shpëtuar. Ka mjaftuar që Kalifi ti ngrit lartë tre gishtërinjtë dhe ata ta kuptojnë se vërtetë ai (Kalifi) është pasardhës i denjë i më të madhit Kalif .
    „ Bën mirë në oborr se gjen në mal“- thotë fjala e urtë popullore. Edhe Kalifi kishte bërë mirë duke i përkrahur “tregishtërinjtë” e ardhur nga Karpatet dhe e „mira“ ju shpagua edhe atë ditë kur ishte gjetur ngushtë në vendin e quajtur Bllacë...Thonë, e kjo mund të jetë e vërtetë se edhe një kalifiç i vogël ( nga Maqedonia e Aleksandërit të Madh), e, që i ka hyrë vetja në begeni se është  i madh,  atë ditë kishte bërtitur, ishte përjargur gjithë ditën duke e thirrur Kalifin e madh ...  

(Ky shkrim është botua me 2 qershor 1999, në „Bota sot“ dhe në librin “Përplasje”, 2000, Fakti Shkup.)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora