E diele, 28.04.2024, 06:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Xheladin Mjeku

E premte, 18.12.2009, 07:30 PM


Xheladin Mjeku u lind në Graboc të Epërm të Prishtinës (tash nën juridiksionin kadastral të Komunës së Kastriotit), me të mbaruar  shkollën e mesme të mjeksisë, ka studiuar  në Fakultetin Filologjik – Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Poashtu ka studiuar edhe për Teknologji ushqimore.

           Nga viti 1982 punon në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Departamentin e Ekologjisë Humane  në Prishtinë. Vazhdon të ushtroj aktivitetin  krijues pa shkëputje  prej tri dekadave në krijimtari letrare për të rritur dhe fëmijë dhe në publicistikë.

            Në qershor të vitit 1978 Revista letrare “Pionieri”  në Prishtinë, ia botoi vjershën e parë “Qershori historik”. Prej atëherë e deri në ditët e sotme ka shkruar e botuar pothuajse në të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe, që botoheshin në Kosovë, Shqipëri,  Maqedoni dhe në Mal të Zi, si në: ”Pionieri”, “Rilindja”, “Jehona”, “Koha”, “Bujku”, “Shëndeti”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkollari”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Çlirimi”,  “Zog mëngjesi”, “Iliria Post”, “Focus”, “Zëri”, “Epoka e re”,  “Bota sot”, “Pavarësia”,  “Kosova sot”, “Kalendari letrar”, pastaj në Gazetën “Ndryshe”, “Drita”, “Obelisku” dhe “Nacional”, në Suplementin letrar “Drita ndryshe”, etj.  që dalin në Tiranë, dhe së fundi edhe në ”Tribunën sindikale” ku është i pranishëm me shkrime, analiza, editoriale dhe intervista  në kontestin sindikal. Poashtu shkrimet e tij janë publikuar edhe nëpër shumë faqe interneti që botojnë krijimtari letrare dhe publicistike në gjuhën shqipe, si në Web-faqet “Albacenter.it”, “Krizantem.com”,  “Agimi.com”, “Tribunashqiptare.com”, “Kosova-Albemigrant.com”, “Gazetashkodra.com”, “Dritapelegrin.blogspot.com”,  “Zemrashqiptare.net”,  “Merbraha.com”, “Skenderajonline.com”, etj.   

              Është  fitues i disa shpërblimeve letrare, si: për tregim në konkursin letrar të revistës “Jehona” të Shkupit, pastaj për poezi në Manifestimin tradicional “Sofra poetike -Ymer Elshani” të Drenasit; poashtu ka edhe disa shpërblime nëpër konkurse letrare të gazetave dhe revistave  në Kosovë dhe një çmim për cikël poezish në web-faqen “Albacenter.it”.

               Pak para mbylljes nga serbosllavët, Radiotelevizioni i Prishtinës  ia transmetoi Poemën për fëmijë “Gjerdan maji”, e cila   konsiderohet si e zhdukur s’bashku me të gjitha librat, dorëshkrimet, materiale të botuara në shumë gazeta dhe revista, e që konsiderohet  se ishin mbi dyqind njësi, të cilat i përpinë flakët në luftën e vitin 1999. 

               Është bashkautor i Përmbledhjes së poezive “Prelud poetik”, botuar më 1997;

               Ëështë prezantuar në përmbledhjen poetike prej 101 autorësh “Zhbërja e ikjes”, kushtuar shkrimtarit të mirënjohur Rifat Kukaj, në përvjetorin e vdekjes së tij.

               Është prezantuar edhe në librin me publicistikë dhe kritika letrare “ Hijet e thyera”, të botuar më 2008;

                Në monografinë  “Një luftë më ndryshe”, që i kushtohet përvjetorit të aktiviteteve të Shërbimit shëndetësor “ Nëna Terezë”, etj.

                Është angazhuar në një rol episodik në serialin televiziv “Brenda drejtësisë”,  që e realizoi Radiotelevizioni i Kosovës, në vitin 2009.

               Përmbledhja e poezive “Mëkatet e Orfeut”, dhe Libri me tregime për fëmijë  “Nëna e lirisë” janë në proces botimi.


XHELADIN MJEKU

 

                                      Cikli poetik : AKTI  I  PËRJETËSISË

 

 

DY HERË TAKOJ JONIN

 

 

                                      “Ndër degza vargjesh fëshfërijnë figurat,

                                       Si mbrëmjes Jonit fletëzat e ullinjve.

                                        E mbusha gojën me erëra të Jonit,

                                        Ndjej nëpër dhëmbët kokrrizat e jodit”.

 

                                                                                       Fatos Arapi

 

Kaltërsia në mes e qielli me Jonin përqafohen

Derisa shkreptinë rreze dielli në zenitin e flakrimit

Dhe nis ditë e avullt me vrushkuj drite

 

Të gjithë jemi fatlum

Dhe mbushim grushtet me rreze, me pak aromë Joni

Kur takohemi me ditën e kaltërsisë

 

Është lindje foshnjore

Dhe rritet përmasa e ditës me t’thore në hije

Me gëzimin e fëmijës që po lind

 

Takimi me Jonin

Fëmijëri e ikur a rinim i jetës që rilind

Përqafim i dy botërave në kaltërsi

 

Dy herë takoj Jonin

Herë si dallgë e lazdruar, herë si foshnjë  sykaltër

Dhe shtrij përqafimin me kaltërsi në mes

 


ZHVARRIMI I FEDERIKO GARSIA LORKËS 

 

Po ende qenkan frankot mbi këtë qiell

Këtej në mes ëndrrës së jetës dhe dritës

E Granata frymon mes dy botëvdekjeve

Dhe klithmës së fundit të poetit:

“Përse më vrisni  në një natë me hënë?!”

 

Tepër vonë për një ndreqje, një ndëshkim

Zhvarrosje eshtrash dhe lëkundje nga trolli

Me gjasë vrasësit nuk e trembin nga ëndrra e lirisë

Edhe kur e tërheqin drejt një rilindje të dytë

 

Shumë kishte dëshirë të takoj fëmijët me portokalle

Edhe korrtarët t’i përgëzonte për kallirin e grurit

Për bukën dhe lojën e shpirtit pa ia nda këndonte

 

Zhvarrosja nuk e trembi nga ëndrra e lirisë

Dhe derisa po bënte përjetësinë

Firmosi fjalë-testamentin e fundit

”Lëre ballkonin tim hapur!”

Hapekrah ta pres  lirinë


 

ARVANITASIT I TAKOVA NË PRISHTINË

 

Më ranë këmbët bulevardeve të Tiranës

Gjithë Vlorën kalova mespërmes deri në ullishtë

Mbrëmja në Elbasan më gjeti shesheve gjithandej

E askund nuk takova arvanitët, nuk takova njeri

As Aristidh Koljan, vetë mikun se gjeta dot

Asnjë për be nuk i takova në këto vise të lashtësisë

Heu ç’më pushtoi malli, më mbuloi zhgënjimi

 

Gjatëkohë po i kërkoja deri në thellësitë e jugut

Shumë mund për një çmallje, një takim me shkas

T’i tokim me afsh dhe këmbim fjalësh në pafundësi

Derisa t’ia nxjerrim rrënjën katrore mendimit

Për lëkundjet e shekujve, për ndritjen e historisë

Dhe më ranë këmbët bulevardeve, shesheve…

 

Zbrita në qytetin e fëmijërisë, në Kryeqytetin e lirisë

Bulevardi i librit gumëzhinte nga zërat e vizitorëve,

Kërkonin  personazhet që duket se i kishin humbur

Unë po kërkoja Arvanitët që duhej të kishin arritur

Bashk me Koljan  kishin ardhur në përurimin e lirisë

Arvanitasit i takova gjithandej në Prishtinë

 

Sheshet dhe bulevardet gjëmonin nga këngët arvanite

Kuvendohej në grupe, përqafimi nuk kishte mbarim

Vinin tok Ali Pashai me Marko Boçarin, me trimat e tij

Bubulina shpaloste rrugën kah ndriçon dielli i lirisë

Derisa me Aristidh Koljan shpalosnim Librin e dëshmisë

-Arvanitët tashmë shlirshëm edhe këtej mund të vijnë

Bulevardeve të Tiranës, në Vlorë, Elbasan, edhe në Prishtinë!

 

1)      Veprën “Arvanitët” e Aristidh Koljas, që sapo ishte botuar ato ditë,  nuk e gjetëm në qytetet e Shqipërisë. Me t’u kthyer në Prishtinë, ky botim kishte arritur në Bulevardin e librit. Tashmë është pjesë e kujtesës historike dhe banore e përhershme e bibliotekës sime personale.



UDHËZIME PËR KAPËRCIMIN NËPËR KALIMASH

 

Andej kalohej edhe më këmbë

Me trok kali rreth e  rrotull kalërohej

Për pesë palë qejfe ditën për diell

 

Të dilej matanë shkëmbit

Matej pesha e burrit dhe gurit në një

Dhe vrapi i ditës në t’thore këmbësh

 

Dhe kthimi ishte si ëndrra

Me mallin e kripur të Jonit që pret

Deri në Pikëtakimin e mbramë

 

Udhëzim për kapërcimin e malit

Deri në shembjen e ëndrrave sa shekulli

Dalëzotët  që i hapën krahërorin shkëmbit

 

Tej gurit të shpuar u nisëm

Kavermë e plagosur thellë si vërragë

Në zenitin e dritës që po duket

 

Dhe dy polet e ëndrrës i gjetëm

Me fijen e bashkimit në një pikë

Nëpër Kalimash



AKTI  I  PËRJETËSISË

 

Asgjë nuk dihet pse duhej të vdisej

Dihet për  rrëfime me udhë gjaku

Deri në ditën e përjetësisë

 

E lisit, e plisit i vinte hija e gjakut

I vinte njomja e urrejtjes

Deri në palcë guri  plasja e dritës

 

Dhe mbinin lulëkuqe çdo ag

Majë lisit e plisit, medet

E flitej për burrërinë

 

Ta rrëfesh të ligën, lajmësin e kobit

Një jetë udhë duhej ikur

Me flakën e shpirtit në gji

 

Vriteshim për fjalën e mbaheshim për tokë

E bjer e çohu deri në mbyllje

Të aktit të përjetësisë


 

ILIRISHTE

 

Eqrem Çabejt

 

Gjithçka  më thërriste në ilirishte

E vargut i jepte fre deri në pafundësi

Flurudhë mallkimi  në majën e dritës

Në harkun e gjakut të vet

 

Vetëm  njëherë po të mos këndonte                                                                     

Gurmazi do t’i bëhej ballsam

Për fije floku do të harroheshim

Në rrugën e gjatë shekullore

 

Udhë me harkun e dritës

Dhe një peng i fjalës ilirishte

Deri në çmalljen e ashtit

Për këngën e psalmit dhe ritet

Për Gjon Buzukun

Dhe Meshën e mëshirës së tokës

 

Ilirishte

Që merr flatra shekujve

Dhe zbret në thellësi shpirti arbëror

Me timbrin e zërit shqip

Eqrem Çabej



ODHISE PASKALI

 

E trajtoi  koha  në qëndresë guri

Me madhështi burri

 

Ai gdhendi gjithë qëndresën në gurë

Fortesë e çelniktë që s’do shembet kurrë

 

Lartësinë e fisit dhe plisit i kaptonte tek Alpet

Gjoksshkëmb sa qëndresa që ndruajnë malet     

 

Gjithmonë  ish fjalëpak, shkëndi në ballë-nur

Çka i pa syri, dora i skaliti në gur

 

Atë vetë koha e trajtoi në qëndresë guri

Me madhështi burri


 

KAH BIE PIKËLLIMA

 

 Agim Spahiut

 

Ku gjendet udhërrëfyesi për në Kukësin e Vjetër

Atëherë lehtë do ishte të marrim udhë

Kah bie Via Egnati

 

Dy ura nisin për në botë - në Kryeqytet

Hasit përmes i dilet me një trok kali

Kah bie Pikëllima

 

Malli po më djeg për grunajat e gurta

Dhe valltarët e qartur në Rrafshin e Lumës

Kah bie Gryka e Shejës

 

Andej vie Pikëllima dhe Kukësi këtej

Dhe zjarri që kall shpirtin në Kolesjan

Kah bie Kosova



BETEJA E VALIKARDIT

 

A u nis kali në betejë

A beteja nisi me trokun revan

Dhe rrodhën rrëke gjaku

Deri në agun e djegur

 

Trimërit nuk maten me vrasje

Maten me zenitin e guximit

Dhe me pak zemër të shpuar

Fushëmejdani

 

Betejë me lojëgjaku në pafundësi

Deri në zhbërjen e tradhtisë

Nga kryqëzim i heshtave

Në logun e trimërisë

 

Mbetet pak triumf

Pak  vringëllimë  shpatash

Dhe  trok kuajsh në fushëgajk

Vaj kali në Valikard



EKOLOGJIKE

 

Çka nëse e vrasin ujkun

Kaherë ka përmjerrë cep më cep

Të kësaj toke virgjër

 

Të zbutet në sojin e qenit

Se lehjet nuk e prishin imazhin

E ditës për diell

 

E pakuptim vrasja

Për një përmjerrje në ëndërr

Dhe një lehje në qiell

 

Vërtetë çka merr vesh

Soji i fismë në zbutjen e bishave

Ekologjike

 

 

SI NË KASHTËN E KUMTRIT

 

Tepër vonë për urata

Dashuriçkave u ka ikur ora

Ngushëllim për ditën tjetër

Me një tufë lule-ëndrra

 

Plot trëndafil me fjongo

E asnjë vend për be për buqetat

T’i hedhim mbi plorin e shkriftë

Vërtet dashuriçkave u ka ikur ora

 

Fytyra ngushëlluese gjithandej

Portrete të skalitura si në hije

Dhe gjymtyrë prej ashtit tonë

Si në Kashtën e Kumtrit



APOKALIPTIKE

 

Nëse një herë ke rënë

Kjo është vetëm rënja e parë

Dhe asgjë tjetër

 

Për rënjen tjetër

Do të mendoni gjatë

Nuk falet dështimi

 

Nëse sërish ke rënë

Ke rënë përgjithmonë

Kthimi është rreth vicioz

 

Lojë me nerva konop

Në rrotullimin e rënjes

Apokaliptike




(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora