Kulturë
Ndue Ukaj: Trajtat e rrëfimit orfik
E premte, 18.12.2009, 10:59 PM

Trajtat e rrëfimit orfik
Nga Ndue Ukaj
Romani ”E penguara- Requiem për Linda B” (Onufri, Tiranë, 2009) i Ismail Kadaresë, është një rrëfim thellësish orfik, i stilit kadarean, i cili tematizon, ashtu sikurse në shumë romane të tij, jetën në diktaturë, duke e perceptuar atë nga shumë aspekte, si jetë e penguar, deri në rrafshet më të larta tragjike, atëherë kur bëhet absurd letrar, karakteristika këto të strukturës tekstore të këtij romani, që shpërfaqen në dimensionet semantike, por edhe në ato estetiko-letrare. Për dallim nga romani i fundit “Darka e gabuar”, ku autori kontekstualizon diktaturën në planin historik dhe me nuanca të fuqishme historiko-politike, tek ky roman ai përqendrohet thellësisht te njeriu, te ai i thjeshti që personifikohet nëpërmes personazhes Linda B, pastaj nëpërmjet artistit e dramaturgut Rudian Stefa dhe sigurimsave të shtetit, njerëzve të komitetit dhe partisë, në mes të cilëve hyjnë funksionalisht edhe figura të tjera, si Migena, etj. Ky trekëndësh letrar flet për tre dimensionet fundamentale të kësaj proze, tragjiken që prek çdo njeri, në forma e variante të ndryshme brenda një shteti të tërë, kupola e së cilës është partia si pengesë për jetë të lirë. E penguara, nuk është vetëm një metaforë për vajzën Linda B, por edhe një prototip letrar i trishtë i makthit që shkaktonte diktatura, përmasat e së cilës tejkalojnë shumëfish dimensionin psikologjik të një vajze të penguar tmerrësisht. Mirëpo, ndryshe nga romanet e tjera të këtij autori, në këtë prozë ndjehet thellë një dhembshuri e pashembullt për Lindën B, ndërkohë që aty gulçon një trishtim i pazakontë, i cili ecën paralelisht me shpërthimet e dramaturgut dhe shkrimtarit Rudian Stefa, në rrugën e një ekspedite, nëpër ferrin e trishtueshëm të diktaturës që shëmbëllen me ferrin dantian, për të takuar vajzën Linda B, të cilën, Rudiani, tamam si Orfeu e dashuron vetëm pas vdekjes së saj, sepse fati ishte më se tragjik dhe vajzën e pengonte që ai kurrë të mos mund të arrinte ta kuptonte këtë për së gjalli. Pikërisht këtë subjekt tragjik, autori do ta përjetësojë në shkrimin artistik, mjeshtërisht, përmes një rrëfimi dramatik, ku narratori i gjithëdijshëm flet për personazhet e shumtë të kësaj drame njerëzore, qoftë kur sekuencat janë implicite, përmes funksionalizimit të mitit për Orfeun, qoftë kur janë eksplicite dhe përshkruhet drama e Rudianit, qysh nga momenti kur thirret në hetime dhe mëson për vetëvrasjen e Lindës B. Në këtë roman, një sinjifikativ të fuqishëm e determinues, autori na jep qysh në titull, përmes të cilit motivon intencën e romanit, ndërkaq titulli është një figurë çelës, përmes së cilës hyhet në boshtin e fabulës tragjike, të një romani që konstruktohet nga pengesa ekzistenciale, që i vihen në jetë, vajzës së internuar Linda B, mungesës së lirisë së saj, pengesës për të jetuar e lirë, për të dashuruar dhe për të jetuar në kryeqytet, nga shteti

Për të krijuar mundësi të vizitojë kryeqytetin, apo për të sfiduar shtetin, Linda B shpik kancerin, mirëpo kur kupton se nuk ishte e sëmurë, bën vetëvrasje. Nga këtu, kemi sekuenca të fuqishme narrative, ku me depërtime të thella psikologjike e artistike, përshkruhen përjetimet e Rudianit dhe evokohet dashuria që Linda B ushqente për të, njëherë përmes Migenës, pastaj përmes shëmbëllimit me mitin për Orfeun dhe implikimit të Euridikës, si kujtesë mitologjike në tekst. Mirëpo, Kadare si një mjeshtër i jashtëzakonshëm i rrëfimit, zhbiron nëpër kohë dhe fatin e saj e kontekstualizon nëpërmjet funksionalizimit mjeshtëror të mitit për Orfeun dhe trajtesën universale të tij. Shëmbëllimi letrar mes Rudianit dhe Orfeut shpërfaqet në mënyrë eksplicite, ndërkaq Euridika dhe Linda B bëhen shëmbëllim i tragjikes së dashurisë së përjetësuar pas vdekjes. Ky raport interletrar mes dimensionit mitologjik dhe psikologjik, e sforcon prozën, ndërsa dimensionet e saj bëhen trajta të fuqishme universale, ku diskursi shumëdimensional bëhet model i një proze thellësisht psikologjike. Ky shtresëzim i tekstit si kontekst dhe intertekst letrar, e bën këtë roman prozë universale, një dhimbje tragjike që dridhmon lexuesin, me intencën sublime, e cila, duke qenë një requiem për një vajzë të penguar, bëhet shënjues i fuqishëm i një kohe të tërë, duke rrëfyer me funksionalitet absurdin e kësaj kohe dhe përmasat dramatike e tragjike të saj. Mbase, duke kërkuar komponentin esencial të letërsisë, edukimin si mision dhe katharsisin si qellim, autori përmes këtij romani sikundër motivon domosdonë e një riminshence për fatin e tmerrshëm të vajzave shqiptare në kohën barbare të diktaturës, absurdet e së cilës tejkalojnë përmasat e çoroditjeve dhe hyjnë në kufijtë e plotë të antihumanës, me të cilën Kadare ironizon fuqishëm dhe të cilin fat e stigmatizon pa mëshirë. Duke evokuar nëpërmes një diskursi thellësisht tragjik jetën e njeriut të zakonshëm, të resë së internuar, autori sforcon fuqishëm filozofinë e demaskimit dhe çjerrjes së përhershme maskës së diktaturës antihumane, nën substratin e të cilit subjekt, enden perceptimet shumëdimensionale të autorit për fatin e artistit, shkrimtarit, politikanit e njeriut shqiptar nën diktaturën e tmerrshme të Shqipërisë komuniste.
Duke ndërtuar me sekuenca të fuqishme narrative fatin tragjik të personazhes Linda B, përmes një diskursi që sintetizon dhembshurinë, mallin, tragjiken, dashurinë për të penguarën apo të penguarat e internuara, Kadare rifunksionalizon me një përmasë krejtësisht origjinale arketipin tragjik të letërsisë, atë arketip ontologjik që shëmbëllimet e së cilës lirshëm mund të krahasohen me letërsitë e mëdha dhe kolosët e saj, si Dante, Shekspiri, Kafka etj.
E penguar Linda B, që është personazh shkak dhe pasojë i romanit, në tekstin letrar bëhet simbiozë e fuqishme e vajzës së pasionuar për jetën e dashurinë, mirëpo së cilës i mohohet ajo, për arsyeje të pakuptimta dhe në mënyrën më barbare, më të trishtuar, me absurde. Tragjikja është më e thellë, për arsyen më të thjeshtë, ngase ajo asnjëherë nuk e ka njohur lirinë, madje as një ditë. Për këtë shpik edhe kancerin, për të gjetur një moment lirie, mirëpo asgjë nuk e tjetërson jetën e saj, deri në momentin kur ajo i jep fund jetës. Ky fund i dhimbshëm, funebër, është preteksti për të filluar një fushatë e pashembullt e gjurmimit, hulumtimit të jetës së saj, si dhe ndërlidhjes që ka ajo me dramaturgun Rudian Stefa, i cili, edhe ashtu në sytë e pushtetit nuk shikohej mirë, për shkak të një dramë që gjykohej në parti.
Thirrja e papritur e tij në hetuesi dhe paradoksalisht hyrja në fabulë e vajzës së vetëvrarë, e fut lexuesin në një vorbull dramatike rrëfimi, ku pasionet dhe dashuria vihen në kontrast të fuqishëm me egërsinë e pushtetit, pashpirtësinë e diktaturës dhe venitjen e jetës njerëzore. Është ky fat i trishtueshëm i femrës dhe mashkullit shqiptar, në një kohë të egër, që prodhon një tekst letrar të mahnitshëm, përmes stilit tashmë të veçantë, stilit kadarean, i cili jo vetëm që shëmbëllen me kolosët e mëdhenj të letërsisë, por për shumë nuanca bëhet model.
Komentoni
Artikuj te tjere
Gjon Keka: Abuzimi me idealin e demokracisë
Baki Ymeri: Prezantime të reja shqiptare në gjuhën rumune
Demir Krasniqi: Dy elegji ndër perlat më të njohura të këngëve popullore shqiptare
Albina Idrizi: Sa shumë ngjajmë
Blerim Rrecaj: Për borën që ra
Alban Bala: Ngjyra mbi Det (Cikël poetik)
Arif Molliqi: Përrallë e “ Një mijë e një netëve“
Cikël poetik nga Xheladin Mjeku
Një libër për veprimtarinë e sherbimëve sekrete Serbe kundër Kosovës
Halit Bogaj: Anita Ekberg
Sinan Sadiku: Vargje të frymëzuara nga dashuria ndaj atdheut dhe lirisë
Teuta Shala: ''Zeta dhe dinastia e Balshajve'' - Giuseppe Gelcich
Mikel Gojani: Libër i rëndësishëm për receptuesin shqiptar
Engjëll Koliqi: Poezi të 22-26 tetorit 2009 - Poesie del 22-26 attobre 2009
Jusuf Zenunaj: Ninulla e sotme
Monografi, të pathënat e Luftar Pajës
Fatmir Halimi: Vallja e yjeve dhe Vargjet e lira (Lasgush Poradeci dhe Migjeni)
Sabile Keçmezi-Basha: Një plejadë e tërë atdhetarësh e përfshirë në një monografi
Murat Gecaj: Mbyllet Gazeta “Mësuesi” - Nderim për gjithë drejtuesit, redaktorët dhe bashkëpunëtorët
Kalosh Çeliku: Nj? minut? heshtje p?r Dadaistin