E diele, 28.04.2024, 12:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Dhuratat e këtij viti

E merkure, 23.12.2009, 09:58 PM


Suzana Kuqi

Dhuratat e këtij viti

Vendosa të mos bëj dhurata. Do të bëj fare pak, burrit, fëmijëve ndonjë nipi e... mjaft me kaq. Nuk ja kam as vaktin dhe as kohën. Nuk më shkoi mendja që në fillim të sajoja ndonjë sebep e të kërkoja nja dy ditë pushim siç bënë koleget e tjera dhe... mirë m'a bënë, m'i mbushën të tëra ditët para e pas krishtlindjeve me turne. Të ishte vetëm kjo, gjysma e së keqes, por ma futën edhe për vit të ri. Filloj me datë njëzetetetë e mbaroj me datë dy , data tre pushim. E ç'më duhet data tre, kush feston me datë tre... Për sa di, asnjë. Tensioni m'u ngrit kur pashë turnet e muajit por nuk thashë gjë. “Ua rregulloj unë këtyre”, thashë me vete, “nuk do t'u ndërroj asnjë turn siç kam bërë deri tani”. U betova, u betova por... ç'e do. Që ditët e para të muajit më vjen një kolege:

- Më duhet një mëngjes me datë... Duhet të çoj vajzën e vogël për kontroll në spital.

E pashë me inat, madje me shumë inat, por turnin ja ndërrova. Kam pasur edhe unë fëmijë të vegjël. Pas saj edhe nja dy të tjera, kërkesat e të cilave nuk i refuzova dot, por ama... zura be, asnjë dhuratë për krishtlindje. Të them të drejtën as vetë nuk po e kuptoj veten këto kohët e fundit, mbase është lodhje, por mbase... e këtë ja them gati pa zë vehtes, është ajo sindroma e “burnout”, kështu i thonë asaj që prek në përgjithësi ata që janë në shërbim e në ndihmë të njerëzve. Edhe këtë nuk e di nëse e spjegova mirë, ka vite që e kam bërë në një kurs e më duhet të hap leksionet që ta kujtoj taman fjalë për fjalë, ama mbaj mend mirë që në profesionin tim, kush preket nga kjo sindromë nis e nuk duron dot as të moshuarit, as veten e as koleget... shkurt e me pak fjalë përkthyer sipas mendjes sime... kërkon sherr.

- Mos më bëni dhurata këtë vit,- ja plasa një ditë kur ishim gati të gjitha,- unë nuk bëj sepse... jam ngushtë ekonomikisht,- shtova me të shpejtë duke ju shmangur sherrit.

U tha, u bë. Nuk dola të blija ato budallallëqe që vihen poshtë pemës. Më falni që i quaj kështu por... gjëra më pa kuptim e pa vlerë... Vitin e shkuar u mundova t'i riqarkulloja, po do ti, nuk mbaja mend se kush m'i kish dhënë e nja dy morën mbrapsht ato që më kishin sjellë vitin paraardhës. Nuk ma thanë në sy por sigurisht nuk ndenjën pa folur e fjalët më erdhën. Siç thotë ai burri me mend, armiqtë janë për të të sharë pas krahëve, miqtë që të të bien të sharat e kështu të bëjnë me zemër. Jo se u bëra me zemër për kaq pak, jeta ka gjëra më të rëndësishme për të cilat duhet ruajtur ajo e shkretë zemër, por gjithsesi nuk më erdhi mirë. I mora dhe i hodha në kosh duke i shoqëruar me një psherëtimë lehtësimi ato sende që i kisha futur në të njëjtën kuti me zbukurimet e pemës së krishtlindjes. Mjaft me dhurata, kush më do, të më japë me urimin një buzëqeshje dhe aq.

Nuk qe e thënë. Vërtet rafti i punës sime ishte i vetmi i pangarkuar me pako gazmore deri disa ditë më parë, por tani diç gjej aty.

- Thashë nuk dua dhurata!- i them koleges që ka raftin ngjitur me timin, emrin e së cilës e shqova në një pako.

- E mora vesh, nuk të bëj,- ma preu shkurt ajo.

“E paturpëshme e padurueshme, me siguri do të më detyrojë t'i bëj dhuratë me zor, aty të mbahet..”,

Atë natë kur mbarova turnin i mora dhe i futa në çantë. Të nesërmen në mëngjes i nxjerr nga çanta, kur ç'të shoh, tri nga pesë nuk ishin për mua, ishin për atë “të paturpshmen”. I fus sërish në çantë e ja çoj në punë.

- Të kam vjedhur dhuratat,- i them.-Nuk e pashë atë kryqin para emrit tënd.

- Si ka mundësi ?- ma priti ajo. - Ku i kishe sytë?

- Sytë i kisha, syzet jo. Pastaj, pretendon nga unë të shikoj atë kryq të vockël, kur miket e tua nuk shikojnë gjithë atë emër që bën “mu” në derë të dollapit. Nuk ke faj ti, fajin e kam unë që t'i solla prapë e..- këtu e mbajta gojën e dola.

Kjo taktikë nuk piu ujë shumë. Filluan një e nga një të më vinin e të m'i binin dhuratat në shtëpi. E mua filloi të më vriste ndërgjegja.

- Cohu,- i thashë burrit dy ditë para krishtlindjeve,- shkojmë e bëjmë ca pazar.

Dolëm e mbusha çantat me dhurata në një supermarket të madh, më të madhin e qytetit. Ndalova në rradhë për t'i paketuar, paketimi ishte gratis. Shikoja duart e shkathëta të vajzës që bënte këtë punë. Tri lëvizje dhe... ajo letër e bukur dhe e shkëlqyeshme e fshihte atë send pa kuptim. Tri lëvizje të tjera dhe fjongoja dukej si gonxhe e çelur. Tani po që kishte kuptim, dhuratë për kokën e dhuratës, të merrte më qafë. Kishim arritur tek gjysma e koshit kur e humba durimin.

- E di çfarë, më jep letrën dhe fjongot për këto të tjerat se i bëj vetë në shtëpi,- i them vajzës e cila me pa një hop e pastaj me dorëzoi tufën e letrave dhe fjongot. Pas darke u shtrova në sallë për t'i përfunduar. Mora të parën që më kapi dora, një ëngjëll i lezetshëm. E mbështolla. Me gjithë impenjimin e dëshirën time, ajo që më doli nuk ishte aspak e lezetëshme. E ç'mbështolla dhe e provova prapë e prapë. Nuk e di se si, por sa më shumë që e provoja, aq më pak i lezetshëm dilte. Mora fjongon, mendova se me atë gonxhe do të hahej disi, por halli qe se ajo që doli nga duart e mia mund të merrte çdo lloj emri, por gonxhe kurrsesi. Ec e merre vesh, dukej aq punë e lehtë dhe e kollajtë kur e bënte ajo vajza... Mblodha mendjen e paketova vetëm ato që kishin kuti, gjithsesi haheshin, për të tjerat gërmova në shtëpi e u gjeta ca qeska të vogla. “Fjongot të më marrin të keqen”, thashë me vete. Pasi mbarova me to, nisa të sistemoja ato që kishim blerë për vete e për shtëpinë. Burri i dashur kish zgjedhur një komplet gotash për verë. Të kuqe. Hapa kutinë, nxorra një e po e kundroja karshi dritës. Ishin vërtet shumë të bukura. Qelqi i kuq shkëlqente... si rubin, prej rubini, mendova unë, nuk më erdhi gjë tjetër ndërmend përveçse... gjakut.

- T'ja dhuroj Lorenës?

Lorena është mikja dhe kolegja ime që e kam shumë për zemër. Nuk mora përgjigje, ndaj ktheva sytë nga im shoq që ishte ngrysur mbi sudok.

- Përse nuk më...,- më përgigjesh desha t'i them po atë çast bie zilja e derës e fqinja ime u dha në të.

- Ah, sa të bukura! Nuk kisha parë të tilla, mund t'i shoh pak? - briti ajo dhe zgjati duart.

- Në fakt për ty i kam blerë, thashë të t'i dhuroja për krishtlindje. Të vjen keq nëse nuk t'i paketoj? - as vetë nuk e di se si më erdhën këto togfjalësha në gojë, madje pa m'u dridhur zëri.

- C'thua?! Aspak! - e zhduku shkëlqimin e rubinit në kuti dhe e mbylli.- Të faleminderit, – dhe më puthi në faqe.- Të falem...- ju pre fjala në mes kur pa ngrysjen e burrit tim të dashur. Por nuk e humbi toruan, vuri majat nga thembrat duke shtërnguar fort me të dyja duart kutinë e gotave mori drejt derës pa shtuar as edhe një fjalë. Vetëm kur u gjend jashtë saj i dëgjuam zërin:

- Nesër pasdite pimë diçka bashkë.

Nuk ke ç'i thua, kije inat por jepi hakun, është vërtet inteligjente fqinja ime. Burri i dashur përplasi sudokun mbi tryezë.

- Nuk i bleva për...

- E di, por e shkreta nuk ka njeri. Nesër kur të mbarosh punë kthehu e bli një palë të tjera, madje dy, dhe një palë për...

- Shko bliji vetë, mos më thuaj më...- kujtoi se do të më shpëtonte duke dalë nga salla. Kujtoi...

- Edhe një bojë flokësh. Atë kutinë që ishte ngjitur me atë që mora se nuk më bën punë... nuk ishte ajo që më duhej...

E dëgjova që shfryu diçka të tipit si: “ec e merri vesh punët e grave, apo “kush i ka kuptuar ndonjëherë gratë” deri sa kaloi në të përvetëshmen, gruan e tij, “se gjoja nuk është në terezi nga trutë”... Mendova një çast, në do të bëja mirë t'i shkoja pas e ta sqaronim atë punën e truve tani, apo... do të ishte më mirë një buzëqeshje e ëmbël me kafenë e mëngjesit... Më mirë kjo e dyta, do të më dhuronte tërë botën po të mundte...

Sa për dhuratat... I bëra e do të vazhdoj t'i bëj përsëri, vit për vit, pikë për pikë e rradhë për rradhë. Provova të mos i bëja por nuk qe gjë, sepse i mbetem besnike atij mendimi se: nuk ka rëndësi se ç'ka në atë pako të vogël, të bën punë apo jo, rëndësi në atë periudhë të vitit, e cila është vërtet magjike, kur dita fillon e i merr natës, kur drita fillon e i merr errësirës, kur kanë lindur e vazhdojnë të lindin perëndi...çdokush përpiqet të të thotë :

*

Të bëj këtë dhuratë, për të të falenderuar që ke hyrë në jetën time, që merr pjesë në jetën time ... qoftë edhe me një përshëndetje a një buzëqeshje...


Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2010!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora