Kulturë
Fabula nga Vangjush Saro
E shtune, 26.12.2009, 07:33 PM

Druri i shtrembër dhe zjarri
Një dru i shtrembër
në stivën e heshtur,
me fqinjët grindej e shahej
pareshtur.
-M’u hiq që këtu,
më shtype për fare.
Shtyhu dhe ti!
Halldupë! Zuzarë!
Kështu natë e ditë.
Stiva s’kishte paqe.
Druri shtrembaluq
po shkallonte lagjen.
Një ditë prej ditësh
fare rastësisht,
e hodhën në zjarr,
ku shpejt u bë prush.
Që nga ajo kohë,
thonë pa të keq
se drurin e shtrembër
veç zjarri e ndreq.
Në lagjen rrëmujë
Në pyllin plot klithma e rrëmujë,
për lepurin e shkretë
u vu kuja:
“Pa lejë e ke
këtë strofkë?
Të qoftë!
Naaa, gjobë të fortë!”
“Po dhelpra?
Po ujku? Ariu?”
U mbrojt me të keq
lepur-ziu
“Mbyll gojën, mor horr,
që shkel ligjin!
Kasollen që sot do ta prishim.
Dhe gjoba është gjobë,
e ke hak.
Ka rregull këtu
në çdo hap.”
“Po dhelpra?
Po ujku? Ariu?”
Thosh prapë më kot
lepur-ziu.
Ndërkaq strofk’ e vogël
e mjerë,
u shemb menjëherë
plot bujë,
në pyllin rrëmujë.
Gomari
Gomari, thonë,
është i urtë:
Kullot në gjemba
edhe mban drutë.
Duron të shara
edhe shkopinj.
Shqyhet
për miq e fqinj.
Gomari, thonë
është i urtë:
I japin dru
dhe…i mban drutë.
Por ndodh që kupa mbushet plot
dhe kafsh’ e urtë
s’e gëlltit dot.
Kështu durimi
në shkelma përfundon
dhe...mjerë ai
që i provon.
Dhelpra shpërblen lepurin
Në pyllin
që po dridhej nga shtrëngata
dhelprën e bukur na e zuri nata.
Dhe kërkoi strehë e u lut
në derën e lepurit të urtë.
Ish bërë dhelpra qull e pis
dhe lepurit të mirë iu dhimbs.
Ia hapi derën kanat-kanat
dhe s’ia kurseu
bukë e krevat.
Por kur u gdhi dhe dielli kokën nxori
Lepur-ziun e priste... oborri.
“Kjo strofkë, - i tha dinakja
pa zbukurime,
ka qenë dikur
pronë
e gjyshes sime...”
“Moj ndrikull, - zu të qahej
lepuri i hirtë -
unë, më duket, të bëra mirë…”
Po mysafirja shtrembëroi turinjtë:
“Mbathja nga sytë këmbët
sa pa të fshirë…”
Pylli dhe sharra
Pylli i madh
po rënkonte i shkreti.
Një sharrë e vogël
kërkëllinte
pa ia da.
Dridhej dheu
shteg e kodër
si prej tërmetit,
vdekjen prisnin
gjithë frikë
lis dhe ah.
“Kaq e vogël
dhe bën namin.
Sa çudi!,
tha një shkurre,
që për vete nuk po dridhej.
Mjaftoka një si kjo
me bateri,
që të gjitha mu në djall
të hidhen...”
Thesi i zbrazur
Një thes i zbrazët
dhe një plot drithë,
grindeshin në magazinë
përditë.
Ç’jam unë?
Ç’je ti?
Nuk pushonin fjalët.
Thesi që ish bosh,
po i tundte trarët:
-Pse ti rri më këmbë?
Pse unë rri përdhe?
Ç’jam unë, as më thua?
Po ti, çfarë je?
S’kishte nga të mbante
thesi që ish plot.
Një ditë e gjeti:
-Është e thjeshtë, shok.
Unë jam i mbushur,
ti je bosh - i tha.
Tjetri vari hundët,
u mërzit sa s’ka.
Por ndërkohë fjala
rendi nëpër botë:
Thesi q’është i zbrazët
më këmbë s’rri dot.
Komentoni
Artikuj te tjere
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami
Valentina Prifti: Ku është Evropa?
Pjetër Mëshkalla: Krishtlindje në Shkodër
Poezi nga Jusuf Zenunaj
Namik Selmani: Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë
Hajdin Islami: Promovohet DVD-ja “Talentat me Lalën”-pak humor e pak satirë...
Don Noshi: Për shumë mot Kërshëndellat (Krishtlindjet) dhe gëzuar vitin 2010
Zef Ndrecaj: Krishtlindjet
Keze (Kozeta) Zylo: Pema me e famshme ne bote ndodhet ne qendren Rockfeler ne Manhattan
Përparim Hysi: Thirrje Krishtit!
Suzana Kuqi: Dhuratat e këtij viti
Xhevat Rexhaj: Urime për festat e fundvitit
Adem Berisha: Gëzuar 20 vjetorin e LDK-së dhe Krishtlindjet
Sadik Bejko: Blloshmi, Leka dhe liria krijuese në izolim
Baki Ymeri: Poezi rumune - Monica Mure?an
Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut
Xhenc Bezhi: Urime Krishtlindjen
Halit Bogaj: ''Vendi diell'' dhe ''Zhizhi''
Hajdin Morina: Letërnjoftimi im
Kalosh Çeliku: Pula kur këndon si gjel