Kulturë
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami
E shtune, 26.12.2009, 06:13 PM

LISIT TIM I BIEN GJETHET
Malli për të kaluarën
Edhe mua më dogji,
Për pranverat që nuk kthehen
Lisit tim të jetës
Një nga një i bien gjethet.
Dhe, do të mbesin vetëm ato
Të ëndërrave boshe…
ARBËRIA
E kur zhytem në mendime
Pse po vuan kjo zemra ime?
Dhe, dielli do të na bëjë dritë
Arbëria forcon kufijt.
Nga një trup na i ndryshuan ngjyrat
Amputim na i bënë gjymtyrët.
Arbëria kurrë nuk ndalet
Si feniksi ajo ngjallet.
Gjymtyrët do t’i bashkojmë
Edhe plagët do t’i shërojmë.
Krahë plagosur mbetëm
Arbëreshët larg na u tretën…
NËNËS
Për çdo mëngjes, oj nënë
Hija jote më përshëndet.
Çdo mëngjes, oj nënë
Një rrudhë kam në ballë.
Dashurinë prindore
Nga ti e kam dhuratë,
na rrite me mundime
na mbyste varfëria.
Gëzim kishe rritjen tonë
E tashti kur jemi të rritur
Dashurinë dhe mallin
Na e zbut krenaria
Që të patëm ty, oj nënë…
RRUGË E SHTËPISË SIME
Mirë se të gjej vendlindja ime
Më e bukur se fëmija në djep.
Malli më i thellë se fundi i detit
Më e vjetër se vetë jeta
Rrugët e shtëpisë sime
Në vaj qenkan tretur…
TOKA IME
Ngadal mbështes kokën
në prehërin tënd tokë
t’i dëgjoj të rrahurat e zemrës
si frymojnë në liri
jam biri yt
oj toka ime e shtrenjtë.
KOSOVË
Kënga e Gërvallave
Krisma e Jasharave
me lotët e gëzimit
do të bashkohen nesër
për Ditën që erdhi
Kosovë...
KËNGA IME LOT
Kënga ime shtegëtare
udhëton nëpër botë
ajo është lot
Vajtimi e shoqëron
ajo është legjendë
që trimave u këndon
ajo është jetë
që pa të s’mund të jetoj
RRUGË DREJTË DIELLIT
Ju që treguat
rrugën e drejtë
dritës së diellit
kur korbat e zi
mbi kokat tona
thurrnin mite
gënjeshtrat u paraprinin
donin të shuanin
çdo shkëndijë drite
por forca dhe betimi
besa dhe shpresa
kurrë s’e shuan
idealin për lirinë
e kësaj toke.
SHQIPONJË QË ZBRITI NGA MALI
( Mirsad Avduli )
U skuq toka u nxi qielli
toka arbërore po digjet sot
u ngritë populli u ngritë rinia
kësaj toke t’i dalin zot.
Si shqiponja zbretë nga mali
Mirsadi me shokë
t’i tregojmë këtij armiku
e kujt është kjo tokë.
Po pyet Shkupi
ç’janë këto krisma
që ushton Haraçina
është vetë Mirsadi
me disa shokë trima.
Në ballë kishin betimin
dhe rrugën e lirisë
e mori plumbi armikut
në lulen e rinisë
u bë fortesë me gurë
në Kalanë e Qëndresës
u shndërrua në lapidar
për të mos vdekur kurrë…
SOT
Kur historia përmison gabimet e veta
këtu në Ballkan
kolonës së gjatë të kremtave
i bashkangjitem edhe unë
pritjes së trimit
që po kthehet në lapidar
kur barbarët të venin prita
Ai kur kaloi këndej tha:
Po shkoj ta ndihmoj Evropën
do të kthehem një ditë.
Dhe, ja sot të presim me lule
Të paqim për jetë o Gjergj
Në kryeqytetin e Dardanisë…
TRADITË DASMASH
Kur bëheshin dasma
në trojet Arbërore
dasmorët gjuanin me armë
shenjën për ta qëlluar
radhiteshin ata më të mirët
krisma shkonte
pluhuri ngrihej nga guri
më të mirët shpërbleheshin
me lavdinë shqiptare
të traditës me shekuj…
SHOKU IM I JETËS
Ku je pikllim
Jam shoku yt
I netëve pa gjumë
I dashurive të humbura
Me rininë që po shkon.
Pikllim, ku e kemi fundin
O shoku im i jetës!?...
LOTI PËR MIKUN
Tri pika loti
më pikën për mikun
që nuk e pa jetën
nga ne u nda në rini
librat i mbetën në çantë
banka e zbrazët
në një klasë të heshtur…
VDEKJE PARA KOHE
Miku im të vdiqën para kohe
ëndërrat lecka loje t’i bënë
shpirtin ta nxinë me intriga
lajkatarët të rënduan në çerpik
buzëqeshjen tënde qeshën
gojët e fëlliqura
në pleqëri ta çosh jetën
për kë jetove?!...
PYETE TË KALUARËN
Pyete
të kaluarën
or aq vlen ta dini,
se në moshë
tash kur jemi
do të vuajmë në vetmi..
O ti qiell mos na tret
se takohemi përsëri
me atë mall
si kaluam në rini.
Po, a vlen kështu të vdesim
Na pret ferri zi...
FLLAD I LEHTË
Pas shumë vitesh
shpirti do pushim
kur mbi kokë
na këndojnë bilbilat
nën hijen e Lisit të vjetër
e fytyrën na e ledhaton
një fllad i lehtë
të zhytur në mendime
çfarë kohë kaluan
duke ëndërruar
kohët më të mira
ku na u tretën
ëndërrat e rinisë?!...
GJETH I KËPUTUR
Nxirre zërin këngë
dhe thuaj lotit shko
në vendlindjen time
dhe atje loto
Nxirre zërin këngë
dhe thuaj mallit shko
shëtit vendet e mia
që shpirti im aq fortë i do
Zëri yt moj këngë
le të shkoj më tej
jam si gjeth i këputur
që era më hedh andej-këndej
NUK E DI
Nuk e di pse vjen pranvera
në këto troje me të zeza?!
Vetëm e di se këndon njeriu
sepse kënga është vaji i tij...
MË FAL!
Më fal!
I them lules që të prita
Aromën tënde asnjëherë se thitha.
Më fal!
I them nënës zemrën që ta theva
U plake e unë s’u ktheva.
Më fal!
I them tokës ku u rrita
ika fëmij të rritem nuk prita.
Më fal!
I them tokës së gjyshit tim:
Lashë shëndetin në mërgim.
Më fal oj tokë!
E zezë më shkoi kjo jetë
Kur u ktheva moj tokë
Çdo gjë ishte tretë...
ERDHA NËNË
Erdha prapë oj nënë
te pragu i vjetër
të ulemi bashkë
sikur do herë tjetër.
Ku trete buzëqeshjen
që të shkëlqente aq shumë
si qiri i fikur
u treta edhe unë.
Ku e ke buzëqeshjen
nga e jona rinia
ne ikëm në kurbet
ty të plaku vetmia...
Shkup, 20 mars 2009
Komentoni
Artikuj te tjere
Valentina Prifti: Ku është Evropa?
Pjetër Mëshkalla: Krishtlindje në Shkodër
Poezi nga Jusuf Zenunaj
Namik Selmani: Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë
Hajdin Islami: Promovohet DVD-ja “Talentat me Lalën”-pak humor e pak satirë...
Don Noshi: Për shumë mot Kërshëndellat (Krishtlindjet) dhe gëzuar vitin 2010
Zef Ndrecaj: Krishtlindjet
Keze (Kozeta) Zylo: Pema me e famshme ne bote ndodhet ne qendren Rockfeler ne Manhattan
Përparim Hysi: Thirrje Krishtit!
Suzana Kuqi: Dhuratat e këtij viti
Xhevat Rexhaj: Urime për festat e fundvitit
Adem Berisha: Gëzuar 20 vjetorin e LDK-së dhe Krishtlindjet
Sadik Bejko: Blloshmi, Leka dhe liria krijuese në izolim
Baki Ymeri: Poezi rumune - Monica Mure?an
Remzi Salihu: Provokimi metaforik në poezinë e Kalosh Çelikut
Xhenc Bezhi: Urime Krishtlindjen
Halit Bogaj: ''Vendi diell'' dhe ''Zhizhi''
Hajdin Morina: Letërnjoftimi im
Kalosh Çeliku: Pula kur këndon si gjel
Milazim Kadriu: U përurua libri “Ta kujtojmë historinë” i Sylejman Lutollit Në Besianë