E shtune, 27.04.2024, 09:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabile Keçmezi-Basha: Ëndrrat e kuqe

E shtune, 26.12.2009, 07:36 PM


Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com

ËNDRRAT E KUQE

Kishte vite qe nuk ishim dëgjuar e takuar, me Zanën, por jo me dashjen tonë. Në mes meje e saj kaherë ishte rrënjosur një miqësi e madhe dhe për një kohë të shkurtër kishte ndodhur gjithçka në Vendin e Shqipeve... dhe pastaj kishte pasua një ndarje përdëllestare në mes nesh. Vitet kishin kaluar dhe ishin bërë stivë duke u thinjur tej mase nga malli. Koha kishte mbështjell lëmsh në grykë fjalët e pathëna, pa mundur të gëlltit tërë dufin e viteve të ndarjes. Nëpër kohë kisha ecur si një somnambulë, dhe kisha vrapuar këmbëzbathur me shputat e djegura nga dielli që përcëllonte e griste lëkurën e mëmës-tokë në mënyrën më barbare. Me dalmate të bardhë gjerë në fund të këmbëve kisha vrapuar pas kipcit tim, duke i kërkuar fërkemet e vogëlisë që kishin ngelur në sokakët e baltosura atje... tej... diku... nuk e dija se ku...dhe fshiheshin rrengshorshëm në mjegullnajën pas hijeve që kishin vazhduar për të lozur lojën vegulli pas vegullie me flakën e dragoit në buzë. Në shtatin tim të lodhur si dëshmi koha kishte bërë tatuazhe - harta të llojllojshme të vatanit, të përgjakura nga katraligët e çmendur, në lëkurën time-flamur.
- Një jete është pak për të realizuar ëndrrën...-më thoshte babai.
- E ëndrrat ... çfarë janë ëndrrat për ty babi? E kisha pyetur një herë me sy të picërruar nga frika, se ç’përgjigje do të merrja.
- Ëndrra të kuqe... vazhdimisht kam parë, ëndrra të kuqe... - më thoshte ai. Dhe vazhdonte që të murmuriste më tepër për vete se sa për mua... dhe shtonte...
- Edhe babai im, kishte parë të njëjtat ëndrra. Dhe, ashtu shtruar fillonte që të zvilonte historinë, e unë nga një kënd i odës përcillja atë flakë të verdhë që dilte hove-hove nga drithërima e zërit të tij të mekur. Herë-herë frikësohesha nga këto tregime me ëndrra të kuqe, e herë-herë hezitoja ti tregoja se edhe unë kam ca ëndrra... Por, nuk ia thosha dot...
Babai i kuptonte mëdyshjet e mija dhe me thoshte... por unë edhe pas ca viteve  nuk e kam të qartë pse më thoshte...
-Mos u merakos... kot... se ëndrrat nuk trashëgohen... por ëndrrat e kuqe...hëm...gjithsesi... janë si amaneti... Nuk të shqitën fare po s’u realizuan, e shtrenjta ime, -kështu më thërriste nga dashuria e madhe që ndjente për mua... babai im.

*  *  *

E unë, edhe më tej tentoja të merrja lidhjen  me Zanën. Dhe përsëri nuk e merrja ... nuk e merrja!!! Sa e bezdisshme më dukej kjo ditë. Telefoni cingëronte vajtueshëm... E në anën e kundërt të telit, nuk ishte askush për ta ngritur. Kështu ky telefon i grymët ka cingëruar për dyzetë... pesëdhjetë... e fiu ... vite me radhë, dhe ... më ka kërdisë ëndrrën e blertë, copë-copë... Në grimca të vogla e në copëza pak më të mëdha që më kishin handakosur ditën. E babai, edhe më tej më fliste se ëndrrat nuk trashëgohen... Unë në heshtjen sfilitëse, nuk i besoja më as një fije...
Muri makaber e kishte rrethua kalanë time prej guri dhe ushtarët me kaska prej stralli, të radhitur palë-palë, mbronin Vendin e Shqipeve!!! e nga kush e mbronin vallë? Korbat e shumëzuara për dhjet, njëqind e njëmijë krakëllinin livadheve të blerta, për të sforcuar Hadin me ligjet e tij. Shpesh më buçiste koka nga dhembjet e padurueshme që sillnin stinët migrenoze. Letrat e zverdhura nga vitet që vinin rrallë e më rrallë, i lexoja në dritën e hënës, dhe me vite-dritë kishin ngelur pa përgjigje. Në Vendin e Shqipeve, edhe më tej jetonim për çdo natë, tok... në beteja, korbat e pulëbardhat, pulëbardhat e korbat, në një ishull. Dhe, për çdo ditë të lume, nata e Shën Bartollomeut na u rritte si thoi në gishta dhe ne, edhe më tej e mbanim mbi gjymtyrë të lodhura. Kafkat e shkallmuara nga vitet e humbura, i sillte përroi vërshues, dhe qanin pa ndërprerë për çikën që kurrë nuk u bë nuse. Ehu... ku mbeti duvaku i nusërisë, vallë? Ku mbeti duvaku i kuqë... Ku mbeti duvaku i zi ... Apo, unë më kot e, kisha sajuar nëpër shekuj...

*  *  *

-Sa vështirë merret kjo lidhje telefonike!... Sa pështirë... Ngrite atë kufje të mallkuar, bërtita, si e luajtur mendsh. A nuk po e sheh, se mbi qepallat e mija mrizon dhembja e stër-stër lashtë. Samari me kujtime ecë rëndë në tri këmbë të çala, si vet pritja në zenit të ditës së ardhur.

* * *
- Unë të shoh... të hetoi... edhe kur ke dhembje... edhe kur ke mall... -më thoshte babai.
Në kasollen time me tri mure, qëndron ende e varur korniza e zverdhur e atdheut, pa anatominë tënde, më ankohej babai. Ti buzëqesh, epo... ç’thua ti, Martinë, po mos të ishte kënga e jote, çfarë emri do i jepja dashurisë e mallit.

* * *
- Alo, alo... -dëgjohet zëri tej amplidutave të heshtjes.
- Martinë... Martinë... si nuk më njeh zërin Martinë... dhe lidhja, trak... këputet... Ç’është kjo melodi Ravelliane?... Ç’është kjo Bolero magjepse që më vije e paftuar në jatakun tim. E në dritën e hënës ende shkruajmë mesazhe me tri të panjohura.
- Telefoni përsëri cingëron... –dhe, përsëri mu kujtua...

* * *
- Të kujtohet se ç’më pate thënë në ndarje, Babi, se, gjithsesi do të takohemi një ditë të vonuar në Kalë të Konstandinit. Më pate thënë se, në Kështjellat e Balshajve do të më përcjellësh nuse... me flamur valëvitur.
-Baba, nuk të besoi më... nuk të besoi baba, se vetë më pate thënë “ëndrrat nuk trashëgohen, Martinë!!!

*  *  *
-Lajmërohu, të thashë... mbrëmë... edhe dje... edhe një ditë tjetër... Kudo që je, bëre një hap prej titani, se ëndrrat e kuqe më lënduan stinën.   
-Alo... alo... a dëgjon Martinë, jehoi zëri si ushtimë bjeshke të Alpeve të Shqipeve, dhe qeshja e përvajshme theu terrin...
-Oh... Zanë... më në fund...
 Në dy cepat e globit, u shtrinë për tokë ushtaret pa fitimtar, dhe ne, të zënë në fajin e shpifur qeshem si dy fëmijë, pa thënë asnjë fjalë... ama asnjë fjalë...


(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora