E diele, 11.05.2025, 11:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Dhurata Hamzai: Parid Teferiç: “Onufri” kthehet tek Onufri

E diele, 27.12.2009, 08:40 PM


Pikture e Onufrit
Pikture e Onufrit
Parid Teferiç: “Onufri” kthehet tek Onufri


Edicioni i 16-të i “Onufrit” është titulluar “Dëshira dhe dëshmi”, për të cilat kuratori Parid Teferiçi u shpreh se: “Ky konkurs që mban emrin e piktorit të madh shqiptar, Onufrit, do përfaqësoj më denjësisht emrin e tij, kur ne të kemi bërë njëlloj rikthimi të pikturës dhe në këtë pikë unë kam qenë i qartë që kur grupi organizator më ka besuar kurimin e ekspozitës”

Nga Dhurata Hamzai

-Përgatitet ekspozita e edicionit të 16-të konkursit “Onufri”, e cila do të hapet më 24 dhjetor 2009 dhe qëndrojë e hapur deri në datën 4 shkurt 2010

Konkursi tradicional “Onufri”, i cili zhvillohet çdo vit në Galerinë Kombëtare të  Arteve është duke u përgatitur për edicionin e tij të 16-të. Ndryshe nga edicionet e mëparshme, këtë vit konkursi do të zhvillohet vetëm me artistë shqiptarë, ashtu si nisi edhe edicioni i parë i tij. “Onufri” është organizuar për herë të parë në vitin 1993 dhe mbajti Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës së shekulli XVI. Rreth 20 artistë, të cilët janë përzgjedhur për këtë edicion do të marrin pjesë me gjini të ndryshme konkurruese. “Nuk përfaqësohen vetëm me piktura, por edhe me mediumet e tjera si fotografia dhe videoinstalacionet”, kanë pohuar organizatorët. “Onufri” aktiviteti më i madh i artit pamor në harkun e një viti do të presë vizitorët për më shumë se një muaj nga data 24 dhjetor 2009 deri më 4 shkurt 2010, ka pohuar kuratori i këtij edicioni Parid Teferiç, i njohur në publik si poet , piktor, por edhe politikan. Parid Teferiçi ka pohuar për median se për prurjet e këtij viti në konkursin tradicional “Onufri” kanë qenë të vështira, por ai është përpjekur që të ofrojë përzgjedhjet duke qenë në rolin e kuratorit, dhe jo të një diktuesi. Mendova se më e mira është që të mos paracaktoja koncepte rreth ekspozitës, gjë që do detyronte artististë të ndikoheshin në funksion të garës, por duke i përzgjedhur veprat në mënyrë të atillë që ato të shfaqin realitetin e zhvillimeve artistike në artin pamor shqiptar deri më sot. Disa nga autorët dhe veprat e pranishme në këtë edicion janë piktori i mirënjohur Gazmend Leka me triptikun, “i cili shënon një fazë të re në trajektoren e tij artistike”, shprehet kuratori Parid Teferiç, duke theksuar se ky kriter i risisë është ndjekur pothuaj për të gjithë pjesëmarrësit. Piktori i traditës Hasan Nallbani është rikthyer në këtë edcion tek tema e erotizmit, një shije e ndaluar në kohën e diktaurës. Piktori i njohur Vladimir Myrtezai do të prezantohet me një video-instalacion. Kuratori dhe organizatorët janë përpjkeur të sjellin edhe artistë shqiptarë në mërgim, ndër të cilët është edhe njëri nga pjesëmarrësit, piktori Zini Veshi, i cili ka ardhur nga Amerika ku zhvillon artin e tij. Piktori Veshi sjell elemente të shprehjes artistike të reja, duke ruajtur themelet e stilit unik që ka krijuar që në Shqipëri. Teferiç ka pohuar se do të ketë edhe pjesëmarrje të artistëve më të rinj, si Enkelejd Zonja dhe Genti Pipa.
Piktorët që punojnë në provincë prekin “Onufrin”
Nuk lihen jashtë vëmendjes piktorët që punojnë e jetojnë në provincë në edicionin e 16-të të “Onufrit”. Ndër të tjera kuratori i këtij edicioni ka pohuar se janë mirëpritur edhe prurjet e artistëve që që krijojnë në rrethe të ndryshme të vendit. “Metropoli i Shqipërisë ka një lloj atraksioni manjetik, që e bën Tiranën laboratorin më të madh krijues në vend. Ndërsa në rrethe ka individë pothuajse heroikë që në vetminë e tyre, duke mundur “dëshpërimin’ e provincës, arrijnë të bëjnë një punën që meritojnë dhe ajo duhet të mos mohohet, sepse është një pjesë e mirë dhe e lavdërueshme e pikturës shqiptare, pa mohuar se një shije e komercializmit ka mbetur në të”. Megjithëse këtë vit konkursi nuk është punuar brenda kornizave të koncepti kuratorial, kuratori Parid Teferiç shprehet se edhe titulli i tij i këtij edicioni i përjashton kornizat. Edicioni i 16-të i “Onufrit” është titulluar “Dëshira dhe dëshmi”, për të cilat Teferiçi u shpreh se ky konkurs që mban emrin e piktorit të madh shqiptar, Onufrit, do përfaqësoj më denjësisht emrin e tij, kur ne të kemi bërë njëlloj rikthimi të pikturës dhe në këtë pikë unë kam qenë i qartë që kur grupi organizator më ka besuar kurimin e ekspozitës”. Duke qenë një konkurs pa koncept kuratorial, Teferiçi shpjegon ekspozitën në tërësi “Jam përpjekur që të ketë njëlloj koherence formale, e cila do ti vijë si pasojë e vendosjes në trajtë mozaiku. Pavarësisht kalimeve të serta nga një zhanër në tjetrin, ekspozita është kërkuar të ketë më tepër efektin e ndërrimit të një kanali në TV. Sensi i ekspozitës është paraqitja e një panorame”. Onufri i këtij viti është i pasur në gjini të ndryshme si fotografia, instalacioni dhe videoinstalacionet. Teferiçi e konsideron si një pikë të rëndësishme të konkursit emrin e artistit “Gjelosh Gjokaj, një piktor me emër dhe një njeri i mrekullueshëm . Një nga ato figurat e mëdha të artit evropian, që përbënte atë treshen e famshme, Muslim Mulliqi, Ibrahim Kodra dhe Gjelosh Gjokaj”. Kuratori Parid Teferiçi, rrëfen se në diskutimet me artistët e artit pamor ka menduar se do të ishte interesante që “në këtë moment historik ku jetojmë, 19 vjet pas rrëzimit të murit të Berlinit të shohim se në ç’pikë jemi përsa i përket tranzicionit. Ne e dimë që artisti shqiptar pas rrëzimit të sistemit komunist u përball me një mënyrë tjetër të jetuari, me një atmosferë lirie që u bë pothuajse mbytëse për të, paradoksalisht. Ishte mësuar me kalendarin e Lidhjes së  Shkrimtarëve dhe Artistëve, me direktivat që jepeshin vit për vit, me lejet letrare... Qëllimi im ishte, a e ka superuar artisti shqiptar atë anonim, pra sensin e të qenit i pranishëm në një ambient ku normat që e rregullojnë atë janë të padurueshme për ty, pra e ka superuar artisti këtë ndjenjë anonimie?”. Tashmë është përgatitur ekspozita e edicionit të 16-të konkursit “Onufri”, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 4 shkurt 2010.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx