Kulturë
Recensione për librin e autores Behare Rexhepi, ''Në kërkim të dashurisë''
E diele, 27.12.2009, 08:04 PM
![]() |
BEHARE REXHEPI, e lindur në Prizren me 1957. Për shkaqe politke detyrohët të lëshon Kosovën për të jetuar në Belgjikë. Në Bruksel ndjek studimët e arkitekturës. Në vitin 1983, bashkë me Enver Hadrin,Gani Azemin dhe Reshat Sahitajn themelojnë Komitetin për Mbrojtjën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Pas vrasjës së Enver Hadrit në vitin 1990, Behare Rexhepi, në Bruksel krijon Byron Informative të Republikës së Kosovës. Behare Rexhepi deri në vitin 1999, ka qenë urëlidhëse e shumë vizitave diplomatike të përsonalitëve kosovare dhe atyre evropiane. Me ndërmjetësimin e saj, përsonalitetët politike si: Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Adem Demaçi, Ali Aliu Bujar Bukoshi, Nevzat Halili, Fazli Veliu, Melihate Tërmkolli,Edi Shukriu, Edita Tahiri,Veton Surroi, Halil Alidemaj, Gjergj Dedaj, …, bënë takimët e para diplomatike në Parlamentin Evropian, në Senatin Belg, në NATO, si dhe në Konferencën e Paqjes në Bruksel. Behare Rexhepi ka ndikuar që Parlamenti Evropian të aprovon dhjetra rezoluta për situatën dramatike në Kosovë. Miqësia e saj me senatorën e njohur belge zonjën Hubert Hanquet, Senati Belg i pari dhe i fundit shtet evropian, aprovon një rezolutë për situatën e tensionuar në Kosovë. Me inisiativën e Behare Rexhepit dhe zotit Gert Ahrens, Konferenca e Paqjes mbi Jugosllavinë e hap seksionin special për çeshtje të Kosovës, ku punimet i vazhdojnë: Gazmend Zajmi,Veton Surroi, Edita Tahiri, Avni Spahiu, Nevzat Halili… Qe nga 12 qershori 1999, jeton në Prishtinë. |
Behare Rexhepi: “Në kërkim të dashurisë”, Prishtinë, 2005
Nga Dr Sadri Fetiu
Romani i Behare Rexhepit me titull tërheqës “Në kërkim të dashurisë” është vepra e parë e këtij lloji e kësaj autoreje, që nuk ka përvojë të madhe ne krijimtari letrare, por është dëshmuar si njohëse e vlerave të artit, dhe organizatore e jetës politike e kulturore ne diasporë. Beharja ka edhe nje përvojë jetësore të dëshmuar në aktivitetin e saj patriotik e politik brenda veprimtarisë së përgjithshme të një pjese të diasporës sonë të përqendruar në njërën nga kryeqendrat e aktivitetit politik evropian, siç është Brukseli. Prandaj, përvoja e saj, jetësore dhe krijuese, i ka shërbyer si bazë e mirë për t’i përballuar të gjitha sfidat me te cilat ballafaqohen të gjithë romansierët gjatë hartimit të veprave të tyre të para.
Tema e romanit është një problem universal, që e ka preokupuar njeriun që nga kohërat më të hershme të historisë së tij dhe vazhdon ta preokupojë edhe sot e gjithë ditën ndoshta në përmasa edhe më të theksuara. Pra, romani, siç del nga vetë titulli, është me tematikë erotike. Sado që dashuria mbizotëron që nga fillimi si preokupim i përgjithshëm i të rinjve, tematika e romanit mund të vështrohet edhe nga një kënd tjetër. Duke pasur parasysh tërësinë e strukturës artistike të romanit, mund të thuhet se ai përshkohet nga aspekti i veçantë psikologjik dhe social Ai është roman në të cilin paraqitet artistikisht kriza e përgjithshme e vetëdijës së një populli në një nga fazat e rëndësishme të tranzicionit të tij, pas luftës së fundit në Kosovë, që ka lënë pasoja të rënda në jetën e tij. Ndonëse ngjarjet e romanit lokalizohen kryesisht brenda qytetit të Prizrenit dhe fokusohen kryesisht ne mjedise te caktuara që përfaqësohen nga brezi i ri, vepra synon ta paraqesë artistikisht gjendjen e rinisë së Kosovës në fillim të shekullit njëzet e një. Heronjtë e kësaj vepre, duke kërkuar dashurinë, në të vërtetë kerkojnë identitetin e dhe integritetin e tyre moral në një periudhë kohore kur permasat e përgjithshme të tranzicionit e kanë lëkundur deri në themel strukturën tradicionale të moralit të përgjithshëm shoqëror të një shoqërie që kishte diapason shumë të gjerë të vlerave të veta morale, duke filluar nga strukturat e shtresuara te moralit patrarkal, kanunor e deri te përvetësimi pa asnjë kriter i premisave të “perparuara” të kulturës së sotme perëndimore.
Pra, romani i Behare Rexhepit, i kundruar në këtë aspekt mund të radhitet midis veprave që i përkushtohen tërësisht sferës psikologjike, ku mbizotëron psikologjia e personaliteteve të reja në fazën me delikate të formimit të tyre, duke njohur vetveten ne sferën me te ndjeshme intime brenda përjetimeve të para të dashurive. Vepra është roman modern që me anë të artit tenton ta paraqesë atmosferën e përgjithshme të jetës, duke krijuar raporte të veçanta shoqërore, miqësore, dashurore dhe përjetime të sferës delikate intime, sidomos për moshën e tyre. Personazhet e romanit, pothuajse që të gjithë, i përkasin brezit me të ri, të nxënësve të shkollave të mesme, që duke absorbuar me kritere të veta origjinale, të paformuara, siç ndodh randomë me brezin me të ri, të rejat e botës moderne, përpiqen të krijojnë identitetin e tyre, ta përjetojnë botën sipas përmasave të reja që janë hapur në ndryshimet e fillimit të këtij shekulli të ri, që Kosova po e përjeton pas një lufte të tmerrshme me plot ankthe e viktima. Në fazën e parë të tejkalimit të këtij ankthi, kur kufiri ndërmjet jetës dhe vdekjes ishte ngushtuar në përmasat e skajshme, brezi i ri që po e fillonte jetën në kushte të reja, në përpjekje e sipër për t’u liruar nga traumat e luftës, kërkonte kënaqësinë e dashurinë, kërkonte endrrën për lumturinë, që donte ta gëzonte.
Romani i Behares, shikuar nga ky aspekt është vepër moderne, ku risitë, që e karakterizojnë planin e përgjithshëm estetik të veprës, janë më të theksuara në vetë strukturën përmbajtësore sesa në trajtat e rrëfimit. Megjithatë, rrëfimi brenda këtij romani i ka veçoritë e veta karakteristike, të cilat bëhen përcaktuese të poetikës së saj. Brenda kësaj poetike bashkëjetojnë harmonishëm tradicionalja dhe bashkëkohorja si struktura artistike që e përcaktojnë qartë mënyrën e rrëfimit. Mund të thuhet, prandaj se brenda këtij romani autorja ka gërshetuar tri format e njohura tregimtare: rrëfimin e autorit narrator nga pozicionimi i gjithdijshëm, sidomos për veprimet e personazheve, rrëfimin e brendshëm të personazhit, si formë të evokimit dhe komunikimit me vetveten, si edhe format e drejperdrejta të dialogëve midis personazheve, që shquhen për origjinalitetin e tyre edhe në planin e realizimit të veçorive gjuhësore, qe e karakterizojnë rininë e sotme të Kosovës. Vepra si tërësi është një rrëfim i sinqertë me anën të të cilit paraqitet e sotmja e rinisë sonë me të gjitha veçoritë që karakterizojnë fazën e transformimeve.
Ndonëse autorja në asnjë moment nuk ka qenë e preokupuar që t’i qesë në plan të parë problemet e caktuara, që e përcaktojnë strukturën morale të shoqërisë së kohës, pra, nuk ka

Personazhet e rrethit të dytë brenda kësaj vepre, duke i ruajtur veçoritë karakteristike të individualiteteve të tyre, poraqesin një lloj diagrami të shtrirjes së deformimeve në radhët e rinisë shkollore, si edhe të përpjekjeve të tyre për t’u mbrojtur nga të këqijat që janë pasojë e botës zhvillimit të skajshmërive të shoqërisë së konsumit, e cila në Kosovë paraqitet me efektet e veta më negative. Kështu brenda profileve të caktuara të personazheve, si të atyre që u prijnë veprimeve e proceseve, ashtu edhe të atyre që janë në rolin e marioneteve të caktuara të “udhëheqësve” të tyre, në asnjë rast nuk kemi personazh që sillet sa për ta mbushur ndonjë zbraztësi të rastit në mjedisin e caktuar, por që të gjithë i kryejnë funksionet e veta në terësinë e strukturës së romanit
Për ta dëshmuar konstatimin tim se kemi të bëjmë me romanin psikologjik do të ndalem pak në vështrimin e veprimeve të protagonistëve të romanit. Protagoniste e veprës, siç dihet, është Besa, vajzë e prindërve të ardhur nga fshati që ende nuk i kishin tejkaluar normat tradicionale të moralit patriarkal, ku i ati ishte “zot shtëpie” dhe vendoste për të gjitha. Nga mjedise të njëjta janë edhe personazhet e tjera, Agim dhe Agroni. Qe të tre në mënyra të ndryshme përpiqen të çlirohen nga shtresat e moralit tradicional. Besa duke dëgjuar vetëm zërin e zemrës së saj, Agimi duke vepruar pa skrupulla për t’i përmbushur pasionet e tij të sëmura seksuale dhe Agroni, poeti e veprimtari kulturor, duke u përpjekur që të ndërtojë parime të reja morale mbi bazat e shëndosha të traditës burrërore. Dhe kështu trekëndëshi i dashurisë thyhet brenda këndeve të reja që i pasurojnë mjediset e caktuara për ta bërë më të plotë mozaikun e përgjithshëm që e karakterizonte jetën e rinisë së qytetit të bukur të Prizrenit.
Romani i Behare Rexhepit me poetikën e vet karakteristike të kombinuar midis modernës dhe tradicionales, ka edhe tendencën e theksuar, që e përfaqëson edhe angazhimin e plotë brenda veprës. Kjo tendencë dhe ky angazhim realizohet me anë të poetikës së përrallës, sepse dashuria e kërkuar gjatë gjithë veprës, në fund realizohet me ngadhnjimin e saj të plotë. Ajo realizohet si ndjenjë e dëshmuar me tërë sinqeritetin e naivitetin rinor brenda shpirtit të pastër të Besës dhe si dashuri e drejtpeshuar midis emocioneve dhe logjikës në personalitetin e formuar drejt të Agronit.
Jo vetem për përfundimin tepër bukur, por edhe për shkak të tërësisë së rrëfimit, romani i Behare Rexhepit është vepër që lexohet me kënaqësi, sidomos nga të rinjtë. Kjo është vepra e parë e saj me të cilën ajo e ka përballuar me sukses sfidën, që paraqet hartimi i një vepre të këtillë. Të shpresojmë, në fund, se Beharja do të merret edhe me më sukes në të ardhmen me prozën e gjatë tregimtare dhe lexuesve do t’iu dhurojë edhe vepra të reja.
Një roman për adoleshentet tanë
Mr. sc. Myrvete Dreshaj - Baliu
Në letërsinë shqipe janë disa tema të cilat përsëriten nga njëra kohë në tjetrën dhe nga njëri autor tek tjetri. Tema e kërkimit të dashurisë, e ëndërrimit dhe e jetësimit të saj, është njëra prej përvojave letrare në letërsinë shqipe, jo për të rrënuar konceptin e paraqitjes, por për të përplotësuar atë me ndjeshmëri të tjera që sjellin rrethanat e reja. Brezi i autores së këtij romani ende kujton nostalgjinë e leximit të romaneve "Lulja e kujtimit", "Gremina e dashurisë", "Sikur t'isha djalë" etj.
Romani Në kërkim të dashurisë, i autores Behare Rexhepi është ndërtuar pikërisht mbi ato koncepte letrare të cilat i kemi njohur që më parë, por sigurisht është plotësuar edhe me përvoja të reja të këtij tipi të shkrimit romanor, me personazhe e struktura të reja ndërtimi e rrëfimi, të cilat e bëjnë esencën formësore dhe përmbajtësore të këtij romani. Derisa në njërën anë mungon pesimizmi i papërmbajtur, një veçori kjo e prozave të mëhershme të këtij lloji, në këtë tekst letrar është mjaft i pranishëm sentimentalizmi, si një formë e zhvillimit të situatave të brendshme estetike-narrative.
Romani Në kërkim të dashurisë, është një përpjekje që përmes një strukture narrative të sjellë artistikisht atë që e bënë përditshmërinë e një gjenerate gjimnazistësh të qytetit të Prizrenit me të gjitha preokupimet: gjinore, të dashurisë, mësimit, drogës e kriminalizimit, të jetuar nga një brez adoleshentësh të sotëm.
Besa, një vajzë e urtë dhe e bukur si zana, nxënëse e gjimnazit, dashurohet pothuajse rastësisht në sytë e Agronit, gjithashtu një gjimnazist i urtë dhe i sjellshëm i këtij qyteti. Është një rrugë e gjatë e kërkimit fiktiv deri në realitet artistik. Si zakonisht në këso situatash, përballë dashurisë, në këtë meskohë, gjithësesi dalin demonët dhe më këtë zhanër të shkrimit narratori na sjell disa shtresime të mendësisë dhe sjelljes së brezit të ri në një shoqëri të posadalë nga lufta.
Besa e ardhur nga një mes shoqëror i qëndrueshëm, bëhet peng i një shikimi të rastit, i një dashurie fiktive, ndërsa Agimi, gjithashtu i ardhur nga një shoqëri rurale, fal gjendjes së mirë materiale bëhet qerthull i së keqes, ndonëse edhe vetë bie viktimë e saj. Në shpirtin e Besës nga rastësia ndërtohet ëndërra e dashurisë së përjetshme, ndërsa në mendjen e Agimit shpërthen shthurja dhe jopërmbajtja e një rinie në tranzicion, e cila jetën e saj e ndërton mbi dy paradigma: interesin dhe pasurinë. Krahas tyre, ndërtohen edhe personazhe të tjera jo më pak të rëndësishme, që sjellin individualitete dhe shumësi refleksionesh, si: Shpresa, Agroni, Zana etj. Gjithashtu janë me mjaft interes edhe kujtimet e luftës, pasazhet e përshkrimet e qytetit të Prizrenit e të personave realë si ai i poetit Din Mehmeti etj.
Megjithatë, dashuria është ndër temat qendrore të romanit, është kërkimi i dashurisë si esencë e ekzistencës së qenies, guximi edhe i femrës sonë, për ta kërkuar këtë esencë të shpirtësisë pa u përkulur para vështirësive. Intenca për të provuar prapë, disa herë këtë kërkim, pa kompleksin e reflektimit të jashtëm.
Duke qenë jo vetëm krijuese letrare, por edhe njohëse e mirë e dramave të brendshme shoqërore e kombëtare, autorja ka arritur që të ndërtojë një varg situatash të jetës sonë, të cilat zhvillohen në mënyrë paralele në një shoqëri gati të pambrojtur dhe të paligje, ku të drejtën e përcakton forca, ndërsa lirinë shkalla e mundësisë së vetëmbrojtjes. Ajo prezanton shoqërinë tonë të pasluftës me trauma psikologjike e shpirtërore dhe me rrënime sociale e ekonomike, një shoqëri që beson shumë, por e cila edhe kur ia arrinë qëllimit ndodh të rrënojë po kaq sa të ndërtojë. Një shoqëri me ambicie të mëdha e të pakontrolluara dhe një shoqëri e pambrojtur dhe e pafajshme. Prandaj, edhe gjuha e përdorimit është gjuhë e përditshmërisë, gjuhë e komunikimit të drejtpërdrejtë, e lehtë dhe e qartë që në leximin e parë.
Shihet se autorja veprën e saj e ka ndërtuar mbi një ligjërim të drejtpërdrejtë dhe për ata lexues që më shumë se kompleksin e leximit dhe përjetimit estetik ka interesin e kuptimit të lehtë dhe vlerësimit të shqetësimve të një shoqërie, brenda së cilës jeton një brez me problemet e tij të përditshme jo vetëm sociale e kulturore, por edhe shpirtërore e psikologjike.
Me të gjitha këto, mendojmë se autorja ia ka arritur të shkruajë një roman të pranueshëm, të përshfaqur në një strukturë të plotë, i cili gjithashtu do të ketë lexues të shumtë, mbase pikërisht të këtij brezi të rinjsh.
NË ZBULIMIN E SEKRETIT TË KËNAQËSISË SHPIRTËRORE
FRROK KRISTAJ
Autorja Behare Rexhepi, në romanin e saj “Në kërkim të dashurisë”, temën e merrë nga realiteti i përditshmërisë të jetës së nxënësëve dhe studentëve kosovarë. Autorja ngjarjën e vendos në shkollat e mesme të Prizrenit dhe Pejës. Prizreni me murët impozante të Kalasë, me urën e Gurit , Kalanë e Çikave, përshkruhet si qytet i bukurisë dhe i të dashurarëve. Besa një vajzë që ende nuk ka mbushur të shtatëmbëdhjetat bie në dashuri me Agimin nxënës i Shkollës Teknike. Në shenjë dashurie, Agimi ia dhuron Besës një zinxhir të arit me një zmër, ku janë të skalitura shkronjat A&B. Në një takim të rastësishëm me shoqet, Belinda në qafën e Besës e dallon se ajo mban zinxhirin, që ditë më parë ia kishte dhuruar Agimit. Belinda i tregon se Agimi është i dashuri i saj dhe se ishte shtatëzënë. Besa e hek zinxhirin dhe niset e zhgënjyer për të bërë vetëvrasje pa i treguar se edhe vetë ishte ne muajin e dytë të shtatëzënisë.
Behre Rexhepi, mjeshtërisht ka arritur që të futët në botën psikologjike të personazhëve dhe të përshkruaj detalisht vujatjet shpirtërore të një dashurie të thyer.
“Në kërkim të dashurisë”, është një vepër që të shpie në labirinthet misterioze të botës së dashurisë të gjeneratave të reja. Në këtë vepër pasqyrohën vuajtjet shpirtërore të Besës, e cila edhe pse është e dashuruar, në relacione intime me të dashurin Agimin nuk e përjeton kënaqësinë. Sekretin e moskënaqësisë Besa nuk ia shpalos askujt por e kërkon me një tjetër mashkull. E zhgënjyer edhe me dashnorin e dytë Besa vazhdimisht është në kërkimin enigmatik të kënaqësisë.
Behare Rexhepi, përmes përsonazhëve të saj, përshkruan ngjarjet dramatike të shoqërisë sonë, duke ngre zërin kundër prostitucionit, viktimë e të cilit janë vajzat e reja që shkojnë me ushtarë të huaj. Autorja vë në spikamë edhe çeshtjën e drogës ku në mënyrë artistike përshkruhet vdekja e një vajze nga doza e tepruar e drogës.
Në kërkim të dashurisë, është dashuria ajo që pas veti tërheqë vuajtjën, dhembjën shpirtërore deri në vetëvrasje. Eshtë një këmbëngulje deri në sakrificë, që Besa me çdo kusht don të arrinë kanqësinë sublime të shpirtit, në aktin seksual. Përmes sakrificës, pasionit, ndjenjave, tabllove reale të rinisë sonë, intrigave, kurthave, thashethemëve, shtresohët dhe zë vend dashuria. Edhe atëtherë kur zhgënjimi ngritët në kulminacion, autorja ngre idenë dhe vizionin se asgjë nuk ka përfunduar dhe gjen rrugëdaljen se jeta vazhdon e dashuria ngadhnjen. Behare Rexhepi dashirinë e paraqet si forcë magjike, pa të cilën jeta do të ishte e zbrazët dhe e pakuptmimtë.
“Në kërkim të dashurisë” , është një roman që po të fillohet të lexohët nuk mundësh të ndahesh pa i shkuar deri në fund. Eshtë një roman, ku përveç dashurisë, ka përplot dramacitet intrigues që lexuesin e fut në kthinat më të errëta të dashurisë deri në zbulimin e sekretit të kënaqësisë shpirtërore.
Behare Rexhepi është evetmja autore që këto pesëvitët e fundit me guxim ka trajtuar një temë tabu të shoqërisë sonë- gjetjen e kënaqësisë në dashuri. Temë që askush nuk e flet haptas dhe e pa shtjelluar nga asnjë autor në letërsinë tonë.
“Në kërkim të dashurisë”, është një temë unversale, autorja përmes romanit të saj, ve në pah vetitë negative ku njerzit ndryshe thonë e ndryshe veprojnë. Autorja ngre zërin kundër: egocentrikëve, narcistikëve të cilët lavdërohën dhe mburrën duke shkatërruar jetën e tjerëve.
“Në kërkim të dashurisë” , është një risi për gjeneratatë e reja që lexohet me një frymë. Duke e lexuar këtë roman, gjeneratatë e vjetra me ëndje dhe nostalgji do t’i kujtohën ditët e rinisë së tyre.
Komentoni
Artikuj te tjere
Moikom Zeqo: Një kryevepër e panjohur e Pjeter Bogdanit
Vargje dimri nga Skënder R. Hoxha
Suzana Kuqi: Këngë e ëmbël
At Viktor Demaj: At Gjergj Fishta Tetë letra nga Korrespodenca
Halit Bogaj: Pse
Zef Mulaj: Shqiptarët dhe Lahuta e Malsisë
Përparim Hysi: Profesori
Sokol Demaku: Bëhu guximtar - mos përbuzë
Halit Bogaj: Rudolfo Valentino (1895 –1926)
Agim Bacelli: Spartanet
Sabile Keçmezi-Basha: Ëndrrat e kuqe
Fabula nga Vangjush Saro
Cikël poetik nga Rexhep Bajrami
Valentina Prifti: Ku është Evropa?
Pjetër Mëshkalla: Krishtlindje në Shkodër
Poezi nga Jusuf Zenunaj
Namik Selmani: Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë
Hajdin Islami: Promovohet DVD-ja “Talentat me Lalën”-pak humor e pak satirë...
Don Noshi: Për shumë mot Kërshëndellat (Krishtlindjet) dhe gëzuar vitin 2010
Zef Ndrecaj: Krishtlindjet