E shtune, 27.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Kur qelepiri të delë nga hundët

E hene, 28.12.2009, 10:42 PM


Kur qelepiri të delë  nga hundët

Tregim

Nga Përparim Hysi

               E thotë populli dhe nuk e luan topi.Mirëpo
njeriu,përgjithësisht,të thënat i merr si shaka dhe nuk i vlerëson aq
sa duhet.Vetëm kur e pëson mbi kurriz,atëherë zë i del"pija"dhe bëhet
fresk.Sa shkrova deri tash,e kam fjalën për qelepirin,pra,që,siç e
thotë aq mirë populli,të delë nga hundët.E di që ç'po them e merrni si
një lojë fjalësh dhe aq.Por e vërteta është krejt ndryshe,vetëm në
paçi durim  që të lexoni deri në fund.

                                  *   *   *
                Banonim në fshat dhe një mëngjes(aty prag viteve
'50-të),ndjej blegërimën e një qingji.Blegërima vinte nga rruga aty
nga fundi i bahçes sonë dhe,fëmijë,siç qeshë,vrapova të shoh.Gjeta një
qingj fare të vogël dhe,sa egjeta, e mora para duarësh dhe drejt e në
shtëpi.Babai e pa që nuk ish qingji ynë(kushdo që kish  dhënë, në vesh
që me lindjen u bënte nga një prerje simbol për të njohur)dhe më
urdhëroi që të shkoja shtëpi më shtëpi për t'ia kthyer të zotit këtë
qingj të humbur.Kështu bëra,por asnjë nga bashkëfshatarët e mi,pasi e
panë qingjin,nuk i doli për zot.Është vëndi këtu që sa u gëzova që
qingji i gjetur u bë imi,aq m'u bë zemra mal për ata fshatarë
babaxhanë që kurrë nuk pranuan të merrnin atë që nuk qe e tyrja.U
ktheva me qingjin në shtëpi dhe babai na mblodhi të gjithëve dhe na
tha:-Ky qingj që mbeti tek ne i ngjet një njeriu që të troket në portë
dhe kërkon strehim.I ngjet një jetimi,ndaj duhet të tregoni kujdes për
të .As do e shesim dhe as do e therim.Është si një lloj qelepiri,po
shtëpisë sonë,den babaden,nuk i shkon qelepiri.E dëgjuam babanë  si
ne,fëmijtë,por dhe të rriturit.Unë,veçanërisht,që e quaja veten si
pronar i atij  qingji të mjerë e të humbur.Siç duket,ai qingj kish
mbetur nga tufa e çobenëve që dimëruan në arat e fshatit dhe u
rikthyen andej nga kishin ardhur me filimin e pranverës.Se pranverë
qe.E mora qingjin e vogël,i dhashë qumësht dhe,pas ca kohësh,e bëra
manare.E quajta"Paçe"dhe aq u lidha me të,sa ku  të isha unë,do të
gjeje dhe "Paçen".Zuri dhe u rrit dhe u bë si dyshek.Një ditë,kur
babai iku në Skrapar(se andej dhe ishim),xhaxhai im(fshehuriazi dhe
nga unë),e mori "Paçen" dhe një të martë(se atë ditë bëhej pazari në
Fier),shkoi dhe e shiti.Se qelepir qe dhe tufa e dhënëve tonë nuk
prekej.Kur s'e gjeta në tufë,lëshova kujen,por xhaxhai më mikloi duke
më dhënë ca kallamsheqeriqë kish blerë në Fier dhe ,veç kësaj,më
porositi që mos i tregoja babait.Unë durova ca ditë pa treguar,por,më
së fundi, e tradhëtova xhaxhanë dhe i tregova babait.-Po ç'ke bërë
kështu?- iu akrrua babai xhaxhait.Po a e di që ne nuk na shkon
qelepiri?Ke për të parë se do të paguajmë për një thelë,një
pelë.Xhaxhai vetëm uli kokën dhe nuk tha asnjë fjalë.Sytë m'i nguli
mua si "tradhëtar",po dhe unë ulur i mbajta sytë.E sa për atë "pelën
që do paguanim për një thelë" as unë dhe asnjë tjetër nuk e vrisnim
mëndjen:Se ç'do na gjente,xhanëm?

                        *    *    *
         Për gjithë muajët e verës dhëntë tona nuk i mbyllnim në
kasolle natën.Po aty,rreth shtëpisë,kishim një  tokë rreth 6 dynymë të
thurrur rreth e përqark.Aty i mbyllnim natën.Fare afër shtëpisë,sa,po
të zgjasje dorën,prekje gardhin e arës.Qe korrik dhe ,kur u ngritëm në
mëngjes,ndryshe nga herët e tjera,dhëntë nuk i gjetëm tek ara e
thurur.Ato kishin kapërcyer gardhin dhe kushedi ku kishin sosur.Unë
merresha me to dhe unë fillova kërkimet.Rashë poshtë arave mos e i
gjeja gjikundi dhe vërtet që i gjeta,pakësa larg shtëpisë.I gjeta dhe
u gëzova,por,për çudi,kur i numërova,pashë që mungonin jo pak:po 6
kokë.Dhe qenë balli i dhënëve.I shqetësuar,vazhdova të kërkoja më
tej,kur ç'të shoh:i gjeta të therura,kapicë afrë njëra tjetrës dhe veç
një shelege(kish mish të njomë)ish e ngrënë,pothuaj,e tëra.Me një
frymë shkova në shtëpi dhe u nisëm me vrap babai,xhaxhai,im vëllai dhe
unë.Babai;blegëtor i vjetër,sa i pa ashtu të therura,tha:-Ka qenë ujk
i vjetër.Shelegen e ka ngrënë se ka qenë e njomë.Të tjerat veç i ka
dëmtuar.Pa shikoni si i ka shkelur me këmbë(tregonte shenjat në
trup).Se ujku jo të gjitha i ha,disave sa u thith gjakun.Pra,bën
dëm.Unë gati qaja nga e keqja që na kish gjetur,por babai,si e mblodhi
veten tha:-"Dasmën" e kemi nga ti.Këto fjalë i drejtoheshin xhaxhait.A
nuk të thashë që nuk na shkon qelepiri.E shite atë "jetimen"dhe ja se
si  e paguam.Xhaxhai u bë me turp dhe nuk e donte veten për atë që na
ndodhi.Dhe qe çudi,se,siç tregonin vëndasit(ne qemë të ardhur nga
Skrapari)),kish rreth 30-vjet që nuk ish njderë erë ujku në
Petovë.Sikur kish ardhur me porosi për ne?!Por nuk mbaroi me kaq kjo
mesele.

                                *     *    *

            Pas kësaj ngjarje të bujshme(se vetëm neve na ra në
pjesë),gjithë fshati filloi të forconte dyerët e kasolleve dhe,sa për
ne,për t'i dalë të keqes përpara,i bashkuam dhëntë tona me një
krushkun tonë.Ky qe bari i zoti dhe i rrinte tufës në këmbë.Tek ruante
të tijat,ruante dhe tonat.Aty nga vjeshta e vitit tjetër.kullotat sa
vinin dhe po pakësosheshin dhe bariu,si profesionist që qe,tufat i
çonte andej nga pylli i Vajkanit,se erërat shkundnin lëndë nga lisat
dhe dhëntë shqepeshin duke ngrënë lëndë.Natyrisht,që tufa qe goxha e
madhe dhe tek merrnin pyllit,s'kishin si ishin në sy të bariut.Po
dhëntë kanë një  të mirë,sa dëgjojnë që bariu thërret një dele me
emër,ato sakaq dhe mbledhin tërë tufën.Një dele po u hodh në greminë,e
gjithë tufa shkon pas saj.Pse ta zgjasë?Dhëntë kishim marrë pyllin
duke ngrënë lënde,po ai"miku ynë" i një viti më parë,aty e kishte
folenë.Se ku më mirë se në pyll.Dhe prapë rrëmbeu nga tufa jonë 6
kokë.Sikur kish çmim të prerë.Çudia qe se asnjë dele nga të krushkut
nuk hëngri.Se tufat,edhe kur bashkohen,e ruajnë bashkësinë e
tyre.Dhe,siç duket,ato tonat qenë të rriskuara.qenë në"gojën e
ujkut".Kështu që "Paçen" e paguam me 12 kokë dhënë.Nuk di se  si do
shkonte kjo punë më tej,po,për fat tonë të mirë,ujkun,atë"mikun tonë"
e vrau xha Zeqoja dhe u shpërblye me 1500 lekë dhe një dele.I vetëm
qe, po ne na i bëri hatanë.Mbas kësaj,ne u bindëm që qelepiri të del
nga hundët.Ndoshta,tanimë,edhe ju.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora