E shtune, 27.04.2024, 04:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Kandidat për mbrëmjen e Vitit të Ri

E hene, 28.12.2009, 08:41 PM


Tregim humoristik

Kandidat për mbrëmjen e Vitit të Ri1)

Nga Vangjush SARO

Në prag të Vitit të Ri, gjithnjë kam pasur një ndjenjë të veçantë, gati të pashpjegueshme. Nuk di tamam çfarë është ajo dhe nga se vjen. Por më pëlqen që njerëzit sikur gjallërohen nga pak këto dy a tre javë. Duken edhe disi më të lumtur.
Në këtë mes, fjala disi është njëlloj kompromisi. Ishte, më mirë. Dhe ja përse. Në një nga këto ditë, që në mëngjes, ata të drejtorisë i kërkuan secilit prej nesh emrin e një nxënësi shembullor. Ky fëmijë duhej të përfaqësonte klasën në mbrëmjen jubilare që organizohej çdo Vit të Ri. Unë e kreva sakaq këtë porosi. Përpiqesha të isha korrekt. Le që me ata nuk bëhej shaka. Ishin të marrë.
Por le t’i kthehemi edhe njëherë atij mëngjesi. Nuk kishte kaluar as një gjysmë ore nga koha kur kisha dorëzuar copën e letrës me emrin e nxënësit shembullor të klasës sime, kur më thanë se më kërkonin në drejtori. Unë shkova me një frymë.
-Tungjatjeta! - i përshëndeta me njëlloj familjariteti; nuk e dija fare nëse ata ishin në humor apo jo.
-Të kripça trutë! - më kërceu sakaq drejtori - Epo sa të paaftë jeni, more, për ideal të Partisë! Ç’është ky emër që na ke sjellë, o të sjellçin copa. Më thuaj.
Drejtori ishte burrë i vjetër. Kristo, i thoshin. Qe një fanatik, ashtu si shumica e drejtuesve. Për më tutje, ai nëmte rëndë fare, si ndonjë grua gojëshqyer. Megjithatë, i kishte pa të keq mallkimet; si të thuash, shfrynte ashtu kot.
Ani. E përmblodha mirë veten dhe si fillim, u përpoqa të lirohesha nga akuzat dhe paravolitë lidhur me aftësinë apo paaftësinë time. E kështu, thashë se ata na kishin kërkuar emrin e një nxënësi të dalluar. Emrin e një shembullori. Unë e kisha shpënë në vend këtë porosi. Eh, jo. Nuk mund të ndreqej gjë. Këtë mëngjes, ata kishin qëlluar nervozë e të zemëruar si kurrë ndonjëherë. Ndërsa vazhdonte të grindej, drejtori e grisi copën e letrës dhe, kuptohet, bashkë me të, edhe propozimin tim.
Për pak sekonda u bë qetësi. Ishte një ditë tejet e ftohtë. Dhe në dritaren që (gjoja) e kishin zbukuruar me copëra pambuku, zvarriteshin rrëketë e dëshpëruara të një shiu të ngadaltë e memec. Le që ku linin ata të dëgjohej gjë tjetër.  
-Ecë o ecë, sill një emër të përshtatshëm! - e theu heshtjen nëndrejtori - Ai quhej Birçe, por ne i thërrisnim Birbo. Gjithnjë rrinte rëndë-rëndë, a thua përpara teje gjendej ndonjë strateg i madh, që kushedi ç’beteja drejtonte orë e çast. Por kur shkonte për kontroll, ua fuste nga pak duart kolegeve tona.
Më në fund, ata ishin një pendë. Dhe mua, papritur m’u ngritën nervat.
-Ç’është kjo? Ç’do të thotë të përshtatshëm ?
-Sytë që të të pëlcasin! - s’ma përtoi drejtor Kristoja (Tani po mendoja se si mund ta ketë emrin këso një qenie e tillë!) - Ky që ke sjellë ti, nuk i plotëson kushtet. Nuk ka biografi.
-Që do të thotë...
-Or tutkun - e ngriti zërin ai - Ky e ka patur gjyshin me Ballin2). Di ti apo s’di? Me Ballin...
-Shoku drejtor, ky është një nxënës...
-Ecë o ecë! - më tregoi derën edhe nëndrejtori, gjithnjë ngrysur e kapardisur, si ndonjë gjeneral i preokupuar. - Zgjidh një tjetër! Edhe thirri mendjes...
Edhe pse nuk po e kuptoja se ç’duhej gjithë ajo turfullimë, shkova t’i thërrisja mendjes doemos. Dhe pas një copë herë, dorëzova në drejtori një emër tjetër. Dhe shiu vazhdonte të binte mërzitshëm. Dhe drejtori, ai deli Kristoja, sapo pa copën e letrës ku ishte shkruar emri i dytë, kërceu edhe më keq se qëparë:
-Po ky mo...Pa pa pa sa të paaftë jeni! Hë, ju shpëlaftë mortja ju shpëlaftë! Ku jetoni o kokëdrutha, ku?
-Shoku Kristo, unë them...
-Të thëntë prifti në majë të kokës!, - ishte mallkimi i radhës - Pa pa pa, sa të paaftë jeni, për një emër vini rrotull si kali në lëmë...
E hapa edhe njëherë gojën e doja t’i thosha se tjetërkush po vinte rrotull si kali në lëmë. Por papritur u tërhoqa, vendosa ta zbusja përgjigjen.
-Shoku Kristo. Është ajo që kërkuat. Është një nxënës i dalluar.  
-Ecë o ecë!, - ndërhyri nëndrejtor Birçeja alias Birboja, si përherë duke marrë poza. - Ecë e zgjidh një tjetër. Dhe mblidh mendjen. Kërkon listën Komiteti...
-E mbledh mendjen unë, kollaj ajo unë. Por dua të di njëherë çfarë po ndodh. Përse kaq shumë mundim për një emër shembullori...
-Ore, qenke i trashë zotrote, që më bën këtu pyetje teorike. - tha gjithë zemërim drejtori. (Në të vërtetë, do të duhej të shprehej pyetje retorike, por aq dinte i ziu.)
-Ecë o ecë!, - i shkoi pas gjeneral Birçeja - Edhe mblidh trutë. Se ti nuk ditke nga lidhen gomerët...
-Ju lutem, sa për gomarët... - për pak sa nuk u thashë se ata ishin përpara meje.
-O shqiptar! - e ngriti zërin Kristo ziu - Ky nxënës nuk të ka biografi. Xhaxhai i tij ka humbur teserën...
-Cilën teserë?
-Atë që të të pëtin! Po teserën e Partisë, o tutkun, ç’tjetër! Për këtë, organizata i ka dhënë duart...Ishte me kategori të shtatë, ia zbritën...Tani, si t’i themi ne organizatës, që ky i nipi është shembullor i klasës, që kjo familje edhe pse humbet teserat, është shembullore...
-Ecë o ecë! Gjej tjetër! - i ra fyellit gjithë në një vrimë nëndrejtori.
Po pse thyhesha unë.
-Me lejë! Në lidhje me...
-Ore ti! - e humbi durimin drejtori - Ç’ke ndër mend të bësh, që u bëfsh lëmsh u bëfsh! Ke ndër mend të na marrësh në qafë? Thyej qafën të thashë, sill një emër tjetër...
Dhe krap-krap, e grisi sërish copën e letrës, si për t’i vënë pikën gjithë debatit. Pastaj më vunë përpara, gati duke më shtyrë. Dhe veç një fjalë thoshin: Tjetër!
Desha s’desha, ia mbatha që andej dhe shkova të mendohesha edhe ca. Dhe kjo do të kishte vazhduar shumë gjatë, sikur të mos takoja në sheshpushimin e shkallëve një koleg që ishte mjaft i sprovuar. Ky quhej Xhoxhi. Ai fliste me fraza të gjata, por në punë i priste shkurt drutë. Kështu, filloi e më foli pa shumë zbukurime se unë isha njëlloj tuafi, se kisha në klasë djalin e shokut sekretar të partisë dhe pra, ishte e kotë ta zgjasja, sepse nga ana e tyre, edhe ata të drejtorisë, pa diskutim, do ta mirëprisnin këtë kandidaturë, pasi  në këtë rast, pëlqimet vinin në akord, gjë e cila...
Përballë gjithë këtij ligjërimi, që as për të mbaruar, unë i varfëri prapë thashë vetëm kaq, që kisha zgjedhur një shembullor, dy shembullorë...Po kolegu ma ndërpreu sakaq numërimin dhe më hoqi zvarrë deri te drejtori, duke më thënë ndërkaq se s’mund të bëhej ndryshe dhe se do të merrja veten në qafë, madje edhe shumë kishte zgjatur kjo punë, në një kohë që... Ashtu, duke më shtyrë dhe duke më marrë fjalët nga goja, ai më futi në drejtori dhe aty, pothuaj dhunshëm tha se e kisha gjetur, domethënë e kishim gjetur, çështja mund të quhej e zgjidhur, dhe s’kishte se si ndryshe, përderisa...e shtata B kishte zgjedhur Ylberin, që ishte djali i sekretarit të partisë...
-Eh! Më në fund! - tha drejtori, duke hapur krahët, aspak i paduruar me frazat e gjata të kolegut dhe (për të parën herë) pa mallkuar si grua e keqe.
Sa për nëndrejtorin, ai nxitoi të plotësonte listën me emrin e shembullorit që ishte kërkuar me qiri. Tani, kandidatët për mbrëmjen e Vitit të Ri ishin përcaktuar të gjithë, Komiteti do të merrte shumë shpejt listën, punët e tjera do të shkonin si jo më mirë.
Në korridor, duke bërë shaka, kolegu im i dashur Xhoxhi më tha se i detyrohesha një kafe, pasi me mendjen që kisha më parë, kushedi si do të kishte përfunduar ecejaku im në kërkim të atij shembullorit, që unë si fillim nuk e kisha qëlluar, për shkak se isha menduar gjatë, gjë që në këto raste është krejt e panevojshme, po të kemi parasysh...por...nga ana tjetër...
Përjashta shiu veç binte, si ndonjë budalla që ka harruar se ç’bën...

............

1) Tregimi është pjesë e vëllimit të ri me tregime humoristike me titull “Festë në katin e parë”, që autori po bën gati për shtyp.

2) Balli Kombëtar. Në regjimin e shkuar, nën këtë emër, pushtetarët shpeshherë ndrynin të gjitha lëvizjet politike përpara vitit 1944, lëvizje që ata i cilësonin reaksionare dhe armike; pësimet për një “biografi të keqe” shkonin nga gjyshi te nipi e mbesa, etj.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora