Kulturë
Virgjil Muçi: Urdhri i së Bukurës në romanin e ri të Petraq Ristos
E marte, 29.12.2009, 07:32 PM

(Rreth romanit “Një grua me Urdhrin e Ujkut”)
Nga Virgjil Muçi
Nuk ka pikë dyshimi se gjëja e parë që mund të të shtyjë të marrësh në duar e të lexosh (ose të refuzosh!) romanin më të fundit të Petraq Ristos është titulli i tij sureal “Një grua me Urdhrin e Ujkut”. Roman ky që, siç na bën me dije vetë shkrimtari, është pjesë përbërëse e një opusi më të gjerë, që ai shkon dhe e quan “Enciklopedia e zhgënjimit”. Romani i Petraq Ristos, autor i njohur për lexuesin edhe para viteve nëntëdhjetë, falë një krijimtarie të larmishme, si në zhanrin e prozës ashtu edhe të poezisë, është një roman për Dashurinë: Ai (Destani) dhe Ajo (Bozhurja), një ditë prej ditësh puqen fizikisht se shpirtërisht ishin takuar me kohë, për të mos u ndarë më prej sho-shoqit, as në ditë të mira, as në ditë të liga. Por, ja që dashuria nuk është thjesht e vetëm andje e lumturi; përkundrazi, dashuria e vërtetë është më së shumti dhimbje e trishtim, është vetëflijim në emër të përjetimit ndjesor. Dashuria, ashtu siç perceptohet prej dy heronjve, është një ndjenjë pa cak e kufi, si në kohë ashtu edhe në hapësirë, shkurt ad infinitum. E pra, këtë ndjesi sublime shkojnë e provojnë heronjtë e këtij romani. Ky roman është edhe një libër Udhëtimesh: zhvendosje të shumta në peizazhin e kohës, në atë fizik, po më së shumti shpirtëror, përmes kujtimeve-vrraga që kanë shenjuar gjurmë të pashlyeshme në shpirt, ashtu si rrathët koncentrikë të një guri të flakur mbi syprinën e qetë të pellgut të jetës. Ky është, gjithashtu, një roman për Jetën dhe Vdekjen; po, gjithashtu, është edhe një roman për Mbijetesën: mbijetesën e shpirtit mbi trupin, të jetës mbi vdekjen dhe të dashurisë mbi urrejtjen.
Bozhurja nuk thjesht një mit, sendërgjuar, së pari, në folklor dhe ekzotikë, po një qenie me mish e me shpirt, një krijesë që, gjithsesi, kapërcen dy herë radhazi ylberin për t’u shndërruar, duke rravguar në kërkim të asaj që aq thjesht shkojmë dhe e quajmë lumturi njerëzore. Në pamje të parë, ngjarjet e romanit të Ristos duket sikur nuk shkojnë përtej asaj

Autori lëviz me zhdërvjelltësi nga regjistri i një proze realiste, në regjistrin e një proze fantastike, duke kallur vende-vende elemente të përrallës, si dhe duke bërë të bashkëjetojnë personazhe që kalojnë nga ëndrra në zhgjëndërr dhe anasjelltas. Sigurisht që në këtë kuturisje artistike, autorit i vjen në ndihmë edhe dekori gjysmëfantastik i Veriut të Shqipërisë, i nginjur me legjenda dhe ngjarje që e kapërcejnë kufirin e realitetit dhe zhvendosen në një botë magjike, e cila vesh me një tis misteri e ankthi dramën që kapërthen personazhet. Romani ka skena të forta erotike, skena pasionesh të ndezura që duket sikur u nënshtrohen dhe u binden instinkteve parake, fuqive të errëta e të verbërta të natyrës, më shumë se ndjenjave njerëzore. E tillë është marrëdhënia e ringjallur pas kaq kohësh dhe në rrethana të pagjasa midis Destanit dhe Bozhures, ish të dashurës së tij të parë, Virgjëreshës së përbetuar, femrës që, këqyrur me sytë e lexuesit, ngjan sikur jeton më fort në një legjendë malësorësh, se në një realitet konkret.
Me këtë roman, Risto kuturis e depërton në shtigje jo fort të shkelura nga kolegët e tij, sot në Shqipëri, duke eksploruar dhe shpalosur artistikisht botë që i kemi këqyrur nga larg si legjenda e gojëdhana, shumë-shumë si copëza lajmesh të kronikës në shtyp. Nëpërmjet sekuencave gati filmike të një realiteti të vrazhdë dhe anakronik, siç është ai i Shqipërisë së Veriut, të atrofizuar nga varfëria e tejskajshme dhe braktisja, të gjymtuar rëndë nga gjakmarrja, autori na dëshmon se është një shkrimtar i prirur drejt temave të angazhuara, si në rrafshin social, ashtu edhe në atë politik, po pa rënë kurrsesi në asnjë rast në sociologjizëm, ose politizim vulgar, çka shpesh konsiderohet si një kyç drejt suksesit letrar.
Komentoni
Artikuj te tjere
Vladimir Marku: Cikël me poezi nga libri: Nga “Leonardo Da Vinçi” tek “Pearson”
Albert Zholi: Mevlan Shanaj “grindet” me Ibrahim Kovaçin e vërtetë
Përparim Hysi: Kur qelepiri të delë nga hundët
Demir Krasniqi: Gazelet turkoaziatike - virus në muzikën shqipe
Halit Bogaj: Zhan Mare (1913 – 1998)
Dhurata Hamzai: “Kostumi” italian nuk e mbuloi dot dështimin e Festivalit të RTSH-së
Kalosh Çeliku: Bariu me kërrabë Qeverisë Vitin e Ri ia uron
Vangjush Saro: Kandidat për mbrëmjen e Vitit të Ri
Doli në shitje revista letrare ''Stili '97'' Nr. 49/50, 2009
Kujtim Mateli: Thëllëzat
Petraq Risto: Poezi nga libri i ri ''Apo-ka-lypsi''
Fadil Curri: Antologji e krijuesve n?n Rrap
Në vënd të një urimi për Vitin e Ri nga Julia Gjika (Cikël poetik)
Kristaq Turtulli: Peizazhi i buzë mbrëmjes
Juliana Pasha fiton Festivalin me këngën e Ardit Gjebresë, shkon në Evropian
Poezi satirike nga Nehat Jahiu
Vllasova Musta: Libri i Agim Shehut,“Ylberi i fëminisë”
Gëzim Mekuli: Baladë
Poezi nga Ekrem Ajruli
Poezi nga Yll M. Lajçi