E merkure, 07.05.2025, 02:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Besnik Camaj

E enjte, 31.12.2009, 08:40 PM


Besnik Camaj i njohur në botën letrare si Bes Camaj, buron nga një familje arsimtarësh. Është i lindur afër burimit të Drinit të Bardhë dhe është rritur me bukuritë që i ka falur natyra këtij vendi. Fëmijë i një familjeje me traditë arsimdashëse, që në bankat e shkollës fillore kishte manifestuar një talent për poezi. Deri vonë nuk ka botuar për shkak të ndruajtjes dhe censures së asaj kohe.  
Ka kryer gjimnazin matematikor dhe Fakultetin e elektroteknikës në Prishtinë, pastaj ka vazhduar studimet pasdiplomike të informatikës në Zagreb, në Stafford dhe në Lozanë ku edhe punon si pedagog i informatikës grafike.

Besniku, poezitë ia kushton lirisë, ndjenjës dhe shpirtit njerëzor. Ka shkruar këto vëllime:
Grimca të rinisë, 1979;  Lirisë, 1999; Diellit tim, 2002; Mallit të pashuar, 2004.
Në nëntor të vitit 2009, i përmbledhi poezitë në librin Diellit tim, që u botua në Tiranë.


S. Baftiu


 

                       Nga vëllimi poetik “Lirisë”,  1999

 


Liri, eja !

 

Po t'më vijsh ti

do rritem i madh

s'do jem më fëmi

në gji të të mbaj

tek secili njeri

do të të shpërndaj.

 

Po t'më vijsh ti

do shndrisë diell e hënë

do ndalet breshër e shi

jo nga muskujt që kam

por nga malli për ty.

 

Ti mbetesh ai që je

 

Edhe nëse larg ti shkon

kudo në botë dhe atje jeton

ti mbetesh prapë ai që je

me shpresë t'kthehesh në fole.

 

Nëse emrin ti e ndërron

mos mendo se dikë mashtron

jo, jo ti mbetesh prapë ai që je

me çfarëdo emri a tjetër fe.

 

Dukjen ti nëse e ndërron

mos u fsheh se shumë gabon

se ti mbetesh po ai që je

prore n'vuajtje për atdhe.

 

Ti mbetesh shqiptar se i tillë ke qenë

mbi ty gjithë të zezat ushtruar janë

ndërruar ta kanë shpesh dhe fenë

por kot se ti mbetesh prapë ai që je

Shqiptar mbi tokë e shqiptar nën dhe.

 

Mësohu me lirinë time

 

O, lëri më

lëri ato gjëmime

se më çave kokën

 

mësohu

mësohu me lirinë time

që ta kesh dhe tënden

 

kështu

dhe vet do jesh i lirë

dhe sigurisht

kjo do të të bëjë mirë.

 

Hajt tash !

 

Mund të rrish

sa të duash

por bëhet vonë

asgjë s’fiton.

 

Më mirë

të shkosh atje

ç’vend i mirë

do qëndrosh

me plot dëshirë

 

se është vendi yt

nuk do jesh

më i mjerë

por i lumtur

dhe i lirë

andaj nisu

 

hajt tash.

 

Kape çastin !

 

Desha të të them

mos e lësho

kur të vjen

se për ty

ka ardhë

kape ...

kape çastin

mos u ndal.

 

Por ti e ndieve

pa të thënë

dhe e kape mirë

çastin tënd

duke i dhënë

rrugë jetës

frymë shpirtit

zemër vetes.

 

E tash

mos e lësho

se po të iku

vë bast

nuk të kthehet

më ky çast.

 


Nga vëllimi poetik “Diellit Tim”,  2002

 

 

O shpirti im !

 

Si munde

të largoheshe

në kthim

 

si munde

të buzëqeshje

në vajtim

 

si munde

të mos zgjoheshe

në agim

 

si munde

të duroje

pambarim

 

o Shpirti im !

 

Shpirt, ku je ?

 

Të kërkova anembanë

buzë Drinit

Vjosës e Bunës

Manastirit e Korçës

në puhitë e liqenit të Ohrit

të Strugës e të Shkodrës

e deri tek ujëvarat e Mirushës.

 

Të kërkova edhe më tej

mbi shpatet e Rugovës

Sharrit e Çiçavicës

Moknës e Brezovicës

edhe tej Baba Tomorrit

të kërkova deri sa u treta

dhe prapë nuk të gjeta.

 

Po ku je hej

ku je loçka ime

mos humbe rrugicave

të qytezave të vjetra

a rrugëve të saposhtruara

të qyteteve të reja

ose ndoshta ke mbetur

në pellgun e ndoj fushe

të gjelbëruar

ja të ka ngrirë ujëburimi

i ftohtë i shkumbëzuar.

 

Po eja më se të dua

si jetën të vërtetën

eja se pritja më dërmon

më bën tjetër më shkatërron.

 

E kur në zemër

hapin ta dëgjoj

e di se vjen nuk vonon

dhe bindem se në mua jeton

andaj eja

se shpirti shpirtin gjakon.

 

Diellit tim

 

Më erdhe ngadalë

me zemër të zjarrtë

kur kisha të ftohtë

e ndihesha dobët

ti o Yll i Ditës.

 

Ti që më ngroh

më çmend

më bën të marrë

më ndrit me aq zjarr

më bën dritëplotë

më shpërblen

nga zemra jote.

 

...........

 

Kur më mungon

prapë rreze më dërgon

e nën shndritjen e tyre

të shoh sa madhështor je

dhe të ndiej përbrenda

duke më thënë

këtu gjithnjë më ke.

 

Ti je dhe do mbetesh

Dielli im

kudo të jem

në atdhe a mërgim

në çdo çast

në çdo agim

se Ti je

vetë Shpirti im.

 

Ti je syri im

 

Më zgjon papushuar

më sheh, më ndien
m
ë ëndërron zgjuar.

 

Ti je plot shëndet

me zemër të ndijshme

që e shëron vetë.

 

Ti je syri im

unë jam zëri yt

deri në amshim

frymë e virtyt.


Shushurimë

 

Shkundja

errësirën Shpirtit

ndriçoje o Dielli im

largoje nga mënxyrë e saj

në pambarim.

 

Aq më bën ajo shushurimë

aq më bën trokëllima e kalit

aq më bën ajo murmurimë

aq më pak zukatja e bletës

se unë jam pika e djalit

dhe zemra e së vërtetës

e ti shoqëruesja ime

që i jep bukuri jetës.


Mos ma merr !

 

O Zot, në je

më ndje në hidhërime

më fal shëndet e gëzime

m´i fal të gjitha

që në jetë i dua

mos ma largo atë..

 

dhe sa herë që mendon të ikë

hapja një rrugë kah shpirti im

që kur të futet brenda tij

të mos ketë fare kthim…

 

... ose jo

 

mos më fal gjë prej gjëje

nuk dua hiçgjë tjetër

por vetëm një

mos ma merr

pash besën

atë pa të cilën s´mundem

mos ma merr shpresën ...

 

se kur shpresoj

e di që jetoj.

 

Behari i pjekurisë     

 

A vjen pranvera

në vjeshtë

a çelin sythat

inxhitë ku tretën...

 

Me rrjet a ndalen erërat

Dielli a i mund mjegullirat

kush i vetëm duron shirat

rrezet ku mbetën...

 

Pranvera vjen

vyshket zemërimi

çel behari i pjekurisë

çil dhe ti, mos rri vetëm !

 


Nga vëllimi poetik “Mallit të pashuar”,  2004

 

 

Dehur jam

 

Sonte

dehur jam

se kam aq mall

sa dhe shpirtin kam…

 

Sonte festoj

pranverën tonë

pi dhe ëndërroj

dehur jam

dyfish

dhe ndërsa pi

flokët t’i ledhatoj

e të shikoj

drejt në sy

dhe ngre gotën

për Ty...

 

Me zemër e shpirt

 

E di që do më thuash 

ku më humbe sonte

pse më je larguar

eja në përqafim

me një frymë

si vetëtima

që ta shuash mallin tim

me zemër e shpirt

e jo me rima...

 

Do të them:  

i humbur unë

s'është e mundur

s'e besoj

por është çasti asisoj

një largim të bën mirë

nxit më tepër atë dëshirë...

 

Po do vijë ai moment

tok të na bë

në një vend

zemrat të na i çmallë

dhe shpirtrat

të na i kallë...

 

Dua buzën tënde

 

Mjaft shëtita rrugëve

po hyj në skutën tonë

ka kohë që zërin

dëgjuar s’ta kam

por prapë ti mungon.

 

Mos më ike vallë

me furtunën e mbrëmjes

apo më sillesh vërdallë

në zënkat e mendjes

ja në ravat e zemrës.

 

Të kërkoj buzë tjetër

tanimë është bërë vonë

dua buzën tënde

të ma sjellë pranvera

vallen ta heqim

si herave tjera...


Lulezjarri

 

Në kopshtin tim

të mbolla lule

të quajta lulezjarr

që ta rris

shkëlqimin

e tim shpirti

të marrë.

 

Por do doja

një kopsht pa kufi

ku do mbillja

veç taumatokokus

për të shtuar ëmbëlsi

të pashpirtëve

dhe atyre

në agoni.

 

Kështu

çdo kopsht

skenë teatri do ishte

me plot shkëlqim

në vete do kishte

nga lulet

gjethet e rëna

ca të tjera të mbetura

e shumë të pathëna…


Fryma ime

 

Kudo që shkon

e mua s’më ke pranë

nëse një puhizë e lehtë
flokët t’i lëmon
e t’i shpërndan 
fije-fije
është fryma ime
që të ledhaton
dije.

 

Përgjigjja :

 

Jorastësisht

në një moment

të largimit tim

diçka e lehtë

flokët m’i lëmoi
thashë me vete

athua kush do të jetë

mos vallë fresku i bjeshkës
më ledhatonte
jo, jo

fryma jote ishte

tjetër gjë nuk kishte.



Nga përmbledhja poetike “Diellit tim”,  2009

 

Ku je më thuaj

      - jetës -

 

Pa më thuaj

sot ku je ...

ç'bën

kur asgjë s'bëhet

kur nuk ecet

as kërcehet

veç vrapohet

turfullohet.

 

Eh, mbeta

rrugëve të paqeta

për ta zënë vrapin

humba ...

nën hije çizmesh

e nofullash

tuj mendue

se nuk e zë dot.

 

Rrita shpejtësinë

e në tejkalim pashë

s’ishin gjë më shumë

dhe me vete thashë

ndal, ndale vrapin

kësaj jetë s'i thonë

po s'bëre si ta do zemra

do t’mbetesh prapë vonë.

 

Festë dashurie

  - poezisë -

 

Ti, poet

i vetëm

vështirë jeton

më mirë

të të quaj

i dashuruar

kështu më bukur

tingëllon.

 

Se mbi të gjitha

ka një fuqi

që kohë pas kohe

vepron thellë në ty

herët a vonë

ka për të shpërthy

është dhuratë e shenjtë

e quajnë dhunti.

 

Ti kujdesesh

në vazhdimësi

për të voglat

kënaqësi

që dikush

i quan poezi

dikush tjetër

melodi a pasion

ndërsa unë

me zë ngrohtësie

do e quaja poezinë

festë dashurie.

 

Dil nga heshtja !

 

Në heshtjen

e shpirtit tënd

ndiej të gravuar

vuajtjen

që të rivjen

saherë që të lëmon

me dashurinë e thyer

q’e bëri copë-copë.

 

Por ti mos u dorëzo

e fortë qëndro

në çaste të tilla

forcën tënde rrit

dhe përballu me smirën

për çdo ditë.

 

Në heshtjen tënde

ndiej të ngjizur mençurinë 

e si vargje siluetash

shoh hijet e shkronjave

në ikje e sipër

të shkapërderdhen

në mijëra grimca

 

për t’u ribashkuar më tutje

brenda shpirtit tënd

në një kështjellë të vetme

që herë duket shpresë

herë jetë

e herë lumturi

por që është

fjala më e bukur

shqip i thonë

DASHURI.

 

Nuk është e thënë

 

Flokët

dëborë

rrugës

varre

një javë më parë

 

qielli

ngulitur

ka sytë

ka të ngjarë

fill pas mesnate

 

marrëzi

ngopje

zbrazje

arritje

e mendjes sate

 

fillimi

rrëfen

ndryshe

qetësisht

i vjen fundi.

 

Merre me mend ...

     - lumturisë -

 

Merre me mend

sa pak të duhet

të jesh i lumtur...

 

Por ç'e do

kur mendja jote

në të kundërtën

rrëshqet

çfarë graviteti

çfarë peshe

ç'rëndësi

të zgjedhësh

të vështirën

në vend të së lehtës

marrëzinë

në vend të së vërtetës

më mirë thuaji mendjes

të zgjedhë dashurinë

që është kulmi i jetës.

 

Merre me mend

sa pak na duhet

të jemi të lumtur...

 

Nga vëllimi poetik “Grimca të rinisë”,  1979


Rrugës

 

Agoi mëngjesi

Dielli buzëqeshi

në rrugë më flaku.

 

Eci e s’trazohem dot

edhe qielli po të shembet

e ka kot.

 

Nuk ngeci

se jam betuar

për rrugë e punë.

 

Dielli nxe

qielli vështron

e unë rritem

 

Pa fund...

Mos harro !

- porosia e shenjtë -

 

Në çdo nisje

për çdo rrugëtim

më kujtohen fjalët

e babait tim

që mi thoshte me një ton

 

“Mos harro, për çka po shkon ! ”

Drini i Bardhë

 

Gurgullon ky Dri

kristal e ka ujin

ah ç’mrekulli.

 

Freskia e tij

të deh të qeton

tek shkumëzon.

 

Derdhet rrëke

i bardhë si qumësht

shumë e duam ne.

 

Dri o lum Drini

Drini im i Bardhë

valëzo ti valëzo

 

kurrë mos u ndal.

Lojë hesapi

 

Nën hijen e kulmit

në zërin e shterur

në brumin e bukës

dëshirë gufuese.

 

Në zemrën e bjeshkës

në syrin e lumit

në fytyrën e fëmijës

buzëqeshje e lehtë.

 

Në frymën e kohës

në fundin e stinës

në vorbullën e jetës

shenjë pa gjurmë.

 

Në shkrimin kinez

në numrat arabë

në enigmën e saj

asgjë e fshehtë

thjesht

lojë hesapi.

Shpirti ëndërrues

 

E takova

nën hijen e flokut

mbi karrigen e thyer

nën fletën e dushkut

në librin tim.

 

E pashë

në syrin e pranverës

në vegimin e mëngjesit

mbi kurorën e lules

në folenë time.

 

E dëgjova

si gurgullimën e përroit

si zukatjen e bletës

si zërin e dragoit

si zemrën time.

 

I thashë

se është gjinkallë

se është mjaltë

se është përrallë

është shpirt i rrallë.

 

Pandehu

se s’më dëgjoi

por unë

prapë i them:

 

SHPIRT TY TË KAM

ZEMËR ME TY JAM

ËNDËRR

PA TY S’JETOJ.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx