E shtune, 27.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Toena hedh në treg: Ismail Qemali - kujtime

E shtune, 02.01.2010, 04:14 PM


HYRJE

Duke vënë përpara “Kujtimeve” të Ismail Qemalit, si punë “Hyrjeje”, dy fjalë jo aq të domosdoshme, por, me shpresë timen, jo krejt të padobishme, nuk po bëj tjetër veçse po mbaj një premtim të dhënë gjatë atyre muajve, që i kaluam së bashku në Paris më 1917 dhe 1918. Pa dyshim, qe mjaft e natyrshme që Ismail Qemal Beu të jepte shkas njëfarësoj për një gjë të tillë. Libri i tij, sigurisht, nuk do të ishte shkruar pa këmbënguljen time të fuqishme. Përveç kësaj, edhe pse isha i zhytur tepër drejtpërdrejt e thellësisht në punët e lidhura me ecurinë e luftës për të qenë në gjendje t’i ofroja mikut tim bashkëpunimin e pandërprerë, që më kërkonte – e që, në të vërtetë, i duhej medoemos – unë arrita t’ia jap ndihmën e domosdoshme, të cilën e kërkonte ky rast. Duhet thënë se këto “Kujtime” janë “redaktuar” prej z. Sommerville Story dhe lypset parë si detyrë ndaj Ismail
 Qemal Beut dhe zotit Story bashkë, që të mos lëmë fije dyshimi për kuptimin e “redaktimit” në fjalë.
Hartimi i këtij libri qe punë me mund e lodhje të madhe. Gjatë kësaj pune Ismail Qemal Beun e trazuan si disa probleme vetjake të rënda, shpesh sfilitëse në shpirt, ashtu edhe preokupimet atdhetare e intrigat, që luheshin për të ardhmen e mëmëdheut të tij, Shqipërisë. Hartimit të këtij libri ai nuk ia kushtoi, dhe pa dyshim nuk mund t’ia kushtonte, gjithë kohën në dorë të tij. Interesimi dhe entuziazmi herë i lartë e herë i ulët, rastet kur herë e gjeje për ta takuar e herë jo, e madje edhe ngurrimi për t’ia rinisur punës, kur kthehej, për të rimbledhur kujtimet - të gjitha këto së bashku përbënin rrethana jashtëzakonisht të pavolitshme për suksesin e një zotimi, që z. Story dhe unë patëm marrë përsipër. Sepse lypset thënë, se pa një ndihmë të tillë të z. Story këto “Kujtime” kurrë nuk do ta kishin parë dritën e botimit. Boswell-i1 pati zhvilluar takime e biseda me Johnson-in me qejf
 për vite me radhë. Por Johnson-i ishte ndryshe, ai zakonisht ndodhej aty kur linin takim. Kurse z. Story pati biseda me Ismail Qemal Beun për muaj të tërë, duke e kapur ku t’i binte hera. Pas një sërë takimesh me peshë e me grat vinin periudha të gjata ndërprerjesh, në të cilat medoemos heroi i këtij libri herë-herë do ta humbte fillin e rrëfimit. Me një durim për t’u pasur zili, “redaktori” i kthehej punës, duke mbajtur shënime, duke risistemuar me kujdes materialin, dhe më pas, po aq me kujdes, duke ia dhënë Ismail Qemal Beut për verifikim e rishikim ato kujtime, disi të parenditura mirë, por gjithmonë jashtëzakonisht të bollshme e të çmueshme, të bashkëbiseduesit të tij. Rezultati, për mendimin tim, brenda rrethanave, është i lartë. Më duket se ky rezultat e përligj plotësisht këmbënguljen time, që Ismail Qemali të zhbironte në thellësitë e mëdha të përvojës së gjatë si shtetar osman i
 shkollës së vjetër.
Këto “Kujtime” janë, madje, diçka më tepër se vrojtime të një zotnie shqiptar e plaku shumë të urtë. Ato japin një pasqyrë tepër vetjake, jashtëzakonisht objektive, të botës osmane, e cila, sado parahistorike të jetë bërë në dukje, si pasojë e luftës, nuk është aq e largët sa të mos na flasë me këshilla lloj-lloji për kohën tonë e për të ardhshmen e afërt. Periudha, në të cilën Ismail Qemal Beu luajti rolin kryesor e me interes në jetën dhe punën e përshkruar në këtë libër, është ajo e kohëve të hershme kur lulëzonte “diplomacia e fshehtë”, e cila më vonë është parë me përçmim si e padenjë.2 Eprori im i vjetër, zoti de Blowitz, e kishte në majë të gjuhës shprehjen: “Les mémorialistes écartent les conséquences”, me çka nënkuptonte, se njëfarë skepticizmi i njelmët është mëlmesa e lezeti me të cilat shërbehen në tryezë Kujtimet dhe Biografitë. Zoti de Blowitz
 kishte të drejtë. Detyra e parë e atij historiani, që merr përsipër të përdorë autobiografitë si dokument, është të zbulojë arsyen e vërtetë të qenies së tyre, pikërisht përse janë shkruar ato autobiografi. Të vijmë te rasti ynë; duhet mbajtur parasysh se Ismail Qemal Beu, i cili ishte mik i të madhit Mid’hat Pasha,3 si dhe personalitet i “Liberalizmit” të vërtetë, në fund të fundit shumë shpejt u bë figurë aq e veçantë ndër personazhet e skenës osmane, saqë, në rastin e tij sidoqoftë, ajo masë maturie, me të cilën zakonisht duhen kënduar me vëmendje Kujtimet përgjithësisht, mund t’ia lejojmë vetes të jetë më e vogël, pa pasur frikë se mos gabojmë rëndë. Të paktën, më lejoni të shtoj atë që di për besueshmërinë e këtyre Kujtimeve të veçanta, duke dëshmuar me sytë e mi se ato nuk kanë qenë frymëzuar aspak nga ndonjë hije kotësie vetjake: e theksoj edhe një herë - autori
 nuk do ta kishte ndërmarrë punën me këto Kujtime, po të mos kishte pasur mbi krye trysninë energjike të të tjerëve për t’i shkruar.
Sido që të jetë, “Kujtimet” e Ismail Qemal Beut tani janë në dorën e lexuesit dhe një studim i kujdesshëm i këtyre faqeve libri do të bindë, besoj, çdo studiues të aftë të çështjeve ndërkombëtare se, sikur eprori i Ismail Qemal Beut të kishte ndjekur atë fener ndriçimi të rrugës politike, të ofruar më se një herë prej vartësit të tij të zgjuar, një veprim i tillë do të kishte qenë në dobi të Perandorisë, e me gjasë të Evropës. Është bërë e modës të merren me çështje ndërkombëtare njerëz që nuk janë as amatorë; ndërsa jo shumë kohë më parë punë të tilla kryheshin nga profesionistë. Një nga përfitimet më të mëdha nga libri i Ismail Qemal Beut është mënyra sesi ai ilustron të vërtetën a priori, në fund të fundit, se metoda e vjetër është pafundësisht më e mira. Në ditët e fundit të jetës, vizioni konkret i Ismail Qemal Beut ishte bërë, pa dyshim, vështrim disi i
 mjegullt e i pasaktë. Më kujtohen një dorë bisedash me të në Paris, në disa çaste kritike të luftës me Gjermaninë, në të cilat ai parashikonte humbjen e sigurt të Aleatëve. Por e kam detyrim ndaj tij të them menjëherë, se dy argumentet kryesore të tij ishin, së pari, bindja se, nëse Perëndimi mbahej, Rusia do të shembej ashtu sikundër u shemb, dhe, së dyti, shqyrtimi me kujdes e maturi i dëmeve rrënimtare në Evropën kontinentale e në Angli, dhe, në fakt, në krejt planetin, prej formulave të ngatërruara të z. Wilson. Kësisoj, gjatë Luftës, Ismail Qemal Beu shpesh u bë shkurajues për njerëz si ne, që kishim besim përherë të palëkundur, se Gjermania do të pësonte disfatë. Mirëpo, nëse Ismail Qemal Beu qe shkurajues, a nuk ndodhte kjo ngaqë gjykimi i tij në përgjithësi dihej se qe aq rrënjësisht e plotësisht i formuar? Si të mos ndikoheshe sadopak nga verdiktet e një burri, përvoja e të cilit në
 Stamboll, në Evropën Qendrore, në Ballkan, në Angli, e madje në Francë, kishte qenë aq e larmishme, e gjatë dhe e pasur; e një burri, i cili për vite me radhë kishte manovruar me aq shkathtësi mes dallgëve që ngriheshin pa prà në detin e trazuar të botës së vjetër kozmopolite osmane; e një burri, i cili kishte pasur marrëdhënie të ngushta me Gordonin “kinez”, Gordonin e Hartumit, dhe kishte qenë mik me një sërë shtetarësh të Evropës4; e një burri, i cili, si kryetar i Komisionit të Danubit, kishte pasur mundësinë të zhbironte në shkaqet e politikës së një gjysmë duzine Fuqish; e një burri, me pak fjalë, që kishte parë aq shumë në jetë dhe kishte njohur aq shumë burra të tjerë; që, në të vërtetë, kishte bërë një jetë aq aktive e të pasur, saqë shprehia për të pasur ide me vlera të gjithmbarshme i ishte bërë e natyrshme dhe që kënaqësi kryesore intelektuale kishte të vrojtonte sesi
 faktorët njerëzorë puqen bashkë e harmonizohen për të përcaktuar ato rezultante force, të cilat rrallë pasqyrojnë synime të vetëdijshme? Madje, gjatë një periudhe miqësie shumëvjeçare, unë nuk mbaj mend as edhe një rast të vetëm, kur Ismail Qemal Beu, duke analizuar situatën ndërkombëtare, të ketë shfaqur atë pandershmëri të njohur intelektuale, që karakterizohet nga përshtatja e parallogaritur e dëshirave me vizionin real, të ndjenjave me mendimin. Ai realist, i cili në Prinkipo – mos harroni, në Prinkipo!5 – i shkruante më 1892 eprorit të vet: “Në çështjet shtetërore janë interesat ato që udhëheqin politikën dhe frymëzojnë qëndrimet”, është diagnostikuesi symprehtë i analizës mjeshtërore të politikës Lindore të Bismarkut, të parë në dritën e planit të plotë evropian të atij shtetari të madh.
Të marrim, për shembull, fragmentin e mëposhtëm:

“Nuk ka deklaratë historike tjetër, që të jetë cituar aq shpesh sa thënia e njohur e Bismarkut,6 se “Çështja Lindore nuk vlen as sa eshtrat e një grenadieri nga Pomerania”. Mirëpo, edhe pse aq shpesh e cituar, asnjë thënie historike tjetër nuk është bërë ndonjëherë aq fort shkak komentesh dykuptimshme, ose shkak keqkuptimesh e keqinterpretimesh aq të vazhdueshme. Ajo, madje, është përdorur për të argumentuar pikëpamjet e atyre, që kundërshtonin politikën gjoja të matur të Bismarkut në frenimin me kujdes të ambicieve për forcimin e një Gjermanie të Bashkuar në Evropë me politikën fodulle e arrogante “botërore” të pasardhësve të tij në kohën e Wilhelm-it II, të cilët, duke mos ndjekur metodat e sigurta të Bismarkut, me demonstrime force bënë që Fuqitë të alarmohen e të bashkohen kundër rrezikut mbarëgjerman.
Në këto faqe po rrekem të dëftej si ecte e vepronte politika e Bismarkut ndaj Lindjes. Lexuesi do të shohë fillimet e iniciuara nga Bismarku vetë të asaj fushate logjike ekspansioni mbarëgjerman, pasojat e të cilit u bënë të qarta për të gjithë shumë vite pas daljes së këtij shtetari të madh nga skena politike dhe që janë bërë më të dukshme me lakuriqësinë e tyre verbuese në llahtarën e luftës së tanishme.”

Të marrim edhe këtë fragment, që flet për luftën e vitit 1870:

“Pas tre muaj betejash të përgjakshme ndërmjet ushtrive franceze e gjermane, si dhe pas një diskutimi akademik ndërmjet përfaqësuesve të Fuqive në Londër, Bismarku arriti t’i imponojë Francës kushte të rënda për paqen dhe ta bëjë Evropën e çartallosur të pranojë aktin arbitrar të Rusisë vetëm me kushtin e këtij parimi, të hartuar në Konferencën e Londrës: që, në traktatet e ardhshme, mund të modifikohej vetëm me pëlqimin e përbashkët të të gjithë firmëtarëve. Ishte hera e parë që Evropa, në një formë kaq të ulët, pranonte ta quante shpejt e shpejt të pavlefshëm një traktat, kur përfituesi prej tij ishte një shtet i dobët.
Dy lajmet – ai i arritjes së paqes dhe ai i vendimit të Konferencës së Londrës – u pritën prej nesh në Lindje me kënaqësi të natyrshme. Me rivendosjen e besimit publik, gjendja përsëri u bë normale. Me mënjanimin e njërit konkurrent për sundim botëror, ekuilibri evropian tani kishte ndryshuar, dhe tri Fuqitë e Mëdha – Gjermania, Britania e Madhe e Rusia – kishin hyrë në një fazë të re të historisë së tyre. Krijimi i Perandorisë Gjermane ia kishte ndryshuar krejtësisht faqen botës dhe Fuqitë e shihnin veten të detyruar të vendosnin një ekuilibër të ri, ku të bazoheshin interesat e tyre gjegjëse.
Gjermania, e cila kishte fituar njëfarë hegjemonie në Evropë, tani kishte si synim të fuqizonte arritjet dhe të përgatitej për politikën e saj të ardhshme botërore. Bismarku kurrë nuk binte në soditje vetëkënaqësie nga sukseset, kurrë nuk flinte mbi dafina. Sa më të mëdha të ishin arritjet, aq më tepër prirej kah marrja e masave paraprake jo vetëm për t’i mbrojtur ato arritje, por edhe për t’i çuar më tej e për të pasur të tjera në të ardhmen. Tani ai kishte dy ide themelore në kokë: së pari, të siguronte izolimin e Francës dhe të mos i lejonte asaj një qeveri në gjendje për të ushqyer besim te Fuqitë e tjera, pra, për të bërë për vete aleatë kundër Gjermanisë; dhe, së dyti, të forconte marrëdhëniet e mira të Gjermanisë me Fuqitë e tjera. Duke e ndier se Gjermania prej shumë kohësh i kishte luajtur fijet ashtu si donte Rusia, ai tani synonte t’i përmbyste rolet dhe të mos i linte
 Rusisë dorë të lirë në Orient.”

Që Ismail Qemal Beu ishte ai politikan mendjemprehtë, të cilin ky fragment e shumë e shumë të tjerë të këtij libri na e zbulojnë, kjo ndodh sepse, sikundër thonë francezët, ai kishte revenu de beaucoup de choses, ai zotëronte busullën e ngjarjeve të shumanshme, syrin kureshtar për të parë larg, nga ku “kthehej” me fare pak iluzione. Kurse temperamenti i tij nuk qe kurrë cinik. Stoicizmi i tij ishte endur me fije tepër filozofike Lindore për të marrë forma të stërmëdha, si je m’en fichisme ose të tipit “Duhet të merakosem” për disa gjendje shpirtërore. Ndoshta kjo është arsyeja përse kishte gjithmonë njëfarë simpatie për Spanjën, për Spanjën e manana-s. Mirëpo, ndërkohë që zhgënjimet nuk i merrnin kurrfarë trajtash cinike, ato i jepnin dorë për t’u thelluar në analiza. Për këtë, ilustrim karakteristik, madje mahnitës, është sidomos ajo faqe e librit, ku ai analizon dallimin ndërmjet
 “Liberalizmit” të tij e të Mid’hat Pashës – çfarë homazhi, nga ana e tij, për atë shtetar të madh! – dhe “Liberalizmit” të shumë perëndimorëve, të cilëve ua kishte dalluar qartë hipokrizinë:

“Liberalët e Evropës Perëndimore më ngjajnë si ata trashëgimtarë pasurish të mëdha, që e kanë mendjen vetëm si e si t’i shijojnë ato pasuri të fituara me mundin dhe sakrificat e paraardhësve të tyre. Në këto vende Liberalizmi është vetëm etiketë partie ose mjet për të ardhur në pushtet. Kurse në vendet e sunduara në mënyrë autokratike në Lindje, ku edhe vetëm mendimi për ide Liberale shkakton konflikte dhe ngjall lloj-lloj rreziqesh, Liberalizmi e sheh veten të mbërthyer problemesh e kërcënimesh. Ai kurrë nuk të vjen në ndihmë për të marrë pushtetin; përkundrazi, ata që përqafojnë mendime të tilla marrin mbi vete rrezikun e humbjes së punës e madje të jetës. Këto qenë rreziqet, që Mid’hat Pasha i kishte marrë në sy me vullnet të plotë. Ai pati guximin e kurajën më të lartë për ta shpallur Liberalizmin e tij në një çast, kur cilido tjetër, pasi të kishte kapur majën e ambicieve
 të veta e të pushtetit, për të ruajtur kokën do të shfaqte njëfarë ngurrimi, sepse, ndonëse shtetari mund ta përqafojë Liberalizmin në fillim të karrierës së tij si mjet për të kapur pushtetin, rrallë qëllon që ai të shfaqë frymë Liberale pasi të ketë fituar pushtet dhe rrallë qëllon që atë frymë Liberale ta shpjerë deri në atë pikë, sa të rrezikojë t’i humbasë të gjitha.”

Kur shpërtheu Lufta me Gjermaninë, Ismail Qemal Beu, tashmë shtatëdhjetë vjeç e kusur, pa në atë kataklizmë mbi të gjitha një mundësi për ta mbyllur jetën siç e kërkonte arsyeja, duke i bërë nder Shqipërisë. Ai vendosi, në frymën e Liberalizmit të tij të një gjysmë shekulli më parë, por me disa iluzione për suksesin e aventurës së tij, të shfrytëzonte, deri në cakun e mundësive të Atdheut të shtrenjtë, të gjitha parimet doktrinare, që ishin hedhur pa hesap nga Washington-i, si nga dora e shkathtë e një prestidigjitatori. Ai erdhi në Paris për të mbrojtur çështjen e “Shqipërisë” para Konferencës së Paqes. Mirëpo dilte pyetja: “Çështjen e cilës Shqipëri?” Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit, që i priste ata pesëdhjetë popuj të ardhur me vrap në Paris sikur po vinin në një Mekë. Çka ia shtonte patosin atij spektakli ishte se, për hir të vendit që ai dëshironte ta shihte të
 pavarur, Ismail Qemal Beu qe i shtrënguar njëfarësoj të ulte kryet, të bëhej baltë e t’u qepej prapa me përulësi Mbretërive e Fuqive, mes të cilëve, për shkak të interesave të kundërta të tyre, ngjyra e kulluar e përkushtimit të tij patriotik merrte hije kameleonike sipas rastit. Kjo është e pashmangshme, sikundër qe e pashmangshme edhe që krerët, fiset dhe interesat e tjera shqiptare të kërkonin të shtynin më tej ambiciet e veta duke marrë nëpër gojë motivet e rivalëve. Në të vërtetë, një traktat i fshehtë ndërmjet Italisë dhe Aleatëve në fakt i kishte prerë të gjitha shpresat për një “vetëvendosje” reale për Shqipërinë.7 Mirëpo Ismail Qemal Beu ushqente shpresa të kota, dhe shpresën e mbante tek Amerika. Nuk më del nga mendja kënaqësia e tij, kur më solli – diku nga shkurti i vitit 1918 – një copë letër të ardhur nga një Kuvend i “Partisë Kombëtare të Shqipërisë”, i cili
 kishte qenë mbajtur para dy muajsh në Worcester, Massachusetts, me anë të së cilës ai merrte kredencialet për të përfaqësuar koloninë shqiptare8 të Amerikës, me misionin “për të siguruar dhe garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të Shqipërisë”, dhe “për të siguruar ndryshime të tilla në kufijtë e Shqipërisë, që të përfshinin brenda saj ato treva, ose krahina, të populluara thuajse tërësisht prej shqiptarësh, dhe që pa shkak e pa të drejtë i qenë shkëputur prej Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1912 e 1913 dhe u qenë dhënë Greqisë, Serbisë e Malit të Zi.”
Si mund t’i shkonte mendja Ismail Qemal Beut, pasi pranoi këtë mandat, si dhe shumën shoqëruese, se do të shembte shpresat e bashkatdhetarëve të tij bujarë, duke ua bërë të njohur karakterin pa dyshim të ndërlikuar të detyrës dhe barrës, që po i vinin mbi shpatulla - të ndërlikuar për shkak se bashkimi kombëtar dhe tërësia territoriale e Shqipërisë kishin qenë vënë në rrezik, jo vetëm prej “Konferencës së Ambasadorëve” të 1912-ës dhe 1913-ës, por edhe, madje më shumë, prej garancive sekrete të dhëna Italisë më 1915 për ta pasur realisht si protektorat atë vend? Shtetari i moshuar u largua nga Parisi, duke lënë në duart e z. Story “Kujtimet” e tij të papërfunduara.9 Ato kanë mbetur cung, ashtu sikundër mbeti i cunguar shteti të cilit i shërbeu. Ismail Qemal Beu ndërroi jetë në Itali,10 dhe plani i tij mbeti i papërmbushur. Mirëpo, edhe pse jeta e tij, nga pikëpamja e së bukurës, nuk ia
 doli, dhe ishte jetë plot trishtim, ai na ka lënë trashëgim, në këto “Kujtime”, një tablo të veçantë e të rrallë dhe – tani që heqja dorë e Amerikës, së bashku me ringjalljen e Rusisë e me përpjekjen pansllaviste bashkë me të, po përcakton në Stamboll politikën e shëndoshë të ruajtjes së tërësisë territoriale të pjesës më me vlerë të Perandorisë Osmane – një tablo sugjestive, e madje të çmueshme, të një bote të shuar, për të cilën disa prej nesh prej shumë kohësh kanë filluar të ndiejnë keqardhje.

WILLIAM MORTON FULLERTON11
PARIS,
17 shkurt 1920
 


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora