E premte, 03.05.2024, 10:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Istref Haxhillari: Lasgushi ndryshe

E shtune, 02.01.2010, 07:44 PM


Lasgushi ndryshe

Ese

Nga Istref Haxhillari

 Kadmi dhe Harmonia, zefillja e historisë së Pogradecit, copëz dheu me bukuri të pashoqe, mbushën me jetë, mish e gjak liqerin e magjishëm plot hir, përreth të cilit gdhendën pastaj çudira të tjera pa fund.
Parë nga lart treva jonë i ngjason govatës, vegëlz e thjeshtë me vjetërsi marramendëse, shërbesë e kahershme e njeriut.
Në veri hijeshon Qafa e Thanës, kodra vëngërashe vendi i orakujvë të lashtë që parathonin fatin e njerëzve, betejave, kapedanëve të mëdhenj. Në të shkuarën e thinjur Orakulli më në zë i këtij trualli, i parë përmbi të tjerët, pati kthyer mbrapsht hordhi pushtuese gjithfarësh që mësynin begatitë tona. Në se nuk ktheheshin me fjalën hyjnore apo nuk i besonin plotësisht atij, përparonin me fuqi të prera, pa kurajon e fillimit, se u mpihej guximi zemërak dhe ndehej pezull trimëria. Ja kështu, nëpër shekuj e mijëvjeçarë e mbrojti Qafa e Thanës ( apo e së thënës ) këtë ngastrën tonë të çmuar. Tani si përherë i rri nënkresë, e mbron sa mundet nga erërat e ftohta të veriut që vardisen të shkërmoqin mbjelljet apo shkolisin lulet e porsaçelura të pemëve në të këmbyer të stinëve diku ndaj fillimprilli.
Në jug Plloça, kodra levarashe derdhur butësisht përmbi faqe të dheut, nuk e le govatën të rrëshqasë më tej se derdhet uji, shpërndahet tejposhtë gjer në Korçë dhe bën dy prishje bashkë, përmbyt fushën e than liqerin jetëdhënës.
Në lindje Mali i Thatë hijerëndë, pa një fije floku mbi kokën tullace, shtrihet gjatë e gjerë, sa të ha syri nga jugu në veri. Aty nga mesi i tetorit ve takijen e bardhë që e mban të shumtën e kohës gjer në maj e më këtej. Si ngrohet vetë njëfarësoj, nis ato erërat e ftohta që kallkanosin tërë vendin përreth, hyjnë kudo nëpër strehë dhe i bëjnë njerëzit e tërë gjallesat të dridhen si purtekë. Teksa ngrihet thikë përmbi gjol, lartohet e lartohet sikur kërkon të zaptojë retë e robërojë qiellin. Rrëzë tij brushullojnë shpella pa fund, katakombe të frikshëm zemërakë, qëmoti vend kaçakësh e strehë firarësh.
Në lindje malet e përthyer të Mokrës, gjelbëroshë e të pashëm si rrallëkund, banuar që në krye të herës, kanë habitur gjithnjë të huajt me thesaret pafund, ku asgjë nuk mungon. Mua më ka bërë përshtypje veçan maja e Gjemthit dimrit mbuluar nga dëbora kur ngjason së largu me qeleshet që kanë mbajtur mokrarët në të shkuarën e gjer vonë. Si duket, kur vendosën të mbajnë kapelë, e vranë mendjen gjatë ç’formë t’i japin, që t’i mbante ngrohtë në dimer dhe të thante djersën verës kur rraskapiteshin nga punët e mundimshme. Edhe t’u jepte pamje të hijshme, t’u qëndronte mirë në kokë e të mos rrëzohej kur përkuleshin për të korur apo prashitur. Si u menduan ca, ( jo shumë ) vështruan përqark dhe sytë lektisën te ajo takija e Gjemthit e bardhë hijeshumë, rrëzuar gjer poshtë përmbi vetullën e malit çapkën. Kapë më e bukur nuk gjendet pëshpëritën njëzëri dhe ashtu vendosën. Për t’i thurur nuk e patën vështirë e nuk u menduan dy herë se lesh deleje të butë kishin me shumicë, kurse dërstilat përgjatë Shkumbinit qenë radhë - radhë. Kështu u përshfaq takia mokrare spikatur ndër gjithë kapat endur qëmoti, apo stisur gjithfarësh sot e kësaj dite. Dallgëzimi i kapës përmbi leshra shpaloste karakterin e burrit, shpirtin e tij. Djemtë meraklinj e mbanin përmbi sy, njërën vetull gjysmë zbuluar, sikur u bënin isharet çupave që vështronin tinës, nënqeshnin nëpër buzë dhe iknin nxituar në punë të tyre me shpirtin plot nga nojma çapkëne. Burrat inatosur e rrasnin thellë në kokë, kurse të lodhur pa fuqi shquheshin së largu nga kapa shembur prapa kokës.
Habia më e madhe, si rrallë ndodh në të tjera vise, janë përthyerjet e çuditshme, shumëllojshe të pafundme në kaq pak vend.
Liqeri i dystë ndërron ngjyrë sa hap e mbyll sytë, merr të gjitha nuancat e kaltërsisë brenda pak çastesh. Tani shquan të kaltrën e hapur, pas pak një kaltërsi tjetër të errët, fill më tej blu e thellë e kështu pambarim. Erërat që fryjnë gjithnjë në drejtime të kryqëzuara, rrymat nënujore shtrirë përgjatë tij si rrënjë të ngatërruara rrapi, përthithin dritën në trajtë ylberi, përzjejnë ngjyrat dhe i trazojnë si piktorët, prandaj siperfaqja e tij ngjason me sytë e lëngëzuar ngjyrosur në bojëqielli të grave sensuale .
Përmbi sipërfaqen e sheshtë të ujit ngrihet thikë Mali i Thatë me guvat e frikshme. Afër e afër hiret e liqerit me shëmtinë e malit, lëndina e ujshme sqimatare me gremisjen e kreshpëruar, dy të kundërta ngjitur si nuk ndodh shpesh. Substancat jetësore të natyrës formësuar në trajta mospajtuese përballë njëra - tjetrës detyrohen mizorisht të qëndrojnë afërëvendosur në kundërshti të përjetëshme. E bukura shpaloset me larmi formash, bashkëjetesë stilesh formësimi. Si për të vërtetuar këtë parim rrezëllitës të eseistikës shpaloset në tjetër pamje shtrirja perëndimore e govatës ku kodrat dhe malet e Mokrës lartohen ngadalë, thyhen butësisht dhe duket hapur se me zor të madh i largohen hijeshisë së liqerit ëmbëlcak.
Përthyerja e vendit paqyrohet besnikërisht në karakteret njerëzore, të larme gjithfarëlloj. Krijimi përsëdytet, njëherë për plazmimin e lëndës inerte pa shpirt dhe tjetrën në ngjizjen e lëndës jetësore ndër qeniet e gjalla. Tushemishtarët punëtorë e kokulur jetojnë vetëm një kilometër përtej vërdovarëve trima e të sertë dhe po aq larg mëmlishtarëve qeflinj që nuk u hahet shumë puna. Linakët e urtë dhënë tepër pas përçapjeve jetësore të llojllojshme, veçan blegtorisë së shtuar, nuk përkujdesen fort për pamje e veshje sqimatarësh, ndërsa përtej udënishtarët qibarë s’para durojnë njeri mbi kokë e kështu pafund.
Larmitë e kudogjendura në njerëz apo dheun e begatë, fare afër për ato kundërshti të pabesueshme, i japin vendit bukuri përrallore në kufijtë e legjendave. Hiret plot nur grumbullohen mot pas moti, shumohen në trajtë eteri, lëndë inkadeshente e padukshme për shpirtin e zakontë, derisa godasin të përzgjedhurit e Zotit, të cilët i bëjnë ujem, i pështjellin me majën e gjërit pastaj u përhedhin magjinë e së bukurës. A nuk është Lasgushi përzgjedhja e kësaj magjie hojëzuar dora - dorës, ndoshta përgjatë një shekulli para tij? A mund të dyshohet se vjershërimi lasgushian është përimtim nuresh mbledhur prej një kohe fort të gjatë?
Lasgushi ngriti përmendoren e lavdisë së pavdekur shtatëdhjetë vjet më parë, ashtu si edhe themeluesi i prozës moderne shqipe, Mitrush Kuteli, të dy bij të kësaj treve plot hijeshi. Copëza e dheut tonë pasi u ngjiz për një kohë të gjatë i dha vendit e më përtej figura të papërsëritshme. Në treçerek shekulli mbeten maja të larta që do të adhurohen shumë gjatë nëpër motmotshmërinë e thinjur.
Nuk i shmangem dot ngasjes të cek fare zgrip në trajtë joshteruese një dukuri, sa të çuditshme aq edhe të dëmshme e të panevojshme.
Kujtesa është zahireja e shpirtit dhe mbetet e tillë për aq kohë sa ruan përmasa logjike apo sensin e masës, përndryshe kthehet në të kundërtën e vet. Kujtesa e munguar e dy figurave të mëdha të kulturës pogradecare për disa dhjetëvjeçarë qe e dhimbshme, shpërfillja skajore e turpshme, diçka përtej dhunës.
Po edhe kujtesa e shpërdoruar dekadat e fundit tingëllon në të njëtën trajtë të përçudnuar me imtësira shpesh groteske. Eshtë kthyer në standart një tiradë me të cilën fillojnë folësit nëpër ekspozita, paraqitje librash apo veprimtari të këtij lloji: “ Në qytetin e Lasgushit e Mitrushit…”  Krejt normale se korifenjtë e letrave këtu janë në sinorin e tyre, brenda artit të cilit i dhanë shumë dhe meritojnë shumë. Si jehonë e vagëlluar e kësaj tingëllime plot dinjitet edhe kur përurohen rrugë, ujësjellës apo lulishte, politikanë dhe folës të tjerë ardhur nga larg na kujtojnë se gjenden në qytetin e Lasgushit e Mitrushit, shpesh me shprehje dijetari që kumtojnë të vërteta të thella të cilat sapo qenkan zbuluar dhe ne vendasit e gjorë nuk i dimë. Kujtojnë se ky refren është e vetmja ndjesi që hyn në shpirtin e njerëzve, e mjaftueshme për të siguruar simpatinë e dëshiruar. Jam i sigurt se shpërdorime të tilla jo vetëm nuk bëjnë përshtypje, por lënë shijen e hidhur të humorit banal, krejt pa vend. Të kujtojnë kohën servile të pështirë kur përuroheshin edhe stallat e bagëtive me motivacionin uniform:“ Nën udhëheqjen e… ”. Si duket njerëzit janë prirur të lënë pas gjithshka po jo traditën, mënyrën e të menduarit me të cilën janë familjarizuar prej një kohe të gjatë, formulën e vjetëruar të përthithjes dhe jetësimit të dukjes njerëzore.
“ Jepini Qezarit atë që është e Qezarit! ”; përqasja më vlerësuese për të çmuar e nderuar pasurinë kulturore të gjigandëve të artit pogradecar.
Lisat e mëdhenj e kanë hijen e gjatë ndaj përreth tyre është ca e vështirë të mbijnë e rriten shëndetshëm të tjerë. Mirpo treçerek shekulli përkëtej ngjizja e pjalmit vazhdon, tharmi grumbullohet sërisht dhe domosdo godet të tjerë krijuesë të talentuar që ngrihen mbi bashkëvendasit dhe flasin me zërin drithërues të artit të vërtetë. A mos është  rastësor brezi vezullues i piktorve pogradecarë nga më të vjetrit dhe pastaj të rinjtë, veçuar për mëvetësi ngjyrash e stili në galeritë kombëtare e ato jashtë vendit? A mos është e pashkak poezia e fisme në ditët tona, përkthyer dhe çmuar në disa gjuhë që ka lartësuar lirizmin shqip nëpër botë? Po fenomeni “ Darova ” i patëdytë dhe tepër i dhimbshëm në 50 vite të shkuara a mos ishte i papritur? Dhe në mënyrë të shëmtuar vazhdojnë të shpërfillen e dënohen me harresë edhe sot?!
Jo! Sigurisht jo!
Tharmi i habitshëm e pakuptuar i kësaj mënge të dheut ka ngjizur e do të vazhdojë pjalmëzimin mrekulli pas mrekullie, ligjësi e pandryshuar e së bukurës, estetikës, thesar kulture që ka nevojë të çmohet sot e jo t’u mbartet brezave të ardhshëm dhjetra vite pas vdekjes si mallkim gjymtues. Shpërfillja e vlerave të spikatura, mëkat i përsëritur tashmë pa arsye qenësore, është i pafalshëm.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora