Kulturë
Sabit Rrustemi: Dokumenti i grisur
E premte, 08.01.2010, 09:49 PM
Sabit RRUSTEMI
DOKUMENTI I GRISUR
(Ramë Bllacës, për shkak se nuk vuri gisht në Dokumentin e Marrëveshjes jugosllavo – turke për shpërnguljen e shqiptarëve të 1938-tës)
1
Mblidheshin burrat. Pasdarkave bënin kuvend;
- Na u shtua zullumi, këtu s’na mbeti vend!
Të mesërmen hapeshin fjalët:
- Shkoi filani e filani…
Të tjerët bënin gati letrat
Rraçkat
Plaçkat .
Ndërsa një Burrë
Natë e ditë nuk e fikte cigaren,
Një sy gjumë s’e bënte.
Duhej shkuar tek ai Pallat i përhirtë,
Fatin e një populli mbante në Gisht…
2
Hyri brenda Qetësia e Furtunshme
Pa mirë se na erdhe,
Pa mirë se na gjete!
Nuk kish kohë për muhabete. Temenara.
- Zoti ministër nga na polli kjo vaki?
Vrau atë heshtje. Monotoni.
- Ulu njëherë mixho,ta dredhim nga një!
Burri ishte mësuar se si dridhte tash Ai.
- S’është koha për ndenjë, zotëri,
Një popull në rrugë prêt…
Nga kolltuku u ngrit ministri
Me fyryrën verdh e zemrën zi.
Marrëveshjen Sekrete ia ofroi.
Tamam si ministër e urdhëroi:
- Vër Gisht mbi këtë Dokument!
3
Drodhi kokën Burri.
Para syve i dolën varret e gjyshërve. Stërgjyshërve.
Eshtrat që u ndezën, që u shkrinë në një fjali:
Qëndroni! Mbi varreet e tyre akoma bari s’ka mbi…
Iu turbullua gjaku. Iu nxeh sa s’ka.
Pallati u shemb. Sipri i ra. Ai s’duroi më:
- Shkrim – leximin unë s’e di
Veç djallëzinë rënde shoh në sy,
Plumbin e koburës këtu vë
Pa gjithçka të shuhet deri në hi!...
4.
Grisi Dokumentin. U nis për në Shtëpi.
Këngëtarët akordonin
Akordonin çftelitë
Për ta pavdekësuar atë trimëri
Tinzarët zinin pritat. Rrugët.
Me njërën dorë mbushnin xhepat
Me tjetrën armët.
Populli priste Burrin
Ai vinte i ndjekur nga plumbat
Për ta thënë atë që tash e dinte dhe një fëmijë;
- Bëra atë që duhej ta bëja
Shtëpive tona, një Popull ktheva.
( Poezi e blerë në konkursin letrar të revistës “Jeta e Re”, 1980 dhe e botuar dhjetë vite më pas, në shtator 1990, në revistën për kulturë, “Fjala”, Prishtinë. E rigjetur këto ditë tek shkrimtari ynë, Nexhat Rexha).