E premte, 10.05.2024, 09:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Sokol Demaku: Intervistë me gazetaren dhe poeten Arjana Loçe

E premte, 08.01.2010, 10:31 PM


INTERVISTË ME ARJANA LOÇEN

Gazetare /Poete

Nga Sokol DEMAKU

Arjana Loçe ka lindur më 28 maj të vitit 1986 në qytetin e Kuçovës, në një familje me tradita shkollimi dhe edukimi. U rrit në vitet e para të demokracisë me të gjitha vështirësitë dhe përparësitë që solli ajo, si një vajzë e shkathët, me dëshirë të papërmbajtshme për të mësuar gjithçka e për të imituar gazetarët e parë që dilnin në ekran, menjëherë pasi ata ta kishin mbyllur edicionin e lajmeve. Në moshën 12 vjeçare shkroi poezinë e saj të parë kushtuar tragjedisë së madhe të Otrantos, për të cilën, në konkursin letraro-artistik të shkollës u vlerësua me çmimin e parë. Në mbyllje të shkollës së mesme botoi vëllimin “ Poezia e zemrës”. Ka mbaruar studimet e larta, dega Gazetari, në Tiranë. Tashmë punon si gazetare e drejtuese e dy programeve  radiofonike në “Super Star Radio”(Tiranë) si dhe vazhdon të merret me krijimtari  të lirë.   

- Arjana, publiku iu njeh më së shumti si zë, pasi  ju jeni drejtuese e disa programeve radiofonike, si ju bën të ndiheni ky fakt?   

Së  pari dua t`iu falenderoj ju që përmes kësaj intërviste po bëni që ky publik të mësoj diçka më tepër për mua, krahas zërit dhe asaj ç`ka unë përcjell në mikrofon. Radio është e magjishme, komode dhe shumë e përshtatshme për karakterin tim. Puhonet në stafe të ngushta, pasi secili ka programin e vetë dhe çdo lloj marrëveshje në kuadër të punës është më lehtësisht e realizueshme. Fakti i të qenit person publik, në një kohë kur pjesa më e madhe e njerëzve, pa i paragjykuar, bëjnë gjithçka për të dalë qoftë edhe një herë në mediat vizive, mua nuk më tërheq aspak. Ndoshta me kalimin e kohës gjërat ndryshojnë, por momentalisht radion nuk do ta ndërroja me asgjë.

- Sa  kohë keni si moderatore në radio dhe a u është larguar ai emocioni i momenteve të para të prezantimit?

Në radion aktualisht, kam gati një vit e gjysëm që punoj çdo ditë në transmetime të drejtëpërdrejta. Në këtë pikën e emocioneve unë do doja të ndalesha e të bëja një analogji me momentin kur hyjmë për herë të parë në det për t`u larë dhe fillimisht na përshkruajnë mornica, dalim nga deti dhe kur hyjmë për herë të dytë nuk e ndiejmë këtë, ndërsa të nesërmen çdo gjë përsëritet nga e para. Pra emocion kam sa herë që hyj në mikrofon, më pas ai shkrihet dhe unë çlirohem.

- Shumëllojshmëria e mediave në Shqipëri mendoni se ia ka zbehur rolin radios?! 

Jo, aspak, fakti që shumë media egzistojnë për një vend kaq të vogël, është një çështje tjetër, por, unë mendoj se nuk ka zbehje, po ndryshim të rolit apo funksionit të përdorimit nga ana e audiencës. Kohë më parë kur në Shqipëri ende nuk  ishin krijuar radiot dhe televizionet private, radio-ia kishte qëllim informues, ndërsa sot unë mendoj se ka qëllim argëtues, pasi janë mediat audio-vizive ato që përmbushin hapsirën informuese.      

- Mund të na flisni pak më hollësisht për ideimin dhe realizmin e programeve tuaja?

Po, gjithmonë më ka pëlqyer të jem vetë ideatore, krijuese dhe realizuese e një pune, kjo jo se nuk ndihem e aftë të punoj në grup, por edhe nëse bëj një punë me bashkëpuntor unë do ta ndjek atë nga fillimi në fund, duke ndërhyrë herë pas here aty ku mendoj se diçka nuk shkon. Në fillim ideova programin “Pena  dhe zëra të dashurisë”, ku drejtëpërsëdrejti në një hapsirë 120 minutëshe, interpretoja poezi të zgjedhura nga penat më të njohura të dashurisë, si dhe transmetoja mes tyre muzikën më të bukur shqiptare kushtuar kësaj ndjenje.
Pastaj me ndryshimin e stinës me afrimin e verës, hodha idenë e një programi argëtues gjatë orëve të pasdites, programit “Pertej argëtimit”, program që përcell humor përmes barcaletave, informacione, muzikë, disa lloje kuicesh apo lojrash, batuta filmash shqiptarë e komunikim të drejtpërdrejtë përmes mesazheve. Programet realizohen nga unë në mikrofon  dhe tekniku në anën e pultit të transmetimit. Audienca është gjithonë me ne por në pjesën e padukshme.        

- Po në fushën e krijimtarisë letrare, cilat janë risitë?  Krijimtaria juaj i përket një periudhe të gjatë kohore.Cila është tema dhe motivi në veprat tuaja?

Në këtë fushë ndihem shpeshherë e frymëzuar dhe ndodh që edhe duke parë diçka në rrugë më lind dëshira të shkruaj. Ajo që më ka mësuar gazetaria, më vlen shumë edhe në fushën e krijimtarisë. Gjithmonë me vete laps dhe letër, gjithçka duhet shënuar pasi ndodh që diçka të kalon vetëm njëherë nëpër mendje dhe s`kthehet më. Kur ndihem e frymëzuar për të shkruar, më vjen idea dhe s`kam kohë, të paktën shkruaj temën dhe më pas sapo gjej hapsirën e lirë e mbush. Ndonjëherë këtë e bëj edhe në hapsirën e celularit. Përshembull, një ditë me shi duke udhëtuar pashë në një ballkon një lule shumë të bukur që po lagej. Lulja në shi-mendova-është tamam si një vajzë që dikush që e ka dashur e ka braktisur, e brishtë dhe e pambrojtur, tashmë i është dorëzuar fatit. Dhe vendosa të krijoja një poezi ku vajzën e braktisur ta krahasoja me lulen e lënë në shi. Dhe kështu bëra, kësaj here, jo në letër, as në kompiuter por në celular. Frymëzimi nuk duhet ndrydhur.   

- Përveç letërsisë dhe gazetarisë cilat janë disa nga pasionet e tjera tuajat?

“Vetëm pasionet e mëdha mund ta çojnë shpirtin drejt gjërave të mëdha”- ka thënë filozofi dhe shkrimtari francez Denis Diderot. Gazetaria dhe letërsia janë dy pasionet e mia të mëdha, të tjerat unë mund t`i quaj thjesht dëshira, pasi mund ti plotësoj ose jo, ndërsa me pasionin është ndryshe, pa të s`bën dot, ai të udhëheq. Dëshira për të lexuar, për të frekuentuar teatrin, kinemanë, bibliotekën, aktivitetet kulturore, për të mësuar pak nga të gjitha, për t`i ndihmuar të tjerët sadopak. Përgjithësisht kam dëshirë t`i bëj mirë vetes dhe të tjerëve.

- Ju jeni gazetare profesioniste por merreni me shkrime dhe publicistikë, çfarë është momentalisht më me interes për ju?

Unë  them se ato ecin mjaft mirë paralel. I shoh si pjesë plotësuese të njëra-tjetrës, e para profesion, e dyta pasion. Profesionin e ushtroj me aq kënaqësi sa më lejon ta quaj edhe pasion. Dhe pasioni më ndihmon në profesion. 

-  Një gazetar, një shkrimtar,një publicist kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër.Si është Ana nga natyra?

Një njeri shumë i etur për të mësuar dhe punuar, madje këtë s`e kam në masë, por me tepricë, ndonjëherë harroj se ka dhe gjëra të tjera përveç punës. Gazetarin, po kam përshtypjen edhe shkrimtarin, po e nxorrën nga dera do hyj medoemos nga dritarja.      

-  Çfarë ka botuar Ana deri tani dhe çfarë pret ti dhuroj lexuesit?

Sikurse e përmenda, vëllimi ”Poezia e zemrës” tashmë është në treg, kam pothuajse gati për botim vëllimin e dytë si dhe në dorëshkrime romanin tim të parë  ”Sa zgjat një përqafim”.

- Nëse do të kishe mundësi të jepje ndihmësen tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka.

Përsa i përket shqiptarëve brenda kufirit është diçka tjetër dhe përsa  u përket atyre jashtë sërish gjërat ndryshojnë. Megjithatë në një pikë lidhen. Do desha që Shqipëria  të ishte aq e madhe sa të përfshinte brenda saj të gjithë shqiptarët kudo ndodhen, e nuk do desha që në çdo skaj të botës të kishte nga pak Shqipëri. Duke qenë më pranë ne do të kishim mundësi të ishim më të fortë dhe do t`i mbronim  e tejçonim më mirë vlerat tona si popull. Nëse do më jepej mundësia këtë do bëja, një Shqipëri të madhe.    

- Nëse gazetaria, letërsia, ose publicistika nuk do të ishte profesioni juaj, ne çfarë profesioni do e gjente veten Ana?

Askund tjetër dhe këtë e them me siguri të plotë. Megjithëse e vështirë, të gjithë tashmë e dimë se kjo është një pemë që duhen vite për t`i shijuar kokrrat. Ama frytet janë të sigurta nëse punon me pasion e përkushtim.  

- Çfarë ju benë të lumtur dhe çfarë ju mundon më së shumti?

Më lumturon çdo gjë në paqe dhe harmoni, dhe më mundon gjithçka e rrëmujshme dhe e dhimbshme.

-  Po të kishit mundësin të zgjidhnit, ku do të kishit jetuar?

Në Shqipëri, por në atë Shqipërinë e madhe dhe shumë të ndryshme për nga klima e zhvillimit me këtë ku unë jetoj aktualisht.
Faleminderit !



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora